Rasti Hila dhe realiteti shqiptar
Nga Albert Z. ZHOLI
Në lidhje me rastin e Adi Hilës (personalisht e njoh si profesionist) dhe me disa prej figurave VIP të showbiz-it shqiptar, të cilat i kam intervistuar gjatë viteve, kam përjetuar një ndjesi të fortë zhgënjimi dhe habie. Gjatë zhvillimit të intervistave me disa prej tyre, kam njohur femra inteligjente, profesioniste dhe tepër korrekte. Prandaj, kur dëgjova për ngjarjen që lidhet me Adi Hilën, u shtanga. Nuk mund ta besoja pasi flitej pwr disa… Mendimi im për këtë çështje ka dy anë të së njëjtës medalje.
Së pari:
Nuk duhej që këto situata të bëheshin publike në këtë mënyrë.
Këto gra kanë një jetë të gjatë në skenë apo në ekran dhe, për shumë njerëz, janë kthyer në figura të njohura të artit dhe showbiz-it shqiptar. Na kanë dhënë gëzim, hare…Diskutimi publik i jetës së tyre private mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm, sidomos kur bëhet fjalë për situata intime. Ato kanë familje, fëmijë, prindër, të afërm dhe njerëz të tjerë që preken drejtpërdrejt nga mënyra se si një ngjarje e tillë publikohet. E vështirë që opinioni ti shohi si më parë. Dëmi nuk kufizohet vetëm te imazhi personal i një gruaje; ai mund të shndërrohet në një lloj bumerangu që prek edhe mënyrën se si opinioni publik i sheh gratë e showbiz-it në tërësi.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Së dyti:
Është edhe më e rëndë mënyra se si pretendohet se kanë ndodhur këto situata (personalisht dua të jenë të pa vërteta). Nëse faktet e bëra publike vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me një çështje shumë më serioze sesa thjesht me jetën private të një personi. Sipas asaj që është bërë publike, Hila thuhet se akuzohet (nga sa kam lexuar dhe nuk mund ta akuzoj kurrë vetë) jo vetëm se ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të krijuar situata intime me gra që kanë pasur marrëdhënie profesionale me të, por edhe se i ka filmuar këto momente.
Edhe argumenti se kamerat janë vendosur për shkak të vjedhjeve të mundshme nuk e justifikon, nëse bëhet fjalë për kamera të vendosura në ambiente intime, si dhoma e gjumit. Për sigurinë mund të monitorohen ambientet e përbashkëta dhe hyrjet e një banese, por privatësia e hapësirës intime është tjetër gjë.
Nëse një person e di se po kryen marrëdhënie intime me gra të njohura publikisht, të cilave një publikim i tillë mund t’u dëmtojë rëndë reputacionin, atëherë çështja merr një dimension edhe më problematik sepse ka disa raste. Këtu lind pyetja thelbësore: A do të krijohej kjo marrëdhënie nëse ai person nuk do të kishte atë profesion, atë pozicion dhe atë ndikim?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë nuk mund të flasim thjesht për një marrëdhënie private mes dy njerëzish. Duhet të shqyrtohet edhe dimensioni i pushtetit dhe i marrëdhënies profesionale. Historia botërore ka treguar se përdorimi i një pozicioni profesional apo institucional për të krijuar favore seksuale mund të shndërrohet në një çështje me pasoja shumë përtej jetës private të individëve. Rasti Clinton, për shembull, tregoi se si një marrëdhënie intime mund të marrë përmasa publike dhe politike kur përfshihen marrëdhëniet e pushtetit dhe detyrës.
Natyrisht, çdo njeri ka të drejtë të ketë jetën e vet private dhe marrëdhëniet e veta, për sa kohë ato janë të lira, të ligjshme dhe të bazuara në pëlqim, dashuri tw sinqertë (jo interesash) jashtë ndikimit tw pushtetit dhe pocicionit. Por kufiri ndryshon kur pretendohet se pozita, profesioni apo vendi i punës përdoren për të përfituar favore seksuale. Në këtë pikë nuk flasim më vetëm për dashuri, marrëdhënie apo zgjedhje private. Flasim për një marrëdhënie pushteti dhe për mundësinë e abuzimit të një pozicioni profesional.
Nëse do të ishte thjesht një marrëdhënie e lindur nga dashuria dhe vullneti i lirë i dy njerëzve, çështja do të ishte krejt tjetër. Por kur një person përdor autoritetin, emrin, profesionin apo mundësinë që i jep pozicioni i tij për të afruar gra (disa raste) që vijnë për arsye profesionale, atëherë kemi një problem që meriton të trajtohet seriozisht. Dhe këtu qëndron edhe paradoksi i kësaj historie: nga njëra anë, privatësia e këtyre grave duhet respektuar dhe ekspozimi i jetës së tyre intime mund t’u shkaktojë një dëm të madh; nga ana tjetër, nëse ka pasur shfrytëzim të pozitës profesionale apo filmim pa pëlqim, kjo nuk mund të fshihet thjesht pas argumentit se “është jetë private”. Pikërisht për këtë arsye, kjo ngjarje duhet të trajtohet me shumë kujdes: pa gjykuar apo poshtëruar gratë e përfshira, por edhe pa relativizuar akuzat për abuzim të pozitës profesionale apo cenim të privatësisë. Sepse në fund të fundit, çështja nuk është vetëm se çfarë ka ndodhur në jetën private të disa individëve. Çështja është se çfarë ndodh kur pushteti, profesioni dhe fama ndërthuren me marrëdhëniet intime dhe se sa i mbrojtur është individi më i dobët në një marrëdhënie të tillë. Por ky rast nuk është i vetëm …
