STUDIUESIT E HUAJ DHE SHQIPTARË TË LETËRSISË GOJORE SHQIPTARE
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Lëvizja e romantizmit në Evropën Perëndimore ndërlidhej me interesimin për letërsinë gojore e për traditat folklorike. Në shek. XIX për letërsinë popullore shqiptare apo për folklorin shqiptar treguan interesim, jo vetëm studiuesit shqiptarë por edhe të huajt.
Konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, i konsideruar baba i studimeve shqiptare, i cili udhëtoi nëpër Shqipëri dhe në Ballkan – Johan Georg fon Han (1811-1869), botoi në gjermanisht veprën në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), Jenë 1854 . Hartoi një gramatikë në dialektin toskë dhe vuri në të një shtojcë 46 faqesh me këngë popullore, fjalë të urta dhe përralla. Më vonë botoi librin Përralla greke dhe shqiptare, Lajpcig 1864.
Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880) botoi përmbledhjen me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare “Net pellazgjike”, Athinë 1855.
Folkloristi Xhuzepe Pitre (1841-1916) botoi përmbledhjen në katër vëllime “Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane”, Palermo 1875.
Konsulli francez në Janinë e Selanik Ogyst Dozon (1822-1891) botoi librin me përralla dhe këngë popullore shqiptare “Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze”, Paris 1879. Pasoi libri “Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera”, Paris 1881.
Gjuhëtari çek, profesor i gjuhëve romane (frëngjishtes e italishtes) Jan Urban Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, një poezi, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga rrethi i Shkodrës në librin “Mbi gjuhësinë shqiptare”, Lajpcig 1881 si dhe përmbledhjen me rrëfenja dhe anekdota nga Shkodra “Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes”, Pragë 1883.
Albanologu austriak Gustav Majer (1850-1900), profesor i Universitetit të Gracit botoi librin me 14 rrëfenja shqiptare “Rrëfenja shqiptare”, Lajpcig 1884. Një pjesë e materialit të tij folklorik u ribotua në vëllimet V e VI të veprën e tij “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), Vjenë 1896-1897. Pasoi libri “Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor”, Lajpcig 1888. Libri përmban një numër rrëfenjash toske.
Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), profesor i Universitetit të Kopenhagës, vizitoi Shqipërinë më 1893 për të mbledhur material gjuhësor. Në Korfuz regjistroi 35 përralla popullore shqiptare dhe i botoi në librin “Tekste shqiptare me fjalor”, Lajpcig 1895.
* * *
Me letërsinë gojore apo me folklorin shqiptar u morën shumë studiues dhe krijues letrarë arbëreshë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, me grumbullimin e thesarit folklorik shqiptar u morën edhe studiuesit shqiptarë këndej Jonit dhe Adriatikut, të cilët me botimet e tyre ushqyen lëvizjen e zgjimit kombëtar me ndjenjën e traditës e të identitetit.
Një prej të parëve është Zef Jubani (1818-1880). Supozohet se ka lindur në Shkodër. Libri i tij “Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare”, Trieste 1871 përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte, madje është e para vepër folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. Nga viti 1848 Jubani shërbeu për disa vite si ‘dragoman’ (përkthyes) i konsullit frëng në Shkodër – Lui Jasint Hekard-it (1814-1866), i cili përgatiste një libër për Shqipërinë e veriut. Atë e tërhiqte mjaft folklori dhe gjatë udhëtimeve nëpër malësinë shqiptare të veriut mori me vete të rinjtë Zef Jubanin dhe Halil Koplikun. Një numër këngësh popullore që mblodhi aty dolën në një përkthim frëngjisht në veprën pioniere të Hekardit “Histori e përshkrim i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë”, Paris 1858. Gjatë qëndrimit në Itali, Jubani u prit nga Jeronim De Rada (1814-1903) me të cilin mbante letërkëmbim. Ashtu si poetë të tjerë shqiptarë, edhe Jubani, një poezi ia ka kushtuar Dora d’Istrias (1828-1888) – pseudonim i Elena Gjikës, autore e studimit “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d’après les chants populaires) të botuar në vitin 1866 në frëngjisht në revistën prestigjioze letrare të Parisit “Revue des deux mondes”.
Ky studim luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Këtë studim të Dora d’Istrias, filologu dhe folkloristi arbëresh nga Sicilia Dhimitër Kamarda (1821-1882) e përktheu në gjuhën shqipe dhe në vitin 1867 e botoi në Livorno. Një libër apo një antologji me poezi shqiptare, me titull “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno 1870 (Dora d’Istrias shqiptarët), Dhimitër Kamarda ia kushtoi Dora d’Istrias. Autori kishte përfshirë në të poezi të prelatit dhe poetit Preng Doçi (Vilajeti i Shkodrës, 1846 – 1917), të Zef Jubanit (1818-1880)*, të Thimi Mitkos (Korçë, 1820 – Beni Suef, Egjipt, 1890), të Jeronim De Radës (1814-1903), të poetit Françesk Anton Santori (1819-1894)*, të poetit Zef Serembe (1844-1901)* etj.
Shënim: Zef Jubani i lindur si Zef Ndokillia (Shkodër, 1818 – Shkodër, 1880) ishte një nga ideologët, ekonomistët, folkloristët dhe shkrimtarët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Është një ndër pararendësit e lëvizjes kombëtare dhe mbledhësi i parë i sistemuar i folklorit shqiptar.
Shënim: Françesk Anton Santori (16 shtator 1819 – 7 shtator 1894) – shkrimtar, poet dhe dramaturg arbëreshë i shekullit XIX. Lindi në Shën Katerinë të Kozencës (Kalabri). Është autor i dramës së parë të shkruar në shqip “Emira” të krijuar rreth bitit 1864. U botua për herë të parë në vitin 1883 nga Jeronim de Rada. Vlerësohet si nismëtar i disa zhanreve të reja në letërsinë shqipe, duke ndërthurur traditën vendase me frymën e Rilindjes Kombëtare dhe me kulturën evropiane.
Shënim: Zef Serenbe (1844-1901) ishte një nga poetët më të shquar lirikë të letërsisë arbëreshe dhe romantizmit shqiptar. Lindi më 6 mars 1844 në fshatin Strigari (San Cosmo Albanese) të Kozencës në Itali. Vdiq në San-Paulo, Brazil, më 31 dhjetor 1901.
* * *
Folkloristi Thimi Mitko (1820-1890, Beni Suef, Egjipt) nga Korça botoi përmbledhjen e dytë me letërsi gojore shqiptare. Mitkoja ishte përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Botoi librin “Bleta shqiptare”, Aleksandri 1878. Përmbledhja përmban 505 këngë popullore dhe 39 përralla e fjalë të urta nga Shqipëria e jugut. Libri u shkrua me alfabet grek. Është e para përmbledhje me interes të vërtetë shkencor. Veprën e Mitkos e ribotoi në Vjenë më 1924 me alfabetin e shqipes – Gjergj Pekmezi (1872-1938). Mitko i dha Djimitër Kamardës këngë popullore, gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. Bleta shqiptare e Mitkos përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore e për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me atë vëmendje që meritonte.
Punët në lëmin e folklorit i vazhdoi edhe Spiro Dine (1846?-1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. Ishte anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip në Egjipt më 1881, të njohur si Shoqëria e Stambollit, të themeluar në Stamboll nga rilindësit më 1879. Dine pati letërkëmbim me De Radën, me Dhimitër Kamardën, me dijetarin nga ishulli Idhra (Greqi) – Panajot Kupitorin (1821-1881), me Jan Urban Jarnikun*, me Dora d’Istrian, me Kostandin Kristoforidhin (1830-1895), me Visar Dodanin (rreth 1857-1939) dhe Gustav Majerin (1850-1900)*. Vepra e tij “Valët e detit”, Sofje 1908 është një përmbledhje monumentale me 856 faqe me folklor e letërsi shqiptare. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines si dhe të shkrimtarëve të tjerë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi (1824-1895)*, Thimi Kreji (1842-1931)*, Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Anastas Kullurioti (1822–1887)* nga Athina, Loni Logori (1871-1929)* dhe Jani Vreto (Postenan afër Leskovikut, 1822 – Athinë, 1900)*. Sikurse poetët e tjerë, edhe atdhetari dhe folkloristi i shquar Spiro Risto Dine (Vithkuq, Shqipëri, 1844/46? – Kajro, 1922) i kushtoi poezi Dora d’Istrias (1828-1888).
Shënim: Jan Urban Jarnik (25 maj 1848, Potštejn – 12 janar 1923, Pragë) – gjuhëtar, profesor çek i gjuhëve romane dhe albanolog i shquar. Vlerësohet si themeluesi i studimeve të shqipes dhe të rumanishtes në Universitetin e Karlit në Pragë.
Shënim:Gustav Majer (Gustav Meyer; 25 nëntor 1850 – 28 gusht 1900) – gjuhëtar, indoevropianist dhe albanolog i shquar gjerman. Luajti rol historik në studimin e gjuhës shqipe
Shënim: Koto Hoxhi (Kostandin Hoxhi, Qestorat, 1824 – Stamboll, 1895) – veprimtar i Rilindjes Kombëtare, një nga pionierët e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe arsimtar i dalluar, i nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.
Shënim: Thimi Thoma Kreji (Krushevë, tani Maqedoni e Veriut, 1842 – Kajro, 1931) – figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, veprimtar i çështjes kombëtare dhe arsimore në diasporë. Mendohet se stërgjyshërit e tij ishin shpërngulur nga rrethina e Gjirokastrës drejt Krushevës.
Shënim: Anastas Kullurioti (1822–1887) – shkrimtar, publicist dhe aktivist i shquar arvanitas i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare duke punuar për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Lindi në ishullin e Salaminës (Kulluri) në Greqi, në një familje me prejardhje arvanitase. Gjatë jetës së tij jetoi dhe veproi në komunitetet shqiptare në Greqi dhe Egjipt.
Shënim: Loni Logori (1871-1929) – sipërmarrës, poet dhe veprimtar shqiptar në Egjipt i periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Shënim: Jani Vreto (Postenan afër Leskovikut, 1822 – Athinë, 1900) – shkrimtar, botues dhe mendimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Një nga figurat iluministe të shekullit XIX i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare.
* * *
I pari folklorist që mblodhi letërsinë gojore në mënyrë më sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën Gjeçov (1874-1928) i lindur në Janjevë afër Prishtinës. Bëri kodifikimin monumental dhe botoi të drejtën zakonore shqiptare, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shkodër 1933, i cili së pari u botua pjesë-pjesë në revistën “Albania të Faik Konicës (1875-1942) më 1898 dhe 1899, ndërsa në vitet 1913-1924 në revistën “Hylli i Dritës” në Shkodër.
Në vitin 1941 kanuni u përkthye në italisht në Romë nga frati françeskan, publicisti, kronisti, mësuesi, bibliotekisti dhe përkthyesi Pal Dodaj (Janjevë, 1880 – Shkodër, 1951) si dhe në anglisht nga Leonard Foks (Nju-Jork 1989)*.
Shënim: Leonard Fox ka lindur në vitin 1944. Është studiues, albanolog dhe përkthyes. Letërsinë dhe të drejtën zakonore shqiptare ia solli botës anglishtfolëse. Ka përfunduar doktoratën (Ph.D.) në Studime Shqiptare (Albanologji) në Universitetin “Ludwig Maximilian” të Munihut në Gjermani. Bëri përkthimin e parë të plotë në gjuhën angleze të ligjit tradicional shqiptar, të titulluar “Kanuni i Lekë Dukagjinit: The Code of Lekë Dukagjini”, të botuar në Nju-Jork në vitin 1989 nga shtëpia botuese Gjonlekaj Publishing Company. Ky botim dygjuhësh përfshin parathënien e shkrimtarit dhe akademikut Martin Camaj (Temal, Shqipëri, 1925 – Lenggries, Gjermani, 1992).
