18/06/2026

Të isha sot një “Edi Ramë”!

0
Llesh-Ndoj

– Reflektim nga distanca e më shumë se dy viteve –

Nga Llesh NDOJ

Pse i rikthehem kësaj teme?

Pak më shumë se dy vite përpara, saktësisht më 9 shkurt të vitit 2024, pata bërë një shënim në faqen time të facebook – ut, titulluar “Të isha sot një “Edi Ramë!”. Ky opinion është botuar në librin tim “Këndvështrime 2” (Publicistikë, botimet “Emal”, Tiranë 2025). Po pse i rikthehem sot? Sot i rikthehem këtij opinioni duke menduar saktësisht si atëherë: Nuk dua të jem një Edi Ramë, e nëse aksidentalisht do të isha një i tillë, do të bëja saktësisht të njëjtën gjë. Protestuesve në bulevard, që tashmë kanë hyrë në histori me mënyrën e kohëzgjatjen e protestës së tyre, thjesht do t’u kërkoja besë e të dilja para tyre në shesh, ku do të deklaroja hapur e burrnisht: – Keni të drejtë në të gjitha kërkesat tuaja. Unë e Saliu e kemi qelbur këtë vend të bekuar dhe tani është koha të hapim krahun. Jam në dispozicionin tuaj për të bërë ndryshimet e domosdoshme, duke dhënë dorëheqjen, për t’i dhënë udhë një qeverisje kalimtare deri në realizimin e kërkesave tuaja, jam i gatshëm të hymë në procesin e reformimit kushtetues të vendit e të dorëzoj para drejtësisë të gjitha baluket e spërdredhura që e ropën këtë vend, për të cilat ndjehem përgjegjës. Ky është shërbimi im i vetëm dhe më i mirë, që mund t’i bëj vendit këtu ku e kemi katandisur në simfoni të plotë Rilindje – Rithemelim.

Parantezë.

Ndjehem më shumë se komod kështu siç jam dhe s’kam lakmi pozitën e askujt. As pozitën ekonomike, as atë politike. Bile as pozitën shoqërore, jo e jo. Si t’i kem lakmi të pasurit, kur ata përherë i shoh më të shqetësuar se veten në kohën kur merrja vetëm bukën për familjen? Si mund t’i kem lakmi politikanët, kur shoh parlamentin e sharjet me libër shtëpie mes tyre, tamam si në një spital psikiatrik? As pozitën e tyre shoqërore s’e lakmoj! Njihen prej të gjithëve e s’njohin askënd, përveçse parasë, karrigës që u “pompon” pushtet, e vetëknaqësisë në monologjet publike që u ka dalë boja. Ndoshta… shtatgjatësinë ia lakmoj Edit, se na sheh nga lart.

Përballë një proteste si kjo e muajit qershor 2026, kurrësesi nuk do të doja të isha në lëkurën e

Edi Ramës. Bile të asnjë politikani që skena jonë politike njeh deri më sot. Do të më trembte një grumbullim i tillë kaq cilësorë dhe i vendosur edhe nëse do të dilnin të manifestonin mbështetje ndaj meje, jo më të kërkonte dorëheqjen, e për më tepër burgosjen time. Edhe pse jam kundër rrugës, kjo pamje e sheshit kryesorë të Tiranës, e disa shesheve nëpër rrethet e Shqipërisë, e shesheve në shumë kryeqytete të botës, tashmë me një kërkesë unike: – Jep dorëheqjen!, sigurisht që do më bënte të mendohesha: – Pse kaq vonë!, jo më t’i rezistoja asaj.

Po çfarë do bëja të isha një “Edi Ramë”?!

Numri i gjërave që duhen bërë, edhe në një shtëpi të vogël, është kurdoherë i madh dhe besoj i pambarimtë. Zotësia e atij që rëndom i ka rënë “belaja” për të qënë zot shtëpie, qëndron pikërisht këtu: Të zgjedhë më të rëndësishmen mes detyrave të shumta që ka, të planifikojë e racionalizojë forcat për t’i realizuar ato me sa më pak dhimbje. E, nëse shteti konsiderohet si një familje e madhe për nga përgjegjshmëria e dashuria, nuk ka gjë më të madhe për “të zotin e shtëpisë” se sa të sigurojë harmoninë mes anëtarëve të familjes, respektin reciprok mes tyre, në mos dashurinë. Këto janë premisat për një familje të shëndetshme, e kjo është baza për të pretenduar për më shumë, më lart e më larg…!Më shumë se dhjetë vite në pushtet dëshmuan buindshëm se Edi Rama nuk e bën dot këtë. Përkundrazi e përkeqësoi gjendjen e harmonisë në familjen e socialistëve, në radhë të parë, e në familjen e madhe të shoqërisë shqiptare, po e po, e tash i ka mbetur shërbimi i fundit: jo thjeshtë hapja rrugë e zhvillimeve të reja, por vënia e mandateve rilindase, të rrëmbyera me maska socialiste, në shërbim të zhvillimeve aktuale, pa hile e me devocionin që i ka munguar deri më sot.

A është e shëndetshme familja jonë?

Aspak! Sikur të mos mjaftonte emigracioni, që e ka kthyer vendin në një azil pleqsh pa shërbime, ekonomia pa perspektivë rritjeje mbi baza reale, arsimi në pikë kritike e shumë alarme të tjera, që bien nga të gjitha anët, konfliktualiteti politik i atyre që duhet të ishin garancia për të ecur përpara “me mendje të ftohtë” është gangrena e mbi tridhjetë viteve tranzicion. Ajo përkthehet në gjithshka: ekonomi e munguar, e djeshme e dhimbshme, e sotme pa sy dhe e nesërme pa mend dhe pa të ardhme. E si mund të jetë e shëndoshë një familje ku dikush vuan nga mbingopja, e tjetri nga uria, ku sundohet e nuk udhëhiqet me shembullin personal, ku i padituri komandon të mençurit, ku injoranti kakaris në parlament e shkencëtarët mezi marrin bukën e gojës, duke mos ushtruar dot profesionin për të cilin janë shkolluar? Ku një drejtor merr sa njëqind pensionistë e një ministër sa për njëmijë të tillë, ku shtetarët injorantë nuk dinë nëse duhet t’a tërheqin pagën, e të tjerët blejnë me lista, ku ish – prokurorë e gjyqtarë të korruptuar deri në palcë bëhen deputetë e opinionistë, duke shitur por… nëpër ekrane, në vend që të ishin fqinj me Metën, Veliajn e ndonjë tjetër, ku për të varfërin fjala burg u shqiptohet si “bukë”, e hajnat livadhisin mbi pasuritë e vendit, kun jë pensionist shpenzon gjysmën e pensionit për ilaçe, dhe pushtetarët bredhin dhe defrejnë me paret tona! Edi Rama e ka kthyer vendin nën sundimin e nje familjeje mafioze politike e ekonomikisht të pangopur. E megjithatë mund të qeveriste gjatë nëse nuk do ta përdorte gojën vetëm për të folur e ofenduar të tjerët, nëse do të kishte edhe veshë për të dëgjuar, nëse do të kishte një bark normal njerëzor e jo një përbindësh-oqean që thith miliardat e shqiptarëve, nëse do të kishte jo gur në gjoks, por shpirt për të dëgjuar e të mos ishte refraktar ndaj gjithkaje, por të bartte ndjeshmëri njerëzore në qeverisje. Asnjë tipar njerëzor nuk e ka qeverisja e tij nga më i vogli deri tek ai vetë, naltgjatësia e tij, ndaj ka urrejtje e mllef popullor të cilit nuk i shpëton dot. Në këto kushte ka vetëm një shteg: Të vihet në dispozicion të protestuesve me të gjitha votat e deputetëve socialistë e kakariqëve rilindas që i mori nga rruga e madhe, pa i njoft as shtëpia e vet, e na i shiti si ajka e kombit. Saliu nuk mund të jetë më tej shpëtimi yt e i klikës që ke vënë në pushtet.

Pra, po të isha “Edi Ramë”, për më tepër i tejngopur nga pushteti i plotë dhe i tejzgjatur, këtë do të kisha veçuar si hallkën kryesore, e aty do të kisha përqëndruar forcat për të dhënë edhe zgjidhjen. Thënë këtë, nuk dua të fajësoj askënd më shumë a më pak. Për konceptin tim, krejt janë fajtorë me dashje në këtë situatë, por më “i forti” duhet të lëshoje pe e të hapë rrugën. Ai që ka patur fatin apo rrezikun e të qënit në krye, duhet të përdorë pushtetin e mbingarkuar për “të lehtësuar barrët” e qeverisjes, qoftë edhe duke humbur karrigen e tij të pushtetit. Më saktë, duke zbrit nga kolltuku në karrige normale, se edhe opozita e tillë është, pushtet në një shoqëri demokratike. Por familje të shëndoshë nuk ka e nuk mund të ketë kur njëri flet e komandon e të tjerët thjesht duhet të zbatojnë urdhërat e tij. Koha e të tillëve duhet të kishte kaluar prej dekadash. Edhe në një familje të vogël, me këtë metodë nuk të don askush, jo më në një shoqëri formalisht demokratike. Rënia nga rruga drejt e në udhë është e dhimbshme për vendin dhe e tmerrshme për Ju. Përdore protestën si mundësi zbritje të butë!

Por ç’do të bëja unë konkretisht në këtë moment, po të isha një “Edi Ramë”?!

Fare pak gjëra, me një peshë të madhe për të nesërmen: Me një fjalim si ai di të bëjë (ia kam lakmi artikulimin gjuhësorë!) në parlament, apo në forumin më të lartë të socialistëve (rilindasve – robotë që vetëm e duartrokasin), do të shpallja gadishmërinë për të shkuar në zgjedhje të reja, sapo të krijohen parakushtet e nevojshme që ato të jenë normale, do të propozoja që opozita e strukturuar nga lëvizja popullore në shesh të hartojë Kodin Zgjedhor, i cili do të miratohej nga socialistët me kushtin e vetëm që opozita t’a votojë hapur me të gjithë segmentet e saj dhe ai të ketë marrë miratimin e organizmave ndërkombëtare relevante, dhe vendin drejt zgjedhjeve ta drejtojë një qeveri teknike, ku asnjë nga figurat që kanë drejtuar ndonjëherë në poste të nivelit deputet, ministër e lart të mos ishte pjesë. Le të gjendeshin edhe fondet e duhura për gjithshka kërkon një palë zgjedhje që duhet të rezultojnë zgjidhje. Madje jo vetëm një palë, por dy e tri, derisa demokracia të instalohet në vend, e sistemi autokrat e me tendenca diktatoriale, të mos rrezikojë rikthimin, garantuar kjo nga një kushtetutë e re, miratuar me referendum, e nga mekanizma të tjerë të njohura ligjore. Protestuesve do t’ua dija shumë për nderë, që më ofrojnë “një ashensor” për të zbritur butë nga maja e fikut ku e kam konsideruar veten, e nuk po e presin fikun në trung që të bije me kokë në gropën e halesë që vetë e kam gatuar.

Po më tej?

Pasi sovrani të japë verdiktin e tij të pa vesuar, në se partia do të ishte përsëri “i dënuar” për të qeverisur, do të mbështesja një proces të hapur brenda saj pë të dal në krye figura të reja dhe do të respektoja këdo për aq sa e ka respektuar populli, duke parë përpara drejt destinacioneve strategjike ku duam të shkojmë, pa mbivlerësuar as nënvleftësuar askënd për asgjë, larg tekave të secilit e sidomos larg veseve të pushtetit. Pyetja e popullit do të duhet të rikthehet në modë, do të duhet të jetë rregulli e jo përjashtimi. Referendumet lokale e kombëtare do të duhet të ishin lehtësisht të realizueshme, pa manovra politike, si e kemi zakon. Një kushtetutë e lehtësuar, e kuptueshme dhe e zbatueshme, miratuar me referendum, një administratë e lehtësuar, e mbrojtur kur bën detyrën dhe e kërcënuar me masat më të rënda për korrupsion e vepra të tjera penale, që lidhen me ushtrimin e detyrës, një kuvend i lehtësuar thellë në numra e ku zgjidhen bijtë e popullit, përfaqësuesit më dinjitozë të tyre e jo më kopilat e korrupsionit, një drejtësi jo persekutore, por shërbëtore ndaj kombit, do të ishin garancia që “ferri ynë” të mbetej me nëntë rrathë e jo me nëntëqind të tillë.

Në përmbyllje…

Po të isha…Ai, ndoshta s’mbetem…Unë! Se edhe Ai, më duket s’është vetvetja! Ekuacion i veshtirë, forca transformuese e pushtetit! Ndoshta, duke reflektuar nga pozitat e vetes, do të bëja gjithçka duhet për të kufizuar mandatet e për t’ia njohur popullit sovranitetin e pa vesuar, si deri më sot.

Një kërkesë falje nga unë protestuesve:

Kurrë nuk kam patur pushtet në demokraci, as nuk dua të kem. As një rrogë shteti se kam marr tash rreth 23 – 24 vite, as nuk e dua kurrë edhe pse kam 20 vite të dëshmuara në banga shkolle. Por, po… jam përgjegjës për këtë qeverisje të poshtër. Kam kontribuar gjithnjë me votat e mija, jo si patronazhist por si votues, që njerëz si unë m’a dëgjojnë fjalën, e ia kam dhënë kësaj klike (natyrisht duke e ditur çetë engjëjsh!) gjithnjë votën. S’ka rëndësi 3, 30 apo 300. Mëkati s’ka peshën e numrave, por peshën e shpirtit. Votat e mija sot protestojnë kundër kësaj qeverisje pa shpirt, kësaj makinerie vrastare të demokraciosë, e ato do të kontribuojnë prej tash hapur në drejtimet e më lart përmendura.

Dhe krejt përfun u drejtohem protestuesve: ma dëgjoni lutjen, edhe pse s’jam akoma me Ju. S’jam me Ju, jo se nuk keni të drejtë, por se entuziazmi juaj ka me pjellë një Edi të dytë, një Sali të dytë, një Enver të dytë apo më tej një Hitler të dytë, ndoshta më keq akoma, një pjellë monstër apo kolazh i të gjithëve që as dreqi vetë se largon më nga froni! Kujdes…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok