26/04/2024

BISEDË IMAGJINARE ME GJUHËN SHQIPE

0

Nga Sami Islami

Në këtë kohë kur bisedat politike është bërë lajtmotiv i çdo emisioni televiziv dhe i emisioneve të ndryshme në internet, si bisedat me Beogradin, bisedat me Brukselin, bisedat me Shtëpinë e bardhë… Bisedat, bisedat. Unë vendosa për një çast t’u shmangem këtyre bisedave politike, për të bërë një bisedë me gjuhën shqipe! Pse jo? Edhe gjuha shqipe, sigurisht, ka telashet e saj, që ka nevojë t’ia thotë dikujt. Po, ngaqë nuk kisha biseduar një kohë të gjatë me të, nuk e dija se nga t’ia filloja. Thashë me vete, pse të mos e pyesja njëherë si është në përgjithësi dhe e pyeta:

– Si ju kam, moj zonjë e madhe?

– Nuk jam mirë! – m’u përgjigj. Shqiptarët nuk po më duan mua! Nuk po m’i përdorin fjalët e mia të bukura, të kuptueshme! Nuk po m’i përdorin shpesh as shprehjet frazeologjike të miat! Po kujtojnë se, duke më injoruar mua, do të bëhen më modernë, më të qytetëruar, më të përparuar!

– Pa, hë! Për cilat fjalë dhe shprehje frazeologjike e keni fjalën?

– Ka shumë! Bile druaj se do të mbushej një libër me fjalë e shprehje të tilla, por sa për fillim po i përmend disa. Nuk e kuptoj se si disa intelektualë ma injorojnë fjalën shqipe, duke përdorur fjalë të huaja, si fjalën “suplement”, për shembull!? Ç’është kjo fjalë, ore?

– Kjo fjalë domethënë “shtesë”, “plotësim” – i them. Me aq sa na tregojnë fjalorët kjo është fjalë me origjinë latine (Bratolub Klaiq, Fjalor i Madh i Fjalëve të Huaja, Zagreb, 1974, f. 1259) dhe ka kuptimin “shtesë” (ose “plotësim”). Kurse këtë fjalë e shpjegon edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe, 2006, f. 992 si “shtojcë e veçuar e një gazete ose një periodiku”!

– Aha, e kuptova! Po pse, ore, këta shkrolaxhi, gazetarë, redaktorë, profesorë nuk e përdorin fjalën shqipe? A mos vallë po kanë turp ta përdorin fjalën time? Apo ndoshta ata nuk po kanë dëshirë të kuptohen nga vetë shqiptarët. Fjalën time e merr vesh edhe bariu në stan, kurse këtë të huajën, ndoshta vetëm në universitet, ose ka mundësi, që, ndoshta, as këta të mos e kuptojnë!

– Keni ndonjë shqetësim tjetër? – e provokoj.

– Po, – më thotë, – si jo! Një ditë në televizion e dëgjova folësin të thotë frazën “koncert gala”. A mos qe fjala për galat (sorrat ose stërqokat), që shpesh mbrëmjeve verore mbajnë “koncert” me krrokamat e tyre?

– Keni të drejtë, – i them. Fjala “gala” mund ta ketë edhe kuptimin e një zogu, nëse theksi bie në rrokjen e parë “gâla”, por nëse theksi bie në rrokjen e fundit “galá”, kjo fjalë merr kuptim tjetër. Në shembullin që e kemi në shqyrtim nuk është fjala as për galat, as për sorrat, as për stërqokat! – i them.

– Po ç’është atëherë? Unë kështu po e kuptoj! Ma kthen e habitur gjuha shqipe!

– As kjo fjalë me këtë shqiptim, pra me theks në rrokjen e fundit, siç thamë, s’është fjalë shqipe, e qetësoj. Kjo fjalë është me origjinë nga spanjishtja, që e ka kuptimin “solemn”, “i shkëlqyeshëm”, “i bukur”. Në shqip këtë togfjalësh të huaj do ta thoshim si: “koncert solemn”, “koncert madhështor” ose “shfaqje solemne”, “shfaqje madhështore”! Shqiptarët “me shkollë” po mendojnë se, duke e nëpërkëmbur gjuhën e vet, do të duken më të qytetëruar!

– Më ka rënë në vesh, – më thotë gjuha shqipe, – por edhe e kam parë të shkruar në lokale të ndryshme mbishkrimin FAST FOOD (Fast fud). Nga na piku kjo frazë? – më pyet. Ç’është kjo çorbë, që s’po mund ta kapërdij kurrsesi, ore?

– Eh, kjo është një frazë e ardhur nga anglishtja, që domethënë “ushqim i gatshëm”, që në përkthimin e fjalëpërfjalshëm del si “ushqim i shpejtë”.

– Ashtu, a? E çfarë të keqe paska, pra, nëse shqiptari thotë shqip: USHQIM I GATSHËM, në vend të FAST FOOD? Jam shumë e shqetësuar, pse po ikin shqiptarët prej meje? Unë jam gjuha më e vjetër në Gadishullin Ilirik, që më kanë respektuar shkrimtarët tanë të vjetër, qysh nga Gjon Buzuku, Bogdani, Matrënga! Pastaj më lartësuan dhe më nderuan shkrimtarët Naimi, Samiu, Kristoforidhi, Gjeçovi! Naimi madje më nderoi duke më krahasuar me “gjuhë perëndie”! Lista e atdhetarëve që më kanë dashur dhe më kanë respektuar është e pafund, por le t’i përmend këtu Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn, Selman Rizën e shumë e shumë të tjerë! Mirëpo, në anën tjetër, si mund të jem e qetë e të mos bërtas, bile edhe të mos ulërij tani, kur shoh të më injorojnë disa që mbahen si “modernë” e “bashkëkohorë”?!

Përveç kësaj, si të mos protestoj, kur shoh më se 90% të reklamave në trevat shqiptare, sot, janë në gjuhë të tjera, si në: anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Çka po ndodh me mua, ore?

Gjuha angleze më ka hyrë në çdo por të jetës sime. Në të gjitha këto media mua po më lënë anash, kurse fjalët angleze po i qesin në vend të parë! Shumë po më vjen inat, besa! Bile atyre edhe po u bëjnë “temena”, si thotë një fjalë e vjetër, kurse fjalët dhe shprehjet e mia shpesh po i hedhin në kosh. Ndryshe si mund ta justifikoj përdorimin e shumë fjalëve të gjuhës angleze, si TOP TALK, TOP TALENT, TOP STORY, TOP NEWS.

– Keni të drejtë, – i them. Ashtu është! Ne i kemi fjalët tona! Ne do të mund t’i shprehnim shqip, shumë thjesht, në këtë rast të gjitha këto fjalë të huaja. Për TOP TALK, pse të mos themi KRYEBISEDË, për TOP NEWS, KRYELAJM për TOP TALENT , KRYETALENT, për TOP STORY, KRYETREGIM, për… etj. I kemi fjalët tona, ore! Ashtu sikur që anglishtja e paska fjalën TOP për ndërtimin e këtyre frazave, ne kemi fjalën KRYE, si KRYEQYTET, KRYETAR, KRYEBASHKIAK, KRRYEINXHINIER, KRYEPARLAMENTAR, KRYEPLAK etj. etj. Pra, nuk kemi nevojë të përkthejmë diçka nga gjuhë të tjera, kur e kemi fjalën tonë, apo jo?

– Në një qendër televizive tonën, – më thotë gjuha shqipe, – një gazetar tha: “Këto janë mbathjet e fëmijëve të një populli indigjen në Kanada”! Ç’domethënë fjala “indigjen”, ore? A nuk kemi fjalë shqipe për fjalën “indigjen”, a?

– Po, është fjalë e huaj, – i them. E gjeta edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, f. 404. Shpjegimi: anas, rrënjës, vendës.

– Pse, ore, të mos thuhet në shqip “vendës” “rrënjës”, që të më marrin vesh të gjithë? – ma ktheu gjuha shqipe. Ose edhe nëse përdoret kjo fjalë e huaj (pasi dikush po ka dëshirë patjetër të përdorë edhe fjalë të tilla), pse të mos ma shpjegojë edhe mua kuptimin tjetër?

– Për këto hyrje në gjuhën tonë, kush i ka fajet? – e pyes.

– Të gjitha institucionet që merren me gjuhën. Ato janë përgjegjëse për mua! Në gjuhën shqipe hyjnë fjalë të huaja pa asnjë kriter. Hyjnë ashtu sikur njeriu hyn dhe del ne stacion të trenit, ose në shitore! Shqiptarët mund të krekosen sa të duan se kemi arritur shumë në gjuhë. Nuk është e vërtetë! Edhe në gjuhë të tjera hyjnë fjalë të huaja, por tek ato gjuhë rri dikush te dera dhe i kontrollon para se të futen. Këta “dikush” , siç thashë, janë institucionet e gjuhësisë, që kujdesen për to. Edhe për mua do të duhej të kujdeseshin këto institucione. Merre me mend, vetëm mua ende nuk ma kanë mbledhur thesarin gjuhësor. Kam mbetur me një fjalës, që përfshin rreth 47.000 ose 48.000 fjalë. Çfarë po bëjnë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Tiranës dhe ai Prishtinës me vite e dekada. Krejt gjuhët e tjera, edhe këto fqinje e kanë kryer këtë punë me kohë. Le ta marrim, për shembull, gjuhën fqinje – maqedonishten, e cila e ka të mbledhur thesarin e vet në diku 8- 9 vëllime fjalorësh, kroatishten, me 10- 11 vëllime, e të mos flasim për gjuhët e mëdha, siç është anglishtja, që i ka më shumë se 16 vëllime fjalorësh!

– Mirë, ta lëmë anash tash për tash çështjen e thesarit, a keni ndonjë shqetësim tjetër për ndikimet e gjuhëve të huaja?

– Po, kam! Më mbytën, ore, edhe përkthimet e huaja të fjalëpërfjalshme, ose siç i quajnë ndryshe KALKET. Edhe në këtë pikë kam plot shembuj, por po i theksoj disa. Në këto vitet e fundit shqiptarët më kanë futur përkthime me modele të huaja (pra KALKE) nga më të ndryshmet, që po më shtyjnë të vjell. Kurrë më parë nuk e kam dëgjuar shprehjen frazeologjike “Mos qofsha në këpucët tuaja!” Për çfarë këpucësh qenka fjala ore?!

– Si të tjerat, edhe ky është përkthim i një trupi anglez me rroba shqiptare! – i them. Kjo është njësoj, sikur një anglez të vishet me rroba tradicionale shqiptare! Si do të duket ai? Nga veshja shqiptar, kurse nga brenda anglez!

– Aha, kjo qenka nga gjuha angleze, apo jo? – ma ktheu gjuha shqipe. Nëse është fjala kështu, atëherë i bie sikur unë të marr një mjet pune te fqinji, duke e pasur timin aty. Ndryshimi është se fjala ime kuptohet dhe përdoret lehtë nga të gjithë, sepse është e tabanit tim! Këtë kuptim unë e them “Mos qofsha në lëkurën tuaj” (në kuptimin “Mos e paça fatin tuaj”)! , e jo: “Mos qofsha në këpucët tuaja”! Po më duket se edhe porosia e kësaj fraze angleze qenka njësoj si fraza shqipe, po anglishtja e paska me “këpucë” kurse unë me “lëkurë”.

– Më thatë se keni probleme edhe me kalke të tjera! Cilat janë ato?

– Dy nga këto kalke, që po tentojnë të ma prishin sistemin gramatikor timin dhe që po më japin dhembje koke janë NË KURTHIN E PITER PAN dhe NË FUND TË DITËS. Pse, ore, këta skenaristë, autorë, gazetarë, që gjuhën shqipe e kanë mjetin kryesor të punës, po bëjnë eksperimente me mua? Ç’është ky model shkrimi dhe shqiptimi që po tenton të m’i rrënojë themelet e mia? Ç’është kjo tollovi përdorimi? Gjithçka bën vaki në televizionet tona! Në udhëzuesin e programit TV shqiptar KLAN shkruan NË KURTHIN E PITER PANIT, udhëheqësja e emisionit thotë: “Mos harroni të ndiqni programin tonë: NË KURTHIN E PITER PAN”! Gjuhëtarët nuk po reagojnë, edhe pse duket qartë se diçka nuk është në rregull. E dëgjojnë për çdo ditë në televizione dhe heshtin. Çudi! Ky farë PITER PAN- i nuk po bëka t’u adaptohet rregullave të mia gramatikore. Po sikur në vend të këtij PITER PAN- it të ishte ndonjë emër shqiptar, p.sh., po e perifrazoj disi, NË KURTHIN E AGIM! A thua ky lloj konstrukti do t’ua vriste veshët gjuhëtarëve se diçka nuk është në rregull? Sigurisht se po! E si do të duhej të ishte? NË KURTHIN E AGIMIT! Dihet se në gjuhën shqipe i kemi rasat dhe duhet t’i respektojmë! Le të themi shqip, pra: NË KURTHIN E PITER PANIT!

Edhe tjetra:

Ne e kemi shprehjen tonë frazeologjike shumë bukurtingëlluese dhe kuptimplote, njëkohësisht, por po habitem, pse po injorohem prej shqiptarëve? Fjalën e kam për shprehjen frazeologjike NË FUND TË FUNDIT, që lirisht mund të zëvendësohet edhe me TEKEFUNDIT, ose FUNDJA. Por, po habitem pse të merret një shprehje frazeologjike angleze NË FUND TË DITËS!

Kurrë në gjuhën shqipe nuk është përdorur shprehja NË FUND TË DITËS! “Në mbarim të ditës”, po. Por kjo ka tjetër kuptim. Pra, dita ka “fillim”, që është mëngjesi dhe “mbarim”, që është “mbrëmja”. Domethënë, dita s’ka fund, por ka mbarim! Duhet kuptuar, prandaj, se “fundi” dhe “mbarimi” në kontekste të ndryshme kanë edhe kuptime të ndryshme. Këto gjera po më shtyjnë të mendoj se shqiptarët nuk janë patriotë sa duhet, sepse nuk po tregojnë respekt për mua. Prandaj, shqiptarë, kini kujdes se filli i patriotizmit tuaj duket, në rend të parë, në respektin që keni ndaj meje!

(Marrë nga libri im PËR GJUHËN, Prishtinë, 2021)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok