06/12/2024

Po  me  Ty  çka  paten  tek Shpella  e  Dragobisë, O  BAJRAM  CURRI?

0
u6_Bajram-Curri

Nga Fritz RADOVANI

29 MARS 1925…

OOOOO KUSHTRIM BRE BURRA, SOT NA U VRA EDHE TRIMI TEK SHPELLA N’ DRAGOBI, BAJRAM CURRI !!

Shpella e Dragobisë asht nxi rretherrotull, e pasha një rreze dielli nuk rrah nder shkambijt’ e saj. Gjithkah vransinë!

Edhe e bukra hanë sande nuk shifet në Shqipni… Asht mblue me vel t’ zi ç’ prej asaj ditë të 2 Marsit 1925, kur në Bari t’ Italisë u rrëzue tradhtisht përdhe Trimi i Shkodres sonë, i madhi Luigj Gurakuqi. E mbas Tij, sot, gurt’ e Dragobisë u rropaten posht’ e në lum per Ty, o Bajram Curri!..

Shqipnisë së Gjergj Kastriotit i mungojnë pergjithmonë edhe Dy Burra, Dy Vllazen Trima dhe Dy Heronjë: Bjram Curri dhe Luigj Gurakuqi!

Ata ishin Dy Krena t’ Shqipes s’ Atij Flamurit të Pamvarsisë Kombtare!

Shqiptarët i kanë Ata në gjokset e veta per në kohë paqet e luftet…

E, edhe Ai Flamur i ngritun me 28 Nandor 1912 në Vlonë, ka ra n’ gjysëm shtize! Nuk e dij as sot se deri kur?!

Ndoshta… Edhe pergjithmonë! Shqiptarët as sot nuk e shohin një rreze dritet mbi qiellin e Asaj të ngratës Shqipni!

Atdheu gufon vetem Gjak! Gjak të paster e të kulluem Atdhetarësh trima!

Beogradi e Tirana janë tash sa vite në festë… Biellogardistët, komshijtë tonë, vazhdojnë tash sa vite të shkrepin gotat nga gzimi. Janë n’ festë!

Pashiqi veshtron nga Tirana dhe “lot gzimi i rigojnë”, kah ndigjon një za:

“Tash nuk drue ma kënd!..” Asht zani i mikut tij… Asht zani i nipit Esad Pash Toptanit… Vorrin e të cilit, e kanë atje afer n’ oborr të pallatit tyne.

E sternipat e vet edhe sot vazhdojnë me vue lule nder ato gropa plehu.

BAJRAM CURRI (1862 – 29 MARS 1925):

SHQIPNIA NË ZI.

E këte Shqipni, nuk e kam gjetë kund ma sakt se tek Don Lazer Shantoja.

“Nji plakë dhe nji gocë kjajnë përditë në Shkoder… Nji Nanë dhe nji bijë!

Nana kjanë djalin ma të madh dhe bija baben ma të mirë të Shqipnisë së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipnisë së sotme.

Edhe kjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson perditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe per të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli asht në kulmin e deshprimit.

I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, në kjoftë se ngushllim mund të quhet, asht enè vaji: Lodja qi kje perherë shujta e idhët e Popullit Shqiptar.

Nder shpellat e largëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky popull i mjerë pat nji Babë: Ia mbyten!

Nder korridoret e errta të diplomacisë së jashtme ky popull i vorfën pat nji Pris: Ia vranë!

Me humbjen e Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit mbyllet nji Epopè e madhnueshme e këputet pergjysë nji hymn i naltë! Epopènë e mbylli Plaku; hymnin do t’a vijojmë na!

Na kjajmë si per njenin ashtu edhe per tjetrin.

Ferku asht vetem ky: Lodja qi derdhim mbi emnin e Luigj Gurakuqit asht edhe lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmes: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal.

Vdiq me armë në dorë, ndermjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipnisë së lirë.

Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!

Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës europjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli ma i bukur.

Perkundrazi si vdes Luigj Gurakuqi?

Vritet në dhe t’huej, vritet tinzisht mbas dere të nji hoteli, vritet prej nji krimineli vagabond…

Bajram Curri nderohet edhe prej t’ huejvet, deri prej anmiqvet të tij të perjetshem…

Luigj Gurakuqi shnderohet jo vetë, por mbytet për së dyti shi prej asaj qeveri për të cilen, i shuemi, kje gjithmonë i akuzuem se ushqente ndjesina ma se miqësore.

Gjyqi i Tranit – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut.

Ky njeri nuk asht ma!

Trupi i tij rrxohet i pergjakun tek dera e Hotel Cavour, dhe kur ndihet krisma katastrofale e armës së trathtisë e kur merret vesht se tre plumat e revolverit të tiranvet kishin shpue zemren e Luigj Gurakuqit, ndersa atje në shpellat e Krasniqes jehon nji gjamë. Plaku i Kosovës njynë pecen në voj me fshi për të mramen herë armët sa herë ngadhnjyese, del prej shpellet, ban sulmin e mramë e vdes!

Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgedhime satanik u qet me pi satelitvet  të gëzueshem tue u thanë: “Tash nuk drue ma kend!”

Po; n’ Dragobi ?

Plakun do t’ gjejmë tue kjamun per Shqipëni…

Me t’ gjallë ma fjalë nuk kemi: Asht kot me pritë:

Pleqt u faruen e s’ kan pse plaken t’ ritë!

Sot mbasi t’ gjallët nuk janë tue luejt per t’ gjallë

Lè t’ shkojmë na t’ vdekunit Shqipenin me ngjallë!..

Këndojnë Zanat…

Vigajt vdiqen, mbaruen trimat,

Vdiqen t’ gjith burrat e dheut;

Sot n’ Shqipëni sundojnë kulimat

Mbi fron Shejt të Skanderbeut.

E patundun tiranija

Po mbretnon e kush s’ po lot;

Shqiptar ma nuk ka Shqipënija

Nuk ka Shqipja flamur sot.

Shkelë asht ndera e Shqipenis

N’ t’ tana viset si mos kurr:

Kjajë mbi bjeshkët e Dragobis

Kjajë, po, kjajë, o Bajram Curr!

Shenim nga F.Radovani: Poezia asht marrë nga “Kuvendi i Deshmorvet”, tek libri “Vepra” e Don Lazer Shantojës. Shkoder 2005.

***

Shqiptarë! A e dini se Shqipnia ka vetem një Zot?

E se, të gjithë jemi Vllazen!

Keni harrue themelin e të Parëve, themelin per të cilin:

“Vonë ka me u kuptue se, të dy ishin Bijt’ e Një Nane, Nanës sonë të nderueme Shqipni, që as sot nuk po dijnë me i prâ lotët !!”

Po persëris:

Vigajt vdiqen, mbaruen trimat,

Vdiqen t’ gjith Burrat e dheut;

Sot n’ Shqipëni sundojnë kulimat

Mbi fron Shejt të Skanderbeut.

Melbourne, 28 Mars 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok