PROF. DOC. HAJREDIN SHTINO-MODERNIZUES I MINIERAVE SHQIPTARE DHE PEDAGOG I SHUMËVLERËSUAR NË AUDITORËT E UNIVERSITETEVE TË TIRANËS DHE TË KOSOVËS

0
Hajredin-Shtino

Nga Gani S. Pllana, Prishtinë

Prof. doc. Hajredin Shtino lindi më 31 tetor 1932 në Gjirokastër në një familje me tradita qytetare dhe kulturore. Shkollën e mesme të përgjithshme e kreu në Tiranë. Ai dallohej mes shokëve të tij për një inteligjencë të veçantë dhe përvetësimin e disiplinave shkencore me lehtësi dhe thellësi të admirueshme nga mësuesit e tij. Shkollën e mesme e përfundoi duke arritur rezultate të shkëlqyera.

Studimet e larta në Akademinë e Minierave dhe të Metalurgjisë në Krakow të Polonisë i kreu në vitin 1954, u diplomua inxhinier miniere.

Pas kthimit në atdhe u emërua përgjegjës në minierën më të madhe të vendit të nxjerrjes së qymyrgurit nga nëntoka, e cila ishte hapur në Memaliaj. Në fillim u emërua përgjegjës i prodhimit në këtë minierë. Menjëherë u ndesh atje me problemet e rrezikshme që paraqiteshin në minierën qymyrguri; prania e gazit metan dhe shumë probleme të tjera lidhur me pluhurin e ndezshëm të qymyrgurit, shembjen e galerive në formacionet e dobëta të asaj miniere. Përgatitja e tij e shkëlqyer teorike që kishte arritur në studimet e tij në Universitetin e Krakovit dhe lidhja fort e tij pas punës e procesit teknologjik të nxjerrjes së qymyrgurit e bënë të njohur si një nga kuadrot inxhinierë të minierave më të përgatitur e të talentuar. Në vitin 1958 emërohet kryeinxhinier i Minierës të qymyrgurit Memaliaj. Në këtë periudhë ai e modernizoi Minierën e Memaliajt me teleferikë, me transport me lokomotiva elektrike, madje edhe me thellimin e pusit të parë të minierave në Shqipëri, të pajisur me ashensor për transportin e njerëzve dhe të materialeve e të qymyrgurit të nxjerrë nga nëntoka. Është për t’u nënvizuar se sa ishte inxh. i dipl. Hajredin Shtino kryinxhinier i minierës të qymyrgurit në Memaliaj deri në fund të karrierës së tij në minierë nuk pati asnjë aksident nga shpërthimi (eksplozion) gazi metan dhe asnjë zjarr nëntokësor. Ai ishte bërë i njohur në gjithë vendin si një nga kuadrot e lartë teknike të shfrytëzimit të minierave më të përgatitur.

Prof. doc. Hajredin Shtino me vendim të Komisionit të Lartë të Atestimit Nr. 16 datë 27.04.1970 i është akorduar direkt titulli “Docent” në bazë të rezultateve për modernizimin e minierave shqiptare dhe punës në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave .

Në vitin 1961 caktohet pedagog në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjeologji Minierave.

Në vitin 1962 emërohet Përgjegjës i Katedrës së Minierave. Në Fakultet e ngarkuan të mbajë leksione për dy disiplina të rëndësishme në përgatitjen e inxhinierëve të minierave për lëndët mësimore: “Ajrimi i minierave” dhe “Zjarret nëntokësore”, të cilat ishin të rëndësishme të zotëroheshin nga inxhinierët e minierave jo vetëm nga ata që punonin në minierat e qymyrgurit, por edhe te ata që punonin miniera të tjera të xeheroreve, si ato të bakrit, të kromit, të hekur-nikelit, të plumb-zinkut etj.

Njohuri të gjuhëve të huaja: polonisht (gjuha e studimeve universitare), rusisht, italisht dhe frëngjisht.

Veprimtaria mësimore shkencore dhe botuese e prof. doc. Hajredin Shtinos

Prof. doc. Hajredin Shtino ka zhvilluar leksione në lëndët mësimore “Ajrimi i minierave” dhe “Zjarret nëntokësore”, për të cilat nuk gjeti asnjë material të shkruar në gjuhën shqipe kur ka filluar punën si pedagog në USHT. Ai ka zhvilluar leksione edhe në lëndët mësimore: “Armatimi i minierave” dhe “Projektimi i minierave”. Për këto dy lëndë përgatiti tekstet mësimore universitare, respektivisht në vitin 1966 dhe 1978. Në vitin 1988 prof. doc. Hajredin Shtino botoi edhe tekstin mësimor universitar “Ajrimi dhe zjarret në miniera”. Këto tekste janë vlerësuar pozitivisht nga kolegët e tij dhe nga studentët si nga ana teorike dhe ajo praktike. Ato janë manuale të vërteta edhe për inxhinierët në prodhim, sepse aty gjejnë zgjidhjen me llogaritje matematike dhe masat praktike që duhet të merren kur lindin probleme nga zjarret dhe mungesa e ajrimit të mjaftueshëm në Miniera. Disa nga botimet kryesore, dispensat dhe tekstet universitare:

Tekste dh dispensa universitare

  1.     Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 1, 143 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1965.
  2.    Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 2, 144-383 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1965.
  3.    Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 1, 222 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978 (ribotim: 1981).
  4.    Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 2, 203 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978 (ribotim 1981).
  5.    Shtino, H.: Zjarret nëntoksore”, 146 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978 (ribotim 1981).

Tekste për shkolla të mesme profesionale

  1.     Shtino, H.: Ajrimi dhe zjarret në miniera: për degën minierë”, 460 f., Botues: SHBLSH, Tiranë 1988.
  2.    Shtino. H.; Guxho, S.; Dhrami, F.: “Shfrytëzimi i vendburimeve të minerareve të dobishme: 2”: për shkollat e mesme profesionale: shfrytëzim miniera, 264 f., Botues: SHBLSH, Tiranë, 1990.

Drejtimet e veprimtarisë shkencore

Veprimtaria shkencore e prof. doc. Hajredin Shtinos ka qenë e orientuar në drejtim të vendosjes mbi baza shkencore të projektimit të Ajrimit te Minierave, nëpërmjet kërkimit laboratorik, dhe në terren të parametrave bazë, si:

  •       Sasia e nevojshme e ajrit për të gjithë minierën;
  •       Llogaritja analitike dhe modelimi fizik i rrjetave te ajrimit;
  •       Përcaktimi i aftësisë plasëse të qymyreve shqiptare;
  •       Përcaktimi i aftësisë për vetëndezje i qymyreve shqiptare;
  •       Prognoza e kushteve te ajrimit ne thellësi më te mëdha të minierave.

Drejtimet e mësipërme janë konkretizuar në një varg studimesh dhe projektesh në dobi të prodhimit, si dhe hartimi i metodikave të para të projektimit të ajrimit të minierave, që përbënin drejtime të reja, të cilat janë hapur dhe realizuar në fushën e ajrimit te minierave, si edhe zjarreve nëntokësore në minierat shqiptare.

Ngritja e laboratorit të ajrimit në miniera

Prof. doc. Hajredin Shtino përveç teksteve mësimore ka meritën se ngriti mbi baza shkencore laboratorin e Ajrimit në Miniera që ishte i vetmi në Shqipëri, ku vinin për të marrë përvojë edhe kuadrot e minierave kur u dilnin probleme për Ajrimin dhe Zjarret në Miniera ku punonin. Formimi profesional dhe shkencor i prof. doc. Hajredin Shtinos si kuadri më i përgatitur nga ana teorike dhe praktike në disiplinat shkencore të “Ajrimit në miniera” dhe të “Zjarreve nëntokësore”, krijimi i laboratorit përkatës ku mund të bëheshin modelime të skemave të “Ajrimit në miniera” apo edhe të vatrave të zjarreve nëntokësore e kishin kthyer Katedrën e Minierave në një qendër të mirëfilltë shkencore në shkallë vendi. Këto probleme kardinale të minierave që lidheshin jo vetëm me procesin e nxjerrjes së mineraleve nga nëntoka, por edhe me ruajtjen dhe shmangien e humbjeve, si edhe aksidenteve të minatorëve.

Prof. doc. Hajredin Shtino – si vizionar në drejtimin e Katedrës të Minierave në USHT

Prof. doc.Hajredin Shtinos ka merita të veçanta se pedagogëve të Katedrës u dha drejtim të lidhjes së tematikës kërkimore-shkencore në zgjidhjen e problemeve konkrete, dhe të pranishme në fushën e ndërtimit të punimeve minerare traverbank, galeri transporti, galeri ajrimi, sisteme shfrytëzimi të shtresave mineralmbajtëse, mekanizimin e operacioneve dhe proceseve të punës, në rrëzimin, ngarkimin dhe transportin e mineralit, të materialeve dhe njerëzve, të ajrimit, të markshederisë, pasurimit të mineraleve etj. Jo vetëm tematika shkencore e kërkimeve dhe e doktoratave të pedagogëve që kishin qëllim zgjidhjen e problemeve të prodhimit, por dhe temat e punimeve të diplomave të studentëve lidheshin me çështje që zgjidhnin një problem të teknologjisë të shfrytëzimit të mineraleve. Këtë tematikë e kërkonte nga pedagogët të cilët kur zbrisnin në terren, që vëzhgonin dy-tre miniera, duhej të sillnin në Katedër edhe tema për punime diplomash, në fund të studimeve, të studentëve. Kjo mënyrë pune rriti autoritetin e pedagogëve dhe të Katedrës në veçanti për lidhjen me prodhimin minerar të lëndëve të para, si: të kromit, qymyrgurit, bakrit, hekur-nikelit, asfaltit, gurëve dekorativë etj.

Veprimtaria mësimore

Prof. doc. Hjajredin Shtino ka zhvilluar leksione në Tiranë dhe Mitrovicë në lëndët mësimore:

  •       “Armatimi i Minierave”;
  •       “Projektimi i Minierave”;
  •       “Ajrimi dhe zjarret në miniera”.

Për vite me radhë ka qenë titullar në lëndën “Ajrimi dhe zjarret në miniera”. Ka hartuar dhe rihartuar disa programe të kësaj lënde, ka punuar për ngritjen e bazës laboratorike të kësaj lënde, duke ndërtuar edhe dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e disa punëve laboratorike dhe të projektit të kursit. Ai ka qenë autor i hartimit dhe rihartimit të planeve mësimore të specialiteteve Miniera, Markshajderi dhe Pasurim. Ka drejtuar hartimin e programeve të lëndëve të specialitetit të Minierave, Markshajderisë dhe Pasurimit. Ka drejtuar dhe harmonizuar përgatitjen e planeve dhe programeve mësimore për të gjitha profilet e Fakultetit.

Marrje përvoje dhe kualifikim pasuniversitar

Prof. doc. Hjajredin Shtino pas studimeve ka fituar eksperiencë dhe është kualifikuar në disa institucione shkencore në disa vende jashtë shtetit, si në vijim:

  •       1959: (4 muaj) eksperiencë në ish-Bashkimin Sovjetik;
  •       1968: (3 muaj) kualifikim pedagogjik-shkencor në Kinë;
  •       1971: (3 muaj) kualifikim pedagogjik-shkencor në Itali, në vitin 1971.
  •       1985: (1 muaj) kualifikim pedagogjik-shkencor në Francë.

Detyra me rëndësi në minierat shqiptare dhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave Tiranë

Prof. doc. Hjajredin Shtino ka kryer detyra me rëndësi në minierat shqiptare dhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, si në vijim:

  •       1954-1956: Inxhinier në minierën e qymyrit Memaliaj;
  •       1956-1961: Kryeinxhinier në minierën e qymyrit Memaliaj;
  •       1961-1962: Pedagog në Universitetin e Tiranës;
  •       1962-1987: Përgjegjës i Katedrës së Minierave në Universitetin e Tiranës;
  •       1966-1986: Zëvendësdekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave në Tiranë;
  •       1986-1993: Pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave;
  •       1993-1994: Pedagog i jashtëm në pension.

Prof. doc. Hajredin Shtino pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të industrisë minerare të Shqipërisë

Prof. doc. Hajredin Shtino ka bashkëpunuar me institucione e organizma të minierave dhe ka dhënë ndihmesa konkrete në zhvillimin e industrisë minerare në Shqipëri. Veçanërisht shumë aktiv prof. doc. Hajredin Shtino ka qenë në miratimin e projekteve për çeljen e minierave të reja, ku ekspertizat e tij ishin themelore për marrjen e vendimeve në fushën jo vetëm të ajrimit dhe mbrojtjes nga zjarret nëntokësore, por dhe për çështje të sistemit të shfrytëzimit dhe hapjes të punimeve kapitale të minierës etj.

Prof. doc. Hajredin Shtino pedagog në Universitetin e Prishtinës

Prof. doc. Hajredin Shtino ka dhënë cikle leksionesh në Fakultetin e Xehetarisë në Mitrovicë të Universitetit të Prishtinës për lëndën mësimore “Ajrimi i minierave” (1977 – 1981).

Prof. doc. Hajredin Shtino në Fakultetin e Xehetarisë në Mitrovicë u prit shumë me respekt. Interesimi i studentëve ka qenë i jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrja e tyre në leksionet e tij ka qenë i lartë.

Anëtar në forume shkencore

Prof. doc. Hajrein Shtino gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë anëtar i shumë forumeve shkencore, redaksionale, instituteve shkencore, byrove të projektimit të vendit, si:

  •       Anëtar i komisionit permanent të qymyrit të Këshillit Ekonomik të Ndihmës Reciproke;
  •       Përgjegjës i Komisionit të Minierave pranë Seksionit të Shkencave Teknike të Akademisë së Shkencave, Tiranë;
  •       Anëtar i Bërthamës së Specialiteteve pranë Sektorit të Industrisë të Këshillit të Ministrave;
  •       Anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Tiranës;
  •       Anëtar i Këshillit të Botimeve të Universitetit;
  •       Anëtar i Këshillit Tekniko-Shkencor të I. S. P. Minierave;
  •       Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave;
  •       Anëtar i Komisionit të Lartë të Atestimit, në Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike;
  •       Kryetar i Komisionit të Posaçëm të mbrojtjes së Disertacionit të Minierave;
  •       Anëtar i Redaksisë për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar;
  •       Kryetar i Shoqatës së Inxhiniereve të Minierave të Shqipërisë.

Udhëheqë shkencor për punime diplomash dhe disertacione

Prof. doc. Hajredin Shtino, ka udhëhequr disa dhjetëra studentë për punime diplomash të specialitetit të minierave, në periudhën e viteve 1961 deri në vitin 1993. Ka udhëhequr pesë disertacione për kërkimin e gradës shkencore “Kandidat i Shkencave“(sot “Doktor”).

Përfundim

Prof. doc. Hajredin Shtino filloi punën si pedagog në Katedrën e Minierave të Fakultetit Gjeologji-Miniera në Tiranë, duke pasur një përvojë pune praktike në prodhim mbi shtatëvjeçare me suksese e arritje të spikatura. Kjo i jepte përparësi në akumulimin e një përvoje të madhe në praktikën profesionale. Gërshetimi i saj me përgatitjen teorike në shkallën më të lartë, e bënte atë të ishte një kuadër me vlera të veçanta. Kjo ishte dhe një nga faktorët themelorë që prof. doc. Hajredin Shtino drejtoi Katedrën e Minierave si Përgjegjës i saj për njëzet e pesë vjet. Për njëzet vite ai ishte njëkohësisht edhe zëvendësdekan i Fakultetit Gjeologji Miniera. Këto detyra drejtuese administrative e mbingarkuan së tepërmi, por si gjithmonë ai ishte i sprovuar në punë të rënda, me përgjegjësi dhe të vështira në ato kohëra, duke lënë një shembull të një intelektuali të paepur, të ndërgjegjshëm në detyra, dhe duke gëzuar respektin dhe simpatinë e të gjithë punonjësve dhe studentëve. Ai njihej nga kolegët dhe studentët si një njeri me integritet të lartë, i drejtë dhe fisnik.

Prof. doc. Hajredin Shtino ka bërë recensione për punime të rëndësishme projektimi të objekteve të industrisë minerare dhe fabrikave të pasurimit të xeheroreve. Mendimi i tij peshonte dhe vendoste për probleme të diskutueshme profesionale dhe shkencore. Ai ishte anëtar i redaksisë të revistës shkencore “Përmbledhje studimesh” që botonte artikuj shkencorë për shkencat e tokës (gjeologji, miniera, pasurim mineralesh, markshejderi etj). Ai ishte një nga inxhinierët dhe pedagogët më të shquar në Shqipëri në fushën e shfrytëzimit të minierave dhe metalurgjisë.

Prof. doc. Hajredin Shtino ishte në mesin e pedagogëve të dashur për studentë, kolegët dhe minatorë të shumë minierave anë e kënd Shqipërisë. Ai ishte një individ edhe me personalitet por edhe me aktivitet të spikatur, shumë autoritar dhe përgjegjës për detyrat që i parashtroheshin nga Fakulteti i Gjeologji-Minierave dhe USHT. Ai shquhej kryesisht me stilin e tij të veçantë të shpjeguarit, duke ngritur Lëndën e ajrimit, një lëndë shumë e rëndësishme, dhe ajri është jeta, i cili nuk duhet të mungojë në asnjë rrethanë në nëntokë, ua përsëriste shpesh studentëve prof. doc. Hajredin Shtino.

Bibliografia

  1.     Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 1, Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1981
  2.    Shtino, H.: Ajrimi i minierave”: Dispensa 2, Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1981.
  3.    Shtino, H.: Zjarret nëntokësore”, Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1981.
  4.    Shtino, H.: Ajrimi dhe zjarret në miniera: për degën minierë”, Botues: SHBLSH, Tiranë 1988.
  5.    Kujtime nga prof. dr. Arqile Teta, Tiranë, 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok