26/04/2024

SA HERË FLET, SHEQER NGA GOJA QET

0

Tregim humorsitik nga Hamza Halabaku

Në kohën kur kishte ndodhur ngjarja çifti bashkëshortor, Drita dhe Luani, ishin banorë të lagjes Ulpianë të Prishtinës. Atëherë ishte lagjja më e bukur e kryeqytetit. E kishte fontanën të rrethuar me lloje të ndryshme lulesh e më së shumti kishte trëndafila të të gjitha ngjyrave. Luani e Drita ishin fqinjë të mirë, por edhe kanë mbetur miq të respektuar për të gjithë ne që i kemi njohur! Edhe tani kemi kontakte me ta, por më shumë me telefonata, e me këto rrjetet sociale, ndërsa takime e vizata siç ishin përpara, tani më nuk kemi.

Ata dolën në Perëndim e… po edhe për ne që kemi mbetur këtu të merr malli që të të vizitojë dikush ose për ta vizituar dikë. Nuk di askush ta shpjegoj këtë, as vetë nuk e di se si ndodhi kjo…

Tani është një dinamikë krejt tjetër e jetesës, jo vetëm në kryeqytetin tonë, por gjithandej kah jetojmë ne kosovarët. Bile një miku im më ka treguar se kështu është edhe në vendet e tjera… Është bërë problem i tërë globit. Ky miku ynë, Luani, si me shaka, shpeshherë thotë: Që kur na doli ky interneti, edhe takimeve tona u humbi lezeti!

Si duket, në botën e civilizuar kështu ka qenë edhe përpara, e tani, na mori lumi edhe neve. Askush për askënd nuk përmallohet!

Po, desha të tregoja për Dritën e Luanit, fqinjët tonë, që banonin në lagjen më të mirë, atëherë, të Prishtinës.

Drita ishte një bashkëshorte e shkëlqyeshme. Një nënë shembullore, po edhe një nuse shumë e urtë dhe e sjellshme me tërë familjarët e të shoqit. Punëtore si s´ka tjetër e kështu me radhë.

Një ditë Drita iu kishte ankuar Luanit, se nuk po ndihej mirë. Kishte dhimbje koke, pastaj, thoshte se i merreshin mentë. Nuk kishte oreks fare dhe djersitej edhe kur bënte punët më të lehta të shtëpisë. Luani, si ai më, i thotë se kishte dëgjuar se ishte një rend në tërë qytetin. Edhe shokët e punës ishin ankuar që gratë e tyre kishin probleme të njëjta…

Të kalon, të kalon, mos u merakos, i kishte thënë Luani të shoqes në fund…

Drita, sa ishte bërë banore e Prishtinës dhe nuk dinte të orientohej mirë në qytet e le më të dinte se ku ishte Shtëpia e Shëndetit. E kishte mësuar një shitore për të blerë gjërat e nevojshme ushqimore dhe hiq ma! Ishte në varësi të plotë nga bashkëshorti i saj, Luani. E Luani si Luani…

Ditët kalonin e ajo ndihej edhe më keq se ditën kur iu kishte ankuar të shoqit.

Sot, i kishte thënë e vendosur, ose do të shkojmë, së bashku te mjeku, ose unë ika në familjen time. I marrë fëmijët, dal aty te rrethi i spitalit dhe me autobusin e parë, për gjysmë ore jam në familjen time…

Nuk mundem assesi të duroj këtë marramendje, këto dhembje koke e të tjerat. Marramendja po më pengon shumë. Nuk mund të duroj më. Dua që fëmijët të kënaqen me mua si nënë. Dua që të jem nënë e dashur! Para fëmijëve dua të jem e buzëqeshur dhe e kujdesshme e kështu si jam nuk po mund të jem as e buzëqeshur e as e kujdesshme sa duhet!

Luani menjëherë atë mëngjes, kishte telefonuar në zyrë dhe i kishte njoftuar kolegët e zyrës se do të vonohej pak për arsye se Drita ishte e sëmurë.

Bashkë, dorë për dore, ishin nisur nga Ulpiana, tatëpjetë rrugës, që sot quhet, “Agim Ramadani” për te Shtëpia e Shëndetit. Te ajo Shtëpia e Shëndetit që atëherë ishte, menjëherë mbrapa Shtëpisë së Re të Mallrave, në qendrën e qytetit. Atëherë ecej këmbë, nuk kishte autobus urban si tani. Ishte një që shkonte në Fushë-Kosovë dhe vinte nga atje, e mos gabofsha një që qarkullonte nga Obiliqi në Prishtinë dhe anasjelltas.

Pas rreth 20 minutash, Luani dhe Drita kishin mbërri në Shtëpinë e Shëndetit. Aty kishte edhe prishtinas të tjerë të sëmurë dhe duhej të prisnin në radhë. Librezën shëndetësore e kishin dorëzuar në sportelin e duhur. Luani po lexonte Rilindjen e herë pas here po i tregonte edhe Dritës, me zë të ultë, për ato që po i lexonte në gazetë.

– I lexoj vetë, kur të shkoj në shtëpi, – me zë të ultë ia kishte kthyer Drita atij.

– Më le tani, të lutëm, të pres radhën…

Dhe erdhi radha. Motra me mantelin e bardhë, me flokë kaçurrela e të krehura mirë dhe me buzëqeshjen që dukej se i shëronte të sëmurit, e thirri Dritën me emër e mbiemër. Ajo hyri brente te mjeku. I kishte shpjeguar, dalë e nga dalë e fjalë për fjalë mjekut për të gjitha ato që po e mundonin e po e pengonin që të jetë e lumtur, e buzëqeshur dhe e dashur për fëmijët e saj…

Mjeku e kishte udhëzuar për analiza laboratorike për ta gjetur diagnozën sa më të saktë. I kishte treguar që Laboratori i Shtëpisë së Shëndetit ishte aty në katin përdhes të ndërtesës.

– Po vëreheni se dukeni pak e zbehur në fytyrë, por jam i bindur se shumë shpejtë, po sa ti marrim rezultatet e analizave ju do të bëni më mirë! Ju lutem, që pas dy ditësh, bashkë me rezultatet e analizave, që do ti merrni në Laborator, të vini edhe një herë te unë. Do të bëjmë më të mirën për juve, kishte vazhduar mjeku. Të marrim vesh diagnozën e pastaj ju caktojmë terapinë e duhur. Dhe ju shumë shpejtë do të përmirësoheni!

Dhe vërtetë Drita kishte vepruar ashtu si e kishte udhëzuar mjeku. Për emrin e mjekut kishin dëgjuar fjalë të mira. Përveç që ishte mjek me dije, ishte edhe mjek që shëronte me sjellje të njerëzishme, këshilla profesionale e fjalë të ëmbla e të ngrohta. Ai sillej për mrekulli me pacientet e vet. Ishte përherë i hareshëm dhe gaztor!

Ishin kthye në shtëpi dy orë nga koha kur kishin dalë nga banesa. Drita ishte mërzitur për fëmijët e saj edhe pse i kishte lënë nën kujdesin e kunatës së vet të vogël. Fëmijët ishin gëzuar kur e kishin parë të ëmën, por kishin pyetur: “Mami ku mbeti babi”?

– Në punë, po ku do të mbetej tjetërkund, – iu përgjigj fëmijëve dhe ashtu si ishte e sëmurë iu përvesh punës. – Veç në punë e ka lëshuar i madhi Zot babin tuaj… Thua se po ia din dikush për mundin që po e bënë. Të tjerët kënaqen me familjet e tyre e babi i juaj në punë, në punë e vetëm në punë paradite, pasdite në bibliotekë, në ligjërata, në amfiteatrin e fakultetit. Së pari është dashur ti mbarojë studimet e pastaj të martohet i uruari. Tani është bërë baba! Duhet të kujdeset për fëmijët e edhe për gruan që e ka marrë. Nuk duhet të marrësh në qafë askënd. Kështu fliste ajo sa herë bëhej nervoze po tani e kishte edhe problemin se çka do të sjellin rezultatet e Laboratorit të Shtëpisë së Shëndetit.

Të nesërmen, herët në mëngjes Luani para se të shkonte në zyrë, me që e kishte shumë afër Shtëpinë e Shëndetit, ishte ofrua deri te Laboratori dhe kishte kërkuar të njoftohej me të dhënat laboratorike për të shoqen.

Pasi motra e mjekësisë që ishte përgjegjëse për atë punë nga brenda sportelit të Laboratorit, i kishte ofruar disa letra dhe i kishte thënë se të tjerat nuk janë gati.

– Mund ti marrish nesër herët në mëngjes kur të vini për kontroll te mjeku. I merrni këtu, te ne, komplet rezultatet dhe ngjiteni lartë te mjeku, ose mund ti lini këtu edhe këto që janë gati dhe nesër i merrni të gjithat së bashku.

– Mirë, po i marrë këto që janë të gatshme, e të tjerat kur të vijmë nesër, – ishte pajtuar Luani me propozimin e motrës që ishte andej sportelit.

Duke ia zgjatur letrat me rezultat që ishin të gatshme, motra ua hodhi një sy rezultateve dhe e pyeti me një lloj kureshtje Luanin:

– Kush është kjo Drita?

– Bashkëshortja ime, – ishte përgjigjur ai.

– Auuuu, po kjo, si duket, e paska verdhëzën!

Luani, edhe pse nuk besonte në fjalët e infermieres, përnjëherë u step.

– Më falni, po pa biseduar me mjekun unë nuk ju besoj fjalëve tuaja – i foli asaj me një dozë të lehtë nervoze. – Bashkëshortja ime nuk ka asnjë simptomë, asnjë shenjë që tregon se ka të bëjë me verdhëzën. Jam laik i kësaj fushe, por megjithatë, do të hetoja ndonjë simptomë të verdhëzës – tha si i habitur e pa kontroll Luani. – Ajo ushqehet me oreks, flenë mirë, është e rehatshme, e kujdesshme e tjera e tjera.

– Mirë, mirë – i tha motra që duket se ishte shefe e Laboratorit. – Nesër të tregon vetë mjeku…

Të nesërmen, pikërisht në ora tetë Drita bashkë me Luanin kishin hy në Shtëpinë e Shëndetit. Së pari ishin drejtuar te sporteli i Laboratorit për të marrë rezultatet e mbetura të analizave që ishin bërë për Dritën. Tani një motër tjetër, që ishte brenda sportelit e kishte pritur buzagaz pacienten e parë të asaj dite.

– Kemi ardhur për rezultatet që na kanë mbetur pa i marrë ditën e djeshme – foli Luani. Në të vërtetë shoqja ime dy ditë më parë e ka dhënë gjakun e ato të tjerat që është dashur ti jap, po dje i morëm vetëm disa nga rezultatet. Të tjerat, si na tha njëra nga koleget tua, nuk kishin qenë të gatshme…

– Mirë, – tha motra dhe filloi ti shfletonte letrat që ishin në tavolinën e vendosur në anën tjetër të zyrës ku ishte ajo.

– I gjeta! – tha dhe u vrenjtë në fytyrë pasi i pa rezultatet, ndërsa Luani po përcillte çdo lëvizje të fytyrës të infermieres që ishte andej sportelit.

– Këto janë rezultatet që ju kanë mbetur pa i marrë ditën e djeshme. Na vjen keq që dje nuk kanë qenë të gatshme, sepse na është dashur ti dërgojmë në një laborator tjetër se ky yni për këto analiza dje ka qen në defekt…

– Hë, mori motër e mirë, çka po tregojnë ato rezultate, se mu duk që paksa e ngryse fytyrën  – pyeti Luani, ngase Drita nuk kishte shumë dëshirë të komunikonte me njerëzit që nuk i njihte.

– Po, si duket, kjo shoqja jote paska diabetin. Sheqer në gjak paska kjo zonja Drita, në bazë të këtyre rezultateve që po i shoh unë, – tha butësisht infermierja duke i ngritur vetullat.

– E kam ditur, foli me të shpejtë dhe disi si i gëzuar Luani!

– Si e keni ditur?! – u bë kureshtare infermierja andej sportelit.

– E kam ditur se sa herë flet ime shoqe, përherë ke përshtypjen se sheqer nga goja qet!

– Ju po talleni me mua?! – tha duke buzëqeshur infermierja…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok