14/10/2024

SHQIPJA NË RREZIK! NGA KUSH?…

0

(Në vend të një pamfleti)

NGA NDUE DEDAJ

Ka pak kohë qe qeveria ka shpallur se gjuha shqipe është në rrezik, fillimisht Kryeministri në takimin jubilar të Kongresit të Drejtshkrimit, në nëntorin e vitit ta kaluar dhe së fundi ministrja e Arsimit, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, kur bëri me dije publikun për zhvillimin e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe, që ka nisur në shkollat e vendit me nxënësit e klasave të nënta, për t’u finalizuar në muajt e ardhshëm. Edhe pse veprimtari të tilla janë në natyrën e shkollës, në njëfarë mënyre përditshmëria e saj, prapë nisma meriton të përshëndetet. Për gjuhën ka detyrim çdo shqiptar, aq më tepër institucionet. Është e vërtetë që gjuha është në rrezik, po nga kush rrezikohet ajo? Vetëm nga shkolla jo! Përkundrazi, ajo është ndër vatrat më të dinjitetshmë të kultivimit të saj. Jo se nuk ka mangësi dhe aty.

Janë disa rrezikuesit e gjuhës, ani se paqëllimshëm, për të cilët nuk dimë të ketë folur qeveria.

E para është administrata publike, që i formulon shkresat dhe dokumentacionin zyrtar pa kurrëfarë këshillimi gjuhësor, korrektimi e redaktimi teknik. Ka gjasë që i vetmi dokument shtetëror pa gabime gjuhësore të jetë “Gazeta Zyrtare”. Nga ana tjetër, kush përveç administratës duhet të kujdeset për shkrimin saktë të emërtesave të ndryshme publike, duke nisur nga ato të rrugëve, bizneseve etj.

E dyta gjuha rrezikohet seriozisht nga ligjërimi publik agresiv, duke nisur nga ai parlamentar, nga i cili nxënësit e shkollave që do të zhvillojnë konkursin e gjuhës e të tjerë nuk kanë se çfarë të mësojnë, përkundrazi kanë se çfarë të humbasin jo vetëm në anën gjuhësore, por dhe atë etike. Komunikimi në sferën politike është tejet problematik, plot me akuza e kundërakuza, sharje, fyerje e batuda të shpëlara, duke e ndotur mjedisin gjuhësor e jo vetëm. Ndaj konkursi për gjuhën këtu duhej të kishte nisur!…

I treti mekatar janë mediat audiovizive, që përmes disa formateve televizive “popullore”, lejojnë të shpërthejë vulgu gjuhësor nëpër emisione, ku njerëz krejt të zakonshëm zihen e kacafytën verbalisht në ekrane më keq se në rrugë, duke nxjerrë për gojë çfarë t’iu vijë. Në emër të thithjes së audiencës, me sa duket atyre as që iu kërkohet të bëjnë kujdes me gjuhën, mënyrën e të folurit, kulturën e komunikimit, etikën dhe mirësjelljen. Nuk do të flasim këtu veçmas për rrjetet sociale, të cilat nuk kanë asnjë limit sa i përket keqpërdorimit të gjuhës, duke nxjerrë në dritë të diellit mangësitë e formimit gjuhësor, kulturor, por dhe të edukates vetjake e familjare etj. Nëse shoqëria do t’i trajtonte rrjetet sociale si një aset bashkëkohor universal në rrafshin e komunikimit, atëherë do të kishim përfituar një media demokratike të pashoqe.

Së katërti, një dëm i madh i shkaktohet gjuhës shqipe nga zotëruesit e studiove artistike dhe vetë krijuesit (autorë tekstesh, kompozitorë dhe këngëtarë), që lejojnë të dalin në publik këngë tallava me një gjuhë të mjerë, gjysmake, që vetëm zhurmon e belbëzon. Dhe e gjitha për më shumë klikime!!! Po more shumë të tilla ke qeverisur mirë, ke kënduar mirë, ke “qarë” mirë… Kështu na qenka sot, me like mund të pushtosh kalatë e politikës, artit, showbizit, por jo dhe të biznesit, pasi aty kërkohet produkt e nuk mjafton vetëm reklama farfuritëse.

Së pesti, nuk mund të mbetën pa u qortuar dhe vetë punëtorët e zellshëm të gjuhës, specialistët e saj të shquar me grada e tituj shkencorë, të cilët nuk mund të thuhet se e kanë përmbushur misionin e tyre vetëm me studimet për gjuhën. Presioni i tyre për mirëmenaxhimin e gjuhës lypet të jetë shumë më i fortë ndaj institucioneve shtetërore, publike e jopublike, mediatike etj., për “shthurjen” e përgjithshme gjuhësore, përdorimin pa vend të fjalëve të huaja, përmirësimin e programeve shkollore të gjuhës shqipe, bjerrjen e leximit të librit artistik, politikat gjuhësore për diasporën etj.

Një konkurs kombëtar për gjuhën në shkollë është mjaft i vlefshëm, por dhe një kongres a forum tjetër kombëtar për “shqipen në rrezik”, i inicuar nga qeveria, por i prirë nga gjuhëtarët, na duket më se i nevojshëm. Aq më mirë nëse një kuvendi të tillë do t’i bashkoheshin dhe ata të universiteteve të tjera shqiptare të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok