14/12/2024

Flet gazetari profesionist Avdulla Kënaçi: Goditja që ju bë festivalit të 11 ishte paralajmërim për të gjithë

0
Avdulla-Kenaci1

– Nuk harroj Virgjil Kulen, Ylli Pepon, Azis Gjergjin, Ilir Grazhdanin, Dhimitër Pecanin, Petro Latin

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Ka vite që jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë.Kjo ndoshta është koha më e artë e tij pasi ka botuar shumë libra me tregime dhe kujtime.Por kujtimet e tij të shumta të sjellin afër vitet e komunizmit si gazetar në Gjirokastër dhe në RTSH.Kur u zhvillua Festivali i 11-të ishte redaktor në gazetën lokale të Gjirokastrës. Goditja që ju bë atij festivali ishte paralajmërim për të gjithë. U habitën si mund të dënohej një këngëtar apo dirigjent, një kompozitor apo një redaktor. Më vonë, në minierën e Memaliajt, kur ishte korrespodent i gazetës më të madhe “Zëri i Popullit”, takoi një nga redaktorët e atij Festivali, poetin Sadik Bejko, ishte “qarkulluar” aty.E takoi përpara gjithë punëtorëve që hanin drekë në mencën e minierës. Më vonë Sadiku e ka falënderuar Ka bashkëpunuar me gazetarë e redaktorë si ish drejtori Virgjil Kule, me krijuesit Ylli Pepo, Azis Gjergji, Ilir Grazhdani, Dhimitër Pecani, Petro Lati, etj. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi mbasi ata të linin dorë të lirë në krijimtari, nuk ndërhynin dhe ishin të mirëkuptueshëm.Nuk i harron netët kur ata e gdhinin në montazh sepse emisioni duhej transmetuar të nesërmen. Ishin pasionantë dhe plot energji, e dashuronin profesionin që kishin zgjedhur.

-Keni kohë që jetoni mes Kanadasë dhe Tiranës, ccfarë ndjesie sjell udhëtimi në këto dy shtete?

Shqipëria është mbretëria e bukurisë, Kanadaja e qetësisë. Tek njëra marr frymëzim te tjetra shkruaj mbresat dhe kujtimet.

-Kur filluat për herë të parë punë në RTSH? Kush ishte drejtor në atë kohë?

Rrëzimi i regjimit komunist dhe triumfi i demokracisë në Shqipëri, solli përmbysje të mëdha edhe në Televizionin shqiptar; kishte ardhur Drejtor i Përgjithshëm poeti Skënder Buçpapa dhe drejtor i Televizionit sapo ishte emëruar një kolegu im, dashamirës, Qemal Sakajeva, ndërsa drejtor i burimeve njerëzore ishte caktuar Maringlen Shehu me të cilin kisha miqësi të hershme. Ishte ky i fundit i cili duke shfrytëzuar dashamirësinë dhe propozimin me shkrim të Drejtorit të TVSH, eliminoi burokracitë duke qarkulluar me shpejtësi shkresën nga njera zyrë në tjetrën. Nuk ishte i lehtë emërimi im aty mbasi unë prej një muaji figuroja “i shkurtuar” nga puna prej Drejtorisë së Kinostudjos “Shqipëria e re”. Mirpo stafit të ri i duhej të bashkëpunonte me njerëz të rinj, plus që në disa media unë isha prononcuar pro ndyshimit dhe futjes së marrëdhënieve të reja në punë, në çdo fushë të sistemin shtetëror. Të gjithë ishim si të dehur nga era e lirisë, nga ditët që solli pranvera demokratike, ndjeheshim të çliruar nga trysnitë politike dhe asfiksia shoqërore. Nuk e harroj kurrë një shprehje të një zonje nga Durrësi, transmetuar ato ditë në televizion; “Ka ardhur koha që të mos kthej kokën për të marrë vesh se kush më dëgjoi çfarë thashë….”. RTSH, i vetmi kanal elektronik, në atë periudhë, ishte për mua një ëndërr. Jam habitur kur Geni, me një frymë ia behu po atë natë në një kafe aty afër RTSH ku e prisnim me nja dy tre kolegë. I gëzuar na tregoi shkresën me emërimin e cila mbante poshtë firmën e gjatë të Skënder Buçpapës. Pasi e pashë me kujdes atë copë letër, për humor u thashë miqve të mi gazetarë: “Kjo nuk është firmë, por vetëtimë…”.Kisha filluar punë në departamentin “Bota shqiptare” që unë e kisha aq për zemër.Ishte 16 nëntori i vitit 1992.

-Cili ishte emsioni apo lajmi i parë që keni realizuar dhe si jeni ndjerë?

Ka dy lloj punësh në Televizionin shqiptar, me rrogë dhe me honorare. Vërtetë fillova punë si rrogëtar në vjeshtën e vitit 1992, por emri im në ekranin TVSH ka qenë prezent qysh nga viti 1975, ahere isha korrespondent gazete në katër rrethet e jugut, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet. Nuk e harroj bashkëpunimin tim të parë, një dokumentar për patriotin e madh të Rilindjes, Koto Hoxhi nga Lunxheria, me skenarin tim dhe realizim të Kopi Kyçykut. Në ato vite pak kishin aparat televizori dhe programet shiheshin grupe-grupe në shtepitë e njeri-tjetrit, madje edhe unë vetë e kam parë atë dokumentar në një familje dëshmori, fqinj, të cilët kishin marrë autorizmim të posaçëm nga Kryetari i Komitetit për t’u pajisur me apart marrës televizori. Prodhoheshin në Durrës dhe mbanin emrin “Iliria”. Ekrani kishte një ndjesi tjetër nga publikimi i emrit në fund të shkrimeve të gazetës, ishte si më afër njerëzve, ishte më popullor se sa gazeta që lexohej vetëm prej një elite intelektualësh. Televizioni ishte magjia e kutisë së vogël që sillte para syve imazhe nga e gjithë Shqipëria dhe pjesërisht nga bota.Ishte kinemaja në shtëpi. Ahere informacioni ishte shumë i kufizuar, ishte privilegj të kishe televizor e jo më të dukeshe përmes tij. Më vonë, kur u transferova në Tiranë, i pranishëm në ekran me figurë kam qënë në emisionet e Ndue Ukcamës “Dokumenti dhe Historia”.Unë realizoja intervistat në terren, ndërsa gazetari i mirënjohur Alfons Gurashi drejtonte emisionin në studio.Ndue Ukcama ka luajtur një rol të rëndësishëm në rikonfirmimin e aftësive të mia televizive. I jam mirënjohës. Kam bashkëpunuar me gazetarë e redaktorë si ish drejtori Virgjil Kule, me krijuesit Ylli Pepo, Azis Gjergji, Ilir Grazhdani, Dhimitër Pecani, Petro Lati, etj. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi mbasi ata të linin dorë të lirë në krijimtari, nuk ndërhynin dhe ishin të mirëkuptueshëm.Nuk i harroj netët kur ata e gdhinin në montazh sepse emisioni duhej transmetuar të nesërmen.Ishin pasionantë dhe plot energji, e dashuronin profesionin që kishin zgjedhur.

-Ju vetë çfarë pozicioni kishit kur u zhvillua Festivali i 11-të dhe çfarë ndodhi në RTSH në atë kohë?

Kur u zhvillua Festivali i 11-të unë isha redaktor në gazetën lokale të Gjirokastrës. Goditja që ju bë atij festivali ishte paralajmërim për të gjithë ne. U habitëm si mund të dënohej një këngëtar apo dirigjent, një kompozitor apo një redaktor. Më vonë, në minierën e Memaliajt, kur unë isha korrespodent i gazetës më të madhe “Zëri i Popullit”, takova një nga redaktorët e atij Festivali, poetin Sadik Bejko, ishte “qarkulluar” aty.E takova përpara gjithë punëtorëve që hanin drekë në mencën e minierës.Më vonë Sadiku më ka falënderuar duke më thënë se atëherë më duhej ajo përshëndetje për t’u thënë atyre të minierës se mua nuk më kishte harruar Tirana. Merrni me mend se sa ka vuajtur një poet kur gjen ngushëllimin pse e përshëndet një gazetar i qendrës. Miniera ishte një varr nën tokë, me pasiguri dhe ajrim të dobët për gjithë ata që punonin aty.Ishin të gjithë heronj dhe të internuarit aty; heronj mbi heronjtë.

-Sa drejtorë keni ndërruar në RTSH dhe çfarë kujtimesh ruani për ata?

Nuk janë shumë drejtorët që janë këmbyer kur unë kam punuar në RTSH, por e nis me drejtorin e parë të drejtpërdrejtë, Qemal Sakajeva. Pavarësisht se e kisha shok të vjetër, jam munduar të jem korrekt në punë; e para sepse i tillë jam formuar dhe e dyta; sepse nuk doja ta vija në vështirësi për marrëdhëniet shoqërore që kishim midis nesh. Kishim krijuar një rit të përditshëm, pinim kafet e mëngjesit së bashku tek një lokal buzë Lanës që quhej “Fontana”, na shërbente një vajzë e re që tani është pedagoge në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Kishim një kod, do të flisnim për gjithëçka, por jo për marrëdhëniet në punë dhe as për Televizionin. Mirpo një mëngjes na u faneps një shef departamenti, ai kërkonte me këmbëngulje të pushonte një nga gazetarët më të vjetër sepse “kish njolla” në biografi. Nuk m’u durua dhe në vend të fliste Qemali, iu vërsula unë i pari shefit. Qemali, i cili për nga natyra nuk i ka qejf konfliktet, pavarësisht se unë u nguta të flas përpara tij, buzëqeshi, i dha një përgjigje të rrumbullakosur propozuesit dhe nuk e pushoi nga puna gazetarin që ishte aty që nga dita e parë që transmetoi në eter TVSH. Me Qemalin jam ndjerë më mirë se me asnjë drejtor tjetër. Ai e liberalizoi ekranin, lejoi të flisnin njerëz të të gjitha kategorive, u hapi rrugë të majtëve e të djathtëve, legalistëve e nacionalistëve, bajraktarëve, kapedanëve, ish të burgosurve dhe të persekutuarve. Ekrani i TVSH-së u bë popullor si kurrë ndonjëhërë më parë. Ndjehej kudo era e lirisë.Mendoj se qysh ahere nuk është përsëritur më kjo marrëdhënie me publikun. Qemali kishte koncepte të drejta për lirinë e medias.

Drejtor të përgjithshëm të RTSH unë kam pëlqyer një tjetër intelektual që edhe sot është shumë aktiv në media. Dhe ky është Artur Zheji. Fillimisht i kam pasur shumë të acaruara marrëdhëniet me të dhe kjo për arësyen sepse ai i mënjanoi gazetarët e vjetër duke ndjekur politikën e lodhjes dhe humbjen e durimit deri sa ata të vetëdorëhiqeshin, mirpo kur folëm së bashku ballë për ballë, vura re se ai kishte një vizion shumë të qartë për një televizion publik që t’i shërbente kombit dhe gjithë shqiptarëve. Dihet, ai zotëron disa gjuhë të huaja, njeh mirë emigracionin mbasi vetë ka jetuar si i tillë në Itali dhe Amerikë, është i pajisur me kulturë dhe edukatë të shëndoshë familjare, i biri i shkencëtarit të gjuhës shqip prof. Petro Zheji dhe aktores së njohur Besa Imami.Ai ka marrë shumë prej të dyve. Nuk e harroj kurrë një shprehje të tij kur ne u revoltuam si sindikatë për rrogat e ulëta, mizerabël, duke menduar se ai ishte bërë barrikadë, thirrëm; “Poshtë drejtori!”. Ai tha: “E kam endërruar të vinte ajo ditë që edhe vetë të thërrisja “Poshtë drejtori”, po thërrisni ju, hallall e paçi! Ishte një taktikë?Jo, ai mund ta shkrinte sindikatën (siç e tretën pasardhësit e tij), mund të pushonte nga puna, por nuk bëri asnjë nga këto. Ishte një dëshmi kjo se ai e kishte thënë me zemër atë çfarë ndjente. E vlerësova Arturin sepse ai më kuptoi drejt kur i thashë se nuk mund të flija në divanet e refugjatëve kur shkoja jashtë shtetit me shërbim, por duhet të pajisesha me dieta të plota dhe së bashku me ekipin realizues, si gjithë njërëzit pas punës, të rehatoheshim në hotel.Ai më kuptoi drejt dhe m’i plotësoi të gjitha çfarë pretendova, prandaj e mbaj mënd si një nga drejtorët më të mirë që ka pasur Radiotelevizioni shqiptar. Kam qenë nga të rrallët që e kam kundërshtuar në mbledhjet e drejtorisë, por ai jo vetëm që nuk është hakmarrë, por më propozoi për drejtor të Programit Satelitor, detyrë të cilën e ushtrova për më shumë se sa një vit.

-Kur e keni ndjerë veten më ngushtë në RTSH dhe çfarë keni menduar?

Gazetaria është një profesion me shumë emocione, ke të bësh me komunikimin publik që nuk mund të ta falë gafën, idiotësinë apo gabimin, qoftë edhe njerëzor.Truri i një gazetari është gjithënjë i tendosur si një tel violine nga ku përjeton emocione nga më të ndryshmet.Ju e filluat me emocionet negative. Eh, çfarë të kujtoj më parë, dalja drejtpërdrejt në ekran është një përgjegjësi e madhe për këdo, qoftë edhe për ata që kanë disa vjet që dalin on line, por akoma, edhe sot kur e kujtoj një rast, ngjethem; ishte fillimi i luftës në Kosovë. Kishim thirrur në studio një panel me njerëz të shquar, historianë dhe juristë. E drejtonte emisionin një intelektual i zoti i cili për çudi në një nga emisionet e radhës nuk u paraqit, as kishte lajmëruar se nuk do të vinte. Për të mos dështuar, m’u desh mua të hyj për ta drejtuar, isha fare i papërgatitur. Kisha një listë me emrat e të ftuarve, por nuk kisha titujt e tyre shkencorë. Gjatë prezantimit, u ndjeva ngushtë, shumë ngushtë, dy prej titujve i ngatërrova. Prof. Arben Puto më vjen në ndihmë, por kur e kujtoj gjaku më vërshon edhe sot në fytyrë, ishte një përzjerje e inatit me drejtuesin e munguar dhe hutimit tim; nuk isha në gjëndje të mposhtja emocionet edhe kur kamerat vazhdonin të regjistronin e transmentonin on live. Eshtë e vështirë të mendosh kthjellët kur të ndjekin miliona njerëz, duhet të kesh respekt në shkallën më të lartë për shikuesin.Emisionet e drejtpërdrejta kanë shumë përgjegjësi, por sot nuk është problem, moderatorët e kalojnë si gabim njerëzor, ndërsa për mua, të mësuar me korrektesën, ishte një turp.Po kështu një herë tjetër, në një emision për Kosovën, një shikues shqiptar nga Zvicra, në një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë akuzon Ibrahim Rugovën si spiun të Beogradit. M’u desh aty për aty t’i them se po akuzon pa fakte një udhëheqës që tërë jetën e tij ia ka kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai këmbënguli në idenë e tij dhe regjia me lezet ia mbylli mikrofonin, por e pata peng që nuk i dhashë një përgjigje sa më të argumentuar…

Të gjitha sikletet e ekranit nuk i ngjajnë asnjë sikleti tjetër.

Nuk ka më idiotësi se sa kur nisesh me shërbim pa pasur mbështetje financiare. Televizioni ynë nga kjo anë ka qenë për tokë.Drejtuesit as nuk kanë dashur t’ia dijnë se çfarë ndodh më tej ekranit.Kam pasur privilegjin që gjithënjë, qysh nga viti 1990 të jem i pajisur me vizë hyrëse e dalëse zvicerane.Sa herë kërkoja, e merrja pa asnjë garanci nga që kisha qënë aty para përmbysjes së komunizmit dhe isha kthyer gjithënjë këtu, në atdhe. Me dhjetra miq më kanë këshilluar të kërkoja strehim politik në Zvicër, por mua gjithënjë më ka pëlqyer vendi im, me të mirat e të këqijat e tij.Në Zvicër kisha krijuar shumë lidhje me shqiptarët e Kosovës dhe shoqatat e tyre, por shpesh më duhet të shkoja aty më parë për të organizuar grafikun e punës dhe siguruar ftesë për kameramanin.Ndiqja vazhdimisht këtë praktikë; nisesha me lekët e mia të xhepit dhe aty merrja lekët e biletës si dhe siguroja biletën për kameramanin.Një nga ato herë, zbrita nga avioni, por ftuesi nuk doli të më priste në aeroport sipas bisedës.Nga aeroporti, i hipa trenit local dhe u gjenda në qytetin e Zurihut.U paraqita në një agjensi shqiptare së cilës i dija adresën, por e gjeta të mbyllur.Ishte mbasdite vonë.Nuk kisha në xhep asnjë lloj valute të huaj. Isha nisur me shpresë se lekët shqiptare që mbaja në xhep do t’i këmbeja në Rinas me franga zvicerane apo ndonjë lloj valute tjetër. Kioska nuk funsiononte atë ditë. Lekët shqiptare më mbetën në xhep, por ato nuk i pranonte asnjë bankë e huaj. Pesë frangëshi që do të flisja në telefon u harxhua për biletën e trenit lokal që më solli nga aeroporti. U solla vërdallë më kot bulevardit. Ku do të flija, çfarë do të haja? Ishin dy orë të tmerrshme që po vija rrotull rrugëve të Zurihut. Dhe errësira kishte rënë kudo.Asnjë i njohur.Iu luta zotit të më ndihmonte, megjithëse unë nuk kam besuar ndonjëherë. Kisha ngrënë dikça në avion dhe mund të duroja gjer të nesërmen, po ku do të flija? Duke menduar këtë, më ra qielli mbi kokë. Po afronte mesnata.Gati po çmendesha. M’u kujtua stacioni i trenit, mund ta kaloja natën aty, në ndonjë stol si shumë refugjatë shqiptarë. Bobo, çfarë turpi, gazetari i televizionit shtetëror të flerë në stacion të trenit?! E kisha humbur fillin krejt.Truri nuk më punonte, isha si i mpirë.E vetmja gjë që më kishte mbetur ishte lutja tek zoti.Dhe ashtu bëra. Nuk di sa kalova ashtu në atë gjëndje kllapie. Dëgjoj një zë pas veshit, dikush më thirri në emër.Ishte një shqiptar i njohur nga Veleshnja e Strugës, po kthehej vonë nga puna.I tregova se ftuesi nuk ishte paraqitur.I dhashë numurin e telefonit.I bëjmë thirrje së bashku dhe telefoni i tij dilte vazhdimisht i mbyllur. Kici, kështu quhej “shpëtimtari”, i mërzitur më tha: -Lëre, mos u merr më me të, do të shkosh në hotel dhe do ta paguaj unë. -Jo, i thashë, kam gjithë këto lekë shqiptare, por nuk munda t’i konvertoj, ty mund të të duhen kur vjen në plazh në Durrës.

-Jo, nuk më duhen, shkojmë në hotel, pastaj flasim. – Gjetëm një dhomë në një nga hotelet buzë liqenit. Mora çelesin, bëra një dush dhe rashë si i vdekur në krevat, ashtu, i pangrënë.Në frigoriferin e vogël të dhomës gjeta ca pije dhe ujë.Piva vetëm ujë, nuk doja ta rëndoja Kicin. U betova që kurrë nuk do të nisesha për udhë pa pasur rezerva lekësh në valutë. Qysh ahere më është bërë zakon që në çdo udhëtim, në këtë xhepin e vogël mbaj 500 dollarë amerikanë, të ngrira, të fjetura, si për këtë rast. Të nesërmen, edhe pse ftuesi nuk erdhi, dolën të tjerë shqiptarë të Kosovës të interesuar për televizionin.(Ne shiheshim në Zvicër nëpërmjet satelitit të cilin e paguante e ashtuquajtura Qeveri e Kosovës në mërgim dhe ekipi ynë TVSH e ka pasur gjithënjë rrugën të lirë për të xhiruar aty, por pengonin vizat.)

Dhe i treti rast i vështirë ka qënë kur jepet urdhër nga Drejtoria e Përgjithëshme që emisioni on line ku unë drejtoja të ndërpritej në mes mbasi unë me “kokën time”, kisha ftuar një intelektual që Kryeministri “nuk e shihte dot me sy”?!

-Kush ka qenë dita më e gëzuar në këtë institucion gjigand të medias vizive?

Në televizion ajo që ngjan sot nuk përsëritet nesër, kjo është karakteristika e gazetarisë në përgjithësi, por sidomos e televizionit ku publikut gjithënjë duhet t’i servirësh ngjarje dhe dokumente të reja, të panjohura.Publiku duhet të informohet, por edhe të argëtohet nëpërmjet asaj që ti si gazetar ke hulumtuar, filmuar, montuar e transmetuar.Domosdo që sadisfaksioni është i madh kur numuri i atyre që të shikojnë e të përgëzojnë është i pafund. Aty nga viti 1994, me ide të gazetarit Ndue Ukcama, departamenti i “Botës shqiptare” bëri bum me spektaklin “Shtatë milion në pesë shtete”. Skenografia hapej me kalanë e Krujës. Ne, dy-tre gazetarë skenaristë Taqua, Iliri dhe unë, përpiqeshim të përfshinim sa më shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia. Ishte një kohë kur shqiptarët po dilnin nga “gropat” dhe po shihnin më mirë njeri-tjetrin, ballafaqoheshin me kulturën, zakonet dhe patriotizmin e përbashkët në pesë shtetet. Ekrani TVSH u bë ndërmjetetësi dhe ndërlidhësi midis tyre. Kam qënë shumë i emocionuar në emisionin e parë. Përpara fillimit takova përgjegjësin e kameramanëve, Lulëzim Balla, i ati i gazetarit të mirënjohur Sokol Balla, i cili kishte hipur mbi karrel dhe më tha i kënaqur: ”Do shkojë gjithëçka mirë, ndriçimi është perfekt, kemi vendosur kamera në çdo kënd, unë vetë kam marrë përsipër planet nga lart dhe ato në lëvizje”. Ishim të gjithë të emocionuar, por ja, tre, dy, një, filloi…Jam përlotur, u emocionova shumë. Gjithë shqiptarët po na shihnin, transmetimi ishte edhe në satelit. Por kur pas disa minutash nga fillimi pashë në holl regjisoren Vera Grabocka, e cila pasi kishte parë hyrjen, nuk iu durua, por u gjend menjëherë në studio, e ndjeva se kishim goditur në shenjë. Vera nuk fal kur është fjala për spektakël. Çfarë e detyroi të vijë në atë orë të vonët në studio?! Ne vazhduam edhe me shumë puntata të tjera, njera më e bukur se tjetra. Alternimi i skenaristëve ishte i suksesshëm, secili përpiqej që spektaklin e tij ta realizonte më mirë se sa parardhësi, ishte si një lloj konkursi.

Eh, çelja e shkollës së parë shqipe në Selanik të Greqisë ishte një tjetër event i paharruar. Më 7 mars të vitit 2001, për herë të parë, 24 nxënës do të fillonin të mësonin shqip. Kishim dy ditë që po xhironim përgatitjet e hapjes së shkollës dhe ja ku kishim mbrritur në orën e parë të mësimit. Një mësuese emigrante nga Burreli, në mos gaboj quhej Valbona, një vajzë e re, bionde me sy të bukur po niste të jepte mësim.Kamera jonë TVSH ishte ndezur.Mësuesja filloi të fliste, por i dridhej pak zëri, e ndjeva se po kalonim një moment të rrallë. “Nebi, i thashë kameramanit, mos e ndal xhirimin, sido që të ndodhë!”.Lotët rrëshqitën mbi faqet e mësueses.Ashtu e kemi transmetuar në ekran, të përlotur.Ajo u emocionua sepse pas 4-5 vjetësh punëtore në emigracion, po ushtronte profesionin e saj në gjuhën shqip me fëmijët e emigrantëve shqiptarë në një vënd ku racizmi është i theksuar.Dokumentarin e titullova “Rrënjët e indentitetit”. Hapja e kësaj shkolle ishte një nismë e kryetares së shoqatës shqiptare , të palodhurës Mimoza Dako e cila na ndoqi hap pas hapi duke na krijuar mundësi të mëdha për realizimin e dokumentarit që për mua si autor është nga më të bukurit. Në atë vepër ne, si ekip, nuk jemi vetëm autorë të realizimit, por edhe organizatorë të hapjes së shkollës shqip. Dallëndyshja e parë e mësimit të gjuhës sonë në tërë Greqinë erdhi në Selanik atje ku dikur rilindasit tanë të mëdhenj shtypnin librat shqip me vjershat e Naimit e të Çajupit, atje ku patrioti Hasan Prishtina derdhi gjakun e tij të kulluar nga plumbi i një tradhëtari të kombit.

Kujtoj një rast tjetër edhe më emocionues se ky që shtjellova pak më sipër: Në Drenicë të Kosovës kishte ndodhur një ngjarje e llahtarshme, ushtria serbe në Prekaz, për 36 orë kishte rrethuar çetën e Adem Jasharit, kishte qëlluar me mitraloz, me top, minahedhëse, por asnjë nuk u dorëzua, u vranë 53 vetë, duke djegur të gjallë familjen prej 28 vetësh të Adem Jasharit. Brenda shtëpisë ishin edhe gra e fëmijë.Burrat dhe gratë kishin luftuar heroikisht. Ishte 7 mars i vitit 1998. Ne duhet t’i përgjigjeshim si televizion kombëtar, duhet ta ndërkombëtarizonim këtë masakër të pashëmbullt. Na duhej një reagim i fortë, na duhej një këngë, na duhej një tekst. Së bashku me regjisorin Piro Vesho kërkuam këngëtarin Arif Vladi duke menduar se ai i realizonte me pathos këngët heroike. E pyetëm se kush mund të na kompozonte një këngë për Kosovën duke përfshirë heroizmin e Adem Jasharit dhe maskrën në Prekaz? Edmond Zhulali me poezi të Gjok Becit, propozoi ai.Na u desh t’i takonim të dy. Mondi e kapi në ajër propozimin. Do ta keni shumë shpejt në dorë, premtoi ai. Gjoke Beci e solli një tekst, por mua m’u duk disi i zbehtë. – Gjoke, duhet të flitet për bashkim kombëtar dhe teksti duhet të ketë më shumë zjarr. – i propozova unë. Piroja e aprovoi me kokë. – Unë mendova se ju nuk e donit aq “luftënxitës”, tha ai duke tundur kokën me sytë që i shkëlyen së brendëshmi, nesër takohemi përsëri këtu. – Piro, duhet të bëjmë edhe diçka tjetër, i thashë, duhet të futim në studio një vajzë vlonjate me flamur dhe një djalë kosovar, ndoshta gjejmë ndonjë student nga Drenica. Ndërkohë që flet studenti, vajza vlonjate hyn me flamur të çpalosur në studio dhe djali kosovar të bjerë në gjunjë e të puthë palët e flamurit si Isa Boletini.Ndërkohë vajza vlonjate t’i thotë studentit se këtë flamur duhet ta dorëzojë tek kulla e Jasharëve në Drenicë, të valvitet aty.Adem Jashari ka lindur në festën e flamurit.Gjoka e solli tekstin të përmirësuar e redaktuar, Mondi po bënte prova me Arifin, por nuk kishim shumë kohë, duhej përgjigjur flakë për flakë.Një mbasdite nisëm emisionin.Gjithëçka po procedohej sipas skenarit, por në studio u krijuan emocione me flamurin dhe koha po fluturonte.Ora po shkonte 20 e mbrëmjes kur spektakli duhej të kishte përfunduar.Ne duhet ta mbyllnim me këngën e Arif Vladit, kështu kishim vendosur me Piron.Vazhduam, e morëm rrezikun në sy. Bie telefoni i drejtorit të përgjithshëm Eduard Mazi i cili më thotë i indinjuar:

– Po shtyn lajmet, do të pushoj nga puna. – E ndjeva se dikush nga lart, i etur për të dëgjuar lajmet duhet ta kishte kërcënuar edhe atë vetë! Edi Mazi vinte nga radhët e gazetarëve dhe kurrë nuk përdorte gjuhë të tillë, të ashpër.

-Arif Vladi u nis të këndojë fiks në orën 20, kur audienca është maksimale dhe kënga vazhdoi katër minuta. I harruam të gjithë, jetonim me Kosovën, me Adem Jasharin, me Azem Galicën, me Shaban Polluzhën dhe gjakun akoma të patharë në Prekaz. Gjëmonin vargjet e refrenit:

Jam Kosova e Shqipërisë,

Njëqind vjet i thërras lirisë,

Po kurrkush liri s’po më jep, Tym e flakë po shkon kjo jetë….

Përfundonte “Qoftë mallkue kush s’na don bashkë!” Zë, tekst, melodi, të gjitha thërrsinin për kushtrim.Kënga ishte e jashtëzakonshme.Sa mbaroi, Edi Mazi më merr përsëri në telefon dhe më thotë: – -Ia hodhe, kënga ishte vërtetë shumë e bukur, përgëzoje gjithë ekipin realizues nga ana ime! -U preka pa masë. Atë natë kam qënë si i mpirë. U kthyem vonë në shtëpi së bashku me regjisorin Piro Vesho.Kishim hedhur nga një gotë.Të nesërmen në mesditë po ndiqja një lajm nga aktiviteti i shqiptarëve në Gjermani.U habita, kënga ishte kopjuar dhe me melodinë e saj u çel mitingu….Gjëja e bukur shpejt merr dhenë.Kjo është fuqia dhe magjia e televizionit.Pas nëntë ditësh Jugosllavinë e sulmoi ushtria e NATO-s.

-A i keni takuar ndonjëherë apo i keni shoqëruar, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ramiz Alinë?  Mund të thoni detaje?

-Eshtë e habitëshme sepse që të tre këta emra unë i kam takuar, madje Enver Hoxha, gjatë vizitës së tij në shtëpinë e lindjes në Palorto të Gjirokastrës, më ka zgjatur edhe një llokume që e zonja e shtëpisë i nxorri atij. Mehmet Shehun e kam shoqëruar në një vizitë në shtëpinë e Frashallinjve në Përmet. Tregonin lloj-lloj historish se si me atë udhëheqës mund të bëheshe kurban në pak sekonda. Nuk ishte e lehtë të ballafaqoheshe me të.Më duhet t’i jepja reportazhin për ta lexuar, kështu më njoftuan nga redaksia, para botimit, reportazh që të nesërmen u shtyp në të gjitha gazetat.I shkova në shtëpinë e pritjes në Përmet ku ai pushonte.Kryeministri ishte në oborr më këmbë.Rojet as më pyetën, as më ndaluan.Ishim njohur e miqësuar me ta nga gjithë ajo rrugë e gjatë.Kryeministri i mori fletët e daktilografuara të reportazhit dhe po i lexonte me kujdes.Aty afër rreshtave të fundit, i ngriti sytë i zemëruar.Gjeti një gabim orthografik. Nga shpejtësia, daktilografistja kishte shkruar në vend të fjalës lapidar- labidar. Edhe mua më kishte shpëtuar pa e korregjuar. Kryeministrit i hipën nervat, u zemërua, u xhindos dhe tha: “Çfarë shkollë është kjo që nuk u mëson as se si shkruhet fjala lapidar? Pse ma dhe mua ta shoh reportazhin, me këto punë në Byronë Politike kemi caktuar Ramiz Alinë, është ai sekretar i propagandës e jo unë”. Më pas kam vrarë mendjen, vërtetë u zëmërua për atë lapsus?! Si ishte e mundur që një Kryeministër të merrej me një fjalë që pas meje kushedi dhe në sa filtra të tjerë do të shkonte ai tekst?! Kryeredaktori Agim Popa atë mbasdite më kërkoi dy herë në telefon dhe më tha: – Më thuaj në ligjëratë të drejtë çfarë të tha Kryeministri? Dhe unë i them se u zëmërua për një shkronjë të shkruar gabim nga daktilografistja e Komitetit, gjë që as unë nuk e kapa, ishte shkrim shumë i shpejtë, pas gjithë asaj rruge më duhej të shkruaja….

– Lere drejtshkrimin, vazhdo më tej!

– Pse ma dhe mua ta shoh, me këto punë Byroja Politike ka caktuar Ramiz Alinë, është ai sekretar i propagandës e jo unë!- kështu tha ai.

Emri i Ramiz Alisë u përmend me zemërim dhe me më shumë ngarkesë se sa lapsusi labidar. Kishte diçka tjetër, gjetkë flinte lepuri.Kryeministrit i duhej të kapej nga diku për të thirrur në vëmendje të tij Ramiz Alinë.Dhe ashtu ndodhi. Herën e dytë kur unë dhashë përgjigjen, veshin në receptorin e telefonit matanë, e kishte vënë Ramiz Alia dhe jo kryeredaktori. Siç më thanë shkokët redaktorë, kur u ktheva në qendër, Ramiz Alia kishte ardhur me ngut, i shqetësuar pa masë dhe ishte marrë vetë me shkrimin dhe urdhërin për ta botuar të gjitha gazetat.Kishte filluar përçarja. Gazetarët janë të parët që nuhasin…Por konstatimet tona ne nuk duhet t’ia thonim askujt, sidomos në atë kohë…

Ramiz Alinë e kam takuar disa herë, por për punë më është dashur të bisedoj me të veçmas për një kritikë që duhet t’i bëhej rrethit të Sarandës.Habia ime ishte tjetër gjë.Mua më porositi t’i mëshoja kritikës në artikull, ndërsa në sy të përfaqësuesve lokalë konfirmoi tjetër gjë, lëvdata.Ai nuk i ka pasur kurrë qejf përplasjet e drejtpërdrejta.Ishte dinak dhe shumë i zgjuar.Ahere këtë e thonin shumë kuadro të larta nën zë, por unë e dëgjova dhe e pashë me sytë e mi.

-Si e keni ndjekur modernizimin e RTSH, cilat kanë qenë kamerat e para dhe më modernet?

-Kam realizuar dokumentarë dhe emisione me film, me shirit elektomagnetik, bosch, me dixhital, pra me të gjitha llojet e teknologjisë. TVSH ka transmetuar me ngjyra, me film kodak kur pak të tillë e kishin privilegjin në Ballkan, mirpo me daljen e televizioneve privatë, TVSH nuk mundi të bëjë ndryshime e transformime si ata. Nuk iu përgjigj dot kohës. E para kishte një teknologji në përdorim, ishte investim së cilës i duhej marrë produkti dhe e dyta, kërkesa për blerje dhe ndryshim aparaturash është një betejë shkresash me qeverinë.Personalisht jam gëzuar që nëndrejtor i përgjithshëm është emëruar Agron Aranitasi i cili e njeh me themel televizionin, transmetuesat, kamerat, montazhin, marrëdhëniet me të tretët, etj. Top Channal u dha një goditje të rëndë gjithë mediave elektronike në Shqipëri, ata përqafuan dhe vunë në zbatim teknologjinë më të fundit dixhitale duke transmetuar me shumë cilësi në mbarë rruzullin. Televizioni shtetëror akoma vazhdon të përpëlitet me teknologji të vjetër dhe nga njeri kalim në tjetrin, nga njera kopje në tjetrën cilësia e filmimeve humbet duke ia ulur vlerën. Shteti duhet të pararendë dhe ta lëshojë qesen për teknologjinë e re, ajo nuk mund të fshihet.Ballafaqohet çdo ditë me teknologjinë më të avancuar botërore, por edhe me shikuesin emigrant i cili jeton e punon në vendet më të zhvilluara të botës. RTSH ka mbetur si dinosaurët që nuk iu përshtatën dot ndryshimeve klimatike dhe u zhdukën. Drejt asaj po shkon.

-Si do ta komentonit punën tuaj në RTSH?

Puna në televizion ka një të mirë të madhe, ruhet në arkiv. Kur unë shoh se edhe pasi kam ikur prej andej të tansmetohet dokumentari për Sten Dragotin, Grudën, aristin me famë botërore Rexhep Mitrovica, pianisten nga Tetova, Monumentin e Skenderbeut në Michigan, portreti i piktorit të shquar Bashkim Ahmeti në Neë Jersey, reportazhi për emigrantët shqiptarë në Zakintho, shkolla e parë shqipe në Selanik, etj. Mendoj se kam lënë gjurmë në atë institucion dhe veprat do të mbeten shumë e shumë kohë edhe pas vdekjes sime.

-Në punësimin në RTSH duhej miku apo niveli intelektual?

Dikur duhej biografia “pa njolla” dhe talenti, ndërsa në demokraci u ngatërrua talenti me mikun, ose më mirë u thirr në skenë militantizmi I pështirë. Pas çdo ndërrimi të drejtimit politik, ndërronin edhe gazetarët e talentuar, por gjithënjë ka mbetur e paluajtshme një pjesë gazetarësh tampon do të thoshja që janë dakord me të gjitha palët dhe tre deri në gjashtë muaj para zgjedhjeve nuhasin se si do të munden të mbijetojnë po qe se do bëhet ndryshim politik. Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari e dëmton jashtëzakonisht profesionalizmin. Konkretisht, unë shkarkohem nga detyra sepse vëndit tim ia kishte vënë syrin miku më i ngushtë i Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Kjo klimë “luftë klasash” post demokratike dëmton gazetarinë e vërtetë, godit profesionalizmin dhe vret shpirtin e tyre liridashës. Është si të gjëndesh brenda një tenxhereje me presion.

-Po sot pse ka mbetur kaq mbrapa ky metalurgjik i medias vizive shqiptare?

Ka dy arësye që ka mbetur mbrapa; e para paratë që paguan populli, taksa që jepet me detyrim në faturën elektike, nuk shkon në RTSH dhe e dyta, edhe ajo që shkon, nuk shpërndahet drejt, por bëhet pre e tenderave, hatëreve dhe vjedhjeve. Mjafton të shihni se sa shpërblime dhe dieta ka marrë drejtori i Përgjithshëm Petrit Beci dhe do të mësoni se si funksionon e gjitha kjo piramidë. Petrit Beci erdhi nga “Klani” për t’i shpëtuar detyrimet financiare që kishte kjo medie ndaj transmetuesve në Dajt (qeraja e antenave). Beci e solli gjëndjen të atillë që juristët e tij të mos paraqiteshin në gjyq dhe gjyqi të vendoste në favor të “Klanit”. RTSH humbi kështu me dashje miliona.Pas gjithë kësaj afere fshihet korrupsion i pastër. Të mos harrojmë, janë miliona…Nga ana tjetër RTSH është kthyer në megafon të qeverisë. Të mos largohemi më tej, jeni duke parë RAI, a konstatoni ju se me cilin krah politik është ky kanal? Ai është vetëm me publikun italian, por ky yni nuk i afrohet as tek bishti edhe pse kaq pranë si hapësirë ajërore… Mjafton të shkoni një mëngjes aty dhe do të vreni se si shpërndahen gazetarët në terren, gjysmët shkojnë pas aktiviteteve të qeverisë, gjysmët e tjerë pas PD-së dhe ministrave që ka emëruar PD. Televizioni publik duhet të merrej me problemet publike, me kulturën kombëtare, ushqimin e popullit, energjinë, ujin, rrugët, turizmin, gjakmarrjen, folklorin, bukuritë e Atdheut, investigimin, etj. Ndodh e kundërta, është kthyer në avokat mbrojtës të qeverisë dhe servil i pështirë i Kryeministrit.Ai ka humbur identitetin dhe reputacionin e tij të dikurshëm.Zvarritet si një krimb që rrugës lëshon gjurmë jargësh. Gazetarët janë kthyer në ca robotë që bëjnë çfarë i urdhërojnë shefat e jo çfarë janë në gjëndje të investigojnë vetë. Dhe si u arrit deri këtu?! Maxhoranca brenda një nate ndryshoi ligjet, përbërjen e Këshillit Drejtues dhe ish stafin drejtues. Brenda një nate, edhe atë pak pavarësi që kishte, ia reduktoi në zero. Mirpo si mund të sillesh kështu me gjysmën e popullit opozitar i cili paguan taksat për këtë institucion?! Përse dhe ku shkojnë gjithë ato të ardhura?

-Cili ëshët mendimi juaj për mediat vizive shqiptare sot?

Nuk ka media të lira, ato janë ose me pozitën, ose me opozitën. Përpiquni të shkruani apo të realizoni diçka që nuk i hyn në punë as pozitës, as opozitës, por publikut dhe do të shikoni që jo vetëm nuk do përfilleni, por edhe mund të mos gjeni vend për botim në asnjë nga këto media. Kjo është e trishtueshme në një vend që pretendon se ka përqafuar rregullat demokratike. Gazetarët duhet të mbrohen nga ligji dhe të kenë shoqatat dhe sindikata e tyre të fuqishme.Ata nuk duhet të pranojnë të punojnë me rroga qesharake.Si mund që gazetari t’u dalë në mbrojtje të tjerëve kur ai nëpërkëmbet nga një pronar që nuk ka as gjysmën e intelektit të tij?! Eshtë një tallje e paskurpullt që një gazetar të punojë gjashtë muaj pa marrë rrogën dhe kjo jo vetëm në një rast. Kurrsesi ai nuk mund të jetë i lirë e i pavarur me një trajtim injorues. Gazetari duhet t’i sherbeje të vërtetës, publikut të gjerë dhe jo interesave meskine të një pronari mediokër të një partie të caktuar, ciladoqoftë ajo, e madhe apo e vogël.

-Si u ndjetë kur dolët në pesnion dhe a u vlerësuat?

Unë nuk dola në pension si gjithë të tjerët, megjithëse kisha qënë gazetar profesionist për rreth dyzet vjet, sepse kur më duhej edhe një vit e gjysëm për t’u shkëputur nga puna normalisht, përsëri “më zuri shkurtimi”.Jam ndjerë i fyer, jashtëzakonisht shumë i fyer, madje nuk po më transmetonin as emisionet që sapo kisha mbyllur.Me trishtim konstatova se ishte kthyer “lufta e klasave”.Më lindën dyshime të mëdha dhe m’u lëkund besueshmëria në rregullat demokratike që kisha aspiruar tërë jetën.Para shkëputjes nga puna m’u desh të zbardhja një gjobë për shpenzime telefonike të cilën e kisha të dokumentuar e të mbuluar me fatura.Pretendohej se gjoja nuk gjendeshin kopjet e pagesave. Isha me fat që unë vetë i kisha ruajtur ato kopje. Për pushimin e padrejtë iu drejtova gjykatës, gjyq të cilin e fitova duke vjelë me përmbarim rrogën e vitit të fundit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur në krye të RTSH, si kurrë ndonjëherë u vendos nga Kuvendi një llogaritar që kurrë në jetën e tij nuk kishte bërë asnjë emision radiofonik edhe pse po shkonte tek të gjashtëdhjetat.I paaftë si profesionist, por shumë i aftë si servil e langaraq duke hyrë nga njera zyrë e PD-së në tjerën me pelerinën e militantit në kurriz.Petrit Beci, që mbrapa lëshon kudo një duhmë alkoli (pijanec i njohur), po kështu si shembëlltyra e tij i kërkoi edhe mvartësit duke e kthyer RTSH në insitucion qokash.RTSH ka prona gjithandej të cilat gjatë këtyre vjetëve janë kafshuar nga kumbarët e Becit e disa kanë ndërruar destinacion. Në rast se aty do të ngulej Kontrolli Shtetëror, do të gjente abuzime të pafund dhe shpërdorim fondesh. Po sot ai kutërbon e bie erë provincë, është kthyer në një gërdallë që pret nga dita në ditë të bjerë.Fuqia e një televizioni matet me spektaklet, me emisionet investiguese, filmat dokumentarë, konkurset, festivalet, etj. Televizionet private duhet të jenë opozitë e tij e jo ai të bëjë emisione të përbashkëta me “Klanin” siç ka bërë me këngën popullore, etj. RTSH nuk i ka të gjitha këto, më shumë është i përqëndruar tek lajmet që ose bëjnë zhurmuesin, ose avokatinë e qeverisë. Ai vazhdon të ekzistojë vetëm për inerci dhe jo për vlera. Të mos harrojmë, kytelevizion ka nxjerrë gazetarë, regjisorë, kameramanë dhe montazhierë që sot janë krenaria e televizioneve private.

-A keni ndonjë peng për punën që keni bërë aty?

Po, kam një peng, nuk realizova dot një dokumentar për piramidat shqiptare, për atë dramë që tronditi mijëra familje të varfëra dhe çoi në trazirat e vitit ‘97-‘98. Ajo është një ngjarje historike që duhet trajtuar hap pas hapi, ajo është histori e popullit shqiptar e cila do të ketë shumë jehonë në të ardhmen dhe do të kujtohet herë pas here. E meriton një dokumentar me disa seri. E kush më mirë se sa televizioni publik mund ta bëjë këtë? Dhe e dyta, nuk realizova dot një portret për Selam Musa Salarinë, legjendën e Luftës së Vlorës.Lufta e vitit 1920 ishte kyçi, nyja që Shqipëria nuk u coptua nga grekët, italianët dhe serbët.

-Cili është mendimi juaj për profesionin e gazetarit?

Mendoj se është një profesion nga më të bukurit, me rreziqe, me të papritura, sadisfaksione, emocione dhe privacione…të jesh gazetar do të thotë të jesh i guximshëm, kureshtar, investigues, krijues, me njohuri të gjera, studjues dhe i talentuar. Sikur ta filloja edhe njëherë jetën nga fillimi dhe të më pyesnin se çfarë profesioni do të zgjedhësh: gazetar do të përgjigjesha. Gazetaria është jeta në lëvizje, është si ai oksigjeni që ushqen gjakun nëpërmjet mushkërive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok