24/07/2024

PAVDEKËSIA E SHKRIMTARIT

0

Nga Prend BUZHALA

E dëgjuam lajmin e sotëm për Kadarenë se nuk është më ndër të gjallët dhe nuk duam ta besojmë.

1.

Lexuesi thjesht e shtron pyetjen: a vdes shkrimtari i madh?

A vdes…. kur e kemi gjithë atë thesar të paçmueshëm veprash letrare si trashëgimi e përjetshme? Mu siç ja në veprat e të mëdhenjve që nga Homeri, Eskili, Shekspiri, Dante… për disa nga të cilët shkroi vetë Kadare.

Homeri dhe veprat e tij epike, “Iliada” dhe “Odisea,” janë trashëgimi e përjetshme e letërsisë perëndimore dhe  botërore. Këto vepra janë studiuar për mijëra vjet dhe kanë ndikuar edhe në shumë fusha të kulturës dhe mendimit perëndimor, nga letërsia e filozofia e deri te artet.

William Shakespeare është një model tjetër i kësaj pavdekshmërie. Tragjeditë dhe komeditë e tij vazhdojnë të lexohen, të luhen në teatër e filma, të interpretohen, të analizohen dhe të citohen në mbarë botën; se fjala e tj e shkruar ende mban peshë dhe kuptim.

Dante Alighieri dhe “Komedia Hyjnore” e tij trajtojnë tema të tilla si shpirti, morali dhe drejtësia, të cilat mbeten të rëndësishme për njerëzimin, pavarësisht ndryshimeve kulturore dhe kohore.

Kadare tashmë ka hyrë në këtë lagje botërore të emrave të mëdhenj, me Artin e Madh e me trajtimet e temave të  mëdha e të rëndësishme, me ndërthurjen e përvojave njerëzore: përvojave historike dhe përvojave të botës së sotme.

Është trashëgimia e ndikimi  tyre kulturor, intelektual e letrar ndër shekuj. Dhe mbesin përgjithmonshëm të rëndësishme. E, ndër ne, të tillë ja në Nam Frashëri, Fishta, Kadare që kanë vepruar e ndihmuar në formësimin e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe europerëndimore. Pa përmendur edhe të tjerë të mëdhenj që nga Barleti e Buzuku… Ndikimi i tyre në kulturën dhe letrat shqipe dhe më gjerë, është dëshmi e fuqisë së pavdekshme të fjalës së shkruar: kanë arritur të krijojnë vepra letrare që prekin shpirtin njerëzor dhe ndihmojnë në formësimin e kulturës dhe mendimit, nuk vdesin kurrë.

2.

Dhe përsëri nuk duam ta besojmë lajmin se ai më nuk është mes nesh!

Përjetësia e një shkrimtari të madh mban shenjën e fuqisë së veprave të tyre për t’i tejshkuar kohët dhe hapësirat. Bota e pranoi: Kadare me romanet e tij të shumta dhe libra të tjerë, që trajtojnë tema universale dhe kombëtare, ka fituar një vend të rëndësishëm në letërsinë botërore.

Mjafton të përmendet emri Kadare dhe të thuhen shumë gjëra…

Kadare –  me veprat e të cilit u rritën e u formuan gjeneratat tona jo vetëm letrare.

Kadare – sa shumë e deshi Kosovën, sa shumë e  mbrojti Kosovën, sa shumë punoi për Kosovën atëherë kur duhej… dhe sa shumë e do dhe e çmon Kosova…

Kadare – ky mbrojtës (dhe formësues) i identitetit tonë, posaqërisht i identitetit tonë evropian.

A t’i besojmë lajmit?

E, po, përjetësia e një shkrimtari të madh nuk matet me ekzistencën e tij fizike, por me fuqinë e fjalës së tij  tejkohore e tejhapësinore.

Shkrimtari Van Wyck Brooks thotë: “Shkrimtari është i rëndësishëm vetëm për shkak të territorit që ai kolonizon.” Do tëthtë: ky kolonizim letrar ndodh përmes mendjeve të lexuesve. Kadareja ndryshon hartën letrare botërore, kur aty e vendos edhe letërsinë shqipe. Veprat e tij vazhdojnë të studiohen dhe të trajtohen në kontekste të ndryshme kulturore dhe historike, shqiptare e ndërkombëtare.

Këta demiurgë të mëdhenj të Fjalës së Shkruar, e kanë ditur se Fjalët kanë një rëndësi tejkohore e fuqi të jashtëzakonshme tejhapësinore. Fjalët e tilla dhe veprat e tilla qëndrojnë përjetësisht. E tillë ishte, është dhe do të jetë edhe Fjala e Shkruar e Kadaresë: me peshë, me kuptim dhe e veshur me Artin e Madh.

Së këndejmi, s’kemi pse t’i besojmë lajmit të sotëm: se Kadare më nuk është ndër të gjallët.

Këtu e kemi Shpirtin e Fjalës së Tij të Shqiptuar e të Shkruar, e rëndësishme për të gjitha kohët e vendet. Fjala e tij e shkruar na ka frymëzuar e forcuar para shumë dekadash, nën acarin e dhunës pushtuese, na ka frymëzuar e forcuar edhe në këto kohë në mbrojtje të Identitetit Kombëtar, në përhapjen e emrit të mirë të kulturës e letrave shqipe nëpër botë… Bota na njeh në saje të emrit të tij!

Shkrimtarët luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin dhe përhapjen e Fjalës së Shkruar nëpër hapësirat kulturore botërore. Ata kontribuojnë në formësimin e normave, vlerave dhe besimeve të shoqërive përmes veprave të tyre. Në letërsinë shqiptare, Ismail Kadare i ka pushtuar shtresat e lexuesve nëpër këto hapësira botërore me idetë dhe temat që i trajton në veprat e tij e që e paraqesin shoqërinë, historinë, kulturën dhe politikën shqiptare. Romanet e tij, të përkthyera në shumë gjuhë, kanë prezantuar botën shqiptare me një pamje unike dhe komplekse, duke ndikuar në perceptimin planetar për shqiptarët. Romanet e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë ofron një perspektivë të papërsëritshme dhe emocionale mbi Luftën e Dytë Botërore dhe ndikimin e saj në Shqipëri. Te roman  dytë, përmes syve të një fëmije, lexuesit përjetojnë dramën dhe absurditetin e luftës, duke krijuar një lidhje të thellë emocionale me ngjarjet dhe personazhet.

3.

Një shkrimtar, si Kadare, është i madh edhe me veprimet e artikulimet e ideve të tij për ta ndryshuar realitetin. Lee Gutkind, një redaktor i njohur dhe një figurë e rëndësishme në fushën e letërsisë diskursive, e artikulon kështu misionin e shkrimtarëve në shoqëri: “Si shkrimtarë ne synojmë të bëjmë një ndryshim, të ndryshojmë jetën e njerëzve për të mirën më të madhe… kjo është arsyeja pse ne shkruajmë, për të pasur ndikim në shoqëri, për t’i vënë një vulë personale historisë… Arti dhe letërsia janë trashëgimia që u lëmë brezave pasardhës. Ne do të harrojmë, por librat dhe esetë tona, tregimet dhe poezitë tona mund të na mbijetojnë.” Ndikimi i artit në shoqëri dhe në formësimin e mendimeve dhe ndjenjave të njerëzve, është tejet i rëndësishëm. Le ta kujtojmë Kadarenë e vitit 1990, i cili me aktin e tij të largimit, ndikoi në përmbysjen dhe  përshpejtimin e largimit të sistemit totalitar dhe hapjen e proceseve demokratike. Së andejmi, nga bota e jashtme, ai kishte prirjen për t’i zgjuar mendimet dhe ndjenjat e qytetarëve në atdhe, për t’i ndryshuar perceptimet dhe për të nxitur veprimet. Në këtë mënyrë, arti dhe letërsia bëhen pjesë e pazëvendësueshme e përvojës njerëzore, duke siguruar që edhe pasi shkrimtarët të mos jenë më në mesin tonë, veprat e tyre do të vazhdojnë të jetojnë dhe të ndikojnë për brezat e ardhshëm.

Një nga funksionet kryesore të shkrimit është prirja  për të reflektuar mbi përvojat tona pasi ato kanë ndodhur. Kur shkruajmë për të kaluarën, ne kemi mundësinë të shqyrtojmë dhe të kuptojmë më mirë përvojat tona, duke mësuar nga to dhe duke i vlerësuar ato në një mënyrë të re. Marcel Proust, në veprën e tij epike “Në kërkim të kohës së humbur”, përdor kujtesën dhe reflektimin retrospektiv për të eksploruar dhe kuptuar thellësisht përvojat e tij të jetës. Përmes këtij procesi, ai shijon dhe rishijon jetën e tij, duke e ndriçuar atë me kuptim dhe emocion. Në letërsinë shqiptare, Ismail Kadare shpesh reflekton mbi historinë dhe përvojat e kombit shqiptar në veprat e tij. Përmes shkrimit të tij retrospektiv, ai jo vetëm që dokumenton ngjarjet historike, por edhe i shqyrton ato në një kontekst më të gjerë, duke ofruar perspektiva të reja dhe kuptime të thella.

4.

(Nga libri im “Triumfi në anën e shkrimtarit”,

Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2016)

Interesimet e Kadaresë për Kosovën kanë qenë të vazhdueshme: që nga krijimet në prozë e në poezi, te esetë, trajtesat, intervistat dhe vëllime të tëra (libri për Ukshin Hotin, botimet e autorëve shqiptarë në poaris etj).

Kur u shpall pavarësia e Kosovës, presidenti frtancez, po u thoshte fëmijëve francezë në një shkollë: “Nesër ju do të nisni të mësoheni me një ndryshim në hartën e Europës. Një shtet i ri po lind: Kosova.”

Kurse Kadare, i entuziazmuar, e pa një rrjedhë të ndryshuar të historisë edhe për të ardhmen:

“Shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë kombin shqiptar. Ndryshimi do të jetë trupërisht dhe psikikisht. Bota shqiptare, me një cen të rëndë në themelet do të punojë, më në fund, normalisht. Si një qenie që merr frymë jo me një, por me dy mushkëritë.

Një popull në liri ka tjetër ndërgjegje e tjetër fytyrë, se sa në robëri. Bota shqiptare ka qenë e tillë, jo e natyrshme: gjysëm e lirë, gjysëm jo.”

5.

(Nga libri im “Triumfi në anën e shkrimtarit”,

Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2016)

Kadare përdori një metaforë: atë të ADN-së, për ruajtjen e qenësisë së identitetit tonë kombëtar: “Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”…

Shkrimtarët, edhe kur shkruajnë publicistikë, përdorin metaforat analitike, publicistike, metaforat diskurzive… fusin dhe tonin emocional, nganjëherë atë satirik, ironik, ngazëllyes etj etj. ndryshe nga publicistët e proveniencës së fushave politike apo atyre shoqërore, ani se edhe këta të dytët nuk reshtin së përdoruari metaforat…

I përjetshëm qoftë kujtimi për të e për veprën e tij!

1 korrik 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok