I’a behu ëmbëlak ky shi, dhe… e lagu, e lau, e ndërkalli dhe e bekoi këtë çast
Nga Albert Vataj
Dhe erdhi më hapa shiu kjo vjeshtë, me pikëllimin e strehëve e fytyrat melankolike që fshihen pas xhamave ku qielli qan.
Erdhi për të pikturuar tablonë e ëndjeve të shpirtit tim dhe harbuar ëndrrat dhe zemrat e atyre që duhen dhe s’druhen.
Erdhi për të dëgjuar mes fjalëve të pathëna dhe heshtjes, zërin e pëshpërimave që vajtojnë nën shelgje, për të parë dhe për t’u mrekulluar nga hiri që hyjshëm pahet në tablonë e këtij përjetimi.
Erdhi ky shi kaq papritur, dhe i zuri ata të përcëlluar nga etja dhe epshi, dhe i mbuloi me rrëbesh si me një mantel drite.
I’a behu ëmbëlak ky shi, dhe… e lagu, e lau, e ndërkalli dhe e bekoi këtë çast.
Nën këtë qiell që zbrazet, ata puthen, dhe s’reshtin, duke i treguar këtij pikëllimi të natyrës, çastin e gëzimit të këtij përjetimi.
Ata nuk duan t’ia dinë për sytë që i shohin dhe shiun që i lag, sepse ata duhen çmendurisht dhe çmenduria… çmenduri, seç ka diçka të ngjashme me shiun.
Ai, shiu, vetëm sa u ndez më keq etjen që puthjet dot nuk e shuajnë.
Ai ua mbush me qiell çdo pore dhe çdo thirrje mishi i’a kthen qiellit përmes thirrjes së reve që pikojnë dhe e shndërrojnë këtë çast në një statujë shiu, në një kryeveprën që ende nuk e ka gdhenduar asnjë skulptor, në një poezi që vetëm ato buzë mund ta këndojnë.
Keni provuar të putheni në shi?
Nëse jo, mos e bëni, do të lageni, do të ftoheni, ndoshta edhe do të pendoheni.
Sepase duhet ta kishit bërë atëherë, që nuk do të donit t’ia dinit për shiun që bie dhe sytë që ju shohin.
