Nëna Terezë dhe turpi ynë i përditshëm

0
Nene-Tereza1

Nga Ndue Ukaj
Para një dekade, në Vatikan, u shenjëtrua Nëna Terezë, ajo që nderohej si nënë dhe e shenjtë disa dekada përpara se të kanonizohej si e tillë.

Sepse, ajo vërtet ishte një nënë e madhe dhe një e shenjtë e madhe, në kuptimin më sublim të fjalëve.

Ajo, gjatë jetës së saj tokësore e valëviti flamurin më të bukur që ekziston në botë: flamurin e dashurisë njerëzore, një flamur të qendisur me mirësi dhe bamirësi, pa harta e pa kufij.

Sepse, ajo ishte zemërmadhe – një zemër ku gjetën strehë dhembjet e vuajtjet më të skajshme njerëzore; sepse ajo ishte një humaniste pa një të përafërt përreth saj, për çka u nderua me vlerësime e çmime ndërkombëtare: fitoi Çmimin Nobel për Paqe, la pas vete një trashëgimi poetike tepër mbresënëse; ishte pedagoge dhe një veprimtare e palodhshme.

Po, ajo ishte e palëkundëshme në misionin e saj për t’iu ndihmuar të varfërve e të nëpërkëmburëve.

Pra, Gonxhja jonë i sfidoi të gjitha llojet kujfijve që ekzistojnë në Tokë dhe për këtë u nderua anë e kënd botës.

Por, sa e nderojmë ne, ose, më saktë, sa mësojmë prej trashëgimisë së saj shembullore e shembullmire?

Le të kujtojmë se dita e sotme është Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, të cilën e ka shpallë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, në nderim të veprës së Nënës Terezë.

Le të kujtojmë se ndikimi i saj për lirinë dhe pavarësinë tonë ishte i jashtëzakonshëm, gjë të cilën e kanë pohuar personalitete si Bill Klintoni.

Le të kujtojmë se filozofia paqësore e viteve të 90-ta, e kishte referencë tepër të rëndësishme në mos themelore veprimtarinë e saj.

Çfarë bëjmë ne për të?

Sa dhe si e kujtojmë në shkollat tona?

Në jetën tonë të përditshme?

Sa jemi të nënëterezshëm? – siç do mund të pyeste poeti Visar Zhiti?

Përgigjja është: shumë pak.

Në të vërtetë, ne kënaqemi e argëtohemi, me njëlloj dashurie deklarative, pa përmbajtje, siç i kemi shumicën e punëve, sepse, duket se ngarkesat e përçamjes së brendëshme na verbojnë, dhe, ata kufijtë që Nënë Tereza i bëri të padukshëm kudo në botë, neve na dalin përpara, si mure të pakalueshme.

Shqipëria e ka shpallë festë zyrtare 5 shtatorin, por Kosova jo. Dhe ky është një turp për vendin tonë, nëse fjala turp veç ka ndonjë kuptim në këtë mjedis kaq të ndytë ku pakkush e çan kryet për vlera sublime e ndien turp prej punëve të liga.

Po, është turp që në shkollat tona flitet fare pak, ose, aspak për këtë shenjtreshë; po, është turp pse Kosova s’e ka ndjekë shembullin e Shqipërisë që ta shpallë ditën e sotme festë zyrtare.

Ibrahim Rugova, krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës, dhe njeriu më meritor për realitetet e reja pozitive shqiptare në këto dekadat e fundit, thoshte:

“Populli i Kosovës dhe i gjithë populli shqiptar, sot është krenar para botës me Nënën Tereze, me Nënën e vet. Nëna Tereze është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.”

Nëna Terezë vërtet ishte engjëll i rojës pëe popullin shqiptar.

Dhe Rugova vërtet i besonte modelit të saj, sa ka njohës të veprës së tij, që lëvizjen e tij e quajnë tereziane.

Po, Nëna Tereze, në faqet e historisë së njerëzimit gdhendi me shkronja të arta emrin shqiptar, duke treguar, me vepra, se drita e mund përherë errësirën, ashtu siç e mund e mira të keqen.

Ajo, me humanizëm dhe dashuri të pafund për njeriun, arrriti t’ i mposhte forcat e errëta dhe të shndrisë kudo ku kishte errësirë.

Në kohë të rënda për kombin tonë, ajo u bë dritë shprese në atë errësirë të madhe të vuajtjeve. Gjatë viteve të 90-ta të robërisë e luftës, nuk besoj të ketë familje, që s’e ka ndjerë e përjetuar dorën e saj të ngrohtë e veprën e saj madhështore, prandaj, pse të mos bëhemi pak më nënëterezshëm, që t’i shembim gjithë këta mure të urrejtjës që janë mes nesh, kudo?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok