Përtej kufijve, nën dritën e fjalës shqipe

0

Nga Hamdi Hysuka*

Ka takime që zhvillohen në një qytet, por përjetohen në shumë atdhe; ka veprimtari që zgjasin disa orë, por lënë gjurmë të gjata në kujtesën e njerëzve. I tillë ishte manifestimi ndërkombëtar letrar e kulturor i Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i mërgimtarit”, organizuar më 7 nëntor 2026, në Novara të Italisë, nën drejtimin e kryetares Trandafile Molla (Baja).

Në këtë ditë nëntori, në Via Matteoti nr. 1, Piazza Novara, fjala shqipe u bë bashkuese e poetëve, shkrimtarëve, artistëve, mësuesve, gazetarëve dhe personaliteteve të jetës kulturore, të ardhur nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare dhe vende të ndryshme të emigracionit. Të gjithë i bashkonte një ndjenjë e përbashkët: dashuria për gjuhën amtare, respekti për rrënjët dhe dëshira për ta mbajtur gjallë identitetin kombëtar, kudo që jeta i kishte çuar. Qe një takim ku letërsia nuk kishte vetëm funksionin e artit, por edhe misionin e kujtesës, të komunikimit dhe të bashkimit shpirtëror.

Novara, një ditë e veçantë për fjalën shqipe

Manifestimi nisi me interpretimin e himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar që në çastet e para një atmosferë respekti e miqësie mes dy vendeve dhe kulturave. Moderatorja Etleva Rrapa, pasi hapi veprimtarinë, ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në nderim të poetes, mjekes dhe veprimtares Flora Brovina.

Në vijim, kryetarja e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i mërgimtarit”, Trandafile Molla, përshëndeti të ftuarit dhe foli mbi temën “Mërgimi dhe krijimtaria në letërsi”. Në fjalën e saj u theksua rëndësia e organizimeve kulturore në diasporë, roli i krijuesve në ruajtjen e gjuhës dhe nevoja për të përcjellë vlerat kombëtare te brezat që rriten larg vendlindjes.

Veprimtaria u nderua nga prania e nënkryetarit të Bashkisë së Novarës, z. Andrea Priveli, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu vlerësimin për organizimin e këtij takimi kulturor. Ai falënderoi znj. Trandafile Molla për sjelljen edhe këtë vit të artistëve shqiptarë në Novara, të cilët, përmes gjuhëve dhe formave të ndryshme artistike, kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore të qytetit. Ndërkohë, Giovanni Monopoli i dorëzoi znj. Trandafile Molla çmimin special “Ambassadore Mondiale e Kultur?s”.

Në mesazhin e tyre u nënvizua se mbajtja gjallë e traditave dhe kulturës së origjinës nuk krijon distancë nga shoqëria pritëse. Përkundrazi, ruajtja e identitetit ndihmon në hapjen ndaj të tjerëve dhe në ndërtimin e një bashkëjetese më të pasur. Komuniteti shqiptar përbën një pjesë të rëndësishme të strukturës shoqërore të Novarës, duke dhënë kontribut në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të saj. Ky ishte një mesazh domethënës: Integrimi nuk kërkon harrimin e rrënjëve, por respektimin e tyre dhe aftësinë për t’i bërë ato pjesë të një komunikimi të hapur me kulturat e tjera.

Libri, dëshmi e jetës dhe e përjetimeve njerëzore

Një vend të rëndësishëm në program zuri promovimi i librave, të cilët trajtojnë në këndvështrime të ndryshme përvojën e mërgimit dhe gjurmët që ai lë në jetën e njeriut.

Për librin tim, “Mërgimi, plagë amtare”, foli prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në vlerësimin e tij u ndal te trajtimi letrar i një teme që prek thellë historinë dhe ndërgjegjen e familjeve shqiptare. Mërgimi, si përvojë individuale dhe kolektive, nuk është thjesht largim nga vendlindja. Ai është ndarje nga njerëzit e dashur, nga kujtimet, nga gjuha e përditshme e fëmijërisë dhe nga ajo hapësirë shpirtërore që njeriu e quan atdhe.

Për librin “Jehona e valëve të jetës”, të autores Trandafile Molla, foli prof. Myftar Gjonbalaj, nënkryetar i shoqatës, duke vlerësuar krijimtarinë dhe përjetimet që autorja ka sjellë përmes fjalës së shkruar.

Ndërsa për librin “Udhët e mërgimit”, të së njëjtës autore, pata nderin të flas edhe unë, në cilësinë e kryetarit të Klubit letrar “Pjetër Budi” Mat.

Të tria këto botime, secili me individualitetin dhe veçoritë e veta krijuese, u bënë pjesë e një bashkëbisedimi letrar për një temë që mbetet gjithmonë e pranishme në ndërgjegjen shqiptare. Sepse mërgimi nuk është vetëm një udhëtim në hapësirë, është udhëtim i gjatë në kujtesë, ku njeriu merr me vete vendlindjen, prindërit, gjuhën, zakonet dhe ëndrrat e papërmbushura.

Gjuha amtare, trashëgimia që u përcillet brezave

Ndër çastet më të bukura dhe emocionuese të manifestimit ishte prania e nxënëseve të shkollës shqipe “Ardhmëria”. Recitimet dhe këngët në gjuhën shqipe sollën në sallë një atmosferë të veçantë, duke dëshmuar se fjala amtare vazhdon të jetojë edhe në brezat që lindin e rriten larg Shqipërisë.

Drejtoresha e shkollës, Afërdita Bashota, vlerësoi përkushtimin e nxënëseve Rejana Humolli, Deliza Sadiku dhe Siara Sadiku, të cilat u ngjitën në skenë me një recitim dhe dy këngë shqipe, duke u pritur me duartrokitje të ngrohta.

“Si mësuese, ndiej kënaqësi dhe krenari për përkushtimin e tyre. Çdo fjalë e shqiptuar dhe çdo këngë e kënduar është dëshmi e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe rrënjët tona shqiptare”, u shpreh ajo.

Në të vërtetë, nuk ka dëshmi më të bukur të vazhdimësisë kombëtare sesa një fëmijë që reciton në gjuhën e nënës, larg vendit të të parëve të tij. Aty ku një fëmijë mëson të shkruajë shqip, aty ruhet një pjesë e Shqipërisë. Aty ku këndohet një këngë shqiptare, aty zgjohet kujtesa e një kombi. Dhe aty ku prindërit e mësuesit përpiqen t’ua përcjellin fëmijëve gjuhën amtare, ndërtohet një urë që lidh brezat me rrënjët e tyre.

Mërgimi në vargjet dhe përjetimet e poetëve

Një nga pjesët më të ndjera të manifestimit ishte interpretimi i poezive nga krijuesit pjesëmarrës. Mërgimi, malli, largësia, kujtimet e vendlindjes, ndarja nga prindërit dhe shpresa për kthim u bënë lajtmotiv i shumë vargjeve.

Poetja Sherife Thaçi, duke shprehur mirënjohjen për ftesën dhe organizimin, vlerësoi se edhe larg atdheut gjuha shqipe vazhdon të flasë, poezia të jetojë dhe arti të bashkojë zemrat shqiptare. Ajo interpretoi poezinë “Mërgimi, bukë e hidhur”, e cila nisi me vargun domethënës: “Mërgimi nuk është rrugë, është plagë që ecën…”

Një varg që përmbledh shumë histori njerëzore, shumë ndarje dhe shumë dhembje të pashprehura.

Poetja Elisabeta Isufi solli një tjetër këndvështrim, duke theksuar se mërgimi nuk matet me kilometra, por me mallin që njeriu mban në zemër. Ajo u bëri thirrje shqiptarëve të mos harrojnë rrënjët, gjuhën, njerëzit dhe vendin nga kanë ardhur.

Për Nilda Baxhën, gazetare dhe korrespondente e emisioneve televizive për emigrantët, ky ishte një aktivitet i veçantë, që bashkoi poetë, shkrimtarë dhe personalitete të kulturës nga treva të ndryshme shqiptare. Ajo vlerësoi rëndësinë e lidhjes së potencialeve të emigracionit me Shqipërinë, duke theksuar nevojën për më shumë përkushtim ndaj zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Elmira Rama, përfaqësuese e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, e cilësoi takimin si një mundësi reale për të kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, duke mbajtur të forta lidhjet e degëve me rrënjët. Ajo solli edhe një mendim me rëndësi: Emigrimi nuk është plagë vetëm e kohës sonë. Është një dhembje e vjetër, që ka shoqëruar historinë e popullit shqiptar. Megjithatë, ai nuk ka qenë gjithmonë vetëm humbje dhe largim. Në shumë raste ka shërbyer si mundësi për formim, përvoja të reja, përvetësim dijesh dhe mentalitetesh, të cilat mund t’i shërbejnë më pas edhe vendit të origjinës.

Poetja Nataxha Xhelili nga Delvina, përfaqësuese e Klubit të Krijuesve Jonianë, Sarandë, u shpreh se poezia është një gjuhë universale, që nuk njeh kufij dhe largësi, por bashkon njerëzit, kulturat dhe shpirtrat përmes ndjenjës dhe artit.

Ndërsa Vera Istrefaj, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit, vlerësoi nivelin institucional të veprimtarisë dhe kontributin e shqiptarëve në jetën ekonomike e kulturore të Italisë. Ajo theksoi se përfaqësuesit e pushtetit vendor në Novara shprehën vlerësim për integrimin dhe përpjekjet e komunitetit shqiptar.

Adem Xheladini, kryetar i Shoqatës “PENESTIA” në Kërçovë, u ndal te mikpritja dhe organizimi i veprimtarisë, duke vlerësuar energjinë dhe përkushtimin e kryetares Trandafile Molla. Ai e cilësoi takimin si një model organizimi dhe bashkëpunimi kulturor.

Në fjalën e tij solli edhe një mendim domethënës për ndryshimin e rolit të mërgatës shqiptare: Nga një hapësirë e mbushur dikur me lot e sakrifica, ajo është shndërruar edhe në një burim vlerash, dijesh dhe arritjesh në fusha të ndryshme të jetës. Si shembull përmendi Mira Muratin, si dëshmi të potencialit krijues dhe intelektual të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Dan Ibrahimi, poet nga Kosova, e vlerësoi aktivitetin si një nismë me mesazhe pozitive për ringjalljen kulturore të diasporës. Sipas tij, veprimtari të tilla krijojnë mundësi për bashkimin e mërgimtarëve rreth librit shqip, fjalës shqipe dhe kujtesës së përbashkët kombëtare. Ai theksoi se brezat e rinj që rriten jashtë trojeve shqiptare përballen me rrezikun e asimilimit dhe se është detyrë e të gjithëve të kultivojnë te fëmijët dashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin.

Një nga mendimet më të forta të tij ishte se njeriu mund të punojë, të arsimohet dhe të ndërtojë jetën në një vend tjetër, por dheu i huaj nuk e zëvendëson vendin e rrënjëve. Këto mendime u bënë pjesë e një mesazhi të përbashkët: Mërgata nuk duhet parë vetëm përmes dhembjes së largimit, por edhe përmes arritjeve, krijimtarisë, dijes, kulturës dhe kontributit të saj në shoqëritë ku jeton.

Emocionet e vajzës që ruan gjuhën e prindërve

Një nga momentet më prekëse të takimit ishte biseda me Sllovana Mollën, vajzën e Trandafile Mollës, e cila nuk arriti t’i përmbante emocionet kur e pyeta për mbresat nga manifestimi. Sytë iu mbushën me lot, ndërsa fjalët i dilnin nga zemra.

“E përjetova jashtëzakonisht mirë këtë takim. Këta njerëz madhështorë, që erdhën nga Shqipëria dhe thuajse nga të gjitha vendet e botës, respektuan Shoqatën “Zëri i mërgimtarit”, por edhe familjen time. Ky takim më vlerëson edhe mua, sepse më jep mundësinë të komunikoj në gjuhën time shqipe. Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, sidomos ata të moshës së tretë. Për mua është kënaqësi e madhe të jem mes jush, edhe pse ende nuk mund të them se jam në nivelin tuaj në poezi dhe pikturë. Çmoj jashtë mase prindërit e mi, të cilët kanë kaluar një jetë në Shqipëri. Kur erdhën në Novara, u përshtatën me gjuhën italiane, me mjedisin dhe me familje të reja. Kanë punuar edhe në dy-tri punë të ndryshme brenda 24 orëve, për të ndërtuar jetën e tyre këtu”, u shpreh ajo mes emocionesh.

Në këto fjalë kishte më shumë se mirënjohje. Kishte respekt për sakrificën e prindërve, vlerësim për brezin që la vendlindjen dhe një dëshirë të sinqertë për të qenë pjesë e botës shqiptare, përmes gjuhës së tyre.

Lotët e Sllovanës ishin një dëshmi e heshtur se mërgimi nuk prek vetëm ata që largohen. Ai jeton edhe në përjetimet e fëmijëve, në kujtimet familjare dhe në përpjekjet për të ruajtur gjuhën e prindërve.

Ndoshta ky është një nga mesazhet më të bukura të manifestimit të Novarës: Prindërit mund të ndërtojnë një jetë në dhé të huaj, por fëmijëve u lënë si trashëgimí të çmuar gjuhën, kujtesën dhe dashurinë për atdheun.

Nga lotët e mërgimit te vlerat e së ardhmes

Në reflektimin e saj, moderatorja Etleva Rrapa e përshkroi manifestimin si një takim historik, letrar dhe përkujtimor, ku artistët u bashkuan në emocione të përbashkëta. Ajo solli një përjetim të veçantë njerëzor: në atë sallë, dallimet e profesioneve dhe të përditshmërisë sikur u zhdukën. Mësuesi, pedagogu, infermierja, gazetari, gjyshi e poeti u bashkuan në të njëjtën ndjenjë. Secili dukej sikur lexonte dhembjen dhe gëzimin e tjetrit.

Por Etleva ngriti edhe një çështje që meriton vëmendje në veprimtaritë e ardhshme: Krahas lotëve, vështirësive dhe sakrificave të emigrimit, të pasqyrohet edhe faqja tjetër e tij, jeta e ndërtuar me mund, arritjet ekonomike, përparimi në biznes, shkencë, arsim, kulturë e art, familjet e krijuara, lindjet, martesat, sukseset dhe gëzimet. Sepse mërgimi nuk është vetëm histori e ndarjeve. Është edhe histori e përpjekjeve për të ecur përpara, e njerëzve që ia kanë dalë të ndërtojnë një jetë të re pa harruar prej nga kanë ardhur. Ky këndvështrim e pasuron temën dhe i jep asaj një dimension më të plotë njerëzor e shoqëror.

Arti, një urë miqësie mes popujve

Manifestimi u pasurua nga interpretimet poetike tw poetwve pjeswmarrws, të cilat krijuan momente të bukura artistike dhe i dhanë veprimtarisë një frymëmarrje të veçantë.

Në këtë atmosferë u dëgjuan edhe fjalët e presidentit të Associazione Culturale Poiesis, Taranto, z. Giovanni Monopoli, si dëshmi e bashkëpunimit kulturor shqiptaro-italian.

Në manifestim morën pjesë personalitete dhe krijues të shumtë, ndër ‘ta prof. dr. Shyqri Galica, Adem Xheladini, Vera Istrefaj, Maxhun Smajli, Natasha Xhelili, Dan Ibrahimi, Sherife Thaçi, Elmira Rama, Merita Kuçi, Sabie Kurti, Afërdita Bashota, Raffaela Iacarusa, Xheladin Mjeku, Elisabeta Isufi, Urim Mezini dhe shumë të tjerë.

Në shenjë vlerësimi për pjesëmarrjen dhe kontributin artistik, krijuesve iu ndanë mirënjohje, tituj dhe stimuj letrarë. Ndër dhuratat simbolike ishin edhe tabloja me piktura të realizuara nga artisti italian, Stefano Gorla.

Një gjest i tillë dëshmoi se arti nuk është vetëm shprehje e individualitetit krijues, por edhe një gjuhë e përbashkët komunikimi mes popujve.

Manifestimi u mbyll me drekën e përbashkët të të ftuarve dhe pjesëmarrësve, në një atmosferë miqësore, ku bisedat, përshëndetjet dhe emocionet vijuan përtej programit zyrtar.

Fjala shqipe, atdheu që e marrim me vete

Në fund të këtij takimi të veçantë, mbetet më shumë se kujtimi i një veprimtarie të bukur kulturore. Mbetet dëshmia se shqiptarët, pavarësisht largësive gjeografike, kanë nevojë të takohen, të komunikojnë, të lexojnë, të krijojnë dhe të ndajnë me njëri-tjetrin vlerat e tyre. Mbetet mirënjohja për Trandafile Mollën dhe gjithë stafin e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i mërgimtarit”, të cilët, me përkushtim dhe këmbëngulje, e kanë kthyer këtë veprimtari në një traditë të rëndësishme të jetës kulturore shqiptare në Novara.

Manifestimet radhazi nuk janë thjesht takime. Janë dëshmi e një pune të vazhdueshme, të një ideali kulturor dhe të një përpjekjeje për ta mbajtur gjallë fjalën shqipe në mërgim.

Si kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi” Mat, e vlerësoj këtë takim si një mundësi të çmuar për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet krijuesve, për të promovuar librin shqip dhe për të zgjeruar hapësirat e komunikimit kulturor mes shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në Novara u dëshmua se atdheu nuk është vetëm një hapësirë gjeografike. Ai është gjuha që flasim, kënga që këndojmë, libri që shkruajmë, kujtimi që ruajmë dhe dashuria që u përcjellim fëmijëve tanë.

Njeriu mund të jetojë larg vendlindjes, të ndërtojë një jetë të re dhe të bëhet pjesë e një shoqërie tjetër, por nuk duhet të humbasë lidhjen me rrënjët e veta. Sepse integrimi dhe identiteti nuk janë kundërshtarë. Ato mund të ecin së bashku, duke pasuruar njëri-tjetrin.

Prandaj, takime të tilla kanë një rëndësi të veçantë. Ato na kujtojnë se gjuha amtare nuk është vetëm mjet komunikimi, por është kujtesa jonë historike, trashëgimia jonë shpirtërore dhe ura që lidh brezat.

Mund të jemi larg njëri-tjetrit, mund të jetojmë në vende të ndryshme, por kemi një gjuhë që na bashkon, një histori që na përket dhe një atdhe që jeton në kujtesën e secilit prej nesh. Sepse fjala shqipe nuk njeh kufij. Ajo udhëton me mërgimtarin, jeton në vargjet e poetit, në faqet e librit, në këngën e fëmijës dhe në zemrën e çdo shqiptari. Aty ku flitet shqip, aty jeton Shqipëria!

*Kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi” Mat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok