Në Spaç, në vendbanimin e harruar të shpirtrave të Lirisë!

Nga Nikoleta Kovaçi
“Diktaturat sjellin shtypjen, robërinë, mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë”. Ka një jetë që kjo thënie e Borges rri me mua; që kur e hasa Borgesin në përpjekjet e mia të hershme t`i shmangesha pikërisht idiotësisë. Nuk ia dija burimin asaj që më rrethonte (e më rrethon)! Mbartja e konceptit ‘mizori’ që të vjen nga koha e fëmijërisë gjithnjë të sjell ndërmend data e fakte, kohë dhe përpjekje, imazhe dhe emra mizorësh! Gjithnjë, me vetëdije, jam shmangur nga kjo lloj kujtese! Jo nga frika, apo ndjeshmëria e tepërt që mbart qenia njerëzore, por ndoshta për të mos pajisur veten me një fuqi mallkuese si e vetmja armë për të sulmuar mizoritë që na erdhën nga ajo kohë…
***
…Rruga për në Spaç ka dy kohë brenda një dy-minutëshi; nga rruga e Kombit, si një ecejake që të çon deri tek askundi jonë dhe kapërcimi poshtë një ure, ku një tabelë të ç`orienton dhe të kujton se po shkon drejt greminës…asaj tonës! Po, teksa makina zbret në një rrafsh të mbushur me gurë, ku të krijohet ideja e ndërtimit të një vendvarrimi, një njeri, në cepin e jashtëm të këmbës së urës, fërkonte njërin sy! Ndoshta nga pluhuri, ndoshta ngaqë mund të ishte zgjuar herët, ose, ajo më e keqja në fund; ai personi aty ishte një imitim gjithçkaje për të cilën ishim nisur nga Tirana! Këtë të fundit s`guxoja t`ja thoja vetes. Ashtu siç nuk kam guxuar ndër vite! Vijuam rrugën! Shkretëtirë domethënëse! Më vështronte vajtueshëm e si ta them; skuqesha nga turpi teksa mendoja se më gjykonte keq! S`kisha shkelur asnjëherë në ato anë, unë, njeriu që kisha ngujuar veten me qindra e mijëra herë në ato lugina e kampe (siç thuajse jam edhe sot)! Bëra sikur nuk e kuptova drejt veten dhe shpatet e maleve, atyre dëshmitareve të heshtura të një përgjakjeje të pamundurish nga mizorët idiotë (që ka plotë të tillë edhe sot…)! Një përrua, me ujë që më ngjante sikur ishin lot gjaku, rrekej të ndante kohë e jetë, sikur donte të mos linte asgjë nga e këtejshmja të hynte në atë kthinë vdekjeje! E këtejshmja është mallkimi i gjithë harrimit të madh, në zemrën e të cilit po shkoja edhe unë; njeriu që kurrë smund të bëhet pjesë e të këtejshmes së mizorëve!
***
Përroi, ai ujë i stërmunduar që dilte nga brinjët e shpateve që ia numëroja të gjitha, edhe ato të thyerat…skuqej bashkë me mua. Se di se kush kishte më shumë turp nga shoshoji! Sapo e kapërcyem mu duke sikur nëpër sheshpushimet e vogla mes gurësh ishin duke lundruar eshtrat e njerëzve; të atyre që nisën të shkruanin historinë; atë të Lirisë! Ngjitja drejt një kthine të panjohur më rrëqethte; asnjëherë nuk e dija se çfarë më rezervohej më tej! Bashkëudhëtarët ishin njohës të mirë të terrenit; njëri edhe i asaj hapësire qiellore sa të kthyerit e vështimit lart… Ata vetëm numëronin djemtë e lënë nëpër skutat e asaj rruge që të ngjallte frikë dhe panik; sikur të paralajmëronte se atje, në sheshpushimin e madh të vdekjes do të gjendej edhe harrimi, e bashkë me të edhe “patericat” e ndihmësave të përkujdesjes ndaj harrimit. Njëri nga bashkëudhëtarët pyet shkujdesshëm; i shtatti apo i tetti?! Se dija për çka mund të flitej për numra aty; ku gjithçka kishte formën e zerimit absolut. “Më duket shtatë – tha djali, ai më i riu në moshë! Ja paska bluzë tjetër me atë që lamë te kthesa poshtë!” Po flisnin për djem të Gardës; ishin hedhur në rrugë si hije! Duhej të kujdeseshin për një eskportë makinash të fuqishme dhe të shtrenjta që do kalonin andej bashkë me VIP-at e politikës; po po, ata që nuk lënë rast pa u shtirur duke nëpërkëmbur çdo vlerë njerëzore dhe hyjnore në emër të pushteteve! Unë sërish s`kuptoja e ndaj, gjithnjë vështrimi më shkonte te shpati përtej; i egër, i tharë, kërcënues, uritës…
-Këtu duhet të ndaloheni, nuk mund të vazhdoni më tej!-Një zë i hollë polici, që s`mund të bindte askënd tregonte se përtej atij caku nuk shkohej me makinë. Aty ishin ndalur edhe fuoristradat luksoze! Më erdhi një përshtjellim! Si vura dot emër! Policë të shumtë, gardistë, roje sigurie pa lidhje dhe oficerë të shërbimeve sekrete. Sigurisht, një sy i strëvitur profesionisti i njeh lehtë sjelljet e tyre të sajuara, ndonëse ata nuk kishin asnjë lidhje me atë histori. Ndoshta, as baballarët e tyre, ndoshta as ndonjë sekretar partie i dalë nga fisi; prokuror, polic apo gjykatës! Sido vendndodhja e tyre ishte përtej detyrës. E lashë të lirë subkoshiencën. E kapa veten mat duke i thënë po vetes: Është zakoni; vrasësi gjithnjë kthehet në vendin e ngjarjes!
***
…Një tabelë false paralajmëronte hyrjen në kamp! Mu duk si Kishë martirësh! Nisa të bëja Kryq, shenjën tonë të faljes; atë të njehsimit me hyjnoren, por dora më mbeti para syve! U hutova! Në sheshin poshtë, atje te kampi i vdekjes për liri dhe i lirisë që solli vdekja, kishin ardhur njerëz të pushtetit! Ata do të ngjiteshin në podium të mbanin fjalën mbi vrasësit e asaj revolte zemërimi mbi mizorinë e pafre të një pushteti, fijet e të cilit gjendeshin të kollarisur sërish në atë shesh. Sytë mu mbushën plotë. I përpiva lotët deri në thellësi, aq sa mu duk se u mbyta! Kërkoja me sy të shihja Pal Zefin; Zot sa pak më ngjanin me të…më shumë më dukeshin se ishin vrasësit e tij se sa kujtuesit e tij. Ngrita sytë; mu duk sikur isha duke kërkuar sërish Palin, por harrova; po i kërkoja falje Zotit për atë përdhosje që i bëhej atij Tempulli! Mes dilemash, mallkimesh, kujtimes, refuzimesh, ikjesh, mbijetesash të përgjakshme më zgjon zëri i veçantë i një burri; “Mbamë bir, se s`më mban këmba!” Një djalë, i mirëkujdesur për trupin e tij, i shtrin dorën! Dukej se ishte i largët në moshë me burrin e stërlodhur!
“E kujt je moj bijë”?! Zot, sa afri kishte në atë thirrje! Dukej që ai burrë kishte etje për një zë të njohur, një trashëgimtar miku a shoku që kishte mundur të dilte gjallë nga ajo ngrehina e mizorëve. U shtanga! S`po dija si t`i përgjigjesha! I thashë; Jam nga Puka! Mu kthye: Kë ke patur këtu?!- Prapë spo dija t`i përgjigjesha; Ai që do ishte aty u vra në pabesi nga mizorët që më pas u ngritën në piedestal; pasuesi ishte degdisur nëpër rrugëtime të mjergullta…, ndërsa personifikuesi i asaj që më njehsonte më atë njeri, hmmm, kishte rrojtur mes nëntokës dhe mbitokës si “kërcënim unik” për një krahinë të tërë! Ndoshta deri në komitetet vrastare që kërcënuan edhe pas `90-s! Djali i ri u largua nga burri; po fotografonte gjithçka me etjen e një njeriu dixhital, ndërsa burri vijoi: “Ka ardhur të shikojë vendqëndrimin e gjyshit! Ky s`ka qenë asnjëherë këtu. Donte të gjente dhomën ku kam fjetur unë për 9 vite në këtë kamp. Këtu erdha në `72-in. Në 73-in ndodhi ajo që ndodhi! Gjithçka e nisi Pali. Ishte një djalë trim e me kurajë të pashoqe. Më pas i dolën në krah edhe burra të tjerë. (Hahah qeshi, megjithë shpirt). Mu kujtua Ndrec Flamuri, ai që ngriti flamurin. (Emrin e Ndrecës burri e shqiptonte më fort se emrin e Ismail Qemalit)! Por na mundën. Ja shikoje; që nga ajo kodra atje e deri te kthesa ku janë makinat kishte tre rrethime me zjarr. Ushtria kishte ndezur zjarre të shumta të krijonin frikë dhe panik për të burgosurit që kishin marrë kampin. Na mundën. Ishin shumë! Na mundën e bashkë me ne mundën lirinë! Ishin gjakësorë moj bijë”. Burri që fliste ishte nga Gjirokastra, ndërsa menjëherë iu bashkua një i njohur nga Qafë-Zotaj e një tjetër po nga Durrësi! Po flisnin mes tyre për dy persona; një djalë nga Gramshi e një tjetër nga Malësia e Madhe. “Ai nga Gramshi u hodh nga ajo maja atje. Na thanë se e varrosën, atje përtej përruan. Po ashtu edhe një burrë shkodran; e vranë këtu në kamp, pas revoltës, sigurisht. Edhe atë e varrosën në atë anë të përroit. Aty në fakt kurrë nuk janë gjendur eshtra. Ata ishin të paskrupullt; në fakt gjithnjë i zhduknin shenjat!” –I mbani mend, si quheshin?!-Çfarë rëndësie ka; ne të gjithë kishim të njëjtin emër, të njëjtin fat, të njëjtin varr! Atje në atë përrua mund të isha edhe unë, edhe ky, edhe ata burra mund të ishin këtu me ty! Fundja, ne kurrë s`patëm emër…! As pas mbijetesës! E shikon kush po flet sot në emrin tonë; në emrin e të pushkatuarve, të vdekurve në minierë e nga torturat, të vdekurve në hetuesi e të zhdukurve pa gjurmë! Eh sa ka nën këtë rrënojë?!”
***
Absurdi më kapi për fyti. Më shtrëngonte! E vërtetë; aty mbanin fjalime, mbase frymëzuese, përfaqëuesit politik që shahen me listë shtëpie çdo të enjte në Parlament, duke mos kursyer as gratë, motrat e nënat e njëri-tjetrit por që aty ishin bashkë, madje po bashkë kishin bërë edhe rrugën nga Tirana. Aty kishte edhe përfaqëues të Europës, që asnjëherë s`ishin parë skenash të tilla; aty kishte edhe ish-të burgosur të atij kampi që hiqeshin zvarrë, të keqveshur e keqtrajtuar sërish, që liheshin jashtë protokolleve të një kryebashkiaku që në fakt mua më shumë më ngjan me një mirërritës kanabisi se sa me një funksionar lokal i asaj zone që ishte në krye të punëve në një vend shpirtrash! Kisha frikë t`ia dorëzoja veten mendimit mbi gjithë atë absurd që luhej atë ditë në atë vend, ndaj i kërkova mikut tim të më shoqëronte fjetoreve, andej nga ku kishin shpërthyer thirrjet e para të vërteta, e mbase të vetmet prej 45 vitesh: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Aty sërish kërkova Palin, Skënderin, Dervishin dhe Hajriun! Hmm, në mure gjendeshin shumë piktura, e gjithnjë mendoja se do gjendej Mersini, matiani që pikturoi atë shqiponjë në një faqe jorgani të mikut të tij që më pas Ndreca e vuri në një shkop dhe e ngriti mbi atë ngrehinë vrastare. Përherë të parë falangat e pushtetit shikonin një flamur pa yll! Ishte makthi që vrau 4 burra dhe ridënoi mbi 70 të tjerë! Pushtetet në duar idiotësh kthehen në mizori! Kudo e hasje atë konstatim, ndërsa pak metra më tutje, vendi dukej sërish i pushtuar. Një moment vendosa të dal nga ai shpagim! Para syve më shfaqet një mik, pjesë e së tërës po jo si e tëra… E prezantova me bashkëudhëtarin tim: “Ky asht me ata të makinave të shtrejnta, po asht si na! E njeh dhimbjen e këtij vendi sa na, po ka mbetur rastësisht në rrethin e jashtëm të këtyre, se tek i brendshmit, sigurisht se s`ka shanse të afrohet! Atje janë zënë vendet shumë kohë ma përpara se të ndodhte kjo revolta!”
Nikoleta Kovaçi, 2018