Rozana Radi: Ç’do të thotë të jesh vetëm

Ardhja e ditëve të nxehta të verës ka bërë që t’i fillojë pushimet shumë shpejt, ndërkohë që të tjerët janë ende duke planifikuar. Një qëndrim disaditor në një ishull fantastik të Greqisë, ka shërbyer si periudhë tërësisht relaksi për të. Por përsëri pushimet nuk kanë mbaruar, duke rezervuar të tjera projekte për në vazhdim. Teksa jeton vetëm, ka menduar t’i përkushtohet më shumë teksteve dhe këngës, duke rezervuar edhe një surprizë në anën profesionale. Në këtë intervistë, Rozana Radi tregon për herë të parë rreth jetës së saj private, familjes, marrëdhëniet me mikeshën e saj, Soni Malaj, si dhe shumë detaje të tjera.

Veç lançimit të këngës suaj më të fundit, këto kohë jeni marrë vetëm me hartimin e teksteve për të tjerë këngëtarë. Me cilët po bashkëpunon?
Po është e vërtetë. Aktualisht po merrem me tekstet e këngëve të Soni Malajt, Çiljetës, Eranda Libohovës, Sinan Hoxhës, Big Mamës dhe Rezarta Shkurtës. Për momentin nuk kam në dorë ndonjë material timin muzikor, është vetëm një këngë që nuk i kam bërë ende tekstin, pasi kur vjen puna për veten, e lë më tepër pas dore, sepse nuk është se kam shumë përgjegjësi, ndërsa kur punoj për kolegët e tjerë përgjegjësia është në maksimum.

Më tepër të pëlqen të këndosh apo të hartosh tekste?
Të dyja më pëlqejnë, por më shumë ndjej kënaqësi kur të tjerët këndojnë tekstet e mia. Është vërtet bukur. Unë bëj tekste për këngëtarë ‘big’ të skenës, që e vlerësojnë këngën dhe nuk e lënë tekstin në hije.

Jeni shfaqur në disa zhanre, veç këngës, aktrimit dhe hartimit të teksteve do të donit të bënit gjë tjetër?
Po, dhe do të jetë diçka e veçantë. Në projektet e mia shumë të afërta është një emision në të cilin do të jem prezantuese. Do të jetë një herë në javë në televizionin muzikor “BBF” dhe do të nisë pas pak ditësh. Është një emision ndryshe, pjesë e të cilit do të jetë vetë stafi realizues. Ai do të quhet “Mambo” dhe këtë titull do të ketë edhe kënga, kolonë zanore. Është një këngë e huaj, e cila do të përkthehet në shqip dhe do të jetë lajtmotiv i programit. Jo çdo prezantues mund ta marrë përsipër këtë program. Duhet të kesh mbaruar patjetër për aktrim. Ju premtoj se do të jetë diçka më shumë se e lezetshme.

Është folur shumë për marrëdhëniet tuaja me këngëtaren Soni Malaj. Si janë ato në të vërtetë?
Shoqëria jonë nuk është krisur asnjëherë. Jemi shoqe dhe pimë kafe shumë shpesh bashkë. Vështirë të ma zëvendësojë Sonin njeri tjetër. Jam njohur me të që në fillimet e grupit ‘Spirit Voice’, ndërkohë që më vonë u krijuan edhe hyrje-daljet familjare. Mamasë së Sonit unë i thërras mami, e dua shumë, është një femër plot jetë.

Keni dalë nga një fatkeqësi familjare. Para pak kohësh keni humbur nënën tuaj. Si është jeta e Rozanës këto kohë?
Një shprehje thotë: “Kur humb babain, mbetesh fukara, kur humb nënën mbetesh jetim”. Unë i humba të dy në një kohë shumë të afërt. Ata janë dashur shumë dhe mesa duket edhe atje ku janë, nuk kanë dashur të qëndrojnë vetëm. Kjo është ajo që më ngushëllon më shumë. Njeriu më i shtrenjtë në jetën time ka qenë babai por edhe nëna nuk ka mbetur pas. Më kanë rritur shumë mirë dhe respektin e dashurinë që njerëzit kishin për babain artist dhe nënën që kisha, sot i gëzojnë dhe vajzat e tyre. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të jetoj 23 vjet me babain dhe 27 vjet me nënën. Jam krenare që mbaj mbiemrin Radi.

Me kë jetoni tani?
Jetoj vetëm. Kam shtëpinë time. Nuk bëj asgjë madje dhe drekën dhe darkën ma bën motra. Vjen më lan edhe rrobat sepse vetë për të qenë e sinqertë nukd i të bëj gjë. Ajo është e martuar me fëmijëm vjen dy herë në ditë tek unë, në mesditë dhe në mbrëmje. Sapo kam pak kohë të lirë unë qëndroj me të dhe me tezen time që e kam shumë të re, jemi si tre motra.

Cilat janë marrëdhëniet me xhaxhain tuaj, Françesk Radin?
Grindem shumë me Frankon. Edhe duke ngrënë bakllava kur i thonë fjalës. E bëj këtë me dëshirë (qesh). Arsyet janë nga më të ndryshmet, kur vesh pantallona të shkurtra për shembull ose kur japim mendime të ndryshme për këngët respektive. Ndërsa me nusen e xhaxhait marrëdhëniet janë më serioze. Ata kanë 2 fëmijë jashtë dhe unë në një farë mënyre jam si vajzë për ta. Jam bërë me familje të madhe. Franko mbetet mashkulli i dytë më i rëndësishëm pas babait, në jetën time.

Je e dashuruar?
Jo. Nuk jam e dashuruar. Ndonjëherë njerëzit që mendon se i do më shumë në jetë nuk i do aq sa duhet. Më mirë të jesh vetëm. Kam tre muaj që jam kështu. Kisha menduar që dashuria vjen vetëm një herë në jetë por që të rrish me ditë për hir që e ke pasur një mashkull të dashur dhe s’duhet të ndahesh për opinion të të tjerëve, për mua është e gabuar. Kur zoti i ndau gjërat në fillim nuk e bëri prerjen tamam në mes. Meshkujt i bëri shërbëtorë në fillim dhe zotëri më vonë. Për një femër thonë se janë shfarosur popuj dhe unë në dashurinë time kam ecur me parimin: “Femra së pari”, ndaj dhe sot jam vetëm. Mashkulli ideal duhet t’i ngjajë pak babait tim. Të ketë sens humori dhe të më rrijë afër kur jam keq se kur jam mirë nuk është e vlefshme. Duhet të jetë patjetër i shkolluar me një background të vetin. Të dijë të diskutojë dhe të dialogojë.

Çfarë natyre e konsideron veten?
Kam qenë natyrë shumë impulsive. Tani nuk më dilet as nga shtëpia. Nuk i duroj dot diskotekat dhe më pëlqen të rri me njerëz që kam çfarë të blej prej tyre. Thashethemet nuk i dua, qoftë për miq, qoftë për armiq. Punoj deri në orët e vona të natës me tekstet, kjo është dhe arsyeja që zgjohem rreth orës 11-12 të mesditës.

Si e kalon paraditen në këto ditë vere?
Pi një kafe në mëngjes me time motër dhe tezen. Tani që është nxehtë, shkoj gati për ditë në pishina me motrën ose me miq.

Cilët janë këngëtarët e tu të preferuar që janë në tregun muzikor shqiptar?
Soni Malaj dhe Eranda Libohova, dy këngëtaret që preferoj. Janë vërtet profesioniste.

Ku do t’i kalosh pushimet?
Në fakt I kam filluar. Isha 15 ditë në Greqi, në një ishull shumë të bukur. isha vetëm fare, për t’u relaksuar.

Nuk u mërzitët e vetmuar?
Jo, përkundrazi, u qetësova shumë. Rrija gjithë ditën në çadër nuk më njihte askush dhe për më tepër nuk dija greqisht. E gjithë dita më shkonte plazh. Më pas qëndrova 3 ditë në Sarandë. Për më vonë nuk e di, ende nuk kam planifikuar gjë.

Po Rozana si aktore. Ndonjë plan?
Tani për tani jam pezull. Presim emërimet e reja në Teatrin Kombëtar por që nuk po bëhen kurrë.

Si të pëlqen të vishesh?
Në darkë më pëlqen të vishem serioze. Preferoj minimax-et. Dua të jem e zbuluar lart ose poshtë, d.m.th, ose të kem të hapur pak dekoltenë ose fundin, apo pantallonat e shkurtra, por jo të dyja bashkë. Adhuroj dhe stilin cowboys.

Dukeni shumë e dobësuar, i jeni nënshtruar ndonjë diete?
Po, jam dobësuar 10 kg. Fillova me dietë dhe mbarova me mërzitje.

I je nënshtruar ndonjë operacioni plastik?
Jo, por do t’i nënshtrohem kur të më duhet. Nuk kam asgjë kundër operacioneve.

Në cilën pjesë të trupit dëshiron të ndërhysh?
Nuk e di se cilës pjesë. Ndoshta asaj që do më bjerë më shpejt nga kalimi i viteve. Tani për tani jam mirë falë zotit. Por ju them edhe këtë: Jam shumë frikacake.

Nisida Knezi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok