RETROSPEKTIVA E NJË VJERSHËRIMI
(Aspekte të krijimtarisë letrare për fëmijë të Dibran Demakut)
Nga Xheladin MJEKU
Qasje
Profili artistik i Dibran Demakut është ndërtuar fillimisht gjatë përvojës së tij jetësore në Kosovë, sa ishte i punësuar gazetar në Programin për Fëmijë të Televizionit të Prishtinës, për t’u pasuruar më tej edhe në mërgim. Puna e vazhdueshme me fëmijë, atij i dha njohuri të thella të psikologjisë, botëkuptimit dhe nevojave emocionale të moshave të reja. Kjo krijimtari letrare konsiderohet një ndihmesë e rëndësishme, veçanërisht në pasurimin e letërsisë për fëmijë. Shkrimtari Xhahid Bushati, në një intervistë për zhvillimet e letërsisë, kryesisht asaj për fëmijë ndër të tjera thotë: ,,Letërsia për fëmijë është mision. Nuk është e lehtë. Jo, dokushdo mund “të trokasë” në këtë portë të shenjtë”. Dibran Demaku ka zgjedhur të trokas me kujdes edhe në botën fëmijërore, për t’iu dhuruar vargje e libra plot imagjinatë e përkushtime nga jeta dhe përditshmëria e rritës së tyre.
Vjersha në fokus të dashurisë, lojës dhe edukimit
Për ta njohur nga afër krijimtarinë letrare për fëmijë të Dibran Demakut, që përbën një fond prej pesë librash, kryesisht vjersha dhe poema, do të shpalosim disa aspekte që e karakterizojnë këtë prodhimtari poetike, për ta njohur nga brenda frymën e trajtimit tematik dhe motivor të ngjarjeve që e preokupojnë autorin dhe porositë edukative që ia përçon lexuesit të saj.
Kështu, që në librin e parë Vogëlushë dhe shtatore poeti paralajmëron vendosmërinë e një fillimi të mbarë e plot vrull, me synimet që këto lulëzime të shtrijnë krahët edhe përtej ëndrrave të tij, që të nis një valle të pashkëputur me fëmijët, bota e të cilëve për shumëçka dallon nga të tjerët. Këtë botë magjike si duket do ta ketë kuptuar me kohë Dibrani, i cili ecën nga një moment në tjetrin, nga një ngjarje a sukses që heton te personazhet e tij frymëzues, për t’ua ndërtuar kështu Tempullin e gëzimeve, lojës dhe rritës. Ai, me kujdes do të hap perden e saj, ku:
Lulja me petale
në mua jetën nis
e hëna mbi male
ëndrrën qëndis.
(,,Në vallen e jetës”, fq. 7)
Loja përmes vargut do të zgjërohet edhe në ambientet familjare, me prindër, vëllezër e motra, për ta begatuar çdo çast të saj, siç do të shprehet në vjershën ,,Kur unë hy në lojë”: Askush s’merr në thua/ e hapur është dera/ në shtëpi pa mua / nuk hyn as pranvera…(po aty, fq. 9). Pikërisht këtu shpërfaqet bota e mrekullive, për të vazhduar tutje, mes këngës, shoqërimeve në kopsht, si në vjershën ,,Ku shtrihet kënga ime”, etj.
Kësaj pene të vyer nuk i kanë shpëtuar as kujtimet e lojës, vallëzimet e përbashkëta, ku përmes rrëfimeve të përrallave në harmoni të vazhdueshme e shkojnë jetën bashkë me prindërit ,,Nëntë motra e një vëlla”:
Motrat i këndojnë vëllait
vëllezërit i gëzohen motrës
e dhjeta dredh shaminë
si flakët e votrës.
(Po aty, fq. 16)
Autori prek tema mjaft interesante. Ai përmes imagjinatës së fëmijës ndërton bashkësinë e gishtave në pëllëmbën e dorës: “Gishti i madh”, “Gishti tregues”, “Gishti i mesëm”, “Gishti i unazës” dhe “Gishti i vogël”, që si tërësi e krijojnë “Shuplakën”, e cila do të kujdeset që pesë gishtat t’i mbajë bashkë, përmes këshillave, sugjerimeve, e ndonjëherë edhe qortimeve eventuale, sepse: Pa mua në këtë botë/ ju nuk keni jetë/ t’vetmuar e të kotë/ do t’ishit të shkretë, për t’i trimëruar pastaj, të qëndrojnë bashkë e të fortë nën përkujdesjen e saj: Si s’u shkon mendja/ se në këtë botë/ ju tok me mua/ jemi grusht i fortë (,,Shuplaka”, fq. 22). Kjo lidhje kaq mjeshtërore përmes vargjeve të skalitura me delikatesë, duke ruajtur fuqinë e mesazhit, të kujton fjalën e urtë “Bashkimi bën fuqinë”. Por si do të veproj në këtë rast “Dora”? Padyshim, ajo reagon menjëherë: Gishtat dhe shuplakën/ unë i mbaj në jetë/ duhet të më njohin/ nënë të vërtetë, sepse veç Kështu të gjithë tok/ mëmë me bija e bij/ jemi me shumë vlerë/ n’jetë për çdo njeri (po aty, fq. 25).
Në përgjithësi poezia e tij për fëmijë karakterizohet për rimën që u mundëson fëmijëve t’i mbajnë gjatë në kujtesë këto vargje. Ai e përdor shpesh dialogun brenda vjershave, duke i bërë personazhet të flasin drejtpërdrejt, gjë që e mban të mbërthyer vëmendjen e lexuesit të vogël.
Dibran Demaku me shumë dashuri e përkushtim do t’i këndoi edhe nënës, e cila përveç tjerash: Ajo është dhe në diell/ gazi i saj shkreptin në Hënë/ zemra i rrah n’tokë e n’qiell/ e ka emrin: NËNË… (,,Drithërimë e këndshme në zemër”, fq. 29).
Në opusin e tij krijues nuk i anashkalon as figura e personalitete të njohura, të cilët i konsideron pjesë e pandarë e këtij trolli, ku gjithçka frymon me dashurinë për atdheun, lirinë dhe ardhmërinë e brezave. Me përkushtim i këndon heroinës Ganimete dhe gërshetave të saj, të cilën e takon në Abetare, Nënë Terezës, Esad Mekulit, mësueses së parë që “Është më shumë se dashuri”, etj.
Abetaren e takojmë të gjithë që nga dita e parë e shkollës, ku edhe për poetin:
Është e parë ndër libra tjerë
(dhe për këtë mbahet krenare)
Nuk vjetrohet asnjëherë
e ka emrin: Abetare…
(,,E ke shoqe që nga fillimi”, fq. 34)
Nuk do të mbesin jashtë orbitës së vrojtimit edhe vende të njohura, që mahnisin për bukuritë e tyre, si: lumenj, kroje, fusha begatore, livadhe të bleruara ku i përshkojnë tufa qengjash dhe zukama e bletëve të vyera, emërtimet e të cilëve do t”ia fal dhuratë pagëzimit të fëmijëve, si në vjershat ,,Një burim i bardhë – borë”, “Driloni”, etj. Me shumë ndjeshmëri do ta trajton edhe pjesën më të dashur- familjen, ku me ,,Hapin e parë” i gëzohet fëmiut që ka zënë të ecën, por rënjet dhe ngritjet e tij i merr si realitete të fillimit të hapërimit në jetë: Duhet ta kuptosh/ rënie ka në jetë/ sado t’rënda plagët/ ngritje duhet të ketë (po aty, fq. 38).
Tutje në vjershërimin e tij takojmë edhe gjyshen, që përmes përrallave e përkdheljeve të ngrohta Lonin e zë gjumi n’krahë të saj (“Pse gjumi nuk vjen ndryshe”, fq. 41).
Në vitet ’81 e këtej deri në çlirim, ishte kohë e nderë ku gjithçka ishte e pasigurtë. Njeriu në çdo kohë përballohej me rreziqe permanente, sa askujt nuk i dihej fati as fatkeqësia që mund t’i ndodhte atbotë. Edhe në kujtesën e poetit kjo “Kohë e mbrapshtë” do të reflektonte ndjeshëm në shumë situata, ku babai pas shumë shqetësimeve nga mungesa e gjithçkaje në shtëpi, do të shpreh mllefin duke ngre grushtin/ Dhe qëllon sa mundet? E di unë seç heq/ Tavolinë e gjorë (po aty, fq. 49). Poaq me kujdes kjo periudhë e gjatë kohore plot rreziqe e insuinata vazhdon të trajtohet edhe në vjershat: “Kosovë”, “Malet”, “Fushat”, etj.
Do të ishte i pa kompletuar ky vështrim, sikur ta tejkalonim pagëzorin e librit, Vogëlushë dhe shtatore, brenda së cilës flet historia, e shprehur përmes Shtëpisë së Lidhjes në Prizrenin e lashtë, në zemër të të cilit shekuj më parë do të ndodh kthesa vendimtare e kombit:
Kalaja prek qiellin
Shtëpia buzë lumi
bisedojnë me diellin
e kurrë s’i zë gjumi.
(Po aty, fq. 59)
Ndoshta nuk është heret kur poeti do ta paralajmëron rritjen e tij, duke aluduar në ndryshimet e moshës dhe kuptimin e jetës më ndryshe, si te vjershat: ,,Ti bashkojmë ëndrrat”, ,,Ec e thuaj”, ,,Kur të rritem”, etj. me dëshirat që ,,Të udhëtojmë me fantazi” gjithandej planetit, për të shijuar bukuritë e botës, ndonëse ai ende e ndien veten ,,Një grusht fëmijë”.
Në vargjet e këtij libri takojmë një armatë të tërë emrash e figurash që veprojnë bashkë e të ndarë, varësisht roleve që u takojnë. Të këtillë, si gjysh e gjyshe, babai dhe nëna, motra e vëllezër, pastaj voglushet Jehona dhe Shega, Loni shtatëvjeçar, etj., loja dhe gëzimet e të cilëve e begatojnë dhe ia krijojnë piramidën kësaj ngrehine poetike, që meriton të jetë dashuri e përhershme e lexuesve të vegjël, të cilëve edhe u dedikohet.
Gjeografia e klasës sime është e veçantë, meqë në këtë libër trajtohen ngjarje kryesisht nga koha e përplasjeve të stuhishme të popullit të shtypur, ku ekzodi, pasiguria dhe mungesa e mbrojtes nga torturat, janë të pranishme në çdo kohë. Aty kulmon e keqja e krijuar nga një aparat i pamëshirshëm shtetëror, ku gjithçka e ka humbur ekuilibrin e vetë. Fëmijët e kësaj kohe të nderë do të përjetojnë deri edhe ndarjen nga shokët e shoqet dhe ikjen në mërgim, plagë që po gërvishtej vazhdimisht. E dhimbshme, por e vërtetë ishte ajo situatë, ku pak kishte mundësi të ndihmohej, qoftë edhe me një fjalë përkrahëse, me një veprim qëllimmirë, sado i vogël të jetë, por kishte shumë kuptim pozitiv. Këtu, edhe pena e Dibran Demakut do të hedh disa gurë qëndrese në kështjellën e rezistencës përballë të keqes që po i kanosej vazhdimisht këtij vendi. Këta gurë-kala i takojmë në këtë përmbledhje vjershash, ku secili ka një mision dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin do të ngrisin motivin e përballjes me forma e mjete të ndryshme. Prof. Bedri Dedja në një studim për talentin dhe karakteristikat e tij, ndër të tjera thotë: “Në shkencën psikologjike është e njohur teza se zhvillimi dhe edukimi i talentit është në raport të drejtë me mjedisin që ndihmon për ta kultivuar atë”* Ky mendim padyshim se e tumirë veprimin e penës së Dibranit, i cili nuk rresht së kërkuari shtigje e mundësi për t’i kaluar vështirësitë që i kanoseshin çdonjërit, e sidomos fëmijëve, të cilët që në hapat e parë të shkollimit po e përjetonin rëndë zbrazjen e klasës së tyre, sepse:
Shokët e klasës sime
Këtë e them botërisht
Gjeografinë e botës
e mësojnë gabimisht
(Po aty, fq. 13)
Poeti këtë situatë do ta përjetonte shumë rëndë, të cilën e shpreh përmes vargjeve: Pse në poezinë time/ nuk ka nota gëzimi. Pse në zemrën time/ ka zënë vend pikëllimi? (,,Në poezinë time”, fq. 30). Ai nuk ndalon veç në klasën që po zbrazej, por ndërkohë gjen edhe mundësi e tema tjera që do t’i shtjelloi në vazhdimësi, duke krijuar kështu një kronologji ngjarjesh që do të kujtohen gjithmonë. Pena e tij i mallkon ata që Na i sulmojnë shkronjat/ na i sulmojnë germat/ na i sulmojnë lojërat/ na i sulmojnë emrat, por jo vetëm kaq, sepse ata ogurzinjë nuk do të ndalojnë për asnjë çast me sulmet e tyre: Na i sulmojnë këngët/ na e sulmojnë historinë/ na e sulmojnë diellin/ na e sulmojnë fëmijërinë (,,Ata”, fq. 16). Ata të pamëshirët edhe ,,Artanin” Duke ardhur në shkollë/ me plumba i ranë/ ëndrrat fëmijërore/ ia këputën-ia vranë (po aty, fq. 18). Pastaj do të ndodhin edhe shumë ngjarje të tjera të trishta e plot dhimbje, sepse ashtu ishte përcaktuar armiku të persekutoj në çdo pore të jetës. Por, kjo situatë një ditë merr drejtim tjetër, kur ,,Trimat ndezin plumba” për ta flakur armikun nga trojet tona:
Atje në Drenicë
nis agu i lirisë
trimat ndezin plumba
kundër barbarisë.
Ky veprim i liridashësve bëri jehonë në gjithë globin:
Thonë se liria
rrënjët i ka nga gjaku
kur ngrihet djalëria
që të mbrohet pragu.
(Po aty, fq. 29)
Nga këto veprime heroike një ditë vjen liria. Bashkë me lirinë, do të rikthehen edhe ,,Ëndrrat” e fëmijëve gjithandej nëpër botë, që dikur ishin larguar nga atdheu, për t’iu kthyer jetës, lumturisë dhe shkollës. Pas vitesh qëndrese kthehet jeta edhe në klasën e Bardhës, Drenushës, Dritës, Pranverës, Gencit, Drinit, Benit, e shumë të tjerëve, ku do t’iu bashkohen me t’u kthyer nga mërgimi, edhe Eli, Toma, Zana, Tina, Enisi, Arbëri, etj. përveç Artanit, që do t’i takoi historisë, por gjithmonë do ta kujtojnë shokët e shoqet, duke ia stolisur bankën e tij me një lule-buqetë. Tashmë, të gjithë s’bashku me mësuse Lirinë sërish do të vazhdojnë mësimet, e poeti do t’i bekoi me vargjet e tij:
Gjeografia e klasës
ka zënë të plotësohet
vijnë shokët nga mërgimi
klasa ime gëzohet.
Kënga jonë krenare
kënga jonë e mirë
n’pentagram shtrinë notat
për atdheun e lirë.
(,,Kënga”, fq. 88)
Ndonëse në këtë libër çdo njëra vjershë ka mëvetësinë e saj, në parim ato mund të lexohen dhe kuptohen si një poemë e vetme, ku qëndresa, guximi, liria dhe fillimi i jetës së re reflektojnë një unitet të pathyeshëm.
Loja rritës i jep krah
Dibran Demaku, ndonëse shkruan për të rriturit, ai për asnjë çast nuk do ta lë mënjanë edhe botën magjike të fëmijës, për të cilën çdoherë gjen forma e mundësi të reja për t’iu qasur, që të vegjlit ta gjejnë vetën të lumtur në çdo varg e çdo fjalë të tij. I kujdesshëm si çdoherë, ai vjen edhe me librin Nila dhe Joni, përmes një bashkëbisedimi të gjatë e të frytshëm, që për bashkëbisedues i ka nipin dhe mbesën, emrat e të cilëve e sajojnë edhe titullin e librit. Ky bashkëbisedim merr kahje të ndryshme, sipas ngjarjeve që trajtohen në gjithë lëndën poetike të librit. Me botën fëmijërore janë marrë shumë krijues, studiues, psikologë, mjekë, shkrimtarë e profile të tjera, për ta ndihmuar e zhvilluar këtë brez, i cili kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Një ndihmesë në këtë aspekt do ta jipte edhe polaku Janusz Korçak, pedagog, edukator dhe shkrimtar, i cili i përafron fëmijët me të rriturit, siç thotë ai: “Në lëmin e intelektit fëmija është i barabartë me ne; atij i mungon vetëm përvoja”. Dibran Demaku këtë përvojë do t’ua transmetoj nga afër nipit dhe mbesës, duke bashkëbiseduar, sqaruar e përkrahur në veprimet e dëshirat e tyre. Ai, që në fillim të këtij bashkëbisedimi do të paraqesë një portret për Nilin dhe Jonin, për ta vazhduar pastaj me ecjen krah tyre, duke ua përcjellë çdo veprim, lëvizje, ndryshim moshe e shqiptim fjalësh.
Krejt çka ka e krejt çka s’ka
Nila e vogël e ka një vëlla.
Të bukur sa s’ka si lule në beze
edhe diellit i marrin rreze.
Katër vjeçe është Nila
është buqetë me trëndafila.
Veç nëntë muaj është Joni
buzëqeshjet e tij lule ftoni.
Asgjë në jetë nuk kanë ndryshe
Rriten ëmbël me gjysh e gjyshe.
(,,Nila dhe Joni”, fq. 11)
Rritës së Nilës i gëzohen të gjithë në familje. Këtë gëzim do ta fikson përmes vargjesh edhe gjyshi, i cili i jep një ngjyrim stine, mes pranverës me vjeshtën, sepse edhe mbesa e tij gjason në lule, që vetë stinës ia ndryshon veprimet. Ndodh që shtatori nganjëherë ndryshon pozicionin e tij. Mund të jetë fillimvjeshtë, por pikërisht në shtator ndodh të kthehet pranvera, veçanërisht kur rastis të ketë ndonjë ditë të veçantë, festë familjare, kur fëmijët e fillojnë ditën e parë në shkollë, etj. Një veprim të këtillë e takojmë edhe në vjershën ,,Pranvera në shtator” të Xh. Mjekut: Shami shumë ngjyrash/ Rreth qafës – gazmor/ Për ne po filluaka/ Pranvera në shtator**.
Për ta shënuar festën e mbesës, Dibran Demaku do t’i rikthen lulet e pranverës, duke i krahasuar me pamjen e Nilës, e cila në shtator e ka ditëlindjen:
Lulet çelin në shtator,
çelin gonxhe, çelin fleta,
Nila përshëndet me dorë,
ylberohet dhe vetë jeta.
…………………………………….
Dajë Dardani e dajë Driloni,
gjysh e gjyshe si përherë,
Nilës, gëzuar pesëvjetorin!
Në shtator çel një pranverë.
(,,Lulet çelin në shtator”, fq. 13)
Edhe shumë veprime tjera të nipit dhe mbesës, qoftë përmes pasqyrimit të ngjarjeve, në formë të dialogimit apo bashkëveprimit do të parakalojnë në libër, si raste të fiksuara me përpikmëri. Ardhja e Jonit për herë të parë në shtëpinë e gjyshit (,,Mirë se vjen”), rastin e parë kur ai do të filloj belbëzimet e tij (,,Bilbil që cicëron”), muaji i katërt i lindjes së Jonit, (,,Cingërimë telefoni”), pastaj shënimi i përvjetorëve të parë, të dytë, të tretë (,,Medaljon në kraharor”, ,,Dy shekuj dashuri”, ,,Rrjedhë gëzimi”, etj.) e shumë veprime të tjera, duke i shënuar çastet më të veçuara.
Edhe mbesa e ka vendin e vetë në këtë bashkëbisedim poetik. Ata janë gëzimi i gjyshit dhe gjyshes.
Sa herë vjen në vizitë mbesa
gëzon numri, gëzon adresa,
Sa herë vjen në vizitë nipi
këndon zogu maje pipi.
(,,Këndon zogu”, fq. 24)
Krahasimi i tyre me aromën e ftoit, mollës; ngjasimi në rrjedhë lumi a në rreze dielli, poaq sa edhe në kaltërsi qielli kur zgjohen nga gjumi, etj, i bëjnë gjithnjë e më të dashur, më lozonjarë e të hareshëm, meqë përqafimet, gudulisjet, përkëdheljet e flokëve, faqeve, e shumë cingli-mingla tjera fëmijërore ua shtojnë dashurinë e gjyshërve, pa praninë e të cilëve dita, java, e mos qoftë, edhe muaji u duken shekuj. Ata do të jenë gëzimi i lojës, ku i pagëzojnë edhe gjyshërit me epitete të panumërta, si: gjysh, bebush, pistë avioni, tren pa orar, herë dëgjuese telefoni, herë stacion për udhëtarë; pastaj mërzia kur ata kthehen në shtëpinë e tyre e mbesin gjysh e gjyshe vetëm, janë skena nga më interesntet, sepse zbaraztësia e shtëpisë kthehet në zbaraztësi malli e dashurie për ta, por jo edhe dëshirat shpresat të mbarojnë aty. Gjithmonë ka një mrekulli të dytë në vazhdimësi të jetës, sepse:
Nila është këngë mëngjesi e këndesit,
Nila është zëri kumbues i trumbetës,
Nila është ripërtëritja e brezit
Nila është ripërtritja e jetës.
(,,Nila”, fq. 41)
Sa fillon e rritet Nila, ajo mëson edhe shumë gjëra interesante. Madje, ajo tashmë di të deklarohet se: Unë jam shqiptare,-/ e thotë qartë e bukur/ dhe hap një dritare/ e brenda hyn një flutur (,,Një flutur”, fq. 45).
Ndodh që ndonjëherë nuk ndihen mirë me shëndet Nila ose Joni, dhe atë ditë gjyshi dhe gjyshja nuk lëvizin as përtej pragut të shtëpisë, të shqetësuar për gjendjen e tyre, derisa ata të kalojnë atë situatë, sikur në rastin e Nilës, e cila Të nesërmen Nila u bë më mirë/ kraharorit shpërthyen mijëra buzëqeshje/ ne që natën zgjuar e kishim gdhirë/ lot gëzimi rrodhën si lumenj, si reshje (,,Lot gëzimi”, fq. 46).
Nila dhe Joni shpeshherë kthejnë në shtëpinë e gjyshit dhe gjyshes, por edhe kur ndodh të vonohen paksa, ata nuk harrojnë që edhe nga larg t’iu dërgojnë foto të bukura, për t’i përshëndetur ëmbël duke ua spjeguar fjalë për fjalë çdo ndryshim të tyre, që pastaj të reflektojnë ndjenjën e të rriturve krah prindërve:
Ne jemi të vegjël
veç po rritemi shpejt
në këpucët e babit e të mamit
ne qëndrojmë drejt.
(,,Fotoja”, fq. 63)
Ky bashkëbisedim poetik, që herë merr konotacione bisedash, herë e dëgjojmë si tinguj e cicërima zogjësh, e herë-herë do t’na shndërrohet në këngë e hare mes të gjithë bashkëbiseduesve (gjyshi, gjyshja, Nila e Joni, etj.) shtrinë pushtetin në gjithë librin, ku dialogu si bashkëbisedim dhe pasqyrimi i veprimeve interesante të vocëve krijojnë kënaqësinë e leximit dhe kushtimisht librin e bëjnë të dëshiruar.
Kur poemat me pasion evokojnë historinë
Dibran Demaku me shumë përkushtim e krijon edhe zhanrin e poemës, përmes së cilës fëmijëve u përcjell fakte për të kaluarën historike, për trashëgiminë kulturore dhe atdhedashurinë, si rrëfime që zgjojnë imagjinatën e tyre. Ai vendos përballë botën dinamike dhe plot jetë të fëmijëve me elementet e historisë dhe qëndresës, veçanërisht në Rrëfimet e kalasë së vjetër, poemë kjo e ndërtuar mbi legjendën për Kalanë Rozafa, duke e ndërlidhur me kohërat e pastajme të qëndresës heroike deri në lirinë e përhershme, ku u këndohet trimave që nga Skënderbeu, e deri te heronjtë e luftës së Kosovës, për të ndërtuar kështu një fond të mirë të kujtesës historike, që për fëmijët është i mirëpritur dhe domethënës.
Në realitet, ky rrëfim i përket edhe Kalasë së Rozafës në Shkodër, edhe Kalasë së Prizrenit, asaj të Krujës dhe gjitha të tjerave, që nëpër shekuj u rezistuan hordhive barbare, sa herë ia mësynë trojeve arbërore.
Në këtë poemë për fëmijë rrëfimi fillon në formë organizimi të një Ekspedite, në të cilën do të nisen bashkë Jetmiri, Valbona/ Gëzimi e Liria/ donin të mësonin/ diç nga historia. Në rrugëtim e sipër këtij grupi do t’i bashkohen edhe emra tjerë, si Drenusha, Driloni, Dardani, Iliri, Shkëndia dhe Jetoni, për të vazhduar pastaj për në Kalanë e vjetër, me qëllimin që të mësojnë më shumë për historinë e saj.
Unë qëndroj këtu
që nga Iliria
të thella janë
rrënjët e mia
(Po aty, fq. 10)
Rrëfimi për historinë e saj, për qëndresën heroike nëpër shekuj nuk kishte të mbaruar, derisa filloi të fliste edhe për ngjarje të rrezikshme, pavarësisht qëndrimit stoik të trimave që mbante brenda: Por, erdhi një kohë/ një kohë farmak/ vetë sytë e ujqërve/ kishin një cak (po aty, fq. 13). Fati tragjik i Kalasë ishte edhe fati i këtyre njerëzve që nga një betejë në tjetrën, nga një pushtues tek tjetri ishin të shtrënguar të mbronin tokat arbërore, që hordhi barbare po përpiqeshin në çdo kohë t’i fusnin nën kthetrat e tyre. Kishin kaluar këndej pushtues nga vende të ndryshme, deri edhe nga Karpatet, por çdoherë ishin kthyer humbës. Pikërisht atëherë Kur menduam se afër/ për ne ish liria/ një perandori tjetër/ erdhi nga Azia dhe u vendos në këto troje, gjer kur lindi nëna/ Trimin Skënderbe (po aty, fq. 36). Mbi dy dekada qëndresë përballë një perandorie të çmendur për ta çliruar atdheun ishte ndër periudhat më të lavdishme, ku Kryetrimi do të udhëhiqte ushtrinë e tij. Pasojnë hohëra tjera, ku çdonjëra do të ketë heronjtë e vetë. Në përpjekje për ta çliruar atdheun, me radhë vijnë trima e trimëresha, që do të sakrifikohen për lirinë, ndonëse:
Të rëndë e kishin fatin
nën robëri këto male
gjersa lindi -vetë
Ushtria Çlirimtare
(Po aty, fq. 52)
Në ballë të kësaj ushtrie që kishte dhënë betimin për çlirimin e atdheut U ngit Adem Jashari/ shkëmb – granit në gurë/ n’malet e Drenicës/ ngriti një flamur (po aty, fq. 53). Për të vazhduar luftën krah çlirimtarëve, edhe Çikat e Drenicës, të cilat kishin prerë gërshetin dhe kishin kapur armët krah trimave tjerë deri në çlirimin e plotë: Armiku i lig/ iku nga sytë këmbët/ pasi iu thyen nofullat/pasi iu thyen dhëmbët (po aty, fq. 65).
Rrëfimi i historisë për Kalanë e vjetër ishte i gjatë, sa vetë koha që kishte kaluar e ngjarjet që kishte përjetuar, derisa:
Atë ditë Qershori
qëndroja krenare
marshonte qytetit
Ushtria Çlirimtare.
Populli e priste
me lule në dorë
krenare për trimat
të rënë dëshmor.
(Po aty, fq. 67)
Një paraqitje retrospektive e rezistencës shekullore dhe heroizmit të çlirimtarëve do t’i mjaftonte grupit të Ekspeditës të mësonin për Kalanë e vjetër dhe arritjen e lirisë.
Edhe poemthi Ëndërr e bardhë, që gjatë leximit përjetohet si një recital, sjell për lexuesit e vegjël emocione e befasi përmes rrëfimeve të shokëve që kthehen nga shumë vende e qytete të botës, për t’i krahasuar me bukuritë e vendlindjes dhe qyteteve të njohura, si Prishtina, Tirana, Prizreni, Peja, etj. Një takim i menduar mirë mes shoqeve dhe shokëve të klasës, që para shumë vitesh fati i kishte degdisur në vende të ndryshme të botës për shkaqe e arsye të shumta, i bashkon në një klasë (të improvizuar) për të kaluar pak çaste të mira dhe për të evokuar kujtimet nga koha e ikur. Kështu, të mbledhur tok: Para shkollës radhë e gjatë/ Buqetë lulesh-tridhjetë e shtatë (po aty, fq. 3) do të shprehin mallin dhe dashurinë e kahershme si shokë e shoqe të dikurshëm, duke ruajtur kështu lidhjet e tyre edhe pas kaq vitesh: Të gjithë tok si dikur/ Gëzuar-qeshur, fytyrë nur (po aty, fq. 4) fillojnë me radhë të rrëfejnë për përjetimet, për qëndrimet dhe për ndodhi tjera nga vendet ku kanë qëndruar.
U ngrit Drenusha e para foli:
-Vij nga qyteti ku jetoi Noli.
Këtyre rrëfimeve sikur u del përballë krahasimi me atdheun e tyre, që quhet Kosovë. Anës bregut, anës Kodrës/ Ne ëndërrojmë qiellin e Kosovës (po aty, fq. 7). Rrëfimet nuk kanë të ndalur. Toma do të tregoi për qytetin ku ka qenë, Romën dhe bukuritë e saj, por përfundimisht: Jam kthyer të jetoj këtu në Prishtinë/ Së bashku me ju të gëzoj fëmijërinë (po aty, fq. 10). Edhe Driloni do të shpalos rrëfimet e tij për qytetin tjetër, Uashingtonin, por gjithmonë e ndien mungesën e atdheut:
Dhe më merr malli, të gjithë le ta dinë
Kur flas me shokë për tonën Prishtinë.
Ju them të vërtetën, të më besoni
Më e bukur Prishtina se Uashingtoni.
(Po aty, fq. 13)
Kryesisht, Prishtina do të mbetet pika kryesore e dëshirave të tyre edhe në rrëfimet e mëtutjeshme, pa mos i harruar edhe shumë qendra tjera nëpër Kosovë. Edhe rrëfimet e Zanës janë shumë emocionuese. Ajo prej vitesh jeton në Tiranë, ku ka mësuar gjithçka nga historia për mëmëdheun, por nuk mund të ndryshon asgjë në raport me Prishtinën, sepse: E dua Tiranën sa dhe Prishtinën/ Si shoqe Elin si shoqe Tinën (po aty, fq. 17). Kështu do të vazhdon rrëfimet e tij edhe Enisi për Parisin, por Në Prishtinë do t’vij gjithsesi/ kur n’Kosovë t’agojë e shtrenjta liri (po aty, fq. 20). Arbëri që vazhdimisht do të ketë qëndruar në Prishtinë, ku është përballur me shumë peripeti, ka arritur të mbaroi edhe shkollën dhe tash e gëzon lirinë, mes shumë kujtimeve e vuajtjeve që kishte përjetuar. Këtij rrëfimi i duartrokasin të gjithë dhe gëzohen që ia ka dalur të tejkaloi çdo vështirësi dhe tash jeton i lumtur me familjen e tij. Edhe ndonjëri nga shokët që nuk ia ka dalur të vinte në këtë takim kaq të veçantë, do të dërgoi ndonjë letër ku shpreh përshëndetjet dhe dëshirat e tyre që një ditë të jetë edhe ai në Prishtinë. E tillë është edhe shoqja Lavdie nga Australia e largët, që dërgon letrën e saj plot emocione e mall për shokët, atdheun dhe gjithë farefisin: Këtu nga Sidneji qytet i bukur/ Doja të fluturoja në Prishtinë si flutur (po aty, fq. 27). Të njëjtit që shprehin dashuri e mall janë edhe Endriti nga Madridi, pastaj shoku tjetër Artani, të cilin të gjithë e dinin për të zhdukur: –U bë kaq kohë që nuk jemi parë/ Ju keni besuar se më kishin vrarë. (po aty, fq. 31), për të spjeguar pastaj ndodhinë: Dhe siç e shihni, unë erdha këtu/ Që të festoj së bashku me ju… (po aty, fq. 33).
E gjithë kjo që takojmë në poemthin Ëndërr e bardhë, mund të jetë një rrëfim i bukur dëshirash, emocionesh, malli e dashurie për atdheun, njerëzit e tij dhe lirinë, por togfjalëshi Ëndërr e bardhë na shpie kaq ëmbël një rrugëtimi nëpër botë, për t’na mbajtur lidhur fort për Prishtinën, si realitet i padiskutueshëm, apo ndoshta mund të kuptohet edhe si ëndërr e pambarim, siç shprehet autori në mbyllje të poemthit:
…Nuk di çfarë ndodhi, nuk di si shkoi
Vetëm mamaja nga gjumi më zgjoi.
-Ti flisje diçka pa artikuluar
Diçka festonit, ti thërrisje: Gëzuar!
Pse ma prishe ëndrrën, o mamaja ime?
Unë po festoja me klasën time.
Ëndrra ime ishte e gjatë, e gjatë
Ne tok së bashku tridhjetë e shtatë…
(Po aty, fq. 33-35)
Një poemth i realizuar mirë, që korrespondon me imagjinatën e fëmijëve të cilët botën e kthejnë në pronësi, me ëndrrat, kujtimet dhe dëshirat e tyre të pambarim.
Evokimet nga e kaluara historike dhe nga shoqëria e klasës përmes dy poemave vijnë për lexuesin si dy ngjarje që flasin me gjuhën e argumenteve, me frymën e dashurisë dhe mallin e atdheut, që për fëmijët kanë domethënje, sepse atyre gjithmonë duhet rrëfyer për ngjarje e vepra edhe përtej asaj që mësojnë në shkollë, për të kuptuar sa më shumë nga historia, nga liria dhe ardhmëria e tyre.
Në vend të përkufizimit
Dibran Demaku me kujdes zbret në nivelin e botës fëmijërore, duke e ruajtur krijimtarinë e tij me vlerë në fondin e letërsisë për të vegjlit. Kjo krijimtari letrare ndërtohet nga motive të shumta të përditshmërisë, lojës dhe formësimit të karakterit të tyre dhe përçon mesazhe edukative plot ngrohtësi dhe situata jetësore me të cilat fëmijët identifikohen lehtësisht.
Në aspektin edukativ këto krijime nxisin ndjenjën e miqësisë, dashurisë për familjen dhe botën imagjinative që i preokupon.
Një punë e vyer kjo e Dibran Demakut, që u mbetet dhuratë brezave, me besimin që do të kemi prurje të reja nga ky autor, që konsiderohet mjaft produktiv edhe me krijimtarinë letrare për fëmijë.
_____________________
*Prof. Bedri Dedja: “Sekreti i talentit”, traktat, botues ASH e Shkencave e Shqipërisë – Tiranë, 2025, fq. 176
**Xheladin Mjeku: ,,Pranvera në shtator”, poezi për fëmijë, botues ,,Rifat Kukaj” – Prishtinë, 2015, fq. 23
LITERATURA
Prof. Bedri Dedja: “Sekreti i talentit”, traktat, botues ASH e Shqipërisë – Tiranë, 2025, fq. 176
Xheladin Mjeku: ,,Pranvera në shtator”, poezi për fëmijë, botues ,,Rifat Kukaj” – Prishtinë, 2015
Hejza – Xhahid Bushati: Letërsia për fëmijë është mision – Intervistë – 06.11.2021
Dibran Demaku: “Voglushë dhe shtatore”, poezi për fëmijë, botues ,,Iliriku” – Prishtinë, 2004
Dibran Demaku: “Rrëfimet e kalasë së vjetër”, poemë për fëmijë, botues ,,Iliriku” – Prishtinë, 2004 Dibran Demaku: “Gjeografia e klasës sime”, poezi për fëmijë, botues ,,Shkëndija” – Prishtinë, 2007
Dibran Demaku: “Ëndërr e bardhë”, poemth për fëmijë, botues ,,SAS” – Prishtinë, 2008
Dibran Demaku: “Nila dhe Joni”, poezi për fëmijë, (Bashkëbisedim në vargje me mbesën dhe nipin),
botues ,,Koliqi” – Prishtinë, 2023
