PROF. DR. RUZHDI SEFA PEDAGOGU QË NUK U GJUNJËZUA ASNJËHERË DUKE MBROJTUR UNIVERSITETIN E PRISHTINËS NË KOHËRAT MË TË VËSHTIRA
Nga Gani S. Pllana, Prishtinë
Prof. dr. Ruzhdi Sefa lindi më 1 nëntor 1952 në Gjakovë. Shkollën fillore (1967) dhe gjimnazin (1971) i kreu në Gjakovë. Krahas suksesit të shkëlqyeshëm në mësime ka shfaqur interesim të theksuar për aktivitete teknike (si anëtar i Shoqatës së Teknikëve të Kosovës). Në vitin 1970 në Garat Federative të Teknikëve të Rinj (ish-Jugosllavi), si përfaqësues i Kosovës, ka zënë vendin e parë në fushën e aeronautikës. Në vitin akademik 1971/72 u regjistrua për studime universitare në Fakultetin Teknik, Seksioni i Elektroteknikës të Universitetit të Prishtinës. Studimet i përfundoi në vitin 1976, si studenti i dalluar, i pari në gjeneratë, me rezultate shumë të larta, duke mbrojtur punimin e diplomës, me titull: “Zgjidhja e problemeve tredimensionale të fushës elektrostatike”. Po atë vit, në kuadër të Këmbimit Ndërkombëtar të Studentëve ka qëndruar në SHBA në kohëzgjatje prej tre muajve. Pas kthimit është punësuar në KNI “Dukagjini” në Gjakovë e më vonë është emëruar asistent praktikant në Fakultetin Teknik, Seksioni i Elektroteknikës në katedrën “Elektroteknika Teorike” dhe nga viti akademik 1976/77 ka mbajtur ushtrime nga lëndët e katedrës: “Bazat e elektroteknikës I”, “Bazat e elektroteknikës II”, “Elektromagnetika” dhe “Përhapja e valëve elekromagnetike dhe Antenat”. Në vitin 1980 mban ushtrime dhe ligjëratave në lëndët mësimore: “Analiza e sistemeve elektroenergjetike” dhe “Elektroenergjetika”.
Në vitet akademike 1977/78 dhe 1978/79, pa shkëputje nga puna në Fakultet, ka vijuar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb (Republika e Kroacisë) dhe brenda afatit ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull: “Llogaritja e rezistencës së përtokëzuesve në tokën johomogjene” në dhjetor 1979.
Temën e disertacionit, me titull “Analizë e ndikimit të strukturës elektrike johomogjene të tokës në rezistencën e përtokëzimit” e ka mbrojtur në janar të vitit 2000 në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës.
Ngjarjet e vitit 1981 dhe angazhimi i tij për mbrojtjen e kauzës së drejt kombëtare bëri që të bie ndesh me vijën partiake. Në kohën kur Universiteti i Prishtinës cilësohej “Kështjellë e nacionalizmit shqiptar”, parimi profesional dhe këmbëngulja e tij për të mos lejuar cenimin e autoritetit të Fakultetit Teknik dhe Universitetit të Prishtinës, rezultoi me një incident me një koleg serb, po ashtu ligjërues në Fakultetin e Elektroteknikës, gjë që u bë shkas që të diferencohet ideo-politikisht. Angazhimi legal i tij nuk mbeti pa u rënë në sy përgjuesve kujdestarë të sistemit dhe së shpejti privohet nga liria. Në procesin e montuar politik dënohet për vepër penale të rrezikimit kundërrevolucionar të RSFJ (neni famëkeq 114 i LPJ).
Pas vuajtjes së dënimit (1982-1984), një kohë të gjatë nuk i është lejuar punësimi në asnjë institucion a ndërmarrje shoqërore. Me themelimin e Entit për Urbanizëm dhe Projektime në Gjakovë, falë solidaritetit të kolegëve, ish studentëve, të cilët nuk konkurruan, punësohet në këtë Ent ku ka punuar deri në vitin 1989, duke u arritur deri në postin e projektuesit përgjegjës. Në vitin 1989 ka kaluar në Industrinë e Bashkuar të Tekstilit IBT “Emin Duraku” në Gjakovë, në sektorin e Investimeve dhe Zhvillimit. Gjatë kësaj kohe me qëllim përsosje dhe përfitimi të përvojave nga sistemet e mëdha ekonomiko-industriale ka qëndruar në Slloveni, B.H. dhe në Kroaci, ku ka ndjekur shkollimin për menaxher sistemi në Slloveni.
Në vitin akademik 1991/92, kur Universiteti i Prishtinës u shkëput nga pushteti serb dhe u depolitizua, Këshilli Shkencor-mësimor i Fakultetit të Elektroteknikës në Prishtinë i ka bërë ftesë për të ndihmuar studentët e kolegët, duke e angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm për nevoja të Universitetit. Duke vazhduar me punë në IBT, në vitin akademik 1991/1992, pra, pas dhjetë viteve që ishte larguar nga Fakulteti i Elektroteknikës, kthehet sërish në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë për të mos e ndërprerë angazhimin në procesin mësimor. Krahas punës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë është angazhuar si bashkëpunëtori i jashtëm edhe në Fakultetin e Shkencave Teknike të Aplikuara në Mitrovicë dhe në Fakultetin e Edukimit me drejtim të Teknologjisë Informative duke dhënë të njëjtat lëndë mësimore.
Aktiviteti pedagogjik i Prof. Dr. Ruzhdi Sefës
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa gjatë punës disavjeçare në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë ka mbajtur ushtrime nga lëndët mësimore: “Bazat e elektroteknikës I”, “Bazat e elektroteknikës II”, “Elektromagnetika”, “Përhapja e valëve elektromagnetika dhe antenat”, ”Analiza e sistemeve elektroenergietike” dhe “Elektroenergjetikë”, ndërsa ka mbajtur ligjërata në lëndët mësimore: “Analiza e sistemeve elektroenergjetike”, “Elektroenergjetika”, “Elektromagnetika”, “Bazat e elektroteknikës I” dhe “Bazat e elektroteknikës II”. Si bashkëpunëtor i jashtëm në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega e BAT-it ka mbajtur ligjëratat dhe ushtrimet në lëndën: “Elektroteknika dhe Elektronikë”.
Aktiviteti shkencor i prof. dr. Ruzhdi Sefës
Gjatë punës së tij ka fituar të gjitha gradat dhe titujt shkencorë: Inxhinier i diplomuar (1976), magjistër i shkencave elektroteknike (1979) dhe doktor i shkencave teknike (2000).
Titujt akademikë: “Asistent” (1976-1981), “Ligjërues” (1991-1992), “Profesor asistent (2001-2006), “Profesor i asociuar” (2007-2011) dhe “Profesor i rregullt” (2011).
Njohuri të gjuhëve të huaja: serbokroatisht, anglisht dhe rusisht.
Angazhime jashtë procesit mësimor
Në vitin 1989 ka qenë i angazhuar në “Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Shqiptarëve në Kosovë” me seli në Lubjanë e më vonë edhe në “Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë”, themeluar me 19 dhjetor 1989 në Prishtinë.
Gjatë vitit 1990-1998 është aktivizuar në Shoqatën Humanitare “Nëna Tereza” në Gjakovë, anëtar i Kryesisë së parë të LDK, Dega në Gjakovë.
Pas luftës së fundit në Kosovë (qershor 1999), me ngritjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i është përgjigjur ftesës për të dhënë kontributin e tij profesional dhe në Ministrinë për Rindërtim dhe Zhvillim, ku ka punuar deri me 31 janar 2000, kur me vendimin e UNMIK-ut u shuan të gjitha institucionet tona, pra, edhe QPK.
Në vitin 2001 me shumë ekspertë/profesionistë është angazhuar në Kolegjiumin e Ekspertëve, ngritur në kuadër të AAK-së, si koordinator i Bordit të Kolegjiumit në kuadër të bashkëpunimit me Kryesinë e AAK-së. Me ngritjen e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (2002) është angazhuar në degën ekzekutive (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) ku ka punuar gjerë në vitin 2002.
Mobiliteti i prof. dr. Ruzhdi Sefës
- 1979-1981: Universiteti i Zagrebit, Fakluteti i Elektroteknikës, Zagreb, Kroaci;
- 1991-1999: Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Tiranë, Shqipëri;
- 1999: “Safe Engineering Service & Technologies Ltd”, Canada;
- 2008-2010: University for Business and Tehnology, Prishtinë.
Tekste dhe dispensa universitare
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I”, Tekst universitar, FIEK UP, Prishtinë (1982);
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I-Elektrostatika”, Dispensë, Prishtinë, (Fakulteti i Elektroteknikës, 1981);
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I-Elektrokinetika”, Dispensë, Prishtinë, (Fakulteti i Elektroteknikës, 1981);
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Elektromagnetika-Fusha magnetike stacionare dhe kuazistacionare”, Dispensë, Prishtinë, (Fakulteti i Elektroteknikës, 1979);
- Sefa, R.: “Bazat e Elektroteknikës- Përmbledhje detyrash”, Dispensë, Prishtinë, (Fakulteti i Elektroteknikës 1980).
Tekste profesionale të përkthyera në gjuhën shqipe
- Nikoliq, J.: “Transmisionet elektrike”, për shkolla të mesme elektroteknike, ETMM, Prishtinë (1977)
- Glenn W. Stagg & Ahmed H. El-Abiad: “Analysis of Power System Stability” (Prishtinë, 1978).
Anëtar në shoqata dhe akademi profesionale
- Shoqata e Inxhinierëve të Kosovës;
- Shoqata Rajonale e Inxhinierëve dhe Teknikëve;
- Anëtar i “World Scinetific and Engineering Academy and Society”;
- Anëtar në “Forumi Mbarëkombëtar i studiuesve shqiptarë ALB-Shkenca”.
Përvoja menaxhuese, angazhimet profesionale dhe udhëheqje në hulumtim
- 1973-1976: Anëtar-student i Pleqësisë së Fakultetit Teknik, UP;
- 1977-1979: Anëtar i Pleqësisë së Universitetit të Prishtinës;
- 1976-1981: Anëtar i Këshillit Mësimor-Shkencor të Fakultetit Teknik, Prishtinë;
- 1992-1994: Zëvendës i shefit të Katedrës “Elektroteknika teorike”, Fakulteti i Elektroteknikës, Prishtinë;
- 1992-1994: Zëvendës i kryetarit të Pleqësisë së Fakultetit Elektroteknik UP, Prishtinë;
- 1991-1998: Anëtar i Këshillit Mësimor-Shkencor të Fakultetit Elektroteknik UP, Prishtinë;
- 1999-2017: Anëtar i Këshillit Mësimor-Shkencor të FIEK UP, Prishtinë;
- 2006-2009: Anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës;
- 2005-2007: Udhëheqës i Departamentit të “Elektroteknikës Industriale” FIEK UP, Prishtinë;
- 2007-2010: Udhëheqës i Departamentit të Lëndëve Bazike Inxhinierike, FIEK UP, Prishtinë.
- 2009-2017: Përkrahje në udhëheqje të tezave për magjistratura dhe për doktoratura.
Përvoja në mësimdhënie universitare
- 2008-2009: “Softueri inxhinierik”, Studimet master, FIEK UP, Prishtinë;
- 2007-2017: “Shkathtësi komunikimi”, FIEK UP, Prishtinë;
- 2005-2017: “Analiza e Sistemeve Elektroenergjetike”, Studimet master, FIEK UP, Prishtinë;
- 2006-2008: “Bazat e Elektronikës”, Fakulteti i Edukimit, Gjakovë, UP, Gjakovë;
- 2005-2007: “Bazat e Elektroteknikës I” dhe “Bazat e Elektroteknikës II”, FSHAT UP, Mitrovicë;
- 2007-2017: “Bazat e Elektroteknikës” dhe “Qarqet Elektrike”, FIEK UP, Prishtinë;
- 1993-2007: “Bazat e Elektroteknikës I” dhe “Bazat e Elektroteknikës II”, FIEK UP, Prishtinë;
Projekte profesionale
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa është autor dhe bashkëpunëtor në projekte të ndryshme, si në vijim:
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të objekteve industriale në kuadër të agrokompleksit KBI “Ereniku” në Gjakovë, Deçan dhe Dragash-Sharr;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të repartit kirurgjikale në QM “Isa Grezda” në Gjakovë;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të shkollës fillore Nr.6, në Gjakovë;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të objektit të Stacionit të Autobusëve, në Deçan;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim: Çerdhe e Fëmijëve Gjakovë dhe Deçan;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të objekteve të banimit kolektiv dhe individual;
- Projektimi i instalimeve elektrike dhe mbikëqyrja në ekzekutim të Qendrave Tregtare dhe Zejtare (Deçan, Malishevë, Dragash-Sharr);
- Projektimi i Rrjetave elektrike të Planeve Urbanistike në detaje për disa Qendra komunale;
- Projekti i sanimit të sistemit të kompensimit të energjisë reaktive në TS të kompleksit “M & Sillosi”, Xërxë.
Pjesëmarrje në projekte dhe konferenca shkencore
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa është autor dhe bashkautor dhe këshilltar profesional në projekte të ndryhme, si në vijim:
- “Zgjidhja e problemeve të fushave me metoda numerike” (Bashkautor). Bashkësia Krahinore për Punë Shkencore, Prishtinë, 1981;
- “Vlerësimi i kapitalit të ndërmarrjeve në Kosovë në pronësi shoqërore” (Bashkautor). Instituti i Menaxhmentit, të Marketingut dhe Ndërmarrësisë, Prishtinë, 2000;
- “Projekti i American Uraniunn Corporation INC” (Këshilltar profesional), California, USA për komunat e Kosovës, 2002-2003;
- “Privatizimi në Kosovë-Përvojat e Europës Qendrore dhe Lindore. Mundësitë dhe pengesat” (Anëtar i Grupit Punues të Projektit), organizuar nga OEK dhe Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike-Tiranë. Financuar nga “Friedrich Erbert Stiftung” dhe “Swisscontact” Konferencë Ndërkombëtare, 2002;
- “International Workshop for Transnational Strategic Project Development”, Konferencë Ndërkombëtare për Projekte Strategjike Zhvillimore Transnationale, organizuar nga “Federal Chancellary of Austria”, Prill 2002;
- “4 Task Force for Implementation of the Regional Environmental Reconstruction Programme For South Easter Europe under the Stability Pact”, organizuar nga Pakti i Stabilitetit , në Bruksel, Prill 2002;
- “Projektet e Asistencës Teknike për Sektorin e Energjisë (ESTAP)” (Kontribute shkencore), organizuar nga UNMIK, Prishtinë, korrik 2002;
- “Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor I Prodhimit të Energjisë në Kosovë” (Kontribute shkencore), mbështetur nga Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER) dhe IPVQ të Kosovës, Prishtinë 2002;
- “Strategjia dhe Politika Energjetike e Kosovës” (Kontribute shkencore në projekt), organizuar nga Shtylla e IV/ BE dhe IPVQ të Kosovës (“Letra e Bardhe”), Prishtinë, shtator 2003;
10.“Politikat Kombëtare për Integrim në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë”, Konferencë Ndërkombëtare Organizuar nga: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Grupi kosovar për Promovimin e Procesit të Bolonjës, Prishtinë, mars 2007;
- “Ngritja e bazës së të dhënave për statistika dhe bilanc energjetik të vendit dhe dizajnimi i informatorëve për publikim” (Konsulent me kontratë), Realizuar nga: Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, Prishtinë, shtator-dhjetor 2008;
- “Dinamika e problemeve energjetike në Kosovë dhe mundësitë e kooperimit me sistemin energjetik të Shqipërisë” (Bashkautor i kumtesës shkencore në Konferenca Ndërkombëtare për Monitorimin e Ndotjeve dhe Zhvillimeve Energjetike në Kosovë dhe Shqipëri), Prishtinë, 28-29 gusht 2008;
- “Forumi mbi Politikat Ekonomike” (Panelist: “Qasja Alternative për Energjinë”), organizuar nga: “Friedrich-Ebert- Stiftung” Prishtina Office dhe “Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST INSTITUTE”, Prishtinë, qershor, 2011.
Punimet profesionale-shkencore
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa me ndikimin shkencor dhe citimet e publikimeve shkencore në nivel ndërkombëtar
- Abazi, A.; Sefa, R.: “Efektet jolineare te sfera dhe elipsoidi rrotullues në fushën elektrostatike homogjene”, Konferenca e XVI-të jugosllave ETAN, Maribor 1979;
- Abazi, A.; Sefa, R.; Berisha, F.: “Llogaritja e thjeshtësuar e efekteve jolineare te sfera dielektrike në fushën elektrostatike homogjene”, Përmbledhje Publikimesh FET nr.1, Prishtinë,1980;
- Sefa, R.; Abazi, A.: “Ndikimi i johomogjenitetit të tokës në rezistencën e tokëzuesve”, Revista: “STUDIME” Libri I, ASHAK, Prishtinë, 1980;
- Hamiti, E.; Ahma, L.; Sefa, R.: “Krahasimi i karakteristikave transmetuese të linjave planare në bazë të analizës numerike dhe relacioneve të gatshme si dhe shqyrtimi i konvergjencës së këtyre karakteristikave”, Revista: “KËRKIME” Nr. 9, ASHAK, Prishtinë 2001;
- Ibrani, M.; Ahma, L.; Hamiti, E.; Sefa, R.: “Exposure assessment in the the vicinity of 900 MHz GSM bose station antenna”, “World
- Scientific and Engineering Academy and Society” (WSEAS) Conferences CSCC 2007, Greece, July 2007;
- Sefa, R.: “Shqyrtimi i kushteve gjeoelektrike në zonën industriale të Kosovës”, Revista: “KËRKIME” nr. 15, ASHAK, Prishtinë, 2007;
- Sefa, R.: “Analizë e kushteve gjeoelektrike në zonën industriale termoenergjetike të pellgut thëngjillmbajtës të Kosovës”, Konferenca e Dytë Shkencore, Sesioni: Teknologji dhe Informatikë, Instituti ALB-Shkenca, Prishtinë, gusht 2007;
- Ibrani, M.; Ahma, L.; Hamiti, E.; Sefa, R.: “Human exposure assessment in the vicinity of 900 MHZ GSM base station antenna”, “World Scientific and Engineering Academy and Society” (WSEAS) Transaction on Communications, Issue 4, Volume 7, April 2008;
10.Muriqi, A.; Bunjaku, J.; Muhaxhiri, M.; Sefa, R.: “Analiza e proceseve në kullat e ftohjes”, Konferenca Ndërkombëtare për Monitorimin e Ndotjeve dhe Zhvillimeve Energjetike në Kosovë dhe Shqipëri, Prishtinë, 2008;
- Kokaj, J.; Casati, D.; Sefa, R.; Kamishi, B.: “Hulumtimi i makro dhe mikrovetive optike të filmave të hollë: trajtimi klasik dhe kuanto-mekanik”, Aktet e Institutit ALB-Shkenca, Vëllimi III, Nr. 2, 2010;
- Sefa, R.; Maraj, A. Sh.; Maraj, A.:“Analysis of transmission lines matching using quarter-wave transformer”, 5th WSEAS Int. Conf. on COMPUTER ENGINEERING and ANALICATIONS (CEA 2011), Puerto Morelos, Mexico, January 29-31, 2011;
- Kokaj, J.; Makdisi, Y.; Sefa, R.:“Atomic and nanoscopic studies using lasers (latest development)”, Konferenca e VItë Institutit AlB-Shkenca, Prishtinë, 1-3 shtator 2011;
- Sefa, R.; Maraj, A.:“Analysis and design of microstrip to balanced stripline transitions”, 10th WSEAS International Conference on TELECOMMUNICATIONS and INFORMATICS (TELE-INFO 2011) Lanzarote, Canary Islands, Spain May 27-29, 2011;
- Sefa, R.; Maraj, A.:“Design of back-to-back tapered line transition”, 10th WSEAS International Conference on TELECOMMUNICATIONS and INFORMATICS (TELE-INFO ’11) Lanzarote, Canary Islands, Spain May 27-29, 2011;
- Sefa, R.; Maraj, Sh. A.; Maraj, A.:”Studying of microstrip transmission lines parameters using SONET software”, WSEAS TRANSACTIONS ON COMMUNICATIONS, Transactions ID Number: 53-763, Number of paper pages: 10, submitted 32 June 2011;
- Sefa, R.; Tefiku, F.; Maraj, A.:“Analysis of Arrays of Printed Strip Dipole Antennas”, The 19th International Conference on Software, Telecommunications and Computer Networks. SoftCOM 2011, Split – Hvar – Dubrovnik, Publisher: IEEE Computer Society, September 15 – 17, 2011;
18.Osmanaj, R.; Sefa, R.: “Zbatimi i minimizimit të hapësirës memoruese dhe i numrit të operacioneve me rastin e ekzekutimit të softuerit gjatë operimit me fusha të mëdha dhe të rralla në analizën e sistemeve elektroenergjetike (ASEE)”, Konferenca e VI-të Institutit Alb-Shkenca, Prishtinë, 1-3 shtator, 2011;
- Osmanaj, R.; Sefa, R.:“Cilësia e furnizimit me energji elektrike në Kosovë-rasti i distriktit të Gjakovës”, Konferenca e VI-të Institutit Alb-Shkenca, Prishtinë, 1-3 shtator, 2011;
- Sefa, R.; Tredhaku, I.: “Ndikimi i punës së turbinave të erës në Golesh në punën e transmetuesit të RTK”, Konferenca Kombëtare e Shkencës, Tiranë, tetor 2011;
- Sefa, R.; Fondaj, F.:“Menaxhimi softuerik i procesit të prodhimit të produkteve të mishit në Industrinë e mishit ‘Floren’ Therandë”, Konferenca Kombëtare e Shkencës, Tiranë, tetor 2011;
- Sefa, R.; Abazi, I.: “Analiza e sistemeve elektroenergjetike (ASEE) me pakon softuerike ‘Gredos’ dhe pakon softuerike ‘Power Factory’”, ASHAK, Prishtinë, 2011;
- Sefa, R.; Abazi, I.: “Gjetja e zgjidhjeve në përmbushjen e standardeve të IEC në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës Përmes Pakove Programuese/Softuerike”, Buletini FIEK, Prishtinë,2011;
- Sefa, R.: “Burimet alternative të energjisë elektrike instaluar në Kosovë”, Revista: “Liria International Review”, 2011.
Përfundim
Prof. dr. Ruzhdi Sefa që nga fillimet e punës në Institucionet Universitare e deri në pension ka qenë ndër pedagoget më të vlerësuar dhe përherë në mbrojte të Universitetit, edhe pse ishte larguar disa vite nga procesi akademik nga sistemi i atëhershëm serb, duke vuajtur edhe burg në mbrojte të arsimit shqip (1982-1984). Pas vuajtjes së dënimit (1984) një kohë nuk i lejohet punësimi në asnjë institucion apo ndërmarrje shoqërore Ajo që e karakterizon punën e tij është pragmatizmi, kreativiteti në iniciativa, mbrojtja e vlerave dhe të drejtave të njeriut, këmbëngulësia në realizimin e objektivave që ia parashtron vetes, vetëflijimi i jashtëzakonshëm, por edhe veti tjera njerëzore dhe shumë fisnike. Suksesin personal dhe prestigjin në shoqëri e ka matur jo me pasuria materiale, por me kontributet e individit për komunitetin.
Prof. dr. Ruzhdi Sefa ka qenë i angazhuar në mësimdhënie edhe në kushtet e jashtëzakonshme për arsimin shqipe, në objekte të improvizuar “shtëpi-shkolla” jashtë objekteve universitare në vitet 1991-1999. Kualifikimet plotësuese të realizuara në qendra e programe prestigjioze në vendet e Europës dëshmojnë për një kuadër të kompletuar edhe në dimensione të tjera të një intelektuali, eksperti dhe menaxheri të jashtëzakonshëm.
Prof. dr. Ruzhdi Sefa rezultatet e punës i ka të mishëruara në mënyrë aktive në shumë konferenca ndërkombëtare (në cilësi të Këshilltarit profesional, bashkëpunëtor), duke qenë edhe organizator sesionesh plenare në konferenca ndërkombëtare. Ai ka përvojë të spikatur përmes vizitave dhe bashkëpunimit me universitetet europiane dhe rajoni, sidomos në projektet që kanë të bëjnë me Arsimin e Lartë dhe posaçërisht në përsosjen e punës në mësimdhënie dhe menaxhim.
Prof. dr. Ruzhdi Sefa ka kryer shumë funksioneve në Fakultetin e Elektroteknikës dhe në Universitetin e Prishtinës, duke treguar aftësi për udhëheqje akademike. Ka përvojë në mbikëqyrjen e tezave të studimeve pasdiplomike (magjistratura shkencore, mastera dhe doktorata). Ka realizuar dhe udhëhequr një numër të madh projektesh profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare, duke pasur aftësi për punë ekipore dhe ndjesi bashkëpunimi në hulumtime dhe projekte, si edhe duke i inkurajuar dhe mbështetur hulumtuesit e rinj.
Bibliografia
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I”, Tekst universitar, FIEK UP, Prishtinë;
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I-Elektrostatika”, Dispensë, Prishtinë;
- Sefa, R.: “Përmbledhje detyrash nga Bazat e Elektroteknikës I-Elektrokinetika”, Dispensë, Prishtinë;
- “Fjalor enciklopedik”, ASHAK, Prishtinë, 2020;
- Dokumentacion nga arkivi i FIEK UP, Prishtinë, 2025.
