NGA PROF. DR. SABRI HAMITI

“Formula e pagëzimit” është dokumenti më i vjetër i shkruar shqip i datuar me saktësi. Kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Pal Engjëlli (1417–1470) më 8 nëntor 1462 kishte shkruar një Letër qarkore në latinisht (Constitutiones), të cilën e kishte nisur nga Kisha e Shenjtes Trini në Mat. Kishte porositur meshtarët që ta këshillonin popullin që, në rast se kishte rrezik për ta sjellë foshnjën në kishë për ta pagëzuar, këtë gjë mund ta bënin në shtëpi, duke e përdorur formulën liturgjike të pagëzimit. Dokumenti origjinal ndodhet në dorëshkrim në Firencë.

Teksti është ky: “Vnte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.” [Un të pagëzonj p’r emënit (t’) Atit e t’birit e t’shpertit shênjtë]. (simbas Rexhep Ismajlit)

“Formula e pagëzimit” është formulë e pagëzimit të shqipes së shkruar dhe merr karakterin e një dokumenti dhe të një monumenti kulturor shqiptar dhe pikënisjen e letërsisë shqipe. E dëshmon Autorin, Pal Engjëllin, shqiptar; e dëshmon Kumtin në shqip; e dëshmon Vendin e shkrimit, Matin, tokën shqiptare; e dëshmon Alfabetin latin. Të gjitha këto dëshmi të shprehura në një “Formulë” nisën shumëfish dramën kulturore e shpirtërore shqiptare.

Pal Engjëlli, autori, është kryeipeshkv i Durrësit, në kohën e Gjergj Kastriotit, epokës së madhe të Shqipërisë; pra, autori e nyjëton shenjën kulturore të shqiptarisë identitare. Autori e shpalon aktin e parë të dramës, duke e kaluar shkrimin nga latinishtja në shqip, porse duke ruajtur alfabetin latin. Zbulon pamjaftueshmërinë (mungesat) e një alfabeti të huaj, për shkrimin e gjuhës tjetër. Ky fenomen e vijon dramën e kapërcimit kapital të shenjimit të tingullit në germë (shkronjë), pra kalimin e gjuhës së folur në gjuhë të shkruar, si kalim kulturor nga shprehja popullore në letërsi të kultivuar individuale. Kalimi i gjuhës së gjallë në gjuhë të shkruar si akt universal e vë përballë latinitetin me autenticitetin, Latinizmën me Albanizmën, të cilët cilësohen nëpërmjet dallimeve.

“Formula” ka kumtin, që e pagëzon jetën, duke e kaluar nëpër trinitetin e krishterë latin të: “Atit e Birit e Shpirtit” që do të shenjohet trinitet i krishterë shqiptar. Sepse kështu e do logjika e jetës, bashkë me fytyrën autentike. Duhet të flitet shqip për të funksionuar doktrina, se besimtarët janë shqiptarë. Sepse një parantezë humane e hyjnore, në një fantazi retrospektive të jetës, do të çonte deri te Adami e Eva të krijuar nga vetë ai, për të ndjekur pastaj trashëgimtarë tokësorë të tyre, edhe në vështrimin human e antropologjik.

Aspekti kulturor dhe letrar i “Formulës” do të shenjohet me nisma e shenja largvajtëse. Do të prodhojë në shqip një letërsi me frymëzim të krishterë, duke nisur nga format elementare të imitimit deri te krijimi në forma të ndërliqshme. Përherë letërsi autoriale e jo anonime, që, duke qenë në thelb e dalë nga një doktrinë, do ta ruajë ligjërimin e saj, sado e krijuar nga karakteret individuale. Letërsia si shtresë apo derivim i doktrinës, si temë apo si tekst, do të mbetet filobiblike dhe, duke kaluar nëpër nivele të dorëshkrimit, shkrimit e tejshkrimit, do të rikrijohet e lexohet me procedurën e “Palimpsestit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok