08/10/2024

”NEBIH MEHA, RRUGEN QE E KE NISUR DO TA VAZHDOJME DERI NE VDEKJE”, U BETUAN JASHARAJT PARA VARRIT TE TAHIR E NEBIH MEHËS

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1910- u likuidua më 13 maj 1981)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Nebi Meha, ishte djali më i madh i Emin Latës dhe nënës Fazë, 70 vjeçar, nga fshati Prekazi i Ulët, gjë që jetonte vazhdimisht këtu dhe kishte katër fëmijë. Nebihu kishte lind më 1910. Dhe, nuk ishte fare e papritur që edhe djali kishte vazhdua rrugën prej trimi sikurse edhe babai i tij Emin Lata. Në familjen e Mehajve, gjeneratë pas gjenerate duke filluar që nga Emin (Lati) Meha, i lindur ne shekullin e 19, ai ishte bashkëluftëtar i pandarë i Azem e Shotë Galicës  pastaj, më vonë vije gjenerata  e dytë që hynë Nebih Emin Meha, bashkëluftëtarë i Shaban Polluzhes (1945), Mehmet Emin Meha i burgosur politik për mbajtjen e grupeve ilegale dhe aktivitetin kundër atij shteti (1952), duke vazhduar me  gjeneratën e trete, që janë Tahir Nebih Meha (1981) dhe duke përfunduar me gjeneratën e katërt që janë Beqir Nebih Meha dhe  Emin Lati i dyte( stërnipi i Emin Latit te pare (1999), i cili ia kishte lënë trashëgim emrin e vete kur ky lindi ne vitin 1974, duke thënë se ky vogëlush kur të bëhet burrë me këtë emër do te luftoj kundër Serbisë, sepse e kemi traditë. Këta dy të fundit Beqiri dhe Emini ishin luftëtar të  Luftës së fundit të UÇK-së.

Nebihu kishte marrë pjesë në shumë lufta, por atë të cilën duhet përmendur është Lufta e Kollashinit e viteve 1939-1941, kur serbet e Kollashinit ia kishin mësy Drenicës. Po ashtu kishte marrë pjesë në Luftën e Drenicës më 1945, të cilën e udhëhoqi luftëtari i madh  i kësaj ane- Shaban Polluzha. Trimëri të rrallë kishte tregua më 13 maj 1981, kur së bashku me djalin Tahir Mehën kishte bërë rezistencë titanike në kullën e tij në Prekazin e Ulët, në Drenicën trime. Nebih Meha ishte vrarë nga forcat e Njësive speciale, me 13 maj 1981, aty diku kah orët e mbrëmjes në Prekazin e Ulët.

Nebih Meha ishte i martuar me Hanifen, bijë e Vojvodëve të fshatit Llaushë, komuna e Skenderajt. Me të kishte katër fëmijë: 1. Beqirin, 2. Miradijen; 3. Tahirin dhe 4. Shefkijen.

Familja  e Mehajve të Prekazit të Ulët  gjatë gjithë historisë së tyre njihen si trima dhe atdhetar të devotshëm, të cilët tërë jetën ia kushtuan luftërave për liri dhe pavarësinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe çlirimit të Kosovës nga robëria serbe në veçanti.

Duke filluar që nga Meha i  Parë i cili kishte vetëm një djalë që e kishte pakësua me emrin Latë, e më vonë Lata kishte dy djem: Eminin dhe Mehen. Rezistenca e familjes Meha fillon qysh atëherë që nga viti 1912, menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar- Shqipërisë, e Kosova ngeli me padrejtësitë e mëdha që i bënë forcat e mëdha jashtë shtetit shqiptar. Më 1912, në luftën e Kollashinit (fshatin Kollë), heroikisht në fushën e frontit bie Meha, vëllai i Eminit, në të cilën plagë mori edhe Emin Lata. Pasi Emini shërohet nga plagët e marra, ai përsëri kap pushkën dhe del maleve duke iu bashkangjitur forcave të Azem Galicës, më 1918. Ndërkohë Emin Latës i linden dy djem: Nebihu e Mehmeti.

Pas vitit 1945, edhe pse trumbetohej se Kosova me “dashjen e saj kishte mbetur nën Serbi e Jugosllavi”, populli shqiptar e dinte të vërtetën. Forcat atdhetare nuk u pajtuan me këtë gënjeshtër. Ata nuk qëndruan duarkryq, formuan organizata ilegale duke punuar e luftuar që një ditë Kosova të bashkohet me Shqipërinë aty edhe ku e kishte vendin.

Më 1945, Nebih Meha me një trimëri të paparë i bashkëngjitet brigadës së Shaban Polluzhës, duke reaguar e luftuar ashpër, e ballë për ballë me forcat çetnike serbe.

Po ashtu më 1951, vëllai tjetër, Mehmet Meha  për veprimtari armiqësore arrestohet dhe dënohet nga UDB-eja, duke mbajtur shumë vite burg në kazamatet jugosllave. Veprimtaria atdhetare asnjëherë nuk e ndali hovin në familjen e Mehajve. Duke pas parasysh qe duke shkruar për Tahir Mehen behet fjale edhe për familjen  Mehaj, e cila ka mbi 100 vjet rezistencë ndaj okupuesit  dhe dha kontribut të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare vetëm e vetëm për te ardhur ne këtë qe sot e kemi.

Po ashtu edhe vëllai i Tahir Mehës, Beqir Nebih Meha, Ishte i dënuar politik ngase më vitin 1959, ishte bërë anëtarë i organizatës ilegale “Vuajtjet” që ishte formua në Prekazin e Epërm. Organizata shpejt zbulohet dhe grupi prej gjashtë vetave del para gjyqit me ç ‘rast dënohen: Bislim Tahir Bislimi,  bujk, ( 1934 ), Prekaz, 1. 07. 1959.  neni  117/ 1,  LP. ( 5 vjet burg );  Adem Ali Alia, nëpunës, ( 1924 ), Klinë, 1. 07. 1959; neni 117/ 1  LP. ( 1, 6 vjet burg ); Sherif Musli Muslia,  bujk, (1924 ), Prekaz, 1. 07. 1959.  neni 117/ 1  LP. ( 2 vjet burg ); Beçir Nebi Meha, bujk, ( 1936 ), Prekaz, 1. 07. 1959.  neni 117/ 1 LP. ( 2 vjet burg ); Ramadan Z.Zejneli, bujk, ( 1908 ), Prekaz i E. 1. 07. 1959. Neni  117/ 1 LP. ( 2 vjet burg ) dhe Istref Osman Osmani, bujk, ( 1920 ), Prekaz,1. 07. 1959. neni  117/ 1  LP. ( 1, 6 vjet burg ).

Beqir Meha vitet e burgut i kishte mbajtur në Goli Otokun famëkeq të Jugosllavis. I edukuar me dashurin e madhe për atdheun, në vitet 1990 del në mal dhe angazhohet në qelulat e para të UÇK-së.

Më 13 maj ndodhi sulmi që e kishin paraparë njohësit e politikave jugosllave. Zaten, duhet përmendur se një sulm i tillë i policisë jugosllave në familjen Meha dhe në Prekazin heroik, ishte mase i gabuar se kulla e Mehajve dhe trimat e saj i mbajtën një leksion të mirë trimërie e guximi një policie të tërë të një shteti.

Në këtë rast , do të ndalesha vetëm në shënimet e një gjykatësi hetues i cili kishte mbajtur një lloj shënimi për ngjarjet e ditës së sulmit (13 maj, 1981), kullën e Mehajve. Dokumenti mban numrin KRI. BR. 56/81, dhe titulli i dokumentit “Kronologjia e ngjarjes”. Kronologjia e ngjarjes u shkrua më 13 maj 1981, nga gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës së Kosovës , lidhur me rastin e vdekjes së milicëve : Salih Hasanoviqit, Muhamet Selmanit, Milan Pejoviqit dhe Voja Tubiqit dhe likuidimin e Tahir Mehës e Nebih Mehës.

Në dokumentin me numër KRI. BR. 56/81, në mes tjerash shkruan se me Ditën 13 maj 1981, rreth orës 9,00 më ka thirrur me telefon naqallniku DUP-a  Serbicës,( F. H.) dhe më ka lajmërua se herët në mëngjes punëtorët e policisë të Sërbicës e kanë rrethua shtëpinë e Tahir Mehës, i cili me 28 prill 1980 në Serbicë ka qëllua në policë me rastin kur ata e kanë ndalur dhe e kanë thirr që të shkoi me ta  në Stacionin e policisë, dhe nga ai moment ai është në arrati. Naqallniku më ka thënë në rast nevoje  mundem me e thirr edhe Njësit e Policisë Speciale pran Policisë të Punëve të Brendshme  në Prishtinë. Po ashtu më tha se kishte qenë mirë që të shkoi bashkë për Serbicë me prokurorin kujdestar.

– Pas informatës së marr kam biseduar me kryetarin e gjykatës me ç ‘rast mora leje që mundem të shkoi deri te Seksioni i Punëve të Brendshme të Komunës në Serbicë dhe po qese paraqitet nevoja të kryej  inspektimin.

– Për pranimin e informatës kam lajmëruar Sekretarin Krahinor të Sekretariatit  të Drejtësisë dhe  Drejtorin e përgjithshëm në Prishtinë -N. J.

– Po ashtu Prokurori Publik ka lajmëruar Prokurorin Publikë të Krahinës në Prishtinë, Sveta Dollasheviqin.

– Për Serbicë jam nisur me zëvendës Prokurorin Publik të Qarkut- Spasoje Zamfiroviqin në ora 10, 50 minuta.

– Posa kam arritur në Serbicë iu kam lajmëruar  shërbimit kujdestar të stacionit të policisë, se naqallniku i SPB-it (OUP-a), komandiri i stacionit dhe ndihmësi i tij kishin shkua në Prekazin e Ulët.

– Më vonë kam rënë në kontakt me ndihmësin e komandirit të stacionit (Xh. F.) i cili më njoftoi se në Prekaz ka krisma dhe siç po duket ka edhe të lënduar. U vendosëm në zyrën e komandirit të milicisë. Aty ishte një UKT-stacion marrës nga e cila mund të dëgjoheshin bisedat e personave në Prekazin e Ulët të cilët po ashtu ishin të pajisur me të njëjtat stacione, të cilët merreshin vesh si në mes veti po ashtu edhe me bazën.

– Në ora 12.00 kam fillua të shkruaj për të dhënat që më vinin nëpër mes të stacionit.

– Në ora 12,05 minuta kam dëgjuar se Tahir Meha ka gjuajt në dy polic dhe i ka mbytur në vend.

– Në ora 12, 25 minuta, dëgjova se kanë vdekur : një policë i Njësive Speciale nga Prishtina dhe një policë tjetër nga Serbica.

– Për ngjarjet më të reja kam njoftuar menjëherë kryetarin e gjykatës.

– Në ora 12, 30 minuta kam dëgjuar se si naqallniku i SPB (OUP-a), të  Serbicës lajmëronte bazën se si shtëpia e Tahir Mehës është rrethua dhe pritet dalja e tij.

– Në ora 12, 34 minuta,  naqallniku lajmëronte bazën se janë të lënduar: Pejoviqi, Tubiqi dhe Selmanaj.

– Në orën 12, 37 minuta , naqallniku lajmëronte bazën se kanë vdekur :Pejoviqi, Tubiqi dhe Selmanaj.

– Në orën 12, 39 minuta  naqallniku kërkonte ndihmë nga Njësit Speciale Krahinore ( PSUP)  në Prishtinë për dy të lënduar.

– Në orën 12, 43 minuta kam urdhëruar shoferin e gjykatësit që të shkoi me veturë menjëherë në ambulancë, në Serbicë dhe të marri ekipin e kompletuar për dhënien e ndihmës së parë, për të shkuar në vendin e ngjarjes.

– Në orën 12, 45 minuta kam urdhëruar shoferin e dytë të gjykatës që menjëherë me gazikë të niset nga Mitrovica e Kosovës për Serbicë.

– Në orën 12, 47 minuta, kam marr vesh se të lënduarit quheshin Palija dhe Stepanoviq.

– Në orën 12, 54 minuta, ka arritur vetura e ambulancës së Serbicës me mjekun Dr. Ali Thaqin me teknikun medicinal Selman Topallin dhe shoferin Fejzë Fejzën, po ashtu kam shkuar bashkë me milicin (A.Rr.) në vendin e ngjarjes.

Afër vendit të ngjarjes kam arritur në ora 13 e 11 minuta,  pastaj në këmbë jam nisur kah gazika e SPB-së (OUP-a) të Serbicës, e cila ishte në afërsi të kodrës të shtëpisë të Tahir Mehës. Mbrapa gazikës qëndronte i shtrirë Boshko Palija, i cili ishte i plagosur në dy këmbët mbi gjunjë, të cilit veç iu kishte dhënë ndihma nga mjeku Dr.Sllavisha Dobriçanini. Prapa gazikës ishin edhe Momqillo Shakoviqi dhe Shaban Hajrizi.

– Në ora 13,17 minuta, ka ardhur afër gazikës Vlado Stepanoviq, që e kishte gishtin e lënduar, të lidhur i cili shkoi të siguronte vendin për aterrimin e helikopterit.

Në dosjen e Tahir e Nebih Mehës ndodhet edhe dokument tjetër i quajtur “Informatë për vdekje”, Kri.nr. 56/81, më 15 .05.1981. Informata në bazë të dhënave vije nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e cila i dërgohet Zyrës Lokale, në Prekazin e Ulët KK-Serbicë.

Me këtë dokument gjyqtari hetues, Rexhep Kaçaniku, njoftonte se me 13 maj 1981, në orët e paradites për rreth shtëpisë së Nebih Mehajt kanë vdekur:

  1. Pejoviq Millanko nga babai Millani i lindur më 20 janar 1956 në fshatin Dumnjani- komuna e Prijepoljes RS e Sërbisë.
  2. Tubiq Vojo nga babai Milloradi i lindur më 2 qershor 1953 në fshatin Donja Breznica-Komuna e Lubovacit, RS Bosna e Hercegovina.
  3. Hasanoviq Salih nga babai Muhamedi i lindur më 20 janar 1953, në fshatin Krivaçe, Komuna Hanipjesak, RS Bosna e Hercegovina.
  4. Muhamet Selmanaj nga babai Muharrem dhe e ama Ajmonja i lindur më 31 mars 1947, në fshatin Radishevë- Komuna e Serbicës, ku edhe ka jetuar, i martuar, baba i 6 fëmijëve.

Në orët e pasdites kanë vdekur:

  1. Tahir Meha nga babai Nebihu dhe e ëma Hanifja i lindur më 10 tetor 1943, në fshatin Prekazi i Ulët, Komuna e Sërbicës ku edhe përherë ka jetuar, i martuar, baba i 5 fëmijëve me bashkëshorten Shefkije.
  2. Nebih Meha nga babai Lata dhe e ëma Faza 70 vjeçar, i martuar, baba i 4 fëmijëve- bashkëshortja Hanifja.

Është e nevojshme që menjëherë vdekjen e të emëruarve ta regjistroni në librin amzë për të vdekur nën rubrikën –Vrasje.

Pas regjistrimit të vdekjes së të emëruarve është e nevojshme që kësaj Gjykate t’ia dërgoni nga 5 certifikata nga libri amzë për të vdekur për secilin të vdekur me konstatim se janë kërkuar zyrtarisht. Gjykatësi Hetues, (R. K.)

U zhvillua një luftë tepër e pabarabartë për gjithë ditën. Nebihu plak ishte vrarë në pushkët e para, ndërkohë që Tahiri kishte qëndruar deri kur tanku i policisë e kishte goditur kullën dhe e kishte shembur atë. Atëherë, nga breshëri armësh automatike, vritet edhe Tahiri, pasi ky kishte vrarë të paktën pesë policë ‘jugosllavë’. Ishte plagosur edhe vajza e madhe e Tahirit. Ishte dhënë urdhër që në varrimin e tij të merrnin pjesë vetëm  familjarë të afërm të tij. Megjithatë, në varrim kishin marrë pjesë edhe Shaban Jashari me të bijtë Hamzën e Ademin, të cilët edhe ishin betuar para varrit të tij se „RRUGEN QE E KE NISUR DO TA VAZHDOJME DERI NE VDEKJE“, U BETUAN JASHARAJT PARA VARRIT TË TAHIR MEHES. Dhe vërtet  besa e dhënë u mbajt deri kur edhe ranë heroikisht Adem Jashari me familjen (58 veta), më 7 mars 1998, në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok