08/10/2024

“S’KA PRA M’I LEHTË ZANAT SE POLITIKA, O VËLLEZËR  SHQIPTARË… ZANATI MË I LEHTË ËSHTË TË BËNESH MINISTËR” (Andon Zako Çajupi)

0

Nga Frank Shkreli

Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime dhe artikuj të fillim shekullit të kaluar si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf ), të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, janë mjaft aktuale edhe në ditët e sotëme përball zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Sot e ka radhën një shkrim i Andon Zako Çajupit që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënje në krye të dramës, “E Thena” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, Gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.

Artikulli i Çajupit, që po e sjellim të plotë, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënjeje të dramës “E Thena”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, ndonëse ka kaluar një shekull nga botimi (1922), sepse sjellë edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por sikur të ishte shkruar sot, pasi pasqyron me mjaft përpikmëri, sidomos gjëndjen e sotme politike në Shqipëri, por jo vetëm.  Në atë shkrim, Çajupi shpreh zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen dhe mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore të gjuhës shqipe, në përgjiithsi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë” sipas Çajupit, “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.”

Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit pasqyrojnë edhe sot shqetsimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që përputhen aq përpikmërisht me gjëndjen e sotëme politike dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.

“Për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.”  Çajupi

———————–

Lexoni, pra, (në origjinalin e shqipës së atëhershme) parathënien e Andon Zako ÇAJUPIT për dramën e Milo Duçit, “E THËNA”, Kairo, 1922.

“Bashkatdhetarëve:

S’është neovoja t’u prezantoj unë autorin e këtij libri, që pata naflakë me lëçit i pari në dorëshkrim. Mjafton t’u kallëzoj se, Zoti Milo Duçi është vetë Lulo Malsori, që ka pas botue “Gjakun”, një fjalor shqip-italisht, dhe plot vjersha të bukura e artikulla ndë gazeta dhe të përkohëshme, në kohë të shkuara.  Se duet me dit se Z. Milo Duçi, sido që ala trim i ri, është nga Shqiptarët e vjetër që kanë punuar për letraturën shqipe dhe për liri t’Atdheut qysh në kohë të tiranisë, kur Turku s’ka dashur të dëgjojë as emrin Shqiptar.

Sot, që cilido mund të thotë e shkruajë çka të dojë, pa asnjë farë reziku, na kanë dalë disa Shqiptarë të lashtë, aty ku s’i pandenim, dhe këta njerëz të guxuashim përmenden tani si atdhetarë të vërtetë, sido që herët kanë vepruar kundra Shqipërisë.  Një faktum i tillë nuk e dëshpëroi Z.Milo Duçi, dhe mori prapë pëndën e shkroi një dramë tjetër fort origjinale, “E THËNA”, që ka me u pëlqye të tërve kur ta këndoni e kur ta shikoni të luhet në theatro.

Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës. Jemi mërzitur, jemi lodhur pa dobi, duke u grindur me bisedime të politikës që nukë mbarojnë kurrë. Politika! Formirë. Po na duet dhe letratura, për Zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë pra Z.Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemrës, se “E THËNA”, do të na zbavitë mjaft sa të harojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gadi na prishin trutë në ditë të sotme.

Do të më thuani se jam në gabim, se politika për Shqiptarët është si buka që hamë; janë të lindur për politikë. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu.

Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët. Në këta 3 a 4 vjet të fundit, Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, depytenj të çkëlqyerë!  Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 a 5 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmenden në letratyrë…

Si shpjegonet kjo pasunië në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…

Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë.  Jo, sot s’është nevojë. Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret.

S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë. Përkundrë, letratyra është një punë fort e rëndë: shkronjëtor, vjershëtor, s’bënet kushdo. Dhe në daltë dokush, s’ka si jeton, se librat shqip nukë shiten. Shqiptarët s’janë budallë me tret kot pare duke blerë libra e gazeta. Më mirë është me pi se me lëçit. . .Prandaj shkronjëtorët shqiptarë janë të rrallë dhe nuk nderonen aspak.  Shkojnë gjithë barabar, si i miri dhe i ligu, dhe ky përmëndet më tepër se ay.  Po, kam uzdajë se një shkronjëtor, si Z. Milo Duçi do ta mërgojë këtë rezik.  S’kam dyshim se “E THËNA”, kur të lëçitet a keq, i lutem autorit të mos dëshpëronet, por të kujtonjë fjalët e plakut La Fontenë: “Kurkush s’mund të kënaqij tërë botën dhe babanë”.  (Botuar në Kairo, shkurt 1922. A. Zako Çajupi, ribotuar në revistën Shejzat, Viti i I, Gusht 1957, Romë) –

———————

Ka disa vite që — të dëshpëruar me politikën aktuale shqiptare – ashtu siç ishte i dëshpëruar edhe Çajupi me politikën shqiptare të fillim shekullit të kaluar – shumë veta bëjnë pyetjen, nëse mund të bëhet Shqipëria!?

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta duke thenë se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund t’i kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhet përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…” Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf I tmeruar me politikanët e kohës së tij, ashtu siç ishte edhe Çajupi në atë kohë, Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”  Si rrjedhim, Fishta paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”.

Prandaj, ja vlen që të merren parasysh mësimet dhe parlajmërimet e vyera nga e kaluara — aktuale edhe sot — nga personalitete historike si Fishta e Çajupi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. “Të mësojmë nga e djeshmja, të jetojmë të sotmen dhe të shpresojmë për të ardhmen”, ka thenë Albert Einstein-i.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok