15/10/2024

SINTAGMA ‘’SRPSKI SVET’’ ËSHTË EUFEMIZËM PËR SERBINË E MADHE

0

Fillet e kësaj ideje raciste e naciste

Nga Adil FETAHU

Në fjalimet dhe në mediat serbe shpeshherë keni dëgjuar apo lexuar stingatmat mitomane, me prefiks  të serbizimit: ‘’Srpski svet’’, ‘’Srpske zemlje’’, ‘’Srpska crkva’’, ‘’Srpska republika…’’, ‘’Sprska zajednica’’, ‘’Srpska lista’’,  ‘’Srpska elita’’, etj.etj.  Kohëve të fundit  është aktualizuar dhe po përmendet gjithnjë e më shpesh sintagma ‘’Srpski svet’’(shq. ‘bota serbe’) dhe  këtë sintagmë po ia atribuojnë megafonit të Vuçiqit, Alleksandar Vullinit, kinse ai e paska ‘’shpikur’’, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Sepse kjo sintagmë, si ideologji, si teori dhe si praktikë nacionaliste për realizimin e Serbisë së madhe,  ishte e pranishme në dokumente, në ideologji, në tekste të historisë, në shtyp, në projekte e programe dhe në veprime të çarqeve kulturore, arsimore, shtetërore dhe kishtare të Serbisë që nga  shekulli 19; e ka përdorur P.P.Njegosh (’Srbija od Dunava pa do mora/ shq. Prej Danubi deri në det ), J.J.Zmaj (‘’Malena sam’’/shq.Jam e vogël),  Zharko Llazareviq (‘’Srpski svet’’);  Petar Niketiq (‘’Srpski svet’’, libër shkollor, i botuar më 1881 e ribotuar edhe dy herë); në Novi Sad, që ishte nën Austrohungari, më 1881 është botuar gazeta ‘’Srpski svet’; në Beograd (1908) është botuar një gazetë me emër ‘’Sprski svet’’, ndërsa më 1913/14 është botuar gazeta javore ‘’Srpski svet’’. Prandaj, Vullini as nuk e ka shpikë, as nuk është  i pari as i fundit që përhapë këtë ideologji nazifashiste, sa herë i thotë Vuçiqi.

Nismëtarë të kësaj ideje të ‘’botës serbe’’, për ringjalljen e Perandorisë së Dushanit, ishin Vuk Karaxhiqi, filolog e folklorist serb dhe Ilija Garashanin, shkrimtar, ministër dhe kryeministër i Principatës së Serbisë, për të vazhduar të tjerët pas tyre varg e vi, deri në ditët e sotme dhe mëtej e tutje. Karaxhiqi këtë e bazonte në parimin etnik-natyror dhe linguistik (të një gjuhe të përbashkët të të gjitha fiseve me prejardhje sllave të jugut,  ndërsa Garashanini synimet e tij i bazonte edhe në parimin e të drejtës historike.

Vuk Stefanoviq Karaxhiq (1787-1864), me  një ese (letër) të tij të gjatë, me titull ‘’Srbi svi i svuda’’ (shq.Serbët të gjithë dhe gjithkund), të botuar në vitin 1836, e shtypur si libër në vitin 1849,  ka prezentuar një studim të tij, në formë të nacionalizmit linguistik, sipas shembullit të romantizmit gjerman të asaj kohe. Me atë studim ka dashur të krijojë bindjen se serbët, si tërësi etnike kanë një lidhje të përbashkët historike, gjenetike, gjuhësore, zakonore e kulturore me kroatët, boshnjakët, malazezët, dhe si të tillë kanë të drejtë të jetojnë në një bashkësi politike (shtet të përbashkët). Sipas Karaxhiqit, të gjithë ata popuj që flasin gjuhën serbe, të  tri dialekteve: ‘shtokav’’, ‘’kajkav’’ ose ‘’çakav’’, në të vërtetë janë serbë etnikë, pa marrë parasysh ku jetojnë dhe çfarë besimi fetar praktikojnë; pravosllavë, katolikë apo muslimanë.

Rrënja e këtyre dialekteve konsiston në ndajfoljen pyetësore, me të njëjtën domethënie: ‘’Sto’’, ‘’kaj’’ dhe ‘’ça’’, që në shqip do të thuhej: ‘’Çka’’ (çka bënë, çka lexon, çka shkruan; bile duke e shkurtuar këtë ndajfolje, edhe në shqip shpeshherë përdoret: ‘ça’ bënë, ‘ça’ lexon, ‘ça’ shkruan?). Duke u bazuar në të folmen e gjuhës ‘serbe’ në të tri dialektet e përmendura, Karaxhiqi ka skicuar hartën linguistike=gjeografike-etnike serbe, të shtrirjes së një bashkësie të organizuar (shteti), që do të përfshinte këto treva: prej Danubi e Timoku deri në Malet e Sharrit, Bosnje-Hercegovinën, Zeten, Banatin, Baçken, Sremin, rajonin perëndimor të Danubit prej Osjeku deri në St.Andrea, Sllavoninë, pjesë të Kroacisë, tërë rajonin e bregdetit lindor të Adriatikut prej Trieste deri në lumin Buna, Dallmacinë, Dubrovnikun, Malin e Zi (duhet pasur parasysh se  të gjitha këto treva atëherë ishin nën Perandorinë Osmane ose nën Monarkinë Austrohungareze, v.j.).

Ilija Garashanin (.1812 – 1874), në vitin 1844 kishte hartuar programin e Serbisë së Madhe, të quajtur ‘’Naçertanije’’ (naçertanije ka kuptimin e skicës, projektit, draftit, v.j.). Me këtë projekt ai kishte përcaktuar politikën e principatës së Serbisë, duke u bazuar në të drejtën historike të përtrirjes së shtetit mesjetar të Nemanjiqve, Brankoviqve e Llazareviqve, po gjithsesi kishte parasysh edhe hartën etnike-linguistike të Karaxhiqit. Nëse studimi i Karaxhiqit ‘’Srbi svi i svuda’’ ishte projekt etnik-linguistik, ‘’Naçertanije’’ e Garashaninit ishte projekt shtetëror serbomadh, për realizimin e të cilit kanë punuar të gjitha pushtetet e Serbisë, dhe tash e kanë aktualizuar me një formulim tjetër, të vjetër,  eufemist ‘’Srpski svet’’ (Bota serbe). ‘’Naçertanije’’ është mbajtur fshehtë deri në vitin 1906, për shkak se territoret e pretenduara për Serbinë e Madhe ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane ose të Monarkisë Austrohungareze, e disa ishin territore të Rumanisë e Bullgarisë. Në frymën hegjemoniste, fashite e naciste të ‘Naçertanijes’, gjatë Krizës së Lindjes (1875-1878), Serbia e ndihmuar nga Rusia,  pushtoi tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit e Jabllanicës, kreu gjenocid dhe shpërnguli popullsinë shqiptare, ndërsa Kongresi i Berlinit (1878) e njohu pavarësinë e Serbisë me tërë territorin e pushtuar. Me pretendime e pushtime për Serbinë e Madhe, ajo zgjeroi e gjashtëfishoi territorin e Principatës, e më vonë të shtetit të pavarur të Serbisë. Në vitin 1815 Principata e Serbisë kishte 24000 km.katrore territor, në vitin 1933 arriti në 37740 km, në vitin 1878 në 48.300 km, dhe në vitin 1913, pasi e pushtoi Kosovën,  Sanxhakun e pjesë tjera  arriti në 87.800 km.

Elitat politike, shtetërore, kishtare, shkencore e kulturore të Serbisë kanë vazhduar me hartimin e programeve dhe veprimeve nacional-shoviniste për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe, duke ua përshtatur ato kushteve e rrethanave konkrete.

‘Promemorja për shpërnguljen e Shqiptarëve’, të cilën e ka paraqitur Vasa Çubrilloviqi në Klubin Kulturor Serb (3 mars 1937), me masat e dhunës brutale shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve, ishte program gjenocidal i ideologjisë fashiste serbomadhe. Shtatë vjet më vonë, më 3 nëntor 1944, i njëjti autor i paraqiti pushtetit të ri komunist elaboratin e tij të quajtur ‘Manjinski problemi u novoj Jugoslaviji’ (shq. Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re). Në Elaboratin e tij Çubriloviq, ndër të tjera thekson: ‘’Paqen dhe përparimin e Jugosllavisë Demokratike Federative mund ta sigurojë vetëm pastrimi etnik…Kosovën e Metohinë duhet t’i pastrojmë etnikisht, ashtu që të ndryshohet me themel përbërja etnike (…) Ndoshta kurrë më nuk do ta kemi rastin e volitshëm që ta bëjmë shtetin tonë etnikisht të pastër’’ (…). Për këso merita raciste e naciste, ai u avancua në gradën shkencore akademik i AShAS, dhe në pozitë shtetërore – ministër i bujqësisë.

Lideri çetnik, dr.Stevan Moljeviq (1883-1959),  bashkëpunëtori më i ngushtë i Drazha Mihajlloviqit, këshilltar i tij për çështje politike dhe anëtar i të gjitha organeve kryesore të organizatës së çetnikëve, me Programin çetnik për Serbinë e Madhe: ‘’Homogena Srbija’’ (shq.Serbia homogjene), 30 qershor 1941, ndër të tjera thekson se ‘’Detyra e parë e serbëve sot është të krijojnë Serbinë homogjene, e cila ka për të përfshirë të gjitha viset në të cilat jetojnë serbët, të sigurojë linjat dhe nyjet strategjike të komunikacionit dhe hapësira ekonomike të cilat i mundësojnë zhvillim të lirë ekonomik, politik dhe kulturor për të gjitha kohërat (…).Gabimet e vitit 1918 duhet të korrigjohen dhe kufijtë e Serbisë duhet të përfshijnë të gjitha viset etnike në të cilat jetojnë serbët dhe të kenë dalje të lirë në det (…).Serbët kanë të drejtë ta udhëheqin Ballkanin dhe nga kjo e drejtë ata nuk duan as nuk mund të heqin dorë, dhe këtë mision mund ta arrijnë vetëm nëse bashkohen në Serbinë homogjene në kuadër të Jugosllavisë, së cilës do t’i japin frymën dhe vulën e vet’’!

Konform me Programin e Moleviqit për ‘’Serbinë homogjene’’, më vonë vet ministri i mbrojtjes së Kraljevinës së Jugosllavisë, tash udhëheqësi i të ashtuquajturës ‘’Jugoslovenska vojska u otadzbini’’ (shq.Ushtria jugosllave në atdhe), Drazha Mihajlloviq, bashkë me popin famëkeq Momçillo Gjujiq, në një dokument të quajtur ‘’Instrukcije kamandanta’’ (shq. Instruksionet e komandantit), më 20.12.1941, ua kishin shpërndarë aradhave të tyre çetnike udhëzimet si të vepronin në terren për patrimin etnik prej boshnjakëve,  shqiptarëve dhe të tjrëve. Në ato udhëzime, ishin caktuar qëllimet. 1) Lufta për çlirimin e tërë popullit serb, që duhet të vehet nën pushtetin e Kral Petrit II; 2) të formohet Jugosllavia e Madhe, e brenda saj Serbia e Madhe, etnikisht e pastër, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Sremin, Banatin e Baçken, Trieshten, Gorciën, Istren e Korushkën, pjesë të Bullgarisë dhe Shqipërisë Veriore me Shkodrën (Kosovën e nënkuptonte se veç ishte nën Serbi, v.j.); 3) Pastrimi etnik i territorit të Serbisë së tillë nga të gjitha pakicat kombëtare; 4) pastrimi i Sanxhakut nga popullsia myslimane dhe të pastrohet Bosnje-Hercegovina nga popullsia  myslimane dhe kroate! Sipas atyre udhëzimeve çetnikët kanë kryer krimet më monstruoze kundër Boshnjakëve në Sanxhak dhe në B-H, dhe kundër Shqiptarëve në Kosovë e kudo.

Ideja dhe programet për Serbinë e Madhe pushuan së realizuari gjatë sundimit të Titos në Jugosllavi (1945-1980), ndonëse ideja e pastrimit etnik realizohej edhe atëherë, me shpërnguljen e Shqiptarëve dhe të Boshnjakëve për në Turqi. Por ideja dhe ambicjet për Serbinë e Madhe ishin aty, në kokat e elitave serbe të të gjitha felave. Dhe ato u ringjallën menjëherë pas vdekjes së Titos.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, ai laborator i programeve ogurzeza, në vitin 1986 e ‘lansoi’ Memorandumin e saj, që ishte projekt  i nacionalizmit agresiv për Serbinë e Madhe. Memorandumi kishte katër shtylla kryesore: kufijt e Serbisë duhet të korrigjohen, sepse nuk ishin në pajtim me përbërjen etnike; krahinat (Vojvodina dhe Kosova) duhet të suprimohen, sepse po e bëjnë Serbinë jofunksonale si shtet; popullsia serbe në RSFJ po rrezikohet nga asimilimi, shfrytëzimi, shpërngulja, margjinalizimi në sferën ekonomike, kulturore nga  rritja e forcave antiserbe (Kroatët dhe Shqiptarët); nevoja për aksion të shpejtë për ta shpëtuar shkatërrimin e Serbisë dhe të popullit serb.  Në bazë të atij memorandumi,  Mllosheviqi e zhvilloi procesin e ‘’revolucionit antibyrokratik’’, e që ekskaloi në luftëra të përgjakshme, vrasje, shkatërrime, shpërngulje e gjenocid në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci e Kosovë.

Me moton: ‘’atë që kemi humbur në luftë, duhet ta kthejmë në paqe’’, AShAS edhe në vitin 2011, e ‘lansoi’ Memoandumin 2, dokument të fshehtë destinuar vetëm udhëheqësve më të lartë politik, shtetëror e kishtar,  për kthimin e gjithë asaj që kishte humbur gjatë luftërave në periudhën 1992-1999, dhe realizimin e idesë për Serbinë e Madhe. Memorandumi 2 përmban 9 pika strategjike të cilat duhet t’i zbatojnë organet shtetërore dhe strukturat tjera shoqërore të Serbisë:

Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e fletëarreste dhe procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të BH, të Kroacisë dhe të Kosovës, të vihet në pozitë të barabart me shtetet përreth;

Të çvendoset vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara në Tribunalin e Hagës;

Bonjë-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të detyrohen të heqin dorë nga paditë e tyre në gjykatat ndërkombëtare;

Me aksione pendese, të vihet Serbia në pozitë të barabartë me shtetet e tjera të rajonit;

Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe gjykimi i Mlladiqit të mbahet në gjykatat vendore;

Të destabilizohen qeveritë fqinje, të provokohen trazira të brendshme e pakënaqësi dhe të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë;

Të insistohet në shkëputjen e Republika Srpska;

Të insistohet në fitimin e statusit politik konstituiv të serbëve në Kroaci,  në Mal të Zi dhe në Kosovë;

Të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të pengohet veprimi Bashkësisë Islame në Sanxhak.

Këto detyra janë duke i kryer strukturat përkatëse të Serbisë në raportet me Kosovën, me Bosnje-Hercegovinën dhe në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse Serbe, me ekspoziturat e saj të shpërndara jashtë Serbisë, në rajon dhe nëpër botë, me propagandën e saj gjoja për rrezikimin e serbëve,  ka pasur dhe ka rol tejet të rëndësishëm në realizimin e idesë dhe të planeve e programeve për homogjenizimin  e serbëve dhe  krijimin e Serbisë së Madhe. Veprimi dhe efektet e saj u panë qartë në Mal të Zi, ku e ndërroi pushtetin proeuropian dhe e vuri atë pro Serbisë.

Ideologjia destruktive nacionaliste e mitomane për Serbinë e Madhe është në veprim, tash nën petkun‘’Srpski svet’, për të homogjenizua dhe bashkua psikologjikisht të gjithë serbët kudo që janë. Tash për tash pa luftë të armatosur, ndonëse ajo nuk përjashtohet, duke marrë parasysh grumbullimin e arsenalit të armatimit të ushtrisë së Serbisë, dhe vetëm pret ndryshimet në raportet strategjike ndërkombëtare dhe ‘urdhërin’ e Rusisë për ta përdorur edhe forcën ushtarake për pushtime të reja, në BH, Kosovë dhe Mal të Zi, pa përjashtuar edhe Maqedoninë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok