16/10/2024

Prof. Anton Çetta, thesar i popullit shqiptar, pajtoi gjaqe edhe në diasporë

0

Anton Çetta në Zvicër, me veprimtarët dhe Zija Sylejmanin

Nga Gjon Keka

Emri i prof. Anton Çettës është sinonim i fjalëve magjike të Pajtimit dhe Faljes që zbërthen edhe antropologjinë e vuajtjeve të popullit shqiptar. Me veprën e tij ai ka ringjallur besimin mbi progresin, për të ardhmen e popullit tonë të lashtë dardano-ilir, duke e larguar atë nga humnera e gjakmarrjes, hakmarrjes dhe regresit. Për ne shqiptarët kudo nëpër botë emri i prof. Anton Çettës është i lidhur ngushtë me edukimin, lirinë e ndërgjegjes së popullit të vuajtur shqiptar të Kosovës dhe më tej, me luftën kundër urrejtjes, vëllavrasjes etj. Gjithçka mbi këtë personalitet tregon se zemra e tij ka rrahur fort për lirinë, tolerancën, dashurinë njerëzore, për luftën kundër urrejtjes dhe mostolerancës, vëllavrasjes etj. Gjithashtu, si një kalorës i ndritur ai luftonte edhe për të drejtat e njeriut, kërkonte dritë, donte edukim dhe liri, ishte kundër errësirës, injorancës, vëllavrasjes, zgjedhës së padrejtësisë, shtypjes dhe skllavërisë.

Pikërisht, atëherë kur errësira ishte më e thellë u shfaq Burri i Urtë më shokë për ta ndalur të keqen nëpërmjet pajtimit të gjaqeve. Këta burra të urtë e të mençur shkëlqyen dhe bënë dritë me diellin e mendjes së tyre aty ku urrejtja, gjakmarrja e hakmarrja kishin shpërthyer dhe ku ndihej frikshëm me të madhe jehona shkatërruese. Si një fuqi pajtuese e shëruese për kohën ata i dolën në ballë të keqes për ta ndalur dhe larguar errësirën mes popullit, gjë që po e gërryente vrullshëm atë nga brenda. Zemra e madhe e Anton Çettës, me dashurinë për atdheun e nëpërkëmbur dhe të vuajtur, përqafoi popullin dhe shoqërinë për ta mbështetur në rrugën e dijes dhe të arsyes.

Anton Çetta kishte guximin dhe forcën mendore për të rrëzuar paragjykimet dhe urrejtjen e ngulitur thellë që në rrënjë. Me veprën e tij si në fushën e projektit të pajtimit të gjaqeve ashtu edhe në atë të edukimit dhe mbledhjes së folklorit ai na dha një pjesë nga zemra dhe mendja e tij, na njohu me efikasitetin e punës dhe veprës së tij të pavdekshme. Para së gjithash, ai na njohu me disa nga mendimet e tij të shkëlqyera dhe fisnike, çka tregon se ky njeri ishte i përkushtuar tërësisht për të drejtat e mohuara të popullit tonë, si të drejta të natyrshme që duhet t’i gëzojë çdo qenie njerëzore. Ndërkaq, më duhet të nënvizoj se prof. Anton Çetta e donte të vërtetën, pasi realisht është vetë vepra e tij gjurmëlënëse që e tregon qartë e bindshëm këtë, edhe pse, në harmoni me të vërtetën që ai kërkonte, një proverb i urtë thotë: “E vërteta ka fytyrë të bukur, por rroba të grisura”.

Veprat e tij nuk ishin një imazh i kotë që u krijuan kalimthi; ato ishin e ardhmja e tij, qëllimi i tij, ideali me të cilin ai e ka udhëhequr populli nëpërmjet pasqyrës së virtytit dhe pajtimit, kulturës dhe civilizimit. Koha kur Anton Çetta erdhi në mesin e popullit ishte domosdoshmëri për krijimin e këtij projekti të rëndësishëm për çështjen e pajtimit të gjaqeve. Me vetëdije të plotë ai mori përgjegjësinë për ta realizuar këtë, prandaj edhe kujtimi për të do të jetë i përjetshëm te mbarë kombi shqiptar. Ai ishte njeri fisnik, i lirë, kishte një mendje progresive që e përshkoi Kosovën dhe tërë kombin shqiptar si një agim, duke shpallur dhe ngritur nga letargjia e gjatë popullin dhe zgjimin e tij në shpresat më të mira, për një të ardhme pa gjakmarrje e hakmarrje, ku drejtësia dhe humanizmi, edukimi dhe bukuria të merrnin kuptimin më fisnik midis popullit tonë. Me veprën e tij ai u përpoq t’i ndërgjegjësonte mendjet e çoroditura, duke i kthyer drejt vëmendjes për të mirën, virtytin e të bukurën e popullit shqiptar.

Duhet nënvizuar se pikërisht elementet shpirtërore e mendore në të cilën këta burra të mëdhenj të kombit tonë kanë vepruar përbëjnë edhe në ditët e sotme thelbin dhe tharmin e kohës sonë. Njeriu fisnik kurdoherë mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike. I tillë ishte edhe prof. Anton Çetta, njeri fisnik dhe me qëllime tërësisht fisnike për popullin shqiptar dhe në veçanti për shoqërinë shqiptare të Kosovës. Me urtësinë dhe guximin e tij, me idealin që ai mbartte, me vullnet të mirë dhe me fuqinë e mendjes së tij ai pothuajse e forcoi popullin dhe shoqërinë. Ideali i tij e nxiti që atë pjesë të popullit dhe të shoqërisë, si dhe familjet të cilat ishin në gjakmarrje e hakmarrje të pastrohen nga veset e zakonet e këqija të trashëguara kanunore me anë të faljes dhe pajtimit. Duke e ngritur veten mbi këto mbetje të së shkuarës së largët zakonore, ky popull, shoqëria dhe familja që kishte në gjirin e vet figura fisnike me një prejardhje heroike e njerëz të vërtetë, tashmë kërkonte drejtësi, falje, pajtim dhe paqe. Vetëm duke u mbështetur në forcën e vet morale ky popull dhe kjo shoqëri do të përpiqej për të qenë më të mirë, për të dalë më e fortë, larg çdo vetëmashtrimi. Duheshin bërë këto përpjekje të sinqerta nga thellësia e ndërgjegjes për zgjidhje të problemeve të brendshme të mbartura nga e kaluara e errët, të cilat tashmë i kërkonte koha dhe që do të ishin shpëtim për brezat e ardhshëm, për vetë fatin dhe të ardhmen e mbarë popullit shqiptar. Duke e larguar nga vetja njëherë e mirë këtë ves, këtë zakon të keq kanunor shoqëria shqiptare do t’ia hapte vetes derën e shpëtimit.

Në këtë kuptim e qëllim të mbarë, populli dhe shoqëria ishin gjithnjë e më të etur që të përfitonin nga mendja, nga këshillat dhe urtësia e prof. Anton Çettës, si dhe nga vepra e tij e madhe në projektin e pajtimit të gjaqeve. Me shumë nderim e respekt për këtë figurë të madhe populli ynë i hodhi shikimet në zgjidhjen e pyetjeve që lidheshin ngushtë me çështjet e larta dhe nevojën morale e kombëtare të kohës. Këto mendime – në lidhje me projektin e pajtimit të gjaqeve dhe të rrugës që do të hapej për lirinë e vendit më pas, si rrjedhim i lëvizjeve të kohës për idealin e një Kosove të pavarur, demokratike dhe europiane – ishin drejtuar më parë nga vetë Anton Çetta dhe shumë intelektualë të tjerë. Fushata e pajtimit të gjaqeve u shtriu edhe në diaspor, edhe atje prof. Anton Çetta bashkë me bashkëveprimtarët e tij pajtuan shumë familje shqiptare. Kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm, vlenë të përmenden pajtimet në Zvicër, ku në mesin e shumë kontribuesve bashkë më prof. Anton Çettën ishte edhe Zija Sylejmani i cili e priti prof. Anton Çettën në shtëpinë e tij në Zvicër dhe pajtuan një nga familjet që ishin në gjakmarrje dhe shumë familje tjera kudo në diaspor. Pra sikur që shihet fushata dhe misioni i pajtimit të gjaqeve i shpërtheu edhe kufijtë e trojeve shqiptare, doli edhe në diaspor për ta ndal këtë gjakderdhje kombëtare e cila nuk kishte të ndalur dhe i shërbente armiqëve, ngase armiqtë e kombit shqiptar i fërkonin duart kur shihnin se si shqiptarët po vrahen në mes vete, madje edhe ata edhe sot, i fërkojnë duart nga gëzimi kur shohin se si shqiptarët e Kosovës dhe kudo po vrahen në mes vete , qoftë për një fjalë goje, për mendime të ndryshme, apo të vëllavrasjes për fe të ndryshme në mes vete etj.

Nga e gjithë kjo që u nënvizua më lartë tashmë është më se e qartë se Anton Çetta është kthyer në një thesar të popullit shqiptar. Si një qenie njerëzore ai u përball me shumë nga këto dukuri negative, me zakonin e rëndë kanunor të gjakmarrjes e hakmarrjes, ndërsa sot, në këtë shekull, edhe përkundër harresës së institucioneve të shtetit të Kosovës, “tabernakulli” i tij i shenjtë tanimë është zhytur në tokë, porse shpirti i tij është i përlëvduar dhe nderuar në të gjitha familjet, mes shoqërisë dhe popullit shqiptar të Kosovës, por veçanërisht mes kombit shqiptar europian të kudondodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok