PREND BUZHALA, NË ODEONIN E LETËRSISË SHQIPE

NGA NDUE DEDAJ

Krijuesit e studiuesit, siç dihet, punojnë në heshtje, por vjen një kohë e ata dalin përtej heshtjes së vet. Shkrimtari nga Kosova Prend Buzhala, me origjinë të hershme nga Buzhala e Pukës, frymon letërsi dhe për letërsinë. Ai është poet e prozator, studiues i letërsisë, kritik letrar dhe eseist, përpos se redaktor e recensionues librash, i vlerësuar sa herë me çmime letrare. E gjithë jeta e tij është letërsia, gazetaria dhe shkolla si mësimdhënës. Shkrimtaria e tij është një ode shqiptare e veçantë, si dhe qasja ndaj letërsisë së të tjerëve, ku jo rastësisht njëri nga librat e tij të rrafshit studimor mban titullin “Odeoni i fjalës”. Nuk lodhesh për ta dalluar mes krijuesve të tjerë falë portretit me tipare të spikatura si ndonjë skulpturë shenjtërore, përherë me një buzëqeshje prej fisniku. Rrallë ndonjë kritik a studiues tjetër letrar në këtë tranzicion i ka kushtuar energji të pazakonta letërsisë bashkëkohore, duke shqyrtuar vepra letrare autorësh të ndryshëm. Ky reflektim ndaj prurjeve letrare ka qenë i domosdoshëm, pasi letërsia shqiptare dilte nga binarët e realizmit socialist etj. Vërtet letërsia e gjen vetë rrugën për kah artistikja dhe moderniteti, por kritika letrare serioze, si ajo e Buzhalës, ndihmon në rrjedhat zhvillimore të saj.

Prendi është dekani i shkrimtarëve të Klinës dhe mentor i letrarëve të rinj të atij rajoni e më gjerë, i gjithgjendur në promovimet letrare të Kosovës, nga Peja në Prishtinë, nga Gjakova në Gjilan, nga Prizreni në Ferizaj, ashtu si dhe në Tiranë, Shkodër, Tetovë, Lezhë, Ulqin etj. Një penë që nuk rresht kurrë së shkruari. Nëse ia jep një libër Prendit për ta lexuar dhe ai gjykon se duhet shkruar për të, atëherë të jesh i sigurtë se i ka bërë “qilizëm” tekstit para se të hedhë shënimet e tij në letër. Kam pas fatin e një analize letrare të romanit tim “Shembja” prej dorës së tij, përmbledhur në librin e vëllimshëm “Amëza e rrëfimit” (Prishtinë 2012), ku analizohen vepra në prozë autorësh të shquar, si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Jusuf Buxhovi, Diana Çuli, Nasi Lera, Visar Zhiti, pa harruar asnjëherë autorët e rinj. Ndër titujt e shumtë të librave me shqyrtime kritike dhe studime letrare të këtij autori janë: “Metafora e vendlindjes”, “Përqasje estetike”, “Ex libris”, “Muza e kujtesës”, “Res Publica e shkrimtarit”, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, “Gjenitivi i lirikës”, “Të folurit e kryqëzimit shqip” etj.

Po bëhen vite që jemi njohur me Prendin dhe e kemi ndjekur me interes krijimtarinë e tij letrare e studimore, për të cilën pati shkruar me vlerësim dhe Adriatik Kallulli në “Gazeta Shqiptare”. I lindur në fshatin Çabiç më 1 nëntor 1951 dhe i diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe në fakultetin filologjik të Prishtinës, karriera e tij arsimore lidhet kryesisht me Klinën, si profesor në shkollën e mesme, drejtues i arsimit komunal, drejtor i bibliotekës publike etj. Ndërkaq, Prendi ishte korrespondent e reporter i luftës dhe i paqes në disa gazeta të Prishtinës, si “Fjala”, “Bashkimi”, “Rilindja”, “Bujku”, “Expres” etj., si dhe i shtypit lokal. Pas burgosjes politike më 1982 i ndalohet e drejta e botimit, ani se ai nuk flet për vete asnjë fjalë. “Prendi ka qenë i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës, për çka për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish – Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, ku gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar u arrestua e keqtrajtua dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbë”, thuhet në jetëshkrimin e tij. Me lirinë nisi të buisë në libra dhe muza e Buzhalës. Libri i parë poetik i tij “O Amë, o Amë” (1995) – dhuruar nga vetë autori vite më parë – la gjurmën e vet te lexuesi dhe kritika letrare, duke qenë prologu i një shpalimi letrar të pandalshëm e të vëllimshëm të autorit, që di t’i bëjë me mjeshtri të gjitha “punët” e letërsisë, falë aktit të krijimit dhe kulturës letrare, historike që zotëron. Të gjithë poetët kanë një ndjesi hyjnore për aktin krijues dhe për Prendin ajo që lëviz lapsin mbi letër gjatë shkrimit të një teksti është jo një dorë e zakonshme zanatçiu por një “dorë e perëndishme”.

Prendi kishte lindur për të qenë i lirë e për të shkruar. Punëtor i zellshëm i letrave, me poezitë e para të botuara para 55 vitesh (1967), deri te përmbledhja e poezive të zgjedhura “Psherëtima pergamene” (“Rozafa”, 2017), përgatitur dhe pajisur me parathënie nga Anton Nikë Berisha. Vitet e fundit Buzhala është bërë i njohur dhe me “çaste lirike” në poezi e prozë, ku ne shkëputëm disa poezi kushtuar lirisë së Kosovës, që mbajnë datën 30 shtator 2022. Poeti na thotë se “fjala liri është si fjala zot”, “vetëm zemra është lakmu(e)s që mat lirinë”, “zemra në thellësitë e Arb-dheut”. Ai iu drejtohet shpërdoruesve të lirisë: Mos u matni me lirinë e Kosovës/ Se njërën dorë kjo liri e ka në diell. Lirika e “vetmive të mëdha të Kosovës” të shtie në mendime, pasi për poetin është “si ajo e liria e Fjalës së Fundit / e dëshmorit që po jepte jetën për të”. “Tri ode për të dielën” është një tjetër cikël poetik i fillimtetorit i poetit, që të ngjan se janë shkruar si meditime para shtatores së Nënë Terezës. Meritojnë vëmendje të veçantë po ashtu prozat e shkurtëra poetike apo të natyrës eseistike të këtij autori për mendimin e thellë filozofik bashkëohor që mbartin e tejçojnë. Ndaluam te ajo me titull “Udhëtim me Kuaj të Drunjtë (ose kallëzim modern për një ngjarje antike)”, ku që në krye befasohesh nga fraza “Sa shumë kuaj të drunjtë po shalohen”, si një varg poetik emblematik. Një aktualizim gjithë sarkazëm i kalit të drunjtë të Trojës, pangjashëm me askënd tjetër që i është qasur kësaj simbolike. Autori shkruan: “Barku i këtyre kuajve është i zbrazët: luftëtarët e drunjtë antikë kanë dalë moti për fushe, së pari kanë sulmuar këngët e ato u shitën në pazar. Thanë: “Le të shitet himni”! Pas himnit u shitën dhe betimet e përbetimet. I shitën dhe fjalët e Hyjit dhe me to krijuan levërdi e luks të rrethuar me mbeturina të bukura kutërbuese”. Kjo është një kambanë ndaj çdolloji tjetërsimi e shformimi të vlerave njerëzore, kombëtare e gjer hyjnore. Ti do të dëshiroje që kjo copëz letrare të ishte në tekstet shkollore dhe të rinjtë ta analizonin atë dhe si një shteg me dritë në kaosin e jetës moderne. Me porosi të tilla meditative, filozofike për jetën është e mbushuar e gjithë krijimtaria e këtij poeti të lirisë. Ai shkruan për të gjithë temat universale të letërsisë, por metafora e tij nuk është aspak tradicionale, sipas arketipeve të njohura, klasike apo tradicionale, por një mbrujtje vetanake e fjalës artistike. Imagjinata e tij artistike arrin të “takojë” gjer Parajsën me Tokën.

Klina e tij e rrënjëve ka kohë që njihet si një oaz letrar e artistik, për çka Prend Buzhala ka një meritë të posaçme, ashtu si shkrimtarët: Gjon Gjergjaj, Tahir Desku, Mikel Gojani, Hajdin Morina, Vilson Culaj, piktori Idriz Berisha – Xhixhi, aktori Ismet Krasniqi Lala etj. Jehona e takimeve dhe manifestimeve letrare, promovimeve kulturore, shfaqjeve artistitike, ekspozitave të artit pamor etj. ka shkuar përtej kumunitetit të Klinës. Prend Buzhala, nismëtar veprimtarish të tilla prej motesh, është ndër autorët e preferuar të “Lena Graphik”, ku boton në vijimësi libra të larmishëm, poezi, prozë, studime, monografi, publicistikë etj. Ndriçimi i figurat historike është një mision i Buzhalës. Ato zënë fill që nga “Shën Jeronimi dhe bota ilire”, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” e deri te figura të kohëve të vona si Ibrahim Rugova, Anton Çetta dhe Fehmi Agani, të cilët, siç shkruan ai, “i përcillnin Europës dhe SHBA – ve fytyrën e civilizimit, të mendimit e të urtisë modern shqiptare”. Prendi është sa një shkrimtar që operon ndjeshëm me historinë, aq dhe një publicist e eseist i shqetësuar i të sotmes, çka e dëshmon edhe libri i tij i fundit “Dekompozimi i realitetit”. Shkrime të tij për libra dhe autorë botohen rregullisht në gazetën letrare “Nacional” në Tiranë etj.

Shkrimtarët natyrshëm u përkasin bibliotekave, por për Prend Buzhalën një informacion apo kronikë letrare të veprimtarisë së tij krijuese e promovuese mund ta qëmtosh sadopak dhe nga Facebook, ku sheh se ai është gjithnjë aktiv në shtegtimin e tij të përditshën letrar. Auditori i tij është kudo ku shkruhet e flitet për letërsinë. Mjafton të kundrosh albumin e tij online, fotografitë mes letrarësh të rinj, shkrimtarësh dhe lexuesish, si një “Bacë” i letrave, pa i kthyer ndonjëherë sytë nga kalendari, nëse fletët e tij bien apo “ngjiten” lart…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
error: Content is protected !!