18/05/2024

NJË VARR PËR HODO NIVICËN

0

Nga Mihal Gjergji

Nga kronikat e kohës dhe kujtesa e trashëguar në epikën historike, mësojmë se Hodo Nivica ishte një luftëtar i shquar i rezistencës anti-osmane. Janë të pafundme këngët që përjetësojnë emërin dhe bëmat e tij, por çuditërisht ai ka mbetur pa një varr, megjithse u vra mes bashkëluftëtarëve në veriun e Arbërisë, në skajin e largët të Atdheut të tij. Dhe mungesa e varrit kosiderohet si një mallkim i rëndë, si një gur që të shtynë drejt honeve të harresës. Por me Hodon s’ka ndodhur kështu. Në historisë e përgjakshme të Kurveleshit dhe Labërisë, Ai ka vendin e tij të padiskutueshëm. Ndoshta mund të mendoni se Hodo beu, qysh në gjallje e kishte ngarkuar varrin në shpinë, kësisoj s’ka ç’i duhet varri pas vdekjes. Si për të kompensuar këtë humbje të pazakontë, në vendlindje i kanë ngritur një bust të vogël. Mos vallë arkitektin e ka trembur madhështia e heroit dhe ka hequr dorë nga ideja e një memoriali të denjë? Nuk e dimë, vetëm hamendësojmë. Para disa vitesh ndalova në Kongjin të Malit të Zi, afër fshatit me emërin Rexhina. Shoqëruesi malazez (shqiptar i sllavizuar) bënte be e rrufe se varri i vjetër që kishim përpara ishte i Hodo beut. I kërkova dëshmi dhe ai s’kishte ç’afronte veç gojëdhënave të trashëguara. Atëherë si të bindesha? E ndërkohë një tjetër ide më lindi aty për aty. Ndoshta dhe ju keni menduar për një varr imagjinar të ndërtuar enkas në kujtim e nderim të tij. Historia e varreve bosh (të quajtura kenotafe) është e frikshme, por është një traditë e krijuar nga njerëzimi. Në lashtësi njerëzit ndërtonin varre bosh, për njerëzit e tyre të afërt që kishin vdekur nëpër botë, larg vendlindjes, buzë lumenjve apo në shkretëtirat përvëluese, si nizamë apo ushtarë të perandorive. Kenotafet ishin fizikisht bosh, por të krijonin një ndjesi shpirtërore të çuditshme, sepse pikërisht aty mund të bësh homazhe, të vendosësh një bistak të njomë apo trëndafila në ngjyrën e gjakut. Po të mos ishin ndërtuar piramidat do ishin harruar emërat e faraonëve të Egjiptit. Hodua mund ta kishte një të tillë brenda rrethinave në Kalanë e Nivicës, të kujtohej si qëndrestar i paepur. Me siguri keni dëgjuar për djepin bosh, por jo për varrin pa eshtra. Unë e përfytyroj ndryshe varrin e Hodo beut. Në krye të qivurit, në të dy krahët, dy statuja të larta prej guri me trajta njerëzore, të veshur me fustanellë, të simbolizojnë rojtarët e përjetshëm të heroit. Por mund ta kishte varrin dhe në vatanin e tij, atje ku e tundi djepi, pavarësisht se ai është lartësuar aty ku s’mund ta mbrijë askush; “Hodo bej, Hodo Nivica/ I larti sa Këndrevica!”

Tiranë, Prill 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok