12/12/2024

Partia ime është…

0
Llesh-Ndoj

NGA LLESH NDOI

Jemi në Rubik të mirditës, qytetin e dikurshëm të shkrirjes bakrit dhe prodhimit të floririt. Ȅshte 25 tetor 2023, që për mua dhe për shumë të tjerë si unë, ishte një ditë e veçantë. Edhe pse një ditë plot shi dhe e errët nga natyra, për mua ishte plot dritë. Një dritë që tenton të ndriçoje të nesërmen e brezave dhe jo vetëm të sotmen. Asnjë dallim partiak, krahinor, profesional e fetar nuk vihej re mes pjesmarrësve jo të pakët në një takim në këtë qytet thuaj se të heshtur, pranë ambienteve të Infokullës “Mirdita”, një institucion i rrallë në llojin e vet, që promovon vlerat ambientale, kulturore, historike dhe turistike të krahinës, takim që vijoi në Katundin e Vjetër, njërit nga fshatrat e përfshirë në projektin e “Njëqind fshatrave turistike” të vendit, me një drekë të pasur, që na ushqeu më së shumti nga ana shpirtërore. Ishin prezentë njerëz, që ndoshta as në dasma nuk mund të ishin kaq shumë bashkë.

Takimi u mbajt në kuadër të projektit “NGO – s for biodiversity conservation”, një projekt i shoqatave mjedisore Eco Albania, Res Publika dhe AOS, të mirënjohura në mbrojtjen e Vjosës, Zall Gjoçajt etj. Nderuan takimin edhe kryetarë shoqatash ambientaliste dhe përfaqësues të shoqatave të mbrojtjes së ambientit dhe ekosistemit në shkallë kombëtare. Po çfarë ishte ajo “forcë magjike” që na bashkoi të gjithëve, që kur u ndamë uruam: Sa më shumë takime të tilla! Pa asnjë notë superlative, ishte meraku për të mbrojtur mjedisin, ambientin, bimësinë, lumenjtë e Mirditës sonë, Shqipërisë sonë, vendlindjes së secilit nga ne, që shërbeu si një “forcë” që na bashkoi të gjithëve e askush nuk vuri re diferencat arsimore, kulturore, politike a fetare mes nesh, për më tepër asnjë diferencë që lidhet me ofiqe pushteti. Të gjithë në një mendje (perifrazoj fjalët e pedagogut Pjetër Nikolli, dr. i shkencave!): Toka s’na përket ne! Ajo vjen si trashëgim nga brezat e kaluar dhe u duhet trashëguar brezave të ardhshëm. Shoqatat mjedisore në Shqipëri janë zgjuar e fatmirësisht po bëhen një zë i fuqishëm në mbrojtjen e mjedisit nga makutëria e orekseve të shfrenuara për fitime të shpejta e “të pastra” në kuptimin e rendimentit apo normës së fitimit, por të pista gjer në kupë të qiellit, pasi pasuria e brezave kalon në duar të pak njerzve që i shfrytëzojnë ato në dobi të tyre.

Nuk është se ka veshtiresi për t’a kuptuar këtë. Sido që të jetë ndjekur procedura ligjore, sado që biznesi i përfituar prej tyre mund të kontribojë në ekonominë kombëtare, kushdo ndjen dhimbje kur sheh dy lumenjtë me të njejtin emër, Fan i Madh e Fan i Vogël, që jeta u dha liri mes atyre maleve të bashkëjetojnë me njerëzit, sot i sheh “të dhunuar” dhe të “denuar” të burgosen nëpër tuba që kalojnë malet, ndërsa krejt ekosistemi i zonës ku ata kanë kaluar tradicionalisht “në të drejtën e tyre”, e ku njerëzit patën ndërtuar jetesën e tyre ndër shekuj, sot kanë ndërruar pamje. Ato kanë mbetur pa njerëz, e pa ujë. Si dy fanat e sipërpërmendur, ka shumë prrenj më të vegjël, apo më të mëdhenj, në Mirditë, Veri e gjithë Shqipërinë që po pësojnë të njëjtin fat. Këto manovra fitimprurëse me pronën e të gjithëve, e të askujt vazhdojnë të praktikohen aktualisht edhe në Thirrë, Kaçinar, e kudo nëpër Mirditë dhe mbarë Shqipërinë.

U ngrit zëri për shfrytëzimin barbar të burimeve minerare, sidomos në dy krahët e Munellës nga firma turke, demtimi e keqperdorimi i rezervave kombetare, demtimi i ekosistemit nga punimet e sidomos nga ujerat e fabrikes në Fushë – Arrës (dama), për më tepër pa asnjë investim dobiprures për komunitetet lokale. Në këtë aspect, gazetari Aleksandër Ndoja gjatë fjalës së tij, i bëri me dije takimit disa fakte i teresante në këtë aspekt. Për këtë arësye ju kërkua shoqatave të të mbrojtjes së mjedisit të ngrenë zërin, e të bëhen promotore të ripyllëzimit të Munellës e Zepës, e jo vetëm të evidentimit të mëtejshëm të florës e faunës në rrezik, ku u ripërmend rrqebulli i Ballkanit, por edhe gjeli i egër, apo ndërthurja e zonave të mbrojtura me sitet kulturore e arkeologjike të shumta, siç i theksoi gazetari e kulturologu Gjergj Marku etj.

Banorët e fshatrave Thirrë, Sang e Hebe në Njësinë Administrative Fanë, të Bashkisë Mirditë dhanë një shkëndijë, e cila duhet t’na ndriçoje mendjen të gjithëve, jo vetëm për vendosmërinë me të cilin i mbrojtën burimet e tyre ujore dhe ekosistemin në tërësi, por edhe për rrugën e zgjuar që zgjodhën për zgjidhjen e këtij problemi. Shumë prej nesh i kujtojmë protestat tek tuneli i Kalimashit me ditë të tëra, protesta të cilat sollën edhe vëmendjen e ndihmën e shoqatave ambientaliste e ndihmën e tyre të specializuar, që e kërkoi triumfin mbi të keqen sa me protestë, po aq edhe me rrugë ligjore, duke arritur jo pak. Pikërisht kjo ishte edhe pikënisja e takimit të sotëm në Rubik, ku shoqatat mjedisore të mirënjohura si: AOS, Eco Albania, Res Publika etj, bashkuan në një pushtetarët vendorë, personalitete publike, banorët, studjuesit e dashamirët e mbrojtjes së mjedisit, për të njejtin shqetësim, e jo vetëm për Mirditën.

Në thelb, vlerësohet zgjerimi i të ashtuquajturave zona të mbrojtura por, si kanë thënë gjithmonë, në detaje fle djalli: Zgjerohen në total sipërfaqet, një ilaç i bukur për të mpirë mendjet tona, por lihen jashtë hartës pjesë të rëndësishme, e për interesa okulte ekonomike, bëhen vendime e zhurmë për të shpallur në letër zona të mbrojtura, por asnjë masë për to. E këtu ka vend për zgjimin e pushtetit vendorë. Pa vullnetin e tij asgjë s’mund të ndodhë, por edhe të banorëve. U tha bukur në takimin e sotëm: Protestoni! Shteti i sotshëm do të rezistojë, por nuk të eleminon! Disa nisma të Bashkisë Mirditë e drejtuesve të saj aktualë, ardhur në takim edhe përmes fjalës së mjekut Aleksandër Picaku, Kryetar i Këshillit Bashkiak, apo drejtuesve të njësive vendore si ajo e Kaçinarit, janë premtuese, e sollën frymë pozitiviste në takim. Në vijim, fjala e profesorit domgjonas Pjetër Nikolli, të moshuarit Preng Marku, bisnesmenit Preç Ndoja, pronar i restorantit “Hylli i Dritës”, përfaqësuesëve të Shoqatës së Gjuetarëve, si dhe drejtuesëve të shoqatave të ndryshme, të cilët shpalosën vizionet e tyre, ishin të mirëpritura nga pjesmarrësit.

Ndonse ishte një takim lokal, mori përmasa kombëtare, me përgjegjësinë e të përgjithshmes. Jo vetëm në një rast e nga një person i vetëm, u vu theksi tek nevoja e ekulibrave të qëndrueshēm mes interesave personale të një grupi, e atyre të përgjithshme shoqërore. “Ne duhet të përkrahim investimet që sjellin zhvillim ekonomik e punësim në rajon, ashtu siç do të na duhet t’a shohim veten e vendin si pjesë e ekonomisë kombëtare”, – u tha në takim.

Gjithë organizimin e moderimin e takimit e mori përsipër një djalë që të frymëzon me përgatitjen, oratorinë, shkathtësinë dhe vendosmërinë e qëndrimet e tij. Ȅshtë Besnik Paci, djaloshi nga Domgjoni, pasardhës i at Gjergj Fishtës, një pasionant i “pandreqshëm” i punëve me interes komunitar. E gjitha sa tha Ai në këtë takim duhej konkretizuar. E ku më bukur se në luginën e Katundit të Vjetër, ku turizmi ka marrë zhvillim të pa parë në vitet e fundit, por pa ndërhyrë në prishjen e natyrës e të ekosistemit të zones në tërësi. Ndërtime nē harmoni me natyrën, ushqime bio vendase, ambiente të thjeshta e të hijeshme për të kaluar kohë e për t’u relaksuar mirë. Tek “Oazi”, tavolinat plot u shoqëruan me oshëtimen e prroit ngjitur, me gjelbërimin e begatë vjeshtorë, si dhe kangën e mrekullueshme mirditore, të qendisur bukur në gojën e grupit të burrave të Mirditës, ardhur enkas për të mbështetur nismën mjaft të rendësishme për të mbrojtur natyrën dhe ambientin e vendlindjes. Pa planifikim, por pjestarë të ansamblit “Mirdita”, si këngëtari i njohur Kolë Zefi, legjendari Fran Preçi, k`engëtari i shquar Kastriot Kola, kompozitori Mark Gjonaj, Kol Beci, Paulin Filopati, Ndrecë Buraku, vëllezërit Shqalshi, apo artisti Agim Picaku, krijuan një atmosphere të ndezur festive duke treguar se këta artiste të njohur, mund të mbajnë me muzikë pa asnjë vegël shtesë, veç zërit tē tyre edhe një dasëm. U kënduan këngë të vjetra e të reja, ndonjë edhe për herë të parë, si një përfundim i bukur i një takimi modest, me dëshira e objektiva të mëdha, për të mbrojtur natyrën tone, truallin tone, atdheun tone.

Në këtë takim të bukur dhe rezultativ nuk pati asnjë ngjyrim partiak, krahinorë, ideologjik e fetar. U thanë për pushtetet, qendrore e lokale, fjalë të mira për çka konsiderohet punë e mirë e fjalë kritike për çfarë konsiderohet punë e pa menduar mirë, se sot ishim të pa parti ose të bashkuar rreth një partie, asaj që vendlindjen e ka të shejtë, atë qe na e lanë brezat, duhet t’ua transmetojmë përseri brezave të ardhshëm.

LLESH NDOI

Rubik – Lezhë 25 tetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok