MË ARRESTUAN NË DITË FESTE

0

PRANGAT

– Kreu i Parë i dorëshkrimit –

Nga Visar Zhiti

Më arrestuan në një ditë feste, në mesditë.

– Pse?

– Ta tregojmë atje. Vërini  prangat!

Befas i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura.

Makina e policisë a e vdekjes, e ferrit vetë, u nis menjëherë duke drithëruar bashkë me mua, që ndërkaq dhe kisha ngrirë.

Pas xhamave të zymtë ishte festa, ajo e 8 Nëntorit, e themelimit të Partisë së Punës, afërmendsh shumë e rëndësishme, zanafillë e të gjitha festave të reja, pra dhe më e rënda. Ndjeva se duart po më fryheshin nga prangat dhe po më skuqeshin. Me atë ngjyrë, ashtu të kuqe shenjohen dhe datat e festave dhe thuhej se në ditë të tilla, sipas një ligji të pashkruar,  nuk bëheshin arrestime, makina mori kthesën fort, u anua sikur do të përmbysej, përjashtoheshin rastet flagrante, nëse ndokush do të guxonte të bërtiste kundër, i çmendur sigurisht, a do të shpërndante trakte, do të kishte një bombë në dorë, do të zbulohej që ishte  atentator, atëhere po, arrestohohej në çast, menjëherë, po me mua ç’patën, pse? Brenda meje po ulërinte sirena e makinës së policisë. Madje nga vetë populli kapëshe, të hidheshin përsipër rrufeshëm, por gjithsesi nuk duhej të prishej festa, me urdhër duhej të gëzonin të gjithë. Ishte derdhur gjak për këtë ditë, pllanga të kuqe fërgëllonin para syve të mi, pashë duart prapë, fitoret mbroheshin me gjak. Makina u trondit në nja dy gropa me ujë ndanë një pallati që po ndërtohej. Po ndërtohej një botë e re, socializmi, dhe ku, në gojë të ujkut, mes armiqve të jashtëm e të brendshëm. Prandaj, po të kishte përpjekje për përmbysje të regjimit, akte kundër, përbetime për formimin e ndonjë partie tjetër, – o tmerr! – le të guxonin, qoftë edhe në ëndërr, pa do ta shihnin se ku u shkonte koka, jo vetëm e tyrja, por festa ama duhej të vazhdonte. Ç’ishte ky pështjellim në kokën time, s’po më ndahej si obsesion festa që ishte a s’ishte më jashtë makinës së arrestimeve. Ç’fjalë të kreshpëruara po më ushtonin, ndonjë fjalim, përzjerë me lehje. Të kishin hapur radion? Copëzoheshin pas xhamave dyndje mendimesh, që sikur donin të mbushnin boshin dhe fundosjen ku ndodhesha, këtë rrezik me rrota që s’dihej për ku rendte. Haresë në festë i duhej dhe solmenitet, po dhe ndonjë arrestim, ta shihnin sa të fuqishëm që ishin, hë, m’u lumtë pushka, do të tundëte kryet populli, na marrshin të keqen armiqtë! Ndërsa koka ime si duart po fryhej, edhe ajo ishte me pranga.                                                                                         Si, si më thanë:

Ej, ti, ec me ne!

Po këtu është festa! S’do të ketë veprimtari të tjera, me arrestimin tim do të mbyllet? Ç’qe ajo e thirrur: ej, ti? Kam emër, mësues jam, jo këtu në qytet, por larg, pas malit të parë, edhe më larg, pas malit të dytë, edhe tjetrit, male prapë, në fundin e botës. Ju e dini, më njihni, ndryshe pse do t’më ndalonit? Kam disa vjet andej si i ngujuar, prisja të shpërngulesha pranë familjes. Dhe libri me poezi më thanë se do të botohej. E ju nuk pritët? Ndonjë keqkuptim sigurisht.

Makina nuk po arrinte, që nuk po arrinte. Ku? Copëra pamjesh halucinante si fotografi të zëshme, që po i hidhnin nga ca dritare, ç’ishte, festë apo bastisje, binin mu para xhamit të përparmë, era i merrte me një shpejtësi që ia kalonin dhe makinës së policisë që s’po mbërrinte asgjëkundi. Po nga ç’zyra doli urdhri të më arrestonin?

Ej, ti, ec me ne! – U thirra keq. E ndjeva.

Punojnë ata dhe në ditë festash, se lumi fle e armiku s’fle.

Ndodhi jo shumë larg urës prej hekuri, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i Bardhi, vinin nga matanë kufirit, nga Jugosllavia, njëri nga Maqedonia gjithë shkumbërima hakërruese, me vorbulla, që teksa turrej për këtej, aq më tepër nxihej sikur merrte nga mynxyrat tona, kurse tjetri vinte nga Kosova e rrëmbyer dhe mbetej si i bardhëllemtë, s’dihej prej ç’vegimesh.

Si nuk i mori lumi dhe ata dy jugosllavët që kishin ardhur atëhere, të cilët, kur krijohej partia gjatë Luftë II Botërore, ilegale dhe komuniste, ishin në krye? – nuk na e mësonin tamam kështu në shkollë.  – E kalitur në sulme, Partia, e pathyeshme, që i dërrmoi armiqtë, – na thoshin dhe ne ua mësonim dhe nxënesve. – Parti mes tradhtive, masakra e mister, ndërroi veç emër kur morën pushtetin dhe u bë Parti e Punës. Dhe është festa e saj sot. Se si ngrihet para meje si mali i parë këtu me emrin pikëllues Pikëllimë.

Nën hijen e tij, te një lokal pa emër, teksa po pinim kafe me regjisorin e Teatrit të Kukullave, zotni Tefik Ademin, u thirra jashtë me rreptësi.

Ej, ti, ec me ne! – m’u përsërit ngulmueshëm.

S’m’u dha të kundërshtoja, të bëja diçka, por u binda, ndoshta nga që e njihja thirrësin, operativ i zonës ku punoja si mësues, kështu quheshin këta të Sigurimit të Shtetit, që merreshin me spiunët, përgjimet dhe ndjekjet, ishte shok me mësuesit e tjerë, me të cilët ndaja dhomën në fshat, shfaqej shpesh, i zbërdhylët, gjatosh si shtylla elektrike me tela të këputura në oborrin e shkollës, e ngulur keqas, në mjegullën si negativ. E ç’më donte? Se mos kishte ngjarë ndonjë e pangjarë, kishte rënë zjarr a ndonjë masiv mali, përmbytje? (Thuama!) U drejtua nga unë, por ndejti ca larg. Dorën e mbante të rrasur në xhepin e xhupit dhe një si tytë formësohej aty. Revolveri. Edhe regjisori i kukullave shtangu si kukullat e veta që m’u fanitën për një çast gajasëse si tallja, atje në studion e tij, ku kisha shkuar për ta takuar. Donte të shkruaja diçka për teatrin e tij, flasim në kafene, – më tha dhe shkuam. Më futi krahun. Ndoshta nga që çalonte, po dhe se ishim miq. Klubet në Kukësin e Ri vinin si më të ftohtë, frynte shumë erë, kisha parë dhe se si po mbytej Kukësi i Vjetër, shpënguljet, edhe Teatrin e Kukullave e sollën këtej, një pjesë të tillë mund të shkruaja, njerëz duke ikur nga qyteti i vjetër në të riun me kukulla të mëdha mbi supe. Po më pëlqente idea.

[…]

Do të kem mërmëritur ndjesën sigurisht për takimin e ndërprerë në klub me regjisorin e kukullave. Kafen e lashë përgjysmë, do të ftohej dhe e ndjeva që s’do të kthehesha më për ta pirë atë kafe. U gjenda përballë një makine të zezë, të ndalur, “Gazi i Degës”. I tmerrshmi! Po këta njerëz përreth, të rastësishëm? Pse po më shikonin aq vëngër?

– Futu! – sikur u kërcënova. Dhe festa u zhbë.

Te vendi përpara, anash shoferit, një qenie trashaluqe, e plandosur, ndërkohë në gjendje pritjeje si të gjahut, ku e kisha parë? Qytet i vogël, të gjithë njiheshin, nënkryetar i Degës së Punëve të Brend… Edhe unë kam qenë mësues si ju, na tha njëherë, kur e ndeshëm në rrugë, ndoshta njihte ata të tjerët e grupit dhe i bulçiti një buzëqeshje e pamirë.

Në ndenjësen e pasme të makinës, në anë qe strukur një polic (po ky, çne?!), nxinte si perdja e zezë mbi xhamin e mbyllur. Dhe menjëherë ndjeva një të shtyrë. Operativi gjatosh u përpalos duke u ngjeshur pas meje. Mbyllja e derës ashtu rrapëllyeshëm sikur përsëdyti atë kërcëllimë dhëmbësh. Heshtje dhe pezëm për një çaste. Qenia e trashë u kthye përkëtej. Me ballin e ngushtë kobshëm, aq sa dukej sikur flokët e sertë i fillonin fill mbi vetullat.

– Je i arrestuar! Ti!

– Pse? – arrita të pyes.

– Ta tregojmë atje. Vërini prangat!

Dhe çuditërisht i pashë menjëherë ndër duar, aq shpejt veproi polici, kurse ai, operativi, gati m’i shkuli jakat e xhaketës, se i kontrolloi gjithë zell dhe kompetencë, aventurshëm, mos kishte helm në to e s’dihej ç’bëja.

Ku atje, ku, ku? Sikur nuk më thanë: në emër të popullit je i arrestuar? Të jetë rrëmbim?… Prangat m’u dukën shumë të mëdha, por tronditja edhe më e madhe. Prej hekuri e gjithë. Ai, regjisori i kukullave prej mjegulle, pasi të presë dhe ca, do të iki duke çaluar edhe më shumë, dhembshurisht. Dhe siç ndodh në qytetet e vogla, do të përhapet lajmi që arrestuan njërin. Cilin? Dhe në ditë feste. Po ai do t’i thoshte ndonjë gjë vajzës së tij të bukur? Po ajo? Purpuri i fytyrës së saj tani po digjte fytyrën time.

“Gazi i degës” shkrofëtinte me hungërima dhe ngarendte egërshan nëpër makth. Pallatet shembeshin anash pa zhurmë, në shurdhëri. Pse u kthyem prapë? Jo, po iknim, por pallatet ishin padurueshëm njëlloj dhe binin pa rrapëllima.

Sa i fyer po ndihesha! Gjithandej. Po sidomos te duart! Kurrë nuk i kisha patur duart e mia aq keq, megjithëse ç’nuk kisha bërë me to, edhe gjëra të pista, kisha mbledhur mbeturina, por punë e madhe, i kisha fshirë duart pas pantallonave, kisha vjedhur dhe libra, aq më mirë, kisha ledhatuar qen rrugësh, doja, kisha prekur plagë, u kisha shtrydhur qelbin të tjerëve, u kisha dhënë dorën maskarenjve, kisha bërë dhe sherr, kam grisur gjith inat gazeta si letra higjenike, i kisha larë duart pellgjeve, kisha numëruar paratë e pagës mujore, ndodhte të kisha kapur dhe kazmën, edhe armë zjarri në stërvitjet e detyruara, zboret siç i quanin, por shkruaja dhe në dërrasën e zezë të shkollës duke thithur pluhur shkumësi me orë, shkruaja dhe poezi, edhe rrugës në copa letre, mbi paketa cigaresh, kisha mbajtur valixhe, pëllumba, që po t’i shtrëngoje, të trallisnin si gjinj, kisha përqafuar, ishin duart e mia, i doja, i ruaja, i ngrija lart për të përshëdetur dhe befas m’i fyen, dhunshëm, pa turp, më vunë prangat, nuk janë për njeriun, desha të bërtas.

Më shtynë të dal. Ku kishim mbërritur, atje, në Degën e Punëve të Brendshme? Por ajo s’është larg, brenda në qytet, afër gjithkujt e mynxyrshme, pse zgjati kaq shumë rruga dhe pse hidhnin sipër saj fotografi bardhezi si shqetësimet e mia të grisura tani?

Ngjitëm ca shkallë duke më mbajtur dhe shtyrë sërish më me ngut, po ç’pati që bërtiti një shkurtan tjetër përtej një tryeze, ndërsa pa m’i hequr prangat, më kontrollonin duke më marrë gjithçka, stilografin, paratë e pakta, letrat nëpër xhepa, letrën e njoftimit, mbanin procesverbal për to, këpucët, çfarë, hiqi, edhe rripin e mesit, kërkonin medoemos të kisha orë, ku e ke orën, ë? S’kam, s’u besoj orëve, pastaj sikur më dhanë të shoh një shkresë, e daktilografuar zbehtë, lexoje dhe firmose, më bërtitën, ftetë-arresti dëgjova, nuk po kuptoja gjë, kisha miza të kuqe nëpër sy, s’po ndjehesha si mes njerëzish, më tërhoqën ca hije nëpër ca shkallë të tjera, i zbathur, sa më poshtë shkonim, aq më tepër shtohej ankthi, deri sa mbërritëm të një derë, edhe ajo prej ankthi të errët e gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok