04/10/2024

NGA NDUE DEDAJ

– Ngrihu! – i thashë.

– Pse të ngrihem? Ne ende nuk kemi pirë kafet!

– Shkojmë atje!

– Ku, atje?

– Nëntokë, pra!

– Nëntokë?

– Po, ty veç atje poshtë, në zgafellë, në terr, të flisnin njerëzit! Ajo ishte gjuha jote! Kurse mbitoka ishte e pagojë për ty… Ia kishte mbyllur gojën Luciferri!…

*

Na u deshën dy orë të mira me makinë nëpër kthesa malore rretheqark malit. Miniera nuk ishte më. Vetëm një galeri, si një gojë e mbyllur. Shtymë me mundim një trinë që ishte vënë si portë, që të mos hynin bagëtitë. Roja, që u shfaq sakaq, na tha që të mos futeshim, pasi kishin vërshuar ujërat dhe do të mbyteshim.

– Kemi një peng atje!…

– Një peng? Çfarë pengu? Nuk po ju kuptoj!

– Ka tridhjetë vjet? Që kur ky zotëria punonte në këtë galeri?

– Po thua se ka harruar atëherë diçka të tijën, orën e dorës, apo?… Eh, po çfarë do të ketë qenë, tani do të jetë ndryshkuar!

– Jo, është nga ato gjera që nuk ndryshket kurrë!

– Aha! Unë kam urdhër që të mos hyjë askush, se ka rrezik për jetën…

– Nga kush keni urdhër?

– Nga Administratori… në Tiranë?

– Po thoni, Ministri?…

– Nuk njoh ndonjë ministër unë. Për mua ministër është Bosi… Ai do ta hapë prapë këtë galeri, me një kompani të huaj…

– E kuptova! Por ne nuk kemi punë me mineralin. Atë do ta gjejë Bosi me të tijtë, ne thjeshtë do të hyjmë për një intervistë.

– Intervistë, nëntokë? Po a nuk mund të flisni këtu sipër?

– Jo! Nuk është kaq e thjeshtë…

– Ose ju jeni çmendur, ose unë paskam shkalluar?…

– As njëra, as tjetra…

Roja i minierës, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte, heshti një copë herë, duke vështruar grykën e galerisë, si gojën e një përbindëshi që kishte qitur flakë për një gjysmë shekulli e tash ishte si një kufomë e pakallur, që ai Bosi jo vetëm nuk donte ta varroste, por, përkundrazi, do ta rikthente në jetë…

– Atëherë, pritni, sa të marr shefin tim!

– Po thua, Bosin?

– E si u folka me Bosin ashtu? Kush jam unë që mund të flas me të! Janë dhe nja nëntë të tjerë para se me shkue te ai!…

– Ore, a po e lë shefin dhe pi një kafe nga ne!

– Unë kafe nën dorë? Pse korrupsion do të bëj unë?

– Ç’korrupsion zeza, o mik!…

– Jam njeri ndershëm unë! I kam rritë pesë kalamaj me djersën e ballit.

– Ok, flisni me atë shefin tuaj, mjaft që të hyjmë te fronti 77…

Ai doli në një cuprrele e foli bukur si gjatë, duke parë herë nga njëri e hërë nga tjetri nesh.

Nuk vonoi e aty u shfaq shefi i kësaj minierës së vdekur, me një kandil karbiti në dorë. Deri atëbotë kisha folur vetëm unë, jep e merr me rojën. Shefi, me t’u afruar, vuri dorën si strehë mbi ballë, a thua po i bënin sytë, dhe sakaq iu drejtua njeriut me të cilin unë kisha shkuar atje:

– A je, si je, Anton Gjini?

– A je Lek Paci! – ia ktheu ky.

Dy burrat mbetën gjatë në krahët e njëri-tjetrit. Roja nuk po kuptonte asgjë. Lek Paci kishte qenë përgjegjësi i minierës.

– Kur roja më përshkroi portretet e ju të dyve në telefon, unë e kuptova se njëri ishe ti Anton, ndaj dhe mora kandilin, se e dija që doje të hyje në galeri. Ajo ishte jeta jote…

– Domethënë do të na shoqëroni ju? – iu drejtova Lekës.

– Sigurisht.

*

Të tre u nisëm drejt frontit 77. Printe përgjegjësi Lek Paci si atëherë. Ishte më shumë një ritual…

E dija fill e për pe jetën në minierë të Anton Gjinit, pa ardhur këtu. Ma kishte rrëfyer vetë ai, me fraza të shkurtëra, thuajse telegrafike. Mbas mbarimit të teknikumit të minierave, kishte filluar punë si teknik shfrytëzimi në minierën e vogël të kromit në L. Mirëpo shpejt do t’ia piqnin kulaçin, siç thuhej në zhargonin popullor për ata që shteti i fuste në burg për agjitacion e propagandë. Shkak kishte qenë bërë daja i tij, arratisur në Amerikë aty nga 50-a. Antoni u dënua me 10 vjet dhe bëri tetë në Qafë-Bari, se përfitoi nga një amnisti e festave të Nëntorit. Kur doli, kërkoi të shkonte prapë në minierën ku kishte qenë, por i thanë jo dhe e sollën minator në këtë minierën ku kemi ardhë sot, tridhjetë kilometra larg shtëpisë së tij, që do të thoshte se dënimi vazhdonte në një formë tjetër.

Kur kisha nisur t’i bëja intervistën si ish – i dënuar politik, Antoni më kishte rrëfyer:

– Askush nuk më fliste në minierë, si të mos më njihnin, si të mos ekzistoja për ta, sa një ditë i them tim ati: atë, më ka shkue mendja me ik, këtu s’kam asnjë shpresë, nuk më jep kush vajzë për t’u martuar. Ai, pasi më dëgjoi me vëmendje, më tha: Bir, mirë se ne si familje marrim fund njëherë e mirë, se do të na çojnë në internim, por nuk i asht besa se mund të dalësh gjallë përtej kufirit!…

– Po nëntokë, kur ishe në turn, në galeri, a të flisnin? – e pyeta.

– Të gjithë, pa përjashtim, edhe përgjegjësit, brigadierët, jo vetëm më flisnin, por më qëndronin afër, më ndihmonin, si të mos isha ai atje sipër tokës!…

Kjo e veçantë më kishte bërë të mos i ndahesha këtij personazhi e të vija deri të ky vend që gjuhën e asaj kohe ia kishte besuar nëtokës. Dhe ja ku jemi duke ecur nëntokë, me këmbët në ujërat e galerisë…

– Pse nuk i flisnit sipër tokës, por vetëm këtu poshtë? – drejtohem Lekës.

– Hëm, sepse ky ishte bir i nëntokës. Vetëm ajo nuk kishte frikë prej tij…

– Nuk kishte sy e veshë dhe nëntoka si mbitoka? Nuk ishit ju komunist edhe këtu në front? E linit teserën e Partisë atje sipër, kur përshkonit galeritë?…

– Ti ke ardhur t’i bësh intervistë Antonit, apo mua, zotëri?

– Antonit! Por ai ma ka thënë jashtë çfarë kishte për të më thënë brenda. Ndryshe nga dje kur mund të fliste vetëm këtu nëntokë… Thuamë ti diçka tani!

– Më vure në sedër me teserën e Partisë, – foli Lek Paci, – dhe ja ku po ta them, këtu e vetmja dritë që kishim ishte kjo e këtij kandili?…

– Nuk ke ndonjë histori që të ka mbetur peng nga ajo kohë?

Ai u mendua pak, shkoi dorën mbi ballë instnktivisht si të fshinte një perde që ia pengonte shikimin, pa nga Antoni dhe tha:

– Po, kam një!

– Fol!

– Një ditë vjen një vajzë, gjeologe e minierës e më thotë: Përgjegjës, unë dua një burrë këtu në minierë, por kam vënë re se atij nuk i flet askush në rrugë, në mensë ha bukë në tavolinën e fundit i vetëm, të gjithë e shohin si me habi, sikur sot a nesër diçka e keqe do t’i ndodhë… Anton Gjini. Ai nuk di asgjë.

– Dhe ti don ta shpëtosh?

Ajo nuk foli. Me siguri mendoi se kishte gabuar duke m’u hapur mua. Kur po nisej të largohej, i thashë:

– Ka vetëm një mënyrë t’ia thuash atij atë që ndjen, nëntokë, në galeri!…

Ajo sa nuk klithi.

– Nuk po bëj shaka, ty hyn vazhdimisht në galeri për të parë trupat minerar, ndalo një ditë te fronti i tij dhe…

Antoni kishte mbetur i befasuar.

Atij i kujtohej se si ajo vajzë kishte ardhur në galeri një mëngjes dhe pasi kishte bërë sikur po këqyrte shembjen e mineralit, befas ishte kthyer nga ai:

– Nuk erdha për kromin sot, erdha për ty…

Antoni ishte drithëruar nga ato fjalë. Nuk u kishte besuar veshëve. Por sytë i kishin ndritur si të ishte atje lart nën kupën e qiellit e jo shtatëqind pash nën dhé. Fjalë më të bukur nuk kishte shqiptuar nëntoka qysh se ishte krijuar. Atëherë ai tha me vete se ia vlente sakrifica e tij për të zbuluar mineralin. Ia kishin zënë sytë atë vajzë në sektor, kur shkonte e vinte me dy shoqet e saj laborante, po kurrë s’e kishte menduar se ajo ndiente për të. Kurse sytë e saj kishin depërtuar nëpër shtresat e nënshtresat e tokës për të gjetur atë, njeriun që nuk e mbante mbitoka.

Nuk desha të mendoja më tej se çfarë kishte ndodhur pas atij çasti mbase unik në historinë e rruzullit. Njerëzit mund të kishin bërë deklarata dashurie apo propozime martese në gjithnur mënyrash mbi tokë, në kështjella mbretërore, në kasollen e endur me thupra, në avion, në anije, por një shprehje dashurie nëntokë, këtë as në imagjinatën më të pabesueshme nuk e kisha shkuar ndërmend…

Kur telefoni i Antonit cërriti me shkëputje.

– Ai e ngriti, por nuk arriti të lidhej. Nëntokë nuk kishte valë…

Thua të ishte ajo gjeologia? E dija që Antoni ishte i martuar, por jo nëse historia që sapo na rrëfeu përgjegjësi i minierës kishte përfunduar me hapy end?…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok