Nga Albert Vataj

Edhe pse teknologjia i ka shtytur tej caqeve të mundshmen e komunikimit, edhe pse bota tkurret çdo ditë nën forcën sovrane të këtij gjenialiteti, sërish është një ndjesi; e brishtë, delikate, teje e ndrojtur, e cila rreket gjithë drojë e frikë të dëshmojë me një teatralitet sublim yshtjen e hyjt të një shpirti, t’i japë zë atij ndijimi që e djeg çdo ditë e nga pak, ndërsa e dritt.

Shumëkush, ndoshta edhe unë njëri ndër ta, menduam dhe gabim, ndoshta, se iku koha kur shkruanim letra dhe se ëndja për ta bërë një gjë të tillë, sot, është jo vetëm demode, por qesharake, edhe pse ka prej tyre që qajnë ende kur lexojnë, letrat që ruajnë, dhe kujtimet që shfletojnë.

Megjithatë, është ende një dëshirim e drojë, për tu ulur diku në një qoshe, nën një dritë qiriri apo kandili, reflektimit të hënës, ndoshta, dhe nisim të shkruajmë, sikur duam ta shpojmë me fjalë në zemër, për të ndjerë se si dhëmb ajo, ajo zemër që ka zënë vend në zemrën tonë, tuajën.

Dhe shkruajmë ende, siç guxova edhe unë të bëj sot, të të shkruaj ty një letër!

Për të të thënë se kjo ëndje, e ka patur ende të pamundur t’i nënshtrohet modernitetit, ndaj ajo në një besim rishtari, kërkon të tregojë me përulje, lutje dhe përgjërim, se ky shpirt ka zgjedhur fjalën të dëshmojë, ngase vetëm fjala e ka dëgjuar atë heshtje dhe vetëm fjala është ajo që di të rrëfejë; se çfarë ndjen ai shpirt, e përjeton ajo zemër, çfarë e lartëson atë qiell, dhe e zotëron shpërthimin e atij dielli.

Dhe nisi të shkruaj këtë letër…

Me penën e atyre shpirtrave që e kanë lëruar me rrufë dhe parmendë kohën, për të hedhur në të farën e dritës dhe dëshirimit, ngjyer në gjak e psherëtima, germë për germë, e drithërim padurimi. Kërkon që bashkë me kohën, që ndalet, të lejojë qiellin e shpirtit të flakërojnë krahët në këtë fluturim epik të zëshmërisë së ndjenjës… dhe nis të shkruaj, për ty.

Ti nuk je duke më kërkuar atje ku kurrë nuk do të më gjesh, e sigurt kjo.

Ti nuk je duke përgjuar mes mijëra pëshpërimave, të mund të pikasësh një zë, të cilin e njeh, i cili lëviz si një drithërimë brenda teje.

Ti e di, se unë kam trokitur edhe tjetërherë në pritjen tënde, me fjalë, me droje e padurim. Kam thirrur në këtë solemnitet dehjen e yjshme të qiejve të vjeshtës. Me erërat kam ngucur e përskuqur në turpërim thjeshtësinë tënde të larë në kroje ku pinë zogj dhe Zana. Jam afruar tinëzisht, duke përgjuar një hir të larë në hëna, derdhur në ty, gjithë epsh e ar, e jam dehur si një eksplorator, e dalldisur si magmë.

Dhe… në çastin kur ti do të jesh duke lexuar këtë letër, të shkruar me fjalë dhe përjetim, të ngjizur me polenin e gjithë luleve që dëshirimi im i mblodhi nëpër pranvera dhe përkushtime, heshtjen ndoshta do të ta prish fëshfërima e gjetheve që lodrojnë me erën. Janë gishtërinjtë e mi që vibrojnë në melodinë e asaj joshjeje që u derdh nga tela violine e ladrim tundues.

Jam ai çast që shkoqet nga ligjërimet që farkëtoi shpirti dhe ndijimi në art dhe përfytyrim, ai jam, ai mbetem në fjalë, në zjarret që u teptisën, e dogjën kurmet që i përpushi epshi. Dhe ti, je çdo përfytyrim që përjetimi ka endur. Kjo, të mbush me hir e të shndërron në frymë.

Ndërsa fjalët i shkokrron si shegët, ëndshëm e buzëndezur, një flutur të pushon në prehër, vjen të të sjellë një zë që pritja jote ka njomur me lot.

Duart do të të dridhen e zemra do të rrah fort. Pupthi do të ndjesh kërcimin e kraharorit. Buzët do të eshkën. Frymëmarrja do të të shpeshtohet dhe me frymë nuk do të ngopesh dot. Bota krejt do të prehet në këtë prehër. Dhe ti do të kërkosh një yjësi në univers t’i jepesh vërshimshëm si shkëlqimimit në një epje shpërthimi.

Ato fjalë, të cilat janë gjithësa në mua është qenia; ai gërmëzim i farkëtuar në dritë vetëtimash e drithërima shpirti, ato rreshta si notat e një pentagrami, ajo behje e beftë, janë prekjet që kurrë si shkëmbyem, e shikimet që largësia i theu pa xhamave ku u struk pritja. Në këtë çast do të përpiqesh të formëzosh atë përfytyrim që tretet nëpër këto mendime e gurgullon nëpër këto germa e fjalë, nëpër këtë epje e përjetim.

Me sytë që i tret tej dhe gishtat që pleks nëpër flokë, përpiqesh të kapësh fillin e hollë të këtij përfytyrimi idilik, e me të, të endësh portretin e një të panjohuri, fytyrën e një vegimi, zërin e një trazimi, afshin e një pranie që ta rrëmben era nga prehri, dorën që gërmëzon nëpër këto fjalë zjarri diellin e një dëshirimi, që lyp në agimet e vetmisë tënde.

Shtangesh ashtu në hutim duke dëgjuar trokun e rrëmbyer të zemrës dhe duke ndjerë hapat që të afrohen dhe zërin që të pëshpërimën në vesh. Një prekje e lehtë që pushon mbi ty si petale, të kthen në rrëke drite, në një energji që të shpërbën në frymë, në frymën që mbush heshtjen që të rrethon, e përplaset në asgjënë që ngre në dëshirim.

Ashtu e shtangur qëndron dhe vështron teksa era valvit letrën që mban në dorë e heshtjen që të përkudn. E, sheh teksa shkronjë pas shkronje e fjalë pas fjale, letra nis të zbrazet, e në duar të mbetet, veçse një copëz e bardhë dhe një ëndërr që ikën me erën.

Edhe pse unë e di se nuk ekziston, e shkrova këtë letër, jo duke sfiduar modernitetin, por duke denoncuar shterrimin e shpirtit, shitjen dhe shpërdorimin e brishtësisë së këtyre petaleve ku kridhet dehja e asaj dlirësie ku ti derdhesh. Sepse natyra ka zgjedhur në ty; vajzë, grua, nënë, e dashur, ëmën e krijimit dhe mrekullinë e gjithësisë, me të cilën na shpërblen hyjnia e atij vullneti që mëkon lartësim me shpirtje fjalësh dhe adhurim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok