Presheva bëhet qendër e një konference shkencore për studimet e huaja mbi shqiptarët
Studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës mblidhen më 24 dhe 25 tetor për të trajtuar kontributin e studiuesve të huaj në njohjen e historisë, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Nga Sevdail Hyseni
Preshevë – Lugina e Preshevës do të jetë në qendër të një veprimtarie të rëndësishme shkencore e kulturore, ku studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicra, Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare do të mblidhen për të diskutuar mbi rolin dhe kontributin e studiuesve të huaj në njohjen, dokumentimin dhe interpretimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Konferenca shkencore me temë “Studiues të huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare” do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026, në Samolicë, në sallën e konferencave të hotel-restorantit “Bici”, në rrugën e vjetër Preshevë–Bujanoc. Punimet do të nisin të shtunën, më 24 tetor, në orën 11:00.
Konferenca organizohet nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, ndërsa sipas programit, veprimtaria financohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës.
Një forum shkencor me përmasa gjithëshqiptare
Programi i konferencës dëshmon për një pjesëmarrje të gjerë të studiuesve dhe për një shtrirje tematike që përfshin arkeologjinë, historinë, albanologjinë, gjuhësinë, etnologjinë, folklorin, letërsinë dhe trashëgiminë kulturore.
Në mesin e studiuesve të përfshirë në program janë Akademik Adem Bunguri, Akademik Hamit Kaba, prof. dr. Agron Xhagolli, prof. dr. Drita Halimi-Statovci, prof. dr. Isak Shema, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. sc. Shpëtim Memishi, prof. dr. Vebi Bexheti, si dhe një numër i madh studiuesish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës.
Tematika e kumtesave është e gjerë. Ajo nis nga kërkimet arkeologjike dhe monumentet e lashtësisë, duke vijuar me historinë shqiptare, Kosovën dhe çështjen shqiptare në studimet e autorëve të huaj, shqiptarët në Ukrainë, si dhe figura e studiues të rëndësishëm që kanë dhënë kontribut në dokumentimin e historisë shqiptare.
Nga albanologjia te historia dhe gjuha shqipe
Një pjesë e rëndësishme e konferencës i kushtohet albanologjisë dhe studimeve gjuhësore. Në këtë kuadër do të trajtohen figura dhe vepra të studiuesve të huaj, ndër të cilët Petar Skok, Maximilian Lambertz, Auguste Dozon dhe studiues të tjerë.
Në program përfshihen tema mbi gjurmët franceze në albanologji, pikëpamjet e Petar Skokut mbi gjuhën shqipe, toponiminë e rajonit të Shkupit, të folmen e shqiptarëve të Luginës së Shkupit, si dhe kontributet e albanologëve të huaj në studimin e gjuhës, folklorit dhe botës arbëreshe.
Konferenca trajton gjithashtu etnografinë dhe kulturën popullore shqiptare, duke sjellë në vëmendje studimet e autorëve të huaj për këngët e kreshnikëve, ritet e ciklit jetësor, etnokulturën shqiptare dhe muzikën tradicionale.
Edith Durham dhe Lugina e Preshevës
Një tjetër seancë e konferencës do t’i kushtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe mënyrës se si ata janë trajtuar në studimet e autorëve të ndryshëm.
Në këtë drejtim Dr. Sc. Shpëtim MEMISHI, do të trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës në vështrimin e studiuesve Ulf Brunnbauer dhe Wouter Torbeyns”, ndërsa Xhemaledin Salihu do të prezantojë kumtesën “Polemikë dhe vështrim kritik ndaj autorëve serbë-vëllezërve Petroviq për librat mbi Preshevën shqiptare”. Po në këtë seancë do të prezantohen kumtesa mbi Luginën e Preshevës në këndvështrimin e Geert-Hinrich Ahrens, si dhe tema që lidhen me letërsinë shqipe dhe figurat shqiptare në studimet e autorëve të huaj.
Një ndër temat me interes të veçantë për Luginën e Preshevës është ajo që lidhet me Mary Edith Durham, udhëtarja dhe studiuesja britanike, puna e së cilës ka luajtur rol të rëndësishëm në dokumentimin e jetës, kulturës dhe traditave shqiptare.
Në këtë kuadër, Sevdail Hyseni do të paraqesë kumtesën “Lugina e Preshevës si vazhdimësi e kodit kulturor shqiptar në dritën e vëzhgimeve të Edith Durham-it”. Në të njëjtën seancë do të trajtohen edhe studimet e autorëve të huaj mbi mitologjinë shqiptare, veshjen tradicionale, antropologjinë kulturore dhe trashëgiminë mesjetare shqiptare.
Kjo seancë e vendos drejtpërdrejt Luginën e Preshevës brenda një diskutimi më të gjerë shkencor mbi mënyrën se si studiuesit e huaj kanë vëzhguar, dokumentuar dhe interpretuar kulturën dhe identitetin shqiptar. Po ashtu me kumtesa paraqiten Mr. sc. Refik Hasani “Kontributi në çështjen shqiptare, nga studiuesja britanike Mary Edith Durham (1863-1944), sipas pasqyrimit në librin “Shqipëria dhe shqiptarët; Limon Kadriu: “Lugina e Preshevës në këndvështrimin e Geert-Hinrich Ahrens”; Sejhane Mehmeti: “Vlerësimi kritik frankofon për krijimtarinë letrare të Nerimane Kamberit si dhe mr. sc. Arsim Halili, do të paraqesë kumtesën “Kontributi i Maximillian Lambertzit për letërsinë shqipe”.
Dy ditë diskutime, kumtesa dhe shkëmbim akademik
Programi parashikon gjashtë seanca shkencore, të shoqëruara me diskutime dhe hapësira për shkëmbim akademik. Për secilën kumtesë është përcaktuar kohëzgjatje prej 10 minutash, ndërsa diskutimet do të zhvillohen brenda afateve të përcaktuara nga organizatorët.
Përveç punimeve shkencore, programi përfshin edhe një mbrëmje muzikore, poetike dhe recituese, si dhe një ekspozitë me fotografi të trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.
Në përmbyllje të konferencës është paraparë edhe promovimi i librit “Personalitete dhe figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, me pjesëmarrjen e prof. dr. Drita Halimi Statovcit, prof. dr. Agron Xhagollit dhe prof. dr. Izaim Murtezanit. Moderator i promovimit do të jetë Xhemaledin Salihu.
Një takim shkencor përtej kufijve administrativë
Konferenca synon të krijojë një hapësirë të përbashkët akademike për studiuesit që merren me historinë dhe kulturën shqiptare, duke vendosur në qendër të vëmendjes edhe Luginën e Preshevës.
Përmes kumtesave të studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedoni e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës, veprimtaria synon të sjellë në një tryezë të përbashkët këndvështrime të ndryshme mbi burimet, dokumentet dhe studimet e autorëve të huaj për shqiptarët.
Në këtë kuptim, organizatorët e kanë konceptuar konferencën jo vetëm si një tubim dyditor të studiuesve, por edhe si një mundësi për të diskutuar mbi trashëgiminë kulturore, dokumentimin shkencor dhe vendin e Luginës së Preshevës në studimet shqiptare.
Bordi i organizimit përfshin emra të fushave të ndryshme akademike, ndërsa Këshilli organizativ përbëhet nga Këshilli drejtues i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.
Konferenca shkencore do të zhvillohet më 24 dhe 25 tetor 2026 në Samolicë, duke e kthyer Luginën e Preshevës për dy ditë në një pikë takimi të studiuesve, albanologëve dhe hulumtuesve të historisë e kulturës shqiptare.
_______________
SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS, ME SELI NË PRESHEVË
P R O G R A M I
Konferenca shkencore me temë: “STUDIUES TË HUAJ PËR SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS DHE VISEVE TË TJERA SHQIPTARE”
Konferencën shkencore e financon: MINISTRIA E KULTURËS DHE TURIZMIT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
E premte, më 23 tetor 2026: Pritja dhe akomodimi i studiuesve dhe mysafirëve nga viset e largëta shqiptare.
Koha dhe vendi i mbajtjes: e shtunë dhe e diel, më 24 dhe 25 tetor 2026 / Samolicë, hotel-restoranti “Bici”, në xhadenë e vjetër Preshevë-Bujanovc apo Bujanovc-Preshevë /
Fillimi i punimeve të Konferencës shkencore: E shtunë, më 24 tetor 2026, në orën 11,00
Vendi i mbajtjes: Salla e Konferencave në restorantin “BICI”
Drejtues të seancës solemne:
Akademik Adem Bunguri, prof. dr. Agron Xhagolli, prof. dr. Drita Halimi Statovci, prof. dr. Isak Shema, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. sc. Shpëtim Memishi dhe Xhemaledin Salihu, profesor
Seanca solemne: Konferencën shkencore e hap dr. sc. Shpëtim Memishi, kryetar i Kuvendit të SHTKK-së
Fjalën e rastit e mban z. Xhemaledin Salihu, kryetar i SHTKK-së
Përshëndetjet:
Ndarja e shpërblimeve: Mirënjohje për kontributin financiar: Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës, e tjerë
SEANCA E PARË: 11.30 – 13,00
Drejtues të seancës: Akademik Adem Bunguri, Akademik Hamit Kaba, prof. dr. Vebi Bexheti
- Akad. Adem BUNGURI, C. PRASCHNIKER DHE A. SHOBER-ZBULUES TË DISA MONUMENTEVE PREHISTORIKE, ANTIKE DHE MESJETARE NË SHQIPËRI GJATË LUFTËS I BOTËRORE
- Muhamet BELA, RËNDËSIA E KËRKIMEVE ARKEOLOGJIKE TË STUDIUESIT AUSTRIAK DR. BUDAJ ARPAD NË TREVËN E HASIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
- Zana HOXHA, KONTRIBUTI I ARTHUR EVANS NË STUDIMIN E LOKALITETEVE PALEOKRISTIANE NË KOSOVË
- Eduard SINAJ, EUGENE N. BORZA DHE VLERËSIMI I MOZAIKËVE SHQIPTARË NGA STUDIUESIT E HUAJ
- Akademik Hamit KABA, PETER PRIFTI, I PËRKUSHTUAR PËR KOSOVËN DHE ÇËSHTJEN SHQIPTARE
- Prof. dr. Bajram XHAFA, GEORGE FRED WILLIAMS – MBROJTËS I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË FILLIM TË SHEK. XX
- Prof. dr. Vebi BEXHETI, SHQIPTARËT E UKRAINËS, HISTORIA DHE TRASHËGIMIA E TYRE KULTURORE NË STUDIMET E ALEKSANDËR NOVIKUT
15 minuta kafe pushim
SEANCA E DYTË: 13.15 – 14,30
Drejtues të seancës: Prof. dr. Bajram Xhafa, dr. sc. Besim Morina, prof. dr. Minir Ademi
- Dr. Sc. Besim MORINA, DY VEPRA ME RËNDËSI TE VEÇANTË PËR HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE TË STUDIUESIT PETER BART
- Prof. dr. Minir ADEMI, PIKËPAMJET E JAMES PETTIFER RRETH LUFTËS SË FUNDIT NË KOSOVË (1997-1998)
- Xhelal ZEJNELI, SHQIPTARËT NË STUDIMET GJERMANE
- Murat AJVAZI, PËRSHTYPJET E UDHËTIMIT TË KARL OESTREICH NË VILAJETIN E KOSOVËS GJATË VITIT 1898
- MA Hashim BAFTIARI, HEINRICH AUGUST RUDOLF GRISEBACH NËPËR VISET SHQIPTARE
- Rahim AZEMI, MILAN SHUFLAJ DHE SHQIPTARËT, KONTRIBUTI I TIJ NË NDRIÇIMIN E HISTORISË MESJETARE SHQIPTARE
- Msc. Zymer CAKOLLI, MBROJTËS TË EVROPËS DHE TË HARMONISË: EPOKA E SKËNDERBEUT DHE TOLERANCA FETARE SIPAS EDWIN JACQUES
- Xhafer CAKOLLI, VEPRIMTARIA DHE NDIKIMI I MADELEINE ALBRIGHT NË KOSOVË
DREKA: 14,30 – 16.00
Shënim:
- Koha e leximit të kumtesave është e kufizuar në 10 minuta
- Kohëzgjatja e diskutimit deri në 3 minuta.
SEANCA E TRETË: 16.00 – 17. 30
Drejtues të seancës: Prof. dr. Xhemaludin Idrizi, dr. Etleva Domi, prof. dr. Mustafa Ibrahimi
- Dr. Etleva DOMI, GJURMË FRANCEZE NË ALBANOLOGJI
- Prof. dr. Ismet OSMANI, PIKËPAMJET E PETAR SKOKUT MBI GJUHËN SHQIPE
- Prof. dr. Xhemaludin IDRIZI, REGJISTRIMI DHE INTERPRETIMI I DISA TOPONMEVE TË RAJONIT TË SHKUPIT NË VEPRËN E PETAR SKOKUT
- Dr. Idaete SINANI, PETAR SKOK – NJË VËSHTRIM GJUHËSOR MBI TË FOLMEN E SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË SHKUPIT
- Prof. dr. Mustafa IBRAHIMI, ALBANOLOGËT E HUAJ NË PULLAT POSTARE SHQIPTARE FOREIGN ALBANOLOGISTS ON ALBANIAN POSTAGE STAMPS
- Dr. Vilma PROKO, MAXIMILIAN LAMBERTZ DHE SHQIPTARËT, KONTRIBUTI NË STUDIMIN E GJUHËS SHQIPE, FOLKLORIT DHE BOTËS ARBËRESHE
- Dr. Gani S. PLLANA, AKADEMIKJA ZUZANA FINGER-ERUDITE, POLIGLOTE DHE KONTRIBUESE NË AFIRMIMIN E GJUHËS SHQIPE DHE GJERMANE NË EUROPË
- Dr. Shejnaze AJDINI-MURTEZI, NJËSITË FRAZEOLOGJIKE NË FJALORIN SHQIP- FRËNGJISHT TË AUGUSTE DOZONIT (1879): TRAJTIMI LEKSIKOGRAFIK DHE EKUIVALENCA PËRKTHIMORE
- Prof. Nexhmije MEHMETAJ, PROF. DR. BASIL SCHADER NË KONTEKSTIN E ALBANOLOGJISË BASHKËKOHORE EVROPIANE, KONTRIBUTI NË SOCIOLINGUISTIKËN E DIASPORËS DHE NË DIDAKTIKËN E GJUHËS SHQIPE
Pushim për kafe: 15 minuta
SEANCA E KATËRT: 17.45 – 19.30
Drejtues të seancës: Prof. dr. Agron Xhagolli, prof. dr. Drita Halimi Statovci, dr. Vlorë Fetaj – Berisha
- Prof. dr. Agron XHAGOLLI, KËNGËT E KRESHNIKËVE TE SHQIPTARËT NË SHQYRTIMIN E AGNIJA DESNICKAJAS
- Prof. dr. Izaim MURTEZANI, VROJTIMET ETNOGRAFIKE TË MILENKO FILIPOVIÇIT NË DISA FSHATRA SHQIPTARE TË LUGINËS SË SHKUPIT
- Dr. Rini USEINI, PIKËPAMJET DHE PËRSHKRIMET ETNOGRAFIKE TË AUTORËVE MAQEDONAS PËR SHQIPTARËT
- Dr. Vlorë FETAJ – BERISHA, RITET E CIKLIT JETËSOR NË SHQIPËRINË E VERIUT SIPAS DOKUMENTIMIT TË FRANZ NOPCSËS
- Prof. asoc. dr. Rovena VATA MIKELI, KULTET DHE ETNOKULTURA SHQIPTARE, NË SYRIN DHE KËNDVËSHTRIMIN E STUDIUESVE TË HUAJ
- Doc. Dr. Bekim RAMADANI, KONTRIBUTI I JANE C. SUGARMAN NË STUDIMIN E MUZIKËS TRADICIONALE SHQIPTARE
- Dr. Shefqet DINAJ, VAJTIMI SHQIPTAR NË STUDIMET E AUTORËVE TË HUAJ: DOKUMENTIMI, INTERPRETIMI DHE VLERAT E TIJ ETNOKULTURORE
- Dr. Laura PAPRANIKU BEJTULLAU, ISHTVAN SHYC NJË MIK ME BESË I SHQIPES DHE SHQIPTARËVE
DARKA: 19,00 – 20,30
Mbrëmje muzikore, poetike, recituese: 20,30 – 23,30
E DIEL: 25 tetor 2026
Ekspozita me fotografi të trashëgimisë kulturore-aktivitete të SHTKK-së
SEANCA E PESTË: 9,00 – 10,15
Drejtues të seancës: Prof. dr. Isak Shema, Dr. Vilma Proko, Sevdail Hyseni, profesor
- Msc. Ariana DINAJ, STUDIMET E AUTORËVE TË HUAJ MBI MITOLOGJINË SHQIPTARE: KONTRIBUTET, QASJET DHE NDIKIMI NË ALBANOLOGJI
- Prof. Asoc. Berina KOKONA, FRANZ NOPCSA DHE VESHJA TRADICIONALE SHQIPTARE NË STUDIMET E TË HUAJVE
- Mr. sc. Endrit SYLAJ, EDITH DURHAM DHE INTERPRETIMI I TRASHËGIMISË MESJETARE SHQIPTARE NË DISKURSIN EVROPIAN NË FILLIMIT TË SHEKULLIT XX
- Mrs. Arjeta MIFTARI GASHI, UDHËTIMI I EDITH DURHAM NË TROJET SHQIPTARE DHE RËNDËSIA E TIJ PËR NJOHJEN E KULTURËS DHE IDENTITETIT SHQIPTAR
- Arlinda VELIU-SADIKU, EDITH DURHAM NË ANTROPOLOGJINË KULTURORE TË SHQIPTARËVE
- Sevdail HYSENI, LUGINA E PRESHEVËS SI VAZHDIMËSI E KODIT KULTUROR SHQIPTAR NË DRITËN E VËZHGIMEVE TË EDITH DURHAM-IT
- Mr. sc. Refik HASANI, KONTRIBUTI NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE, NGA STUDIUESJA BRITANIKE MARY EDITH DURHAM (1863-1944), SIPAS PASQYRIMIT NË LIBRIN “SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT
- Msc. Klajdi LULOLLARI, QARKU I KORÇËS NË VEPRAT E UDHËTARËVE DHE STUDIUESVE TË HUAJ: NGA SHEKULLI XIX DERI NË VITIN 1920
SEANCA E GJASHTË: 10,15-11,30
Drejtues të seancës: Dr. sc. Shpëtim Memishi, prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli, mr. sc. Arsim Halili
- Xhemaledin SALIHU, POLEMIKË DHE VËSHTRIM KRITIK NDAJ AUTORËVE SERBË-VËLLEZËRVE PETROVIQ PËR LIBRAT MBI PRESHEVËN SHQIPTARE
- Dr. Sc. Shpëtim MEMISHI, SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS NË VËSHTRIMIN E STUDIUESVE ULF BRUNNBAUER DHE WOUTER TORBEYNS
- Limon KADRIU, LUGINA E PRESHEVËS NË KËNDVËSHTRIMIN E GEERT-HINRICH AHRENS
- Dr. (kand.) Ardian RAMADANI, VËSHTRIME FRANCEZE PËR FIGURËN DHE VEPRËN E ISMAIL KADARESË
- Mr. sc Arsim HALILI, KONTRIBUTI I MAXIMILLIAN LAMBERTZIT PËR LETËRSINË SHQIPE
- Mr. Flora PECI, LORD BYRON DHE SHQIPTARËT NË VEPRËN “ÇAJLD HAROLD”
- Sejhane MEHMETI, VLERËSIMI KRITIK FRANKOFON PËR KRIJIMTARINË LETRARE TË NERIMANE KAMBERIT
- 6. Ardian PEPA, VLERËSIMI I FIGURËS SË SHQIPËRISË DHE SKËNDERBEUT NË ARTIN E SKULPTORIT KROAT IVAN MESHTROVIQ
- Ergys KRISEKO, PËRFAQËSIMI I SHQIPËRISË NË FOTOGRAFINË DOKUMENTARE TË BRUNO BARBEY: ANALIZË ESTETIKE DHE KULTURORE
Diskutime: 30 minuta
Fjala përmbyllëse (çështje dhe probleme lidhur me Konferencën shkencore dhe botimin e librit): Prof. dr. Agron Xhagolli
II.
Salla e Konferencave: 12,30-13,30
Promovimi i librit: “Personalitete dhe figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”
Drejtues të promovimit: Prof. dr. Drita Halimi Statovci, prof. dr. Agron Xhagolli, prof. dr. Izaim Murtezani
Referues: Prof. dr. Drita Halimi Statovci, prof. dr. Agron Xhagolli dhe prof. dr. Izaim Murtezani
Moderator: Xhemaledin Salihu, profesor
Diskutime: 30 minuta
DREKA: 14,00 – 15,30
Bordi për organizimin e Konferencës:
Prof. dr. Drita Halimi-Statovci, etnologe
Prof. dr. Agron Xhagolli, kulturë popullore /folklorist/
Akad. Adem Bunguri, arkeolog
Prof. dr. Isak Shema, letërsi
Prof. dr. Izaim Murtezani, folklorist dhe etnolog
Dr. sc. Shpëtim Memishi, ekonomi
Xhemaledin Salihu, profesor, studiues
Këshilli organizativ: Këshilli drejtues i SHTKK-së
Preshevë, më 1 tetor 2026
