27/04/2026

RREZATIMI I MADHESHTISE TE NJE LEGJENDE

0
Irene-Papas

Përjetim

NGA DR.  EDUARD  A.  SKUFI, ATHINE

Requiem

Ajo erdhi një ditë bashkë me pranverën e vitit 2007, e buzëqeshur, me një tufë lulesh sahati, Passiflora në dorë, për  një  vizitë  mjekësore. Ishte një zonjë që të imponohej, me sjelljen e saj krenare, me vështrimin sa tërheqës aq dhe shprehës, ku gjurmët e bukurisë klasike dhe thjeshtësia  në komunikim, flisnin me dinjitet dhe pa makjazh. Megjithëse  ishte një  legjendë e  ekranit, që mbante mbi shpatulla, figurën emblematike të tragjedisë antike helene, atë nuk e shoqëronte “Sindroma VIP”, as pretendimi për trajtim të veçantë, apo të privilegjuar. Nga përvoja ime profesionale, shumë persona të tjerë “celebre”, kërkonin me egoizëm trajtim special, injoronin protokollin standard dhe bëheshin  të pakëndshëm. Për më tepër shumë prej tyre nuk ishin të shquar në mendje, por në xhep. Patjetër ato mbeten konfidenciale dhe secila situatë kërkonte strategji  specifike  menaxhimi, por  ky rast  ishte tepër  i pazakontë, ajo  ndryshonte…

Vështroja nga vetrata, portretin e saj shoqëruar nga profesori, por meqë isha duke vizituar një artist tjetër të shquar, këngëtarin J.Poulopoulos, profesori e futi në dhomën pranë meje dhe më bëri me shenjë, që ta marr sa më shpejt. Ndërkohë ajo bisedonte me një kolegen  time  me  xhentilesë, por shikimin  e  kishte  tek unë. Sapo mbarova shkova pranë saj, ndërsa  nga vetrata, Poulopoulos duke kaluar e  përshëndeti  me dorë.Të  gjithë  këtu  vinë ?!, shqiptoi  duke  qeshur. Ky ishte një takim surprizant, i cili  më  gjeti të  papregatitur  dhe  si një  privilegj, të  kontaktoja me atë  “reference  universale”, Irene Papas…

Ikona  Irene  Papas

Magjinë e performancës së saj filmike dhe madhështinë  e shpirtit, i kisha takuar fillimisht në adoleshencën time, mandej vitet në  Athinë, skalitën detajet e portretit  të saj. Atë mëngjez profesori më informoi, se do të vinte për vizitë, ajo artiste e madhe  dhe duhej ta vizitoja unë. Vërtet isha violinë e parë e “bossit”, pasi nga dhoma ime klinike, kishin kaluar shumë figura të shquara helene, por ajo në zemrën time tingëllonte ndryshe. Kishte diçka të veçantë që na bashkonte dhe që do të më shkaktonte  një  kreshendo  emocionale. Mbasi u përshëndetëm, Ajo me zë të butë, emocionant, (ndërsa mua më kumbonte rezonanca e zërit të saj të fuqishëm në ekran), më  bëri të ditur se e kishte kërkuar, që vizita të kryej nga ana ime. Më kanë folur për ju, shumë kolegë artistë, por dhe  intelektualë  të shquar çka ishin përcaktuese, veç  faktit  që  diçka  e  shenjtë  na  bashkon…

Kolazh  i  portreteve  magjike  të  repertorit

I tha këto me aq emocion sa më çuditi…ajo “legjendë” e artit antik helen, mbretëresha skenike  e tragjedisë  greke, ndodhej përballë meje e zbritur nga amfiteatri helen, nga skena romake dhe ateljet e Holivudit, me madhështinë e një modestie të zakonshme, por     dhe një krenarie që  bashkëjetonte  me  të. Unë i impresionuar ju përgjigja, …“ është  nder  dhe  privilegj  ti  shërbej  shëndetit tuaj”,

ndërkaq në shikimin e saj, më parakalonin portretet e Antigonit, Elektrës,  Zonjës Trojane,  Efigjenit   apo  Laskarina  Bubulinës…

Vizitoja në biomikroskop sytë e saj dhe kërkoja si një eksplorator, në iris e në fundin e syrit, të zbuloja diçka të pazakontë, por veç bukurisë hyjnore, nuk gjeta  diçka  mbinjerëzore, as  magjinë e një stigme perëndeshe. Ato, i kishte të skalitura në shpirtin e saj dhe karakterin mesdhetar, në personalitetin e pakompromis dhe me integritet,  të cilat  i servirte  me  bujarinë  epirote  dhe  arvanitase.

Thea  e 13  Helene

Duke e vizituar i thashë, që  takimin e parë me ju  e  pata  në adoleshencën time, me filmin mbresëlënës “Odisea” me B. Fehmiun dhe ju, si Penelopi  dhe me filmin e K.Gavras “Z”, që u vlerësua me çmimin Oscar. Një udhëtim interesant në dy epoka, por dhe  e vetmja mundësi, që ilustroi  dhe  konkretizoi  njohuritë  tona të asaj kohe. Artistes, kujtimet i zbritën me një buzëqeshje:  “Ishte eksperiencë interesante me të shquarin B.Fehmiun. Një  mëngjez, e pimë kafen espresso me kanellë, mes italishtes dhe anglishtes, pranë “Spiles Blu”, romantike, me reflekset brilante tirkuazh të detit, në Dubrovnik ku xhironim, nuk mund ta harrojë. Ajo pasi mbeti e menduar, e shkëputur nga biseda, u rikdhye me një stil komunikimi dinjitoz, duke shqiptuar me mllef, (atje kapa detaje të reagimit të saj shpërthyes): “Doktor ka një paralelizëm analog mes nesh, që besoj se dhe ju e  jetoni. Fillimisht  me vendosën  në hijen e nënvlerësimit, por unë  doja të  përballesha  me  dritën  ndriçuese, të  mbijetoja, duke  ëndërruar udhëtimin  për

Mes  krenarisë  dhe  integritetit

në  Itali. Shikimin e saj e përshkonte një hije enigmatike,“fjala dhe vendimi kanë vlerë, kur pushtojnë momentin e duhur”, vazhdoi,…Mbas shfaqjes “Engjëjtë e humbur”, në vitet ’48, dhe unë si një ëngjëll i humbur, e gjeta rrugëdaljen në Romë. Atje me ndihmën e producentit të shquar Dino De Laurentis, i cili mesa duket, diçka kishte zbuluar tek mua, më rekomandoi tek  regjisori  Mario Monicelli, i cili më vendosi në  filmin “Të pafetë” (Infedeli), përballë G.Lolobrixhidës, çka ishte  sfida e  parë dhe  aq e  madhe  për  mua.

Dy “diva “, pranë njëra tjetrës, ndërhyra unë. Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer  epitetet, si star apo diva, unë  isha vetëm  një  artiste, që priste me ëndje fjalën e bukur “faleminderit”.Unë u rrita në një familje mësuesish të thjeshtë, por të ndershëm, në Chiliomodi të Korinthias, ku  krenaria  dhe  liria  absolute, nuk ishin vetëm stoli. Vet  mbiemri  im Leleku, simbolizon  shtegëtimin  dhe  stoicizmin. U rrita me dinjitet dhe e  papërkulur, me dashuri për filozofinë, ku  dominonte  Aristoteli  dhe  magjia  e  natyrës.

“Ato farkëtuan karakterin tim epirot, unë rrugën e çava në emër të pasionit dhe dashurisë për artin”, e më nguli shikimin domethënës.

I shikoja me admirim ata sy të bukur, shprehës, që përcillnin shkëlqimin e emocioneve dhe atë vështrim të thellë, që më transferonin, në interceptimin e imazheve të Liza Laskës, Drita Pelingut apo Tinka Kurtit,…ndërkaq u rizgjova nga ai mirazh artistik.

…Tani do të bëjmë skanerin e syrit, i thashë. Doktor, Mos i thuaj të gjitha që do zbulosh, se syri është një skenë e vogël, por që fsheh ndodhi të mëdha, shtoi ajo Zonjë me humor. Mbasi përfundova atë ekzaminim e pyeta, cilat ishin pikat tuaja kulmore të karrierës. Mbasi fiksoi shikimin diku në dritare shqiptoi: “Performancat krahas Jean Marie Volonté, Anthony Quinn, Marlon Brando, Kirk Douglas dhe veçanërisht me Katharine Hepburn, dy herë fituese e Oscar, në “Εκάβη”, ishin një shkollë e madhe. Por më dhanë krahë dhe performancat tek “Helen of Troy” i R.Wise dhe “Alexander the great” të R.Rossen, ndërsa më vonë “Zorba dhe Greek” e M.Cacoyannis, rezultoi  një  pikë  kulmore.

Por nuk mund të harrojë, interpretimet vokale në lirikat, me kompozitorin e shquar, V.Papathanasiou, apo rapsodia me himne eklisiastike  bizantine. Më kurorëzuan me shumë tituj, por ato që më mbetën ishin “ Thea e 13 Helene “,  apo “ Kariatida  vivante”.

Mu kujtua im atë, kur më citonte me pasion Aristotelin…“Dinjiteti nuk  qëndron në  zotërimin e nderimeve, por në meritimin e tyre”…

Hah, mor doktor… “artistët janë si  ciganët  e  ndajnë shpirtin  në  vende  të  ndryshme”. Unë kisha mbetur i  hynotizuar, ndjehesha  si  në  Olimp, pranë  një  perëndeshe, simbol i shpirtit  dhe kulurës helene. Narracioni i saj i ngjante një recitali magjik performance, me ngjyra nostalgjie, ku shikimi ekspresiv bashkohej  me  profilin “karakter”, që  të mbërthen. Misioni oftalmolgjik ndeshej  me  nuancat  e  artit  dramatik, në një humanizëm  polifoni. Intuita më udhëtojë tek H.Schliemanni i famshëm, arkeologun që  gjatë eskavacionit në Trojë, nxorri në dritë nga pluhuri i harresës, “Thesarin e Priamit” dhe ja fali historisë, a nuk ishte dhe legjenda I.Papas, një “investiguese”  e tragjedisë helene, që e nxorri nga pluhuri i viteve dhe i dha përsëri jetë dhe madhështi për dekada. I mbeti një peng, mbase i vetëm, të luante me krenari, (për të kurora e virtyteve), “Lisistratin” e Aristofanit, që alegorikisht ti  qëndiste ata  që duhej, përballë saj…

“Vendosa tashmë, të mos aktroja më në tragjedi, tragjedia antike është jo vetëm e vështirë psikologjikisht, por dhe një përgjegjësi e madhe ndaj historisë, për të cilën kisha dyshim, se a do të mund ta përballoja”, i shprehu këto fjalë me ton  dramatik, të shoqëruara me një  tik e kontraktim nervoz të fytyrës. Repertorin tim e mbylla  me  filmin “Mandolina e  kapiten  Corellit”… Më këtë deklaratë ajo i dha lamtumirën tragjedisë, por atë e mbarte në shpirt. Më la përshtypjen se, personaliteti i saj ishte ndërtuar nga pasioni dhe puritanizmi, por fshihte po aq stoicitet sa dhe elegancë, që ngjallte magjepsje  duke  tu  dominuar. E shikoja dhe  më  vinin  ndërmend, konsideratat  dhe  opinionet e Federico Felinit, A.V.Garcia, A. Quinn, K.Hepburn, të gjitha në një frekuencë,  mbi  madhështinë e saj interpretative, në tragjedinë helene. Atë e duartrokitën  nga  Cannes, në Venetia  e  deri  në  Hollywood, pasi  gjithçka  e  shndërroi  në  triumf, mes  një  game  emocionesh…

Tani po ndërtojë me të ardhurat e mia, në rrugën Pireos, përballë Akropolit, kompleksin teatral “Scholica”, bazuar në arkitekturën e teatrit antik  hellen, për ti shërbyer edukimit të aktorëve të rinj. Do të doja që gjithë Iliada, të skalitej me ilustrime, në  muret e     teatrit  tim, si “bibla” e poemës epike. Mbase  do  të  mund  ta  përfundojë,  tha  mes  një  ngashërimi. E shikoj nga shtëpia ime në Plaka dhe i them vetes “Diçka bëra dhe unë”,…“doktor mos harroj, kam dy shtëpi atë që përmenda dhe një tjetër në Likavito, nëse do të duhet, mund ta vë në dispozicion të familjes tuaj, pasi e         njoh mirë emigracionin”. U ngrita e përqafova, një  faleminderit  ishte pak…Mu kujtuan “Golden Lion”, nga duartë e regjisorit M.Scaparro, dedikuar asaj në bienalen e teatit Venecian, mandej “Women  of  Europe” dhe  ajo  si “thea”  mes  ovacionesh. Por do të citoja këtu komentin e New York Times: “Irene Papas i sjell roleve një intensitet të veçantë, të kontrolluar mes një inteligjence të lindur  dhe reflektimi këmbëngulës”…, ndërsa  tani  ajo, aq  e  thjeshtë  por  krenare, qëndron  përballë  meje.

Nga  Prologu…

Irene solli integritetin e fuqishëm dramatik në një bukuri klasike, si reflektim artistik i tragjedisë antike, por shërbeu dhe si urë bashkimi nga teatri klasik antik, në atë modern. Ajo portretizoi me përkushtim dhe  në mënyrë  krijuese dhe jo konvencionale  figurat.

Më brente një pyetje retorike “Vërtet jeni Ju, zonjë e madhe e artit, apo ndodhem në një iluzion  optik”… Ajo tashmë ishte e moshuar, fisnike ku gjurmët e asaj bukurie dhe  madhështie  nuk ishin shuar, ishin si flladi i një përqafimi, plot tinguj  sentimenti  dhe  respekti.

Kohët e fundit emocionet dramatike, i ktheu në nota muzikore të vokalit,  atje  gjeti  prehjen  e  shpirtit…

U shkëputa  nga  meditimi dhe e  zhvendosa  bisedën në spektrin mjekësor, i  spjegova mbi patologjinë  dhe  kurimin e saj. “ Zoti të më ruaj dritën e syve dhe atë  të mendjes”, u shpreh si në lutje. Mandej vazhdoi, një miku im më zbriti nga you tube, një film shqiptar, i cili më emocionoi mjaft, nëse nuk gabohem “Gjeneral gramafoni”, aty veçova dy aktorë të mëdhenj, ai që performonte në klarinetë dhe një të moshuar Parandili, në mos gabohem, që e luante Roshi, e harrova emrin. Ky Roshi ishte i veçantë, fliste  me shikimin  e  tij…

Në  meditim  interpretativ

Impresioni juaj është i saktë, unë mund tju dërgoj dhe të  tjera  po  aq  interesante. Do të  shkojmë dhe në kalanë  e Argjirosë dhe në Vlorën magjike, të njohësh  bukuritë e vendit dhe njerëzit, i  thashë  me  buzëqeshje.

Ajo nuk ishte vizitë, ajo ishte simpozium arti në një klinikë. Duke përfunduar u ngrit e më përqafoi “Të pres të vizitosh  Scholic-ën, veprën  time   dhe  të  pimë  një  kafe,  nën  hijen  e  Akropolit”!

…Ritmi i preokupacioneve të përditshme, na largoi dhe ajo tashmë nuk po shfaqej  gjëkundi. Fati i serviri një fund tragjik, nuk e ndau nga drama! Tashme ajo ishte kthyer në një statujë hyjnore të gjallë, me emocione të ngrira, as qeshte, as qante, as fliste, vetëm të shikonte me dhimbje.

Epilogu  i një   legjende

Në labirintet trunore të saj, pulsonte dhimbshëm jehona e tragjedisë  antike  dhe  dramës  personale, të cilat në një çast i pushtuan  trupin, e shuan fizikisht dhe  precipituan  epilogun  e  asaj  tragjedije. Dhe kështu në vetmi, në shtëpinë e saj në Plaka, me vështrimin nga Akropoli, në shtator 2022, bashkë me melankolinë e vjeshtës kaloi në eternitet, por mbeti monument kulture. Italianet e quajtën “Bella e divina Greca,…Irene nostra, famosa”, por ajo ishte Irene e të gjithëve, “legjendë” epirote,  arvanitase, që  ashtu  lindi  dhe  ashtu  mbeti…

Epilogun e këtij  Requiem Aeternam, nuk mund  ta lija pa e thurur, me  mantelin muzikor të hymnit “Conquest of Paradise” (pushtimi i parajsës) , të  mikut të saj Vangjel Papathanasiou, që sëbashku  fluturuan, për  në  asteroidin   e  përjetësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok