13/07/2024

SILIKOZA, PAVIONI SHQIPTAR I “KANCEROZËVE”

0

NGA NDUE DEDAJ

Shohim të tubohen herë pas here minatorët para godinave qeveritare të kërkojnë miratimin e statusit të minatorit. Mos u habisni që ata janë një dorë njerëz dhe mos i nënvlerësoni për këtë shkak, dmth që janë pak. Por, mundësisht, i dëgjoni. Që ata janë pak ka një arsye madhore, të heshtur… Nëntoka me vdekjet aksidentale dhe sëmundjet profesionale! Sëmundja që u mori jetën shumë minatorëve ka një emër të ftohtë “metalor”, silikozë, që vjen nga pluhurat e silicit. Është shkruar jo pak për ta, edhe letërsi, megjithatë s’rresht kujtesa për njerëzit që ranë nga silikoza në minierat e Mirditës, veçanërisht në Kurbnesh. Mohikanët e fundit janë ende janë gjallë. Quajeni si të doni. Kronikë e qindra vdekjve të paralajmëruara. Luftë pa pushkë, që të merr jetën. Ferr nën tokë e ferr mbi tokë. Pavioni shqiptar i “kancerozëve”. E ç’rëndësi kanë të gjitha këto.

Kemi njohur shumë nga ata, i kishim miq e shokë, komshinj e dashamirë. Sot ishin, nesër nuk ishin. Sëmundja i merrte në këmbë. Gjok Llesh Gjikolën në Selitë e takuam dy javë para se të ndërronte jetë në shtëpinë e tij, në moshën 64 – vjeçare, aty nën Gurin Gjon. Na e poqi kafen sipas zakonit me dorën e vet. Nuk ka si kafja e Selitës. Tash kur dal ndonjëherë te Kisha e Shna Ndoit, mes pishave, i “bëzaj” në heshje. “A je, Gjok miku?” Sa herë kalojmë udhës për te Kroi i Bardhë e Lurë, ti je gjithnjë aty, duke bërë ritualin e mirëseardhjes me kafen e Selitës. Por dhe në rreshtat e ndonjë eseje së mbesës gjimaziste, Gloria.

Rasti e kishte sjellë që në minierën e Kurbneshi të hyja kur isha 14 vjeç. Ishte viti 1971 dhe në krye të detyrës kishte rënë minatori Frrok Kol Kaçorri, emrin e të cilit do të merrte më vonë miniera. Atëherë, një autobus me nxënës shkolle nga Rrësheni, na çuan për vizitë në minierën ku ai kishte punuar, ku përshkuam vetëm hyrjen e galerisë kryesore, në ballë të së cilës ishin fotot e anëtarëve të Byrosë Politike, që një Zot e dinte se pse i kishin futur aq thellë. Në Rrëshen ishte mbajtur dhe një takim kushtuar aktit të Frrokut, kurse poeti Llazar Siliqi kishte shkruar dhe një poemë për heroin e minierës. Të rënët e minierës nga aksidentet në galeri vetëm sa kishin filluar. Në minierën e Kaçinarit do të binin dy e nga dy minatorët Ndue Përçuni nga Arrëzi e Pjetër Gjon Marku nga Shtufi, Llesh Nikoll Deda nga Kuzhneni e Nikoll Ded Prenga nga Shpërdhaza. Një kronikë vrastare e nëntokës, që kulmoi në Bulqizën e pas 90-ës, me aq shumë vdekje në minierë.

Me minierën ishim të lidhur dhe ne që nuk kishim qenë minatorë. Mund të ketë qenë fundi i vitit 1976 apo fillimi i vitit 1977, kur sonda jonë do të futej për 15 ditë poshtë dishenterisë së zonës së parë të minierës Kaçinar për të bërë një shpim. Ndërsa sonda jonë e vogël XJ 100 shponte në shkëmbin e nëndheshëm, nga gryka e pusit plasi uji si shatërvan. U krijua një gjendje ankthi, pasi mund të përmbytej galeria. Erdhi me shpejtësi inxhinieri i minierës Devi Radhima, që ishte nga Vlora, për të gjetur një mënyrë që uji të ndalej. Ai urdhëroi që pusi të taposej me një trup ahu, nga ata që përdoreshin për shtylla miniere, por frika ishte se mund të ndalej aty e nga presioni i nëntokës të shpërthente diku tjetër, çka nuk ndodhi. Si shpërblim të sakrificës në minierë inxhinier Devin e arrestuan pak muaj më vonë për sabotim në ekonomi, akuzë që nuk u vërtetua, duke ia kthyer në agjitacion e propagandë, ku u dënua 7 – 8 vjet, vetëm ngaqë ishte mospërfillës i Partisë në rreth.

Por të kthehemi të pavioni “kanceroz” i nëntokës. Për të sëmurët me silikozë ka pasur një repart të posaçëm, në spitalin numër 1 Tiranë, që e pata vizituar në vitet ’80,  kur shkova për të takuar kushëririn tim Mark Zef Marku nga Shëngjergji. Për ta kujdesej mjeku i sëmundjeve profesionale Niko Pecani, kurse në Rrëshen të sëmurët nga silikoza ndiqeshin nga mjeku Kol Doda etj. Historitë me sëmundjen e pluhurave minerale në mushkëri janë secila më e trishtë se tjetra, thuajse të pashkruara. Mjekët që kuronin, në Milano, Dod Melyshin, për pluhurat në mushkëri, habiteshin disi se si ai ishte i rrethuar nga aq shumë njerëz të vetët që kujdeseshin për të. Ju me siguri që keni arsye t’i rrini mbi krye njeriut tuaj. Apo jo? Me këto mushkëri të shkatërruara në minierat e Rusisë, kushedi se ç’pasuri ju ka lënë! Çfarë po thoni doktor? Ne jemi shqiptarë dhe babai ynë nuk është i pasur, mushkëritë ashtu cop – copë ia kanë grirë pluhurat e kuarcit të galerive të Kurbneshit. Doktori e kishte marrë Dodën për ndonjë miliardier rus, që duhej të kishte krijuar prona me punën e tij nëntokë. Mushkëritë e tij ishin bërë gur dhe atyre iu desh shumë mund që t’i ç’gurësonin, duke ia shpëlarë me ilaçe e lehtësuar frymëmarrjen. Në Kurbnesh fati i keq e solli që të bëheshin “minatorë” dhe fëmijët e disa prej antarëve të Byrosë Politike të goditur nga kreu i regjimit, në luftën për pushtet. Edhe ata i përshkuan pluhurat e nëntokës si të tjerët. Kurbneshi kishte një mijë punëtorë, të cilët ishin vendas – selitas, përfshi dhe nga Gjoçajt e Lami i Madh, si dhe të ardhur nga Rubiku, Rrësheni, Perlati, Lura dhe fshtarat e Matit.

Në fillim të viteve ’90 pata shkuar në shtëpinë e Gegë Kaçorrit në Rrëshen. Ishte një burrë i fisëm. Kishte qenë deputet në Kuvendin Popullor. Vuante nga silikoza dhe u nda nga jeta 54 vjeç. Shtëpia e tij asokohe qe shndërruar në një kartotekë gtë çuditshme, ku ishtë shënuar gjithçka që kishte të bënte më minatorët e sëmurë nga silikoza. Mbase më vonë ato skeda, regjistra, fotografi janë mbartur në Muzeun e Rrëshenit. Silikoza pati prekur jo vetëm minatorët, por dhe nga personali inxhiniero-teknik. Inxhinier Gjon Bazhella e mori shpejt silikozën, të cilit ia përshpejtoi vdekjen në moshën 70 – vjeçare një tjetër “kancer”, Covid 19, që shoi mijëra jetë njerëzish në krejt rruzullin. Ai pati shkruar dhe një libër për minierat dhe minatorët e Mirditës. Kujtimet e veta nga jeta në minierë i ka shkruar dhe minatori Ndue Gjikola.

Tash që minierat nuk janë më kanë mbetur imazhet e hershme të dokumentarëve të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe të Televizionit Shqiptar. Përmes një telereportazhi të vitit 1967 njihesh me Kurbneshin që “pjesën më të mirë të tij e fsheh nëntokë”, “barinjtë e djeshëm që u bënë minatorë”, kryeinxhinierin shkodran Franko Krroqi, drejtorin lurian Bajram Cuku dhe plot njerëz të minierës të asaj kohe. Atje qe xhiruar pak vite më pas dhe filmi artistik “Plagë të vjetra”. Shumë nga ata minatorë me vitet do të binin pre e silikozës.

Por nuk është vetëm e kaluara e bakrit, kromit etj. Ka dhe sot njerëz vullnetmirë që nuk ia kthejnë shpinën nëntokës. Mark Pepkola, inxhinier gjeolog nga Kthella e Epërme, që kryeson shoqatën e specialistëve të mineraleve të Shqipërisë, krahas sensibilizimit për statusin e minatorit, kërkesës drejtuar qeverisë lidhur me kërkim – zbulimin e rezervave të reja minerare nga gjeologët shqiptarë, mban njëherësh gjallë bashkëbisedimin e njerëzve të gjeologjisë dhe minierave në të gjithë vendin.

Gurët e tokës ishin kuptimi i jetës sonë. Me gurë shihnim të ndërtoheshin shtëpitë nga ustallarët. Në fëmijët luanim pesëgurthsh. Burrat me gurgac, unur e një copë eshkë ndiznin cigaret. Gjeologët me një çekiç me bisht të gjatë “çukisnin” shkëmbinjtë dhe copat e gurëve që shkëputeshin i këqyrnin më vërejtje, disa sosh i fusnin në çantat që mbanin në shpinë, ku kishin dhe hartat gjeologjike. Ishte ai çekiç që trokiste mbi nëntokë, duke hapur shtigjet për në zagafellat e saj, ku ishin mineralet dhe vdekja. Faruk Mustafa, Lirim Hoxha, Marie Koçi, Dedë Kolndreu, Dodë Shtjefanaku ishin disa nga gjeologët që patëm njohur në Mirditë duke filluar nga vitet ’70, me të cilët jemi në kontakt dhe sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok