02/05/2024

RIFAT BERISHA-ATDHETARI QË SERBISË E JUGOSLLAVISË, I TREGOI SE KOSOVA ËSHTË SHQIPËRI

0

(1910- e likuidojnë më 17 maj 1949)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Rifat Berisha (1910-1949) u lind në fshatin Berishë të Drenicës. Ishte i biri i Latif dhe Hasime Berishës, të dalluar për atdhetari ndër vite. Dalloheshin si familje e konsoliduar, të ndershëm, me një mirëqenie të mirë familjare. Rëndësi të madhe i kushtonin rritjes dhe edukimit të fëmijëve dhe të mikpritjes tradicionale. Rifati i vogël mësimet fillestare i mori në Mejtep të Negrofcit, ndërsa të mesmet në Medrese të Gjakovës. Më 1926, falë ndihmës së gjyshit- Tahiri Berishës, shkon në Shqipëri për shkollim.(Tahir Berisha, ishte filozofi më popullor në kohën e tij). Më 1931 e kryen Akademinë Ushtarake në Tiranë. Nën përkujdesjen e xhaxhait të shtrenjtë, mësoi për veprimtarinë e personaliteteve më të shquara historike të kohës, si Azem Galica e Ferat Draga, Hasan Prishtina e Ilaz Agushi, Miftar Bajraktari e Nazim Gafurri, Ramadan Shabani e Sadik Rama, Shaban Polluzha e Shtjefën Gjeçovi. Pas përfundimit të studimeve, emërohet oficer në Gjirokastër, ku, më 1933, martohet me Mirijen, bijën e Xhelal Çanos, epror ushtarak në pension. Shërbeu edhe në Kukës, Lushnjë, Pukë, Sarandë, Shkodër, Tiranë e Vlorë. Mirija dallohej me virtyte më të larta njerëzore e kombëtare. I patën katër fëmijë: Muhameri, që u lind në  Gjirokastër, më 1935, Afërdita u lind në Shkodër, më 1938, Shpresa në Gjilan, më 1942 dhe Ylberi në Prishtinë, më 1946. Rifat Latif Berisha, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i njohur si aktivist i angazhuar dhe si kryetar i Frontit Popullor për Kosovë (1949).

Ishte pjesëmarrës dhe njëri nga organizatorët e Konferencës se Bujanit, në te cilën u zgjodh edhe nënkryetar. Në mbarim të luftës ishte nënkryetar i Kosovës. Kurrë nuk u pajtua, me tradhtinë që iu bë Konferencës së Bujanit dhe vendimeve të saj, për çka edhe u vu në shënjestër të OZNA-s. Rifat Berisha ishte shok e mik i ngushtë i Xheladin Hanës, Omer Çerkezit, e i shumë patriotëve të tjerë që vepronin në atë kohë. Ata pak intelektual që kishte Kosova, me situatën e krijuar pas vitit 1945, ishin të pakënaqur, andaj nuk ishte befasuese bisedat e Rifatit me Xheladinin, një ashtu edhe me Omer Çerkezin, duke u pozicionuar në një vijë si kundërshtar të përbetuar kundër robërisë dhe okupimit jugosllav. Në ndërkohë, ata zgjerojnë rrethin, bisedojnë edhe me Faik Pruthin, një atdhetari i madhe për një Shqipëri etnike. Edhe Bije Vokshi i takonte kësaj lagjeje të atdhetarëve dhe bisedonte shtruar me Rifat Berishën. Por duhet përmendur se Rifat Berisha ishte një strateg luftarak i përkryer andaj ishte krejt e natyrshme që assesi nuk donte që ta lë anësh pjesën shqiptare që ishte në Maqedoni. Takohej shpesh me Nexhat Agollin e Sali Lisin, sidomos në mbledhjet që mbaheshin në Kuvendin Federativ, ku ishin deputet. Vendimi ishte marr : duhet formuar një organizatë ilegale që do të veprojë në të gjitha trevat shqiptare që kishin ngelur nën Jugosllavi. Ishte bisedua se organizata duhet të ketë krahun e armatosur; duhet të ketë vetëm karakter kombëtar; të shtrihej në të gjitha trevat shqiptare në Jugosllavi, dhe gjithsesi të vendosin kontakte me Republikën e Shqipërisë si nëpër mes kanaleve diplomatike si dhe nëpër mjet kufirit shtetëror.

Pas takimeve të shumta që patën në mes veti, u mor qëndrimi që të bëhej konstituimi i grupit. Anëtarët e saj u angazhuan që kjo organizatë fillimisht të formohej në Prishtinë, duke e quajtur “Fronti Kombëtar”, të legalizuar në kuadrin e Frontit Popullor, i cili shërbente si maskim i të parit, për tu mos u cilësuar si antishtetëror. Po aty u vendos që të formohen degët e veta edhe në qendra tjera në Kosovë. Një qendër e tillë u formua në Ferizaj më 27 shtator të vitit 1948, në shtëpinë e Idriz Kupinës, në të cilën morën pjesë: Rifat Berisha, Xheladin Hana, Ibrahim Muhaxheri, Rexhë Balaj, Vesel Rexhepi, Kurtesh Agushi, Omer Çerkezi, Faik Pruthi, Muhedin Hadri dhe Hajdar Pruthi, qëllimi i së cilës ishte sendërtimi i Programit të Lëvizjes Popullore për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Po ashtu, u morë qëndrimi që sa më shumë e sa më shpejt anëtarët e saj të angazhohen të punohet me masat që në një mënyrë të bëhej sensibilizimi i tyre për luftë për bashkimin e trojeve shqiptare. Po ashtu u mor qëndrimi që në aspektin politik dhe në objektivat strategjike do të ishte lufta për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë. Në planin organizativ, do të punohej në ndërtimin e Frontit Kombëtar Shqiptar; si organizatë politike do të ketë karakter kombëtar dhe do të shtrihej në të gjitha viset shqiptare, do të bashkëpunoi me organizata më të vogla por që ishin shumë të besueshme. Në krye të organizatës do të formohej një komitet i quajtur “Shpëtimi Kombëtar” me qendër në Shkup, dhe të rretheve në përbërje të qarqeve. Por, organizimi më i rëndësishëm ishte organizimi ushtarak,  i cili do të punoi për një lëvizje të armatosur me njësit, me çeta të vogla e me reparte po ashtu të vogla, në të gjitha viset shqiptare që ishin nën okupimin jugosllav. Fillimisht, do të punohet me një shtab të përgjithshëm, me numër të vogël komanduesishë, por që do të jenë të përgatitur mirë dhe me përgjegjësi do i kryenin punët në misionin e tyre. Njësitet do të ngritën në të gjitha rrethet dhe qytetet dhe çetat do t’i mbulojnë qarqet. U tha se të gjitha këto njësite në fillim do të kenë karakter gueril dhe më vonë këto grupe do të quhen Ushtrua Guerile Shqiptare. Fillimisht do të kishte vetëm dy reparte ose batalione me nga 50-60 veta, me nga tri çeta prej 15-20 luftëtarëve, me komandantin dhe dy zëvendës. Çetat do të vepronin në qarqe, kurse njësitet do të vepronin në rrethe me nga 3-4 grupe. Si në çdo organizatë ilegale, rol kryesor kishte konspiracioni dhe çdo dekonspirim i tyre quhej tradhti. Anëtarëve të grupeve do tu caktohen pseudonimet dhe me ato pseudonime do të vepronin. Ndërsa, informatat nga grupi në grup do të bëheshin me takime fizike ose nëpër mes letrave.

Pjesëmarrësit e këtyre mbledhjeje nuk e dinin se ishin të përcjell në çdo lëvizje dhe në çdo hap nga udbashët, andaj, nuk ishte aspak e papritur kur edhe u bë arrestimi i disave nga ata. U arrestuan Faik Pruthi, në dhjetorë 1948, pastaj arrestohet Muhedin Hadri, më tej Omer Çerkezi. Ndërsa, Xheladin Hanën e vrasin në fund të vitit 1948. Kurse Ibrahim Muhaxheri dhe Xhafer Vokshi, arratisën për Shqipëri.

Duhet theksuar se edhe aktiviteti i Rifat Berishës përcillej nga udbashët.  Sidomos lidhjet që ai mbante me ilegalen, atë  e vendosin në qendër te vëmendjes të sigurimit jugosllav derisa pas një tentative për ta arrestuar që përfundon me përleshje ai bëhet pjesë e ilegalitetit. Rifati, me shokët  e idealit, kishin mendua që ta shfrytëzonin prishjen e marrëdhënieve në mes Jugosllavisë e Rusisë në dobi të çështjes të bashkimit të Kosovës e të viseve tjera shqiptare me Shqipërinë. Por, dita ditës rrethi ngushtohej ndaj Rifat Berishës.

Rifati, pasi ishte deputet i Kuvendit Federativë, ishte i obliguar që të mbante tubime me fshataret dhe kjo ishte ana e mirë e krejt kësaj, ngase Rifati mbante kontakte me masën dhe i kuptonte hallet e tyre. Bile, në Komoran, më 1949, në një tubim, një fshatar i ofrohet dhe ngadalë i thotë :”Shoku Rifat, kështu nuk i patëm fjalët kur dolëm në mal…ne përsëri nën okupim”. Rifati, duke e ditur se ishte i përcjell nga udbashët, ai qeshë, dhe fortë mirë e kupton fshatarin trim. Udbashët e përcjellin tubimin dhe e vërenin se sa shumë e donte popull djalin e tyre, dhe menduan se, po qese ndodhte ndonjë arrestim i Rifatit, fshataret do ishin në anën e tij. Për momentin tërhiqen pa kryer punën e nisur.

Rifati , duke i parë udbashët që silleshin vërdallë në tubim, kishte parandjenje të keqe. Andaj pas tubimit shkon në Berishë, te familja për të kaluar natën. Në bisedë e sipër me babain Latif, ai i lë një amanet, duke e porositur se “po qese sonte vijnë udbashët të më arrestojnë, të lutem bashkë me ta, më vritni edhe mua, se nuk dua të bijë i gjallë në duart e tyre”. Babi i jep zemër duke i thënë se deri sa kemi armë e jemi në shtëpinë tonë, askush nuk do të dorëzohet, por si e kemi zakon, do të luftojmë që të gjithë.

Në mbrëmje, ende pa u mbledh vëllezërit e të afërmit e Rifatit, në odë ia behin  krye udbashët: Çedo Topalloviqi dhe Çedo Mijoviqi dhe një i panjohur për Rifatin. Siç është në kulturën shqiptare mikpritja, ata i presin dhe i qerasin me bukë. Udbashët fillimisht ishin të përzemërt dhe bisedonin se sa e rëndësishme tek ju është besa e mikpritja, por derisa Rifati po i ndizte cigaren mysafirëve, dy duar të zeza e mbërthejnë, duke e urdhëruar se je i arrestuar. I thanë se duhet urgjent të shkojmë në Prishtinë, se po të pret Fadil Hoxha. Tregoju familjarëve se duhet me shkua”. Pesë vëllezërit e Rifatit shpejt gjenden të armatosur dhe të gatshëm për të filluar luftën e pa përfunduar që nga viti 1945. Njërin udbash e plagosin, dy të tjerë vriten, po në odën e Berishajve hynë të tjerë udbash, duke mbajtur peng familjaret e tij. Rifat Berisha me zhdërvjelltësinë që kishte, e kalon rrethimin që kishte bë UDB-eja. Nga aty shtëpia e tij ishin malet e Berishës e të Kosovës. Pushteti nga Prishtina organizon ndjekjen e tij. Rifat Berisha duhet të asgjësohet, ishte urdhri nga Aleksandër Rankoviqi. Ushtri e polici populluan fshatrat për rreth. Me dhunë i nxorën fshatarët nga shtëpitë e tyre, për t’iu tregua terrenin e kësaj ane.

Më 17 maj të 1949-ës, përderisa ishte në fshatin Gajrak, së bashku me njësitin prej gjashtë vetash, udbashët duke bërë presion të madh dhe duke përdorur dhunën, e zbulojn se ku strehoheshin trimat. Ata, e rrethojnë fshatin dhe shtëpinë e  Smajl Gajraku, ku ndodheshin: vëllezërit Rifat, Mustafë e Islam Berisha, Brahim Berisha, i biri i Islamit e po ashtu Halit dhe Jahir Berisha kushërinj të parë. Pas gati një dite luftimesh njësiti tenton të qaje rrethimin ku edhe bien heroikisht Rifat, Islam, Mustafë e Brahim Berisha. Arrijnë të largohen vetëm Halit e Jahir Berisha. Patrioti, intelektuali e veprimtari i dalluar Rifat Berisha i përkiste një brezi intelektualësh  patriotë, që fatin e vet e lidhën ngushtë  qysh në fillim me atë të popullit të tyre, që gjithçka patën: energjitë, aftësitë e dituritë, i vunë në shërbim të çështjes kombëtare. Lirshëm mund të thuhet se kontributi i tij kombëtar ishte i pazëvendësueshëm për kohën dhe spikaste momente shumë të rëndësishme të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok