03/12/2024

POETIKA E REMINISHENCËS NARRATIVE

0
Rrahim-Sadiku-Kelmend

(Rrahim Sadiku: “Shëti në bjeshkët e Kelmendit”, tregime, botoi “Rozafa”, Prishtinë, 2022)

Nga Prend BUZHALA

Ka aq shumë lëndë situatash narrative në tregimet e shkurta të Rrahim Sadikut, ka një thjeshtësi me prirje drejt një tërësie rrethanash historike e të bashkëkohësisë, strukturash dramatike, krizash ekzistenciale-shpirtërore të aktualitetit; sa të duket sikur secili rrëfim përbën një roman më vete. Në të vërtetë, tregimet e vëllimit “Shëti në bjeshkët e Kelmendit” kanë disa thjerrëzime shtresimesh a punktesh tematike: nga historia e Kosovës, nga bashkëkohësia dhe nga magjia e muzës së frymëzimit. Kësisoj, tregimet “Në fushën e mëllenjave”, “Shëti në Bjeshkët E Kelmendit”, “Vjeshtë e vitit 1388”, “Koha e perandorive”, “Kanuni”, “Perandori i Kaninës” dhe “Çelë Vuthjani”, npërmes dy tipave të narratorëve (një të mashtruari e një të huaji), përbëjnë cikoin e tregimeve me reminishenca nga e kaluara jonë.

Sado që janë të njohura kufizimet e tregimit për shkak të shkurtësisë, në krahasim me romanin, megjithatë, kur i biem në fund librit, do të vërejmë se ato, së bashku, mbulojnë shumë aspekte të historisë sonë e të jetës, mbulojnë fenomene, ide, reminishenca, përsiatje lirike dhe aspekte të ekzistencës së individit në botën bashkëkohore shqiptare.

  1. Kujtesa historike: përmasat e aktualizimit e të riaktualizimit të identitetit nacional

Te tregimet e sipërtheksuara veprimi e atmosfera narrative mbështetet në dy kahe të strukturës tekstuale: në burimet autentike historike dhe në estetikën e përpunimit letrar.

Autori, përmes rrëfimeve të tilla, sikur dëshiron që t’u mbetet besnik jo thjesht fakteve historike, sa kërkesës që letërsia ta kryejë rolin e saj edhe në jetën kombëtare, njësoj si dikur, sidomos rolin e saj në shtresimet e mbrojtjen e identitetit tonë nacional, aq shpesh të rrezikuar. Madje, këto tregime e theksojnë me force këtë aspekt tematik e motivor. Me një fjalë, ende shkruhet tregimi ynë i madh historik mbi identitetin tonë dhe mbi të vërtetat e historisë sonë. Kjo do të thotë që mbushet boshllëku që krijoi letërsia jonë me mungesën e interesimit për tema që ngrihen, për herë të parë ndër ne te letërsia e Rrahim Sadikut, siç janë raporti ndërtekstual i trashëgimisë sonë me letërsinë. Te tregimi i parë “Në Fushën e Mëllenjave” (asociacion për Rrafshin e Fushë Kosovës), rrëfimi ndodh në veten e parë shumës, e që vjen si zë i një  kolektiviteti të huaj të kohës bizantine, për të zhbërë gjithçka ilire dhe arbërore. Më tutje, narratori e zbulon lakminë e tij deri te ftesa për ndërgjegjësim:

“Doja shumë më shumë se të isha vetëm një ilir, qoftë i respektuar apo i harruar. E hetova se rrugë e vetme, e mundshme për një njeri që dilte nga askundi, me etje për të pasur shkollim e mundësi të bëhesha njeri me emër e me pushtet, ishte kisha… Një ilir tjetër, që tashmë është penduar që ka punuar kundër vendit të tij e në dëm të popullit të tij, më tha një ditë se rruga të cilën po e ndiqja, më bënte më shumë se të vdekshëm dhe ajo që e quaja pavdekshmëri, realisht nuk ishte as çast i shkurtër. Më luti të kthjellohesha e të mos e mashtroja veten, sepse do të mund të jetoja vërtet vetëm duke qenë e duke u ndjerë ai që jam.”

Kjo është drama psiko-historike e etnike që ndodh brenda individit, me përplasjet e brendshme gjithë ankth, për ta mjegulluar të vërtetën,  me “sëmundjet e fshehta e shumë rrezikshme të shpirtërores”, porse drama e tillë, sado që e sjell te ndërgjegjësimi: “Po mendoja këtë tjetërsim, pjesë e të cilit isha edhe unë, kur dëgjova tinguj të dhembshëm lahute dhe një këngë madhështore për Mujsin e Siyllin.”, ai prapëseprapë është i ndërgjegjshëm për tjetërsimin e tij: “unë tashmë isha larguar me mendje e me zemër nga populli im dhe e kisha mohuar atë.” Dhe drama e tillë historike vazhdon edhe te tregimi tjetër që mban titullin e librit “Shëti në Bjeshkët e Kelmendit”. Kelmendasit, shumë ndër ta, janë për të tjerët e asnjëherë për vete (“Sikur jemi të gjykuar të bëjmë madhështi për të tjerët e mjerim për vatrat tona!”). Vetëdija narrative e zbulon situatën e palakueshme në të cilën ndodhen ata:

“Ata po tallen, po luajnë me ne, Tamarë… Po realizojnë trille të tyre me ne…!”

“Kush po luan me ne?!”

“Perandoritë, shtetet që po krijohen në trevat tona, popujt që po vërshojnë nga të gjitha anët… Po na shtrijnë përdhe e po na flasin sikur po na ngrehin në qiell!”

Reminishecat e atyre kohëve të turbullta, e afishojnë modelin e mbrapshtë të ndërgjegjes hsitorike të qenies sonë: ““Edhe ne si gjithmonë: me të gjithë e kundër vetes!”

E kaluara i ligjëron të tashmes me gjuhën e saj alegorike, por prapa këtyre frazave e rrëfimeve, është dhembja e madhe për ta mbrojtur me çdo kusht përkatësinë tonë identitare dhe përkatësinë tonë brenda qytetërimit perëndimor. Personazhet e këtij tregimi dialogojnë:

“Jemi po ne që themeluam këtë Rashkën a Rasin, nuk di si po e quajmë me të vërtetë, që ndjek pikë për pikë shembullin e bullgarëve dhe që heret a vonë ka mundësi të bëhet kobi jonë. Tanët janë në ballë të këtij shteti në formim dhe po kam bindjen se janë mu ata që po ngulitin dhe ushqyejnë urrejtjen e shfrenuar të mbarë rasianëve kundër nesh… Ata po vjedhin shumë nga traditat tona e po na i vjelin njerëzit më të zot që kemi.”

Sa aktuale tingëllojnë këto situata të dikurshme edhe sot, kur përpjekjet janë të etshme nga ana e Serbisë për të rrëmbyer gjithçka që përbën identitetin tonë! Autori përdor disa këndvështrime narrative, më saktësisht, rrëfimtarët shfaqen të shumtë, edhe te tregimet tjera, si Vjeshtë e vitit 1388 (Shënimet e hirësisë së tij Spasoje), “Koha e perandorive” apo “Kanuni”, me të njëjtat aspekte të reminishencës historike. Kësisoj, sikur përfillet mendimi i Platonit se kujtimi (reminishenca) është një fillesë në sakramentet (ritet e shenjta) dhe kështu e afron njeriun me përsosmërinë shpirtërore. Sipas tij, dija nuk është gjë tjetër veçse kujtesë. Në këso rastesh, brenda strukturave narrative tregimtare, ke të bësh me prirjen për ta përvetësuar traditën e ritregimit gojor. Te e fundit, vetë teoricienët e narratologjisë, Cvetan Todorov (Gramatika e Dekameronit, 1969), duke përcaktuar strukturën rrëfyese me përbërësit e saj, duke përshkruar edhe “format dhe efektet e ndryshme narrative që arrijnë tekstet narrative në lexim… narratologjia strukturaliste zgjeron dhe neutralizon konceptin e tregimit, kështu që përfshin, përveç prozës artistike, folklorin e përditshëm dhe format e rrëfimit gojor, forma të parëndësishme letrare dhe shkencore, teatër, film, muzikë, komike, etj.” Edhe te tregimi “Çelë Vuthjani” vjen i njëjti shqetësim për etninë:

“Mbi ne u hodhën sllavët, duke u shtënë si bamirës e si klerikë, duke na ofruar ndihma dhe mbështetje e duke bërë edhe të pamundurën të na e marrin shpirtin, shqiptarinë, gjuhën tonë të ëmbël, këngët tona të lashta e të reja, kuptimin e jetës sonë.” Kështu i rrëfejnë shqetësimet e ngjashme edhe protagonistët e tregimeve tjera.

Do të thoshim se ndodh kështu, për shkak se ende ne kemi nevojë për rrëfime të tilla, që na e drejtojnë përjetimin tonë drejt një qëllimi të caktuar, më të lartë. Është ajo kërkesa që t’i mbajmë gjallë të kaluarën, me faktet e saj, më saktësisht, të mbajmë gjallë shpirtrat e të parëve tanë. Intelektuali dhe psikolinguisti amerikan Steven Pinker, do të thoshte: “Psikologjia konjitive ka treguar se mendja i kupton më së miri faktet kur ato janë të thurura në një pëlhurë konceptuale, të tilla si një narracion, si një hartë mendore ose teori intuitive.” Rrëfimet e tilla kanë përmasat e forcës së aktualizimit e të riaktualizimit të shumë nyjave dhe çështjeve; secili prej tyre ravijëzohet si një portret i një drame ende të pa rrëfyer, i një drame të përgjithshme të shpirtit njerëzor dhe sidomos atij kombëtar.

  1. Identiteti narrativ i personazheve të së sotmes

Tregimet tjera në vazhdim, si Hamendje e mbamendje, Bota ndryshe, Flakët e luftës, Varrimi, Kapardisja e pincërrit, Aroma e lirisë, Bariu, Kohët, Kujtime nga koha e ikur, Stinë e mundimshme, Cufa i Dinit, Kërcënimi dhe fitorja, Si biografi, Dy kujtime nga paslufta, dhe Si besim i ri, shpërfaqin një tjetër strukturim të të njëjtave dilema, spikatjesh të botës së brendshme të personazheve e ku në fokus qëndron e sotmja. Secili personazh ka identitetin e tij narrativ. Kështu, tregimi Hamendje e mbamendje, apo që vjen si copëza fragmentesh dialogues, duket sikur personazhet sillen në skenën e jetës të preokupuar me fatet e tyre ekzistenciale, ose me përjetimet e tyre të  brendshme, të mendimit dhe të së bukurës në jetë e në art, përsiatje për kohën, vetminë, shpresën, romantikën e dikurshme karshi të sotmes etj. Njëri ndër këta personazhe, të shumëzuar nëpër dialogë, thotë:

“Të zhuritur janë njerëzit e kësaj toke. Të djegur ambiciesh, kërkesash, sysh të uritur, zemrash të mbushura vrer, këngësh të pakënduara…”

Këngën e tillë të fshehur, të pakënduar, të jetës, apo të librave të pashkruara të jetës, autori përpiqet ta strukturojë nga tregimi në tregim, gjithnjë me qëllimin që rrëfimet e humbjes apo të ringritjes, të pengesave apo të kapërcimit të tyre, të dhimbjes apo të botëve të ndryshme, ta zbulojë para lexuesit një vizion më të të pasur; ndonjëri rrëfim vjen edhe me forcën e energjive vegimtare të pasura e të mrekullueshme.

Në disa tregime, si te ato të ciklit të parë tematik nga e kaluara, si këto nga e sotmja, autori i koncepton me një strategji narrative për t’iu ofruar më shumë realitetit: flet e ligjëron nëpërmes vetëdijeve e pozicioneve narrative, qoftë të armikut, qoftë të personazheve që përfaqësojnë anët e errëta të këtij realiteti, siç janë të mashtruarit, ata që tradhtojnë apo ata që tradhtohen. I tillë është tregimi “Flakët e luftës”, ku personazhet armiqësorë nga tabori armik, janë të njohur për publikun, e të cilët hallkë të veprimit të tyre e kanë shpërbërjen e kombit shqiptar. Këto hallka jepen në shumë pamje narrative. Herën tjetër tregimet ngjajnë në poema narrative, lirike, apo në poema dramatike, siç janë tregimet Aroma e lirisë, Bariu, Kohët, Kujtime nga koha e ikur apo Si biografi. Sado që ato janë të ndryshme me modelet e tyre narrative, secili bëhet pjesë jona me emocionet, përjetimet dhe ndodhitë. Ato kanë koherencën e tyre të brendshme me domethëniet e tyre qoftë në nivel individual qoftë shoqëror.

Shtator 2022

(E lexuar në përurimin e veprës në Sojevë të Ferizajt, në 68-vjetorin e lindjes së krijuesit letrar e veprimtarit kombëtar, Rrahim Sadikut)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok