09/05/2024

NACIONALISTËT SHQIPTARË TË LIKUIDUAR, PUSHKATUAR DHE TË BURGOSUR NË MITROVICË NGA GJYQET E KURDISURA USHTARAKO-KOMUNISTE MË 1945

0

Nga Feti TUNUZLIU

Për ndriçimin e plotë të procesit penal mbajtur në gjysmën e parë të vitit 1945 së pari në gjyqësorin ushtarak në Mitrovicë (tani: Mitrovica e Jugut) e më pas në Beograd, kontribut të veçantë ka dhënë tani i ndjeri Ramadan Rexha, njeri ndër protogonistët fatkeq të këtij procesi, proces i cili, çuditërisht, nuk është gjurmuar sa dhe si duhet deri më tani. E quajmë kontribut të veçantë, ngase përmes monografisë  “Kujtimet e mia – Dëshmi historike”, mbarështuar nga Abdullah A. Bytyqi (Prishtinë, 2004, 263 fq), autori Ramadan Rexha, si askush nga të tjerët, ofron përjetime të drejtpërdrejta dhe autentike. Me dëshmi rrënqethëse ai vërteton në mënyrë origjinale, burimore por edhe përkujton një gamë dramash enigmatike, tragjike dhe tronditëse të procesit në fjalë. Ky hartim i gjërë autorial  dëshmon se tema e monografisë ka të bëj me çështjet   që zënë fill nga momenti i arrestimit (lexo: rrëmbimit) të Ramadan Rexhës, këtu autor i librit, e përmes tij edhe 13 bashkëvuajtësve deri në likuidimin e dy anëtarëve gjatë hetimit, pushkatimin e shtatë anëtarëve, dënimet  e shqiptuara me burgim mbi pesë dekada të katër anëtarëve të grupit. Fare në fund, vetëm njeri prej tyre qe liruar.

Ndërkohë që, nga hulumtimet tona prej nëntori 2023 deri tani, rezulton se e vërteta e historisë tragjike dhe tronditëse e këtij procesi penal u fiksua në në një apo tjetër mënyrë në kuadër të monografive: “Mustafë Venhari – Mësues qëndrese” të Tafil Morinës (Prishtinë, 1998); “Bedri Gjinaj – Mësues dhe atdhetar i shquar”, të Fazli H. Hajrizit,  (Prishtinë, 2014); “Bajraku i Llaushës – vendi i tij në historinë kombëtare në shekullin e XIX dhe në shekullin  XX”  të Islam Dobrës e Kajtaz Rrecajt (2010) etj.  si dhe artikujve: ”Hamdi Gashi luftëtar me pendë e pushkë” të autorit Bedri Xhema (“wwwzemrashqiptare.net” më 28.1.2016); “Janari i vitit 1945 i kobshëm edhe për mësuesin e devotshëm Bedri Gjinaj” të autorit Ismet Azizi, (“wwwbotasot.info”, më 23  janar 2017); “Homazh për martirin e lirisë Ethem Ferati – Prekazi (1913-1945), revista letrare 10 “Fjalë e vale” (Mitrovicë, 2004); dy artikuj të prof. dr. Sabile Keqmezi-Basha  në “wwwzemra shqiptare.net”, i pari: “Hamdi Gashi – Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria”,  (18.10.2023) dhe i dyti: ”Ethem Ferati Prekazi  – Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria”, (29.10.2023).

Përkrah faqeve librare dhe mediale të mbuluara me shkrime për “drejtësinë” komuniste në raport me 13 atdhetarët shqiptarë pjesë të këtij grupi, për këtë shkrim  jam shërbyer edhe me të vërejturit  empirik në terren. Fatkeqësisht, fare pak sepse ata që do të dinin për këtë proces artificial gjyqësor nuk ndodhen më në mesin e të gjallëve ose kanë emigruar jashtë Mitrovicës dhe Kosovës. Tutje, të dënuarit kanë ndërruar jetë kurse pasardhësit e tyre nuk ofrojnë ndonjë dëshmi shumë të besueshme.

Për t’u njohur me disa dokumente zyrtare shumë të rëndësishme formale të natyrës procedurale-penale në autorësi të autoriteteve gjyqësoro-ushtarake më ka ndihmuar Luan Rexha nga Prishtina, i biri i Ramadan Rexhës. I njejti më ka siguruar fotokopje të aktgjykimit dhe të shkresave gjyqësore të karakterit procedural-penal në posedim të fondit arkivor të familjes Rexha dhe shumëçka më ka kumtuar rreth këtij gjykimi. Tutje, ndihmë të madhe më ka dhënë edhe profesori i historisë Bedri Xhema  nga Vushtrria me sigurimin e tekstit të sipërtheksuar “Kujtimet e mia – Dëshmi historike”(fotokopje) të autorit Ramadan J. Rexha. Pastaj, më kanë ndihmuar mitrovicasit: Muhedin Zhubi përmes ofrimit të shenimeve gjenealogjikë të familjes se të dënuarit Abdyl Zhubi dhe Emir Prekazi, nipi i të dënuarit Et’hem Ferati  (Prekazi) përmes paisjes me literaturë respektive publicistike. Të gjithë këtyre ndihmëtarëve të nderuar,  ju shprehi falenderime nga zemra për ndihmat e siguruara për ç’gjë u jam edhe shumë mirënjohës.

Ndonëse grumbullimi, sistemimi dhe korrektësia gjatë hartimit të këtyre rreshtave ojektivisht ka gjeneruar vështirësi të prekshme, megjithatë nuk jemi ndalur.  Kam shfrytëzuar edhe ato pak informata historike sado të përcipta mediale përgjatë punës tonë kemi gjakuar dhe kemi arrirë aq sa kemi  mundur që të ruajmë sa më shumë nga harresa gjyqin në fjalë dhe ate për dy shkaqe të ndjeshme që ngacmojnë ndërgjegjen e çdo njeriu: i pari, se ky gjyq reflektonte vazhdimësinë e humbjes së atdhetarëve të pafajshëm shqiptarë dhe persekutimet e tyre nga regjimi komunist dhe i dytë, se ky gjyq ka shpalosur qëndrimet stoike, rezistencën dhe sakrificat e këtyre burrave të guximshëm të ndershëm e liridashës në kushte ekstremisht të rënda filluar gjatë paraburgimei nëpër biruca burgjesh hetuese deri te mbajtja e dënimeve nëpër kazamate serbe.

Arrestimi, paraburgimi, hetimi dhe akuzimi i të pandehurëve

Grupin prej 14 të arrestuarish gjatë harkut kohor prej fillimit të janarit deri mesin e majit 1945 i pllakosi një mynxyrë shumë e madhe. Si pasojë e ekspeditave policore dhe të Shërbimit të sigurimit shtetëror (UDB-a),  nacionalistët shqiptarë u arrestuan përmes metodave tinzare e tradhëtare komuniste. Pasojisht, u bënë objekt hetimi të inskenuar shoqëruar me privim të rëndë  të lirisë fizike, lëndime të rënda të trupit dhe të shëndetit fizik e mendor,  me dhembje e vuajtje, zhdukje njerëzish, etj.

Ç’është e vërteta, duke iu atribuuar “indicjeve” e “provave” prokuroriale dhe duke i marrë ato shkas, gjatë stadiumit të hetimit në këtë proces penal, rezulton se u sajuan varg  e vistër pista “dyshimesh” nga më të ndryshme.  Pikërisht prej tyre do pasojë kalvari i mundimeve të mëdha për këta bashkëvuajtës të skëterrës komuniste.

Së këndejmi, kinse nën pretekstin e “dyshimeve” për “krimet” të kryera kundër diktaturës komuniste, do ngjizet dhe aplikohet procesi artificial i arrestimit dhe hetimit nga prokurori ushtarak, major Vllado Popoviq i cili, mbase përfaqësonte majën më të lartë të hetimeve penale gjashtë mujore e që do finalizohet brenda gjyqi një ditor.

I zhvilluar me urrejtje kryekëput dashakeqëse gjatë diktaturës ushtarake, procesi hetimor, referuar veprës “Kujtimet  …” të Ramadan Rexhës dhe disa burimeve të sipërcituara, u zbatua kundër këtyre 14 të pandehurëve:

  1. Osman Ibrahimiit (Solidi) nga Mitrovica, i lindur më 1907 në Prishtinë nga prindërit Ali Jamke Nuradije, i martuar – babë i dy fëmijëve,Shqiptar,  tregtar, në paraburgim në Burgun e Mitrovicës;
  2. Et’hem Ferati (Prekazi), i lindur në Mitrovicë më 1913, nga prindërit Arif dhe Bahtishe Shaqiri, ka të kryer shtatë klasë të Medresës së Madhe në Shkup, nënprefekt i Mitrovicës, i martuar – babë i dy fëmijëve, Shqiptar, në paraburgim në Mitrovicë;
  3. Tefik Bekteshi nga Mitrovica, i lindur më 1914 në Mitrovicë,  nga prindërit  Beqir dhe Hamide  Rexhepi, i martuar – baba i katër fëmijëve, Shqiptar, ka të kryer Akademinë Ushtarake në Romë, toger,   Komandant i Xhandërmerisë dhe agjutant i Pajazit Boletinit, në paraburgim në Mitrovicë;
  4. Todor Cvetkoviqi i lindur më 1905 në Topoliçan, komuna Prilep, jeton në Mitrovicë, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë, mjek në minierën “Trepça” në Stantërg, në paraburgim në Mitrovicë;
  5. Hamdi (Hysen) Gashi i lindur më 1883 në Vushtrri, ku edhe jeton, nga prindërit Husen dhe Ajshe Arifi,  i martuar – baba i një fëmiu, Shqiptar, ka të kryer Akademinë Ushtarake – Drejtimi policor, me gradë ushtarake – major, Komandant i Xhandërmerisë në Fier (1933-1939), Nënprefekt i Fierit  (1939-1941), Vushtrrisë (1941-1943) Nënprefekt i Skenderajit (1943-1945), i  arrestuar nga OZN-a në Prishtinë në paraburgim  në Mitrovicë;
  6. Abdyl Zhubi i lindur në Gjakovë më 1916 nga prindërit Murat dhe Naze  Salihu, jeton në Mitrovicë,  i martuar, shef i Logjistikës së regjimentit të Kosovës, Shqiptar, i arrestuar më 18 janar 1945 në fsh. Kryshevc të Skenderajit, qëndroi në paraburgim në Mitrovicë;
  7. Xhevdet Bajrami i lindur në Mitrovicë më 1907 nga prindërit Bajram dhe Rabije Hasani, i martuar – babë i katër fëmijëve, Shqiptar, ka të kryer Akademinë ushtarake në Romë, kapiten i Klasit I, Komanant i Xhandërmerisë në Pazarin  e Ri dhe Skenderajit, në paraburgim në Mitrovicë;
  8. Musa Qollaku i lindur më 1921 në Pazarin e Ri, nga prindërit Shaban e Akife Haxhiq, i nga Mitrovica, i lindur më, i martuar – babë i një fëmiu, Shqiptar, ka të kryer katër klasë të gjimnazit dhe shkollën e tregtisë, nënprefekt i Pazarit të Ri, në paraburgim në Mitrovicë;
  9. Ramadan Rexha i lindur më 11 mars 1921 në Mitrovicë ku edhe jeton, nga prindërit Jusuf dhe Anushe  Fejzullahu, i pamartuar, ka të kryer gjysëmaturën në  Medresen e Madhe “Gazi Isa Beg” në Shkup, Shqiptar, sekretar i Nënprefekturës së Vushtrrisë, i arrestuar më 18 maj 1945, në paraburgim në Mitrovicë;
  10. Nebi Hoda (Kuqi) i lindur në Suharekë më 1912 nga prindërit Hoda dhe Gjyle Jashari, i martuar – babë i katër fëmijëve, ka të kryer tetë klasë të gjimnazit, Shqiptar, Udhëheqës financiar në Nënprefekturën e  Vushtrrisë, në paraburgim në Mitrovicë;
  11. Bahri Abdurrahmani i lindur në Pazarin e Ri më 1911, ka të kryer Fakultetin e tregtisë në Vjenë, i martuar – baba i dy fëmijëve, tregtar, Shqiptar, në paraburgim në Mitrovicë;
  12. Shaban Mustafa nga i ati Mustafë, i lindur në Mitrovicë më 1908, ku edhe jeton,  kryetar i Bashkisë së Mitrovicës Shqiptar, në paraburgim në Mitrovicë;
  13. Bedri Gjinaj i lindur më 21 maj 1913 në Mitrovicë, nga prindërit Ibrahim dhe Ajshe, ka të kryer Shkollën Teknike në Tiranë, mësues dhe ekonomat në shkollën fillore në Burrel të Matit, mësues në Mitrovicë, sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Shqiptar, i arrestuar në fillim të janarit 1945 në paraburgim në Mitrovicë dhe
  14. Idriz Rexha, nga i ati Shaban, i lindur në Koshtovë të Mitrovicës, ku edhe jeton, Shqiptar, Komandant i Batalionit  IV të Brigadës së Drenicës në paraburgim në Mitrovicë;

Hetimi i filluar ngeli i tillë ndaj dy anëtarëve të grupit: Bedri Gjinaj dhe Idriz Rexha sepse u likuiduan pa gjurmë gjatë  paraburgimit. Për zhdukjen fizike të tyre dyshimi hedhet në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit (UDB) . Rrjedhimisht,  për fatin e tyre nuk dihet as sot e kësaj dite, tani e 79 vite. Ndërkaq, hetimi i filluar kundër 12 të tjerëve, do i çoi këta në “aktakuzë”.

Ngritur kundër këtyre të përndjekurve të regjimit komunist, aktakuza absurde do ngjeshet me insinuata e narrativa hipotetike të cilësuara lehtësisht “krime” të sanksionuara me nenet 13 e 14 e të ndëshkuara me nenet 16 e 17 të Dekretit të gjykatave ushtarake  të Shtabit Suprem (1944). E për këto “bëma kriminale” prokurori ushtarak kishte propozuar që 12 të pandehurit e listuar në “aktakuzë” të dënohen.

Seanca kriminale gjyqësore në Mitrovicë

Siç u tha, me përfundimin e hetimit të inskenuar penal u ndërtua “padia” publike penale që determinoi gjykimin e inskenuar penal. Në këtë stadium kryesor të procesit penal, akterët e targetuar u ulën në bankën e zezë ku i pritte përballja me “drejtësinë” komuniste instaluar nga estabilishmenti serbosllav.

“Gjyqi” njëditor u mbajt më 18 maj 1945 dhe, sa për saktësi, filloi n’ora 8.00, mbaroi n’ora 15.00. Séanca penale u mbajt në sallën e ish-hotelit “Jadran”, më vonë “Adriatiku”,  në qendër të Mitrovicës, improvizuar si gjykatore. Trupi gjykues i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Kosovës e Metohisë, pranë Komandës së Vendit Mitrovicë e Kosovës (tutje: Gjykata Ushtarake e shkallës së parë) përbëhej nga :major Mirko Peroviq – kryetar dhe Millosh Gjudoviq – gjyqtar, kapiten Hasan Qerkezi, Mustafa Xhabiri dhe Murat Aliu – porotë. “Aktakuzën” e përfaqësonte prokurori ushtarak Toma Popoviq.

Kjo lukuni gjyqtarësh e porotësh ushtarako-komunist në koordinim me prokurorin ushtarak zhvilluan shqyrtimin gjyqësor me dyer të hapura. Pas leximit të “aktakuzës” nga prokurori ushtarak, trupi gjykues kishte proceduar të akuzuarit. Pastaj, gjithnjë sipas verdiktit të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë, ishin intervistuar dëshmitarët:  Strahinja Sandeviq, Aleksandar Fërtuniq, Gjine Gariq, Dobrivoje Maksiq,  Ilija Sminiq, Konstantin Pllavshiq, Josip Ruben, Isak Koen, Qazim Deva,  Çeda Cvejiq,  Nikolla Markoviq,  Bozidar Malokoviq,  Bllagoje Dimitrijeviq,  Kërsta  Staniq, Menka Milkoviq, Millan Iliq, Strahinje Sandoviq, Nikolla Markoviq, Angja Tanaskoviq,  Sreten Savoviq,  Dobrilla Popoviq. Përtej rrëfimeve të tejmbushura me rrena të kulluara të dëshmitarëve të rekrutuar serb, trupi gjykues kishte demonstruar “prova” shkresore të ofruara nga paditësi ushtarak duke mëtuar vërtetimin e autorësisë për “krimet” që i atribuuoheshin të akuzuarëve me “aktakuzë”.  Ç’është e vërteta, me këto mjete “provuese” po vendosej fati i pjesës së mbetur të jetës së të akuzuarëve, fat të cilin këta sikur e ndjenin thellë në lëkurën e tyre.

Duke iu referuar “aktgjykimit” të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë është konstatuar pothuajse për secilin të akuzuar nëse ka patur apo jo rrethana lehtësuese, përkatësisht nëse kanë pranuar apo jo fajësinë. Në këtë kuptim, për të pandehurit: Osman Ibrahimi, Et’hem Ferati, Tefik Bekteshi dhe Todor Cvetkoviq, theksohet se  s’ka rrethana lehtësuese, ndërkaq për të akuzuarit: Hamdi Gashi, Abdyl Zhubi, Xhevdet Bajrami, Musa Qollaku, Ramadan Rexha dhe Nebih Hoda, thuhet se këta kanë pranuar “krimet”.

Ndërkaq, vizavi këtyre deklarimeve të dala nga “aktgjykimi” në fjalë, sipas autorit të monografisë “Kujtimet …” të Ramadan Rexhës, gjendja rezulton më ndryshe. Ç’është e vërteta, tezat  dhe pohimet e veta,  autori Ramadan Rexha, shpjegon dhe argumenton vijimisht duke  pretenduar se: fjala mbrojtëse e Osman Ibraimit, Et’hem Feratit dhe Tefik Bekteshit  – “nuk dëgjohet” nga zhurma e masës në “gjykatore”; se  fjala e Hamdi Gashit mbyllet “pa pëgjegje”; se  Abdyl Zhubi ka pretenduar që me “plaçkitje nuk jam marrë”; se Xhevdet Bajrami është deklaruar paksa ngjashëm, se “nuk kam bërë kurrfarë krimi”;  se Musa Qollaku poashtu është shprehur se “askend nuk e kam dëmtuar; Ramadan Rexha ka mohuar fajësinë duke u shprehur troç: “nuk e ndjej veten fajtor”; Nebih Hoda poashtu ishte mbrojtur duke pretenduar shkurt: “Nuk i kam plaçkitur qytetarët” ashtu sikundër edhe Bahri Abdurrahmani “nuk jam pasuruar  në dëm të qytetarëve”.

Sipas këtyre dromcave të mbrojtjes juridiko-penale të të akuzuarëve të dala nga libri “Kujtimet …” të Ramadan Rexhës, të gjithë të akuzuarit sikur me një gojë mohonin fjalëprerë fajësinë për “krimet” e specifikuara në “aktin akuzues” prokurorial.  Në këtë sens, qëndrimet e të të akuzuarëve me shpirt solidar sikur përkonin katërcipërisht njera me tjetrën sepse këmbëngulnin se nuk kishin realizuar asnjë aktvitet ndesh me ligjin. Ndaj, nuk kishin si t’i honepsnin veprimet  e mveshura inkriminuese sipas versionit prokurorial. E mu në këto çaste, prishte qetësinë në “gjykatore” uturima e audiencës që shpërtheu përmes sloganeve propaganduese në serbishte: “Smrt, Kolac, Konopac !” (“Vdekje në hu, në litar !”). Me pretekst pushkatimi në këtë atmosferë të ndezur skajshëm para subjektëve procedural penal (gjykatësve, prokurorit dhe publikut), të akuzuarit të dekurajuar pritnin që trupi gjykues do iu falë ndonjë besim eventual pretendimeve të tyre. Kjo atmosferë shpërfaqte egërsisht simbolikën e së keqes. Njëherit ishte këmbanë alarmi se diçka ekstremisht e keqe mund t’iu ndodh.

Shkërmoqja formale penale e grupit si e keqja e radhës nga bisha komuniste që po shkaktohej prej mekanizmave ordinerë represiv diktatorial e ushtarak: policisë, prokurorisë e gjyqësisë, po reflektohej egërsisht me “aktgjykimin” e Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë nr.  323/45, etj., të 18 maj 1945.

Kështu, referuar arsyetimit të “aktgjykimit”,  del se ,”gjykata ka gjetur se veprimtaria e të akuzuarëve ngushtësisht e lidhur  përbën tërësinë unike të punës së tyre tradhëtare kundër Lëvizjes NÇ”.  Ndaj, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë bijnë në ujdi  dhe “në emër të popujve të Jugosllavisë”, katër të akuzuar i dënojnë me vdekje – pushkatim , njëherit edhe ua humbin përgjithmonë të drejtate morale e politike dhe ua konfiskojnë tërësisht pasurinë, sepse janë fajtorë:

  1. Osman Ibrahimi:

sepse ka realizuar një varg veprimesh, se: “gjatë okupimit fashist  ka qenë në shërbim të okupatorit”. Pastaj, “ka marrë pjesë  në torturat e drejtpërdrejta  të idhëtarëve të lëvizjes NÇ”. Tutje, se paska qenë ”spiun dhe organizator i shërbimit të spiunimit në qarkun e Mitrovicës”. I njejti, paska“kontribuuar  që numri i madh i banorëve e sidomos  adhuruesit e Lëvizjes NÇ të burgosen,  internohen, dërgohen në llogore, në punë të detyrueshme nëpër miniera e disa edhe të pushkatohen”. Më tej, paska “kontribuuar si anëtar i  agjenturës Abvershtel – dega Gestapoja dhe me ndihmën e gjermanëve organizoi Xhafer Deva që një numë i pakufizuar i krimeve të shlyhen”. Poashtu, paska “kryer deportimin dhe  plaçkitjen e jevrejëve” dhe se “ka qenë pjesëmarrës  dhe njeri nga  kriminelet me të njohur … që ka organizuar  Xhafer Deva dhe Bajazit Boletini duke kryer në Pejë  59 vrasje, numër të madh në Gjakovë,  dhe Prizren, e disa qinda në Shkodër dhe Tiranë.”

  1. Et-hem Ferati:

sepse “si nënprefekt  i qarkut  gjatë kohës së okupimit  fashist” ka realizuar një varg veprimesh inkriminuese në Mitrovicë: “ka ndihmuar okupatorit që të mbaj rendin fashist, ka bashkëpunuar me  policinë dhe ka qenë ngusht i lidhur dhe ka bashkëpunuar me Ferat Beg Dragën, Lutfiun dhe Xhafer Devën, kriminelë të njohur lufte dhe armiqë të popullit” si dhe ishte agjitator në luftën  kundër Lëvizjes NÇ”. Tutje, kur “më 6 shtator 1944 kur nga reakcioni shqiptar qe formuar Komiteti i Mbrojtjes së Kosovës nga Lëvizja NÇ”. I njejti ishte “bërë  anëtar i tij dhe bashkëpunëtor aktiv”. Poashtu, “ka nxitur urrejtjen dhe mosdurimin kundër serbëve dhe ka punuar në mobilizimin e shqiptarëve kundër ushtrisë Nacional Çlirimtare”. Së fundmi, fajësohej se “i ka dërguar qarkut të Prefekturës Listën e idhtarëve të lëvizjes NÇ” dhe për pasojë “policia  ka kryer  burgosje të mëdha  dhe të burgosurit janë  dërguar në llogore dhe fati i shumicës është i pasigurtë”, theksohet në aktakuzë.

  1. Tefik Bekteshi:

sepse “ka qenë në shërbim të okupatorit së pari si sekretar i Nënprefekturës në Vushtrri e pastaj si sekretar  të Qarkut të Mitrovicës  dhe ka qenë ngusht i lidhur me  Xhafer Devën e Ibrahim Lutfiun”. I njejti “përgjegjës  është për shumë krime që janë kryer në Mitrovicë dhe rrethinë.” Më tej, ky, “ishte agjent i policisë dhe është dalluar në mobilizimin e njerëzve  për SS Divizionin “Skenderbeg”. Duke qenë me gradën toger, ishte pjesëmarrës “në ekspeditën e Xhafer Devës dhe Bajazit Boletinit”. Poashtu, ka vrarë në Pejë 59 idhtarë të Lëvizjes NÇ dhe ka qenë anëtar i gjyqit të nderit” në disa vende në “Prizren  dhe Gjakovë” ku janë vrarë me “qindra edhe në Tiranë dhe Shkodër.

  1. Todor Cvetkoviqi:

sepse “ka qenë në shërbim të  okupatorit si mjek në minierën “Trepça” dhe i ka ndihmuar okupatorit ashtu që çnjerëzisht  ka eksploatuar  fuqinë punëtore në punë të detyrueshme të njerëzve që i kanë sjellë  aty, ka qenë adhurues i organizatës së Drazha Mihajloviqit dhe … me administratën gjermane në minierë i ka  ka rekrutuar  për aradhën e Drazha Mihajloviqit …”

Pas këtyre 4 të akuzuarëve të dënuar me vdekje – pushkatim, me të njejtin aktgjykim, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake e shkallës së parë bijnë në ujdi se janë fajtorë edhe 7 pjesëtarë të tjerë të grupit  që paralelisht me humbjen e të drejtave morale e politike dhe konfiskim të pasurisë, dënohen:

  1. Hamdi Gashi:

dënohet me burgim të përjetshëm dhe me humbjen e të drejtave morale  e politike –

sepse “si nënprefekt  i qarkut  të okupatorit  në Vushtrri ka qenë organizator dhe fajtor për të gjitha vrasjet që janë kryer ndaj popullatës serbe me ç’rast kanë vdekur  një numër i madh njerëzish në Vuçiternë dhe rrethinën e saj”. Pastaj, i njejti “ka kontribuuar të krijohet  urrejtja nga ana e popullatës serbe ndaj shqiptarëve”. Poashtu, “është si i korruptuar dhe armik i ashpër i popullatës serbe.”

  1. Abdyl Zhubi:

dënohet me 20 vjet burgim dhe me humbjen e përhershme të të drejtave morale e politike dhe konfiskimin e 70 % të pasurisë

sepse “si  toger i Regjimentit të Kosovës  ka marrë pjesë në të gjitha  vendet ku ky regjiment ka kryer krime  në Kosovë dhe Shqipëri për çka ka fituar gradën toger”.  Poashtu, ka bashkëpunuar me policinë në spiunimin dhe keqtrajtimin  e idhtarëve të Lëvizjes NÇ.”

Tutje, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së pare bijnë në ujdi se janë fajtorë dhe dënohen me nga 15 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave morale e politike për periudhën prej 10 vitesh dhe konfiskimin e pasurisë prej 60 %, veç e veç:

  1. Xhevdet Bajrami:

sepse “si komandir i çetës së Xhandermerisë në Mitrovicë ka qenë njeri ndër bashkëpunëtorët e okupatorit për kryerjen e krimeve”. Pastaj, “ishte i njohur si armik i Lëvizjes NÇ që ka bashkëpunuar me  organizatën tradhëtare të Drazha Mihajloviqit përmes Zhika Markoviqit dhe majorit Cvetiq me qëllim të luftës së përbashkët kundër Lëvizjes NÇ.”

  1. Musa Qollaku:

sepse “ka qenë anëtar i Abvershtel – Dega  e Shërbimit informativ gjerman”. Në këtë pozitë ”ka spiunuar  dhe  zbuluar  idhtarët e Lëvizjes NÇ që kanë qenë të burgosur, të internuar  e të dërguar në punë të detyrueshme  dhe të pushkatuar”. Tutje, “ka kontribuuar  në shfaqjen e urrejtjes midis popullatës ortodokse dhe muslimane”

  1. Ramadan Rexha:

Sepse “ka qenë njeri ndër ndihëmsit e kriminelit të luftës dhe armikut të popullit Ibrahim Lutfiut  i cili ka qenë i besuari  i tij  duke i dërguar raporte kundër  idhtarëve të Lëvizjes NÇ”. I njejti “ka punuar në organizimin  e rinisë  në frymën fashiste”. Poashtu, i është përafruar  edhe UNÇ dhe është caktuar komesar i çetës  duke u përgatit me rrobe gjermane e duke u armatosur  për luftë kundër Lëvizjes NÇ dhe pas një kohë të shkurtër  ka dezertuar”. Më pas, “i është bashkangjitur  grupit grabitqar  të Shaban Polluzhës ku ka qenë një kohë të gjatë duke luftuar kundër UNÇ.”

Anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së pare bijnë në ujdi se janë fajtorë dhe dënohen nga 10 vjet burgim, humbjen e të drejtave morale e politike për periudhën 5 vjeçare dhe me konfiskim pasurie prej 60 %:

  1. Nebih Hoda:

sepse i cili duke qenë në nënprefekturën e Vuӓitërnës “shef i administratës tatimore i ka ndihmuar okupatorit të mbaj pushtetin”. Pastaj, “në jetën publike  i ka ndihmuar fashizmit në organizimin e rinisë sipas modelit fashist”. Tutje, “ka edukuar me frymën fashiste dhe ushtarakisht i ka përgatitur kundër Lëvizjes NÇ”. I njejti, “ishte sekretar i rinisë  fashiste dhe anëtar aktiv i grupit  shqiptar që ka pas për detyrë ruajtjen e regjimit  të okupatorit në Kosovë  e Metohi, për ç’gjë ky grup më vonë ka formuar ushtrinë e vet e cila ka luftuar kundër Lëvizjes NÇ”. Si i tillë, “në vitin 1943 ka qenë sekretar i këtij grupi”.

  1. Bahri Abdurrahmani:

sepse i cili “aktivisht i ka ndihmuar okupatorit ashtu që ka qenë njeri ndër armiqët e njohur të popullatës serbe, duke përhapur urrejtjen e shqiptarëve ndaj serbëve ku ka qenë synimi”. I njejti, “shpesh herë është shfaqur në diskutime publike ashtu që në një rast në diskutimin e vet ka theksuar: “Më falni vëllëzër që nuk di të flas me gjuhën time amtare por flas me këtë gjuhë të qenit – serbisht” me ç’rast ka inkurajuar shqiptarët e prirur të grupit fashist dhe prandaj kanë sulmuar serbët e malazezët”. Poashtu, “duke shfrytëzuar ndikimin e vet që ka patur tek pushteti fashist është marrë me tregti sidomos berzën e zezë dhe është pasuruar shumë”. Përndryshe, “është i njohur në Pazarin e Ri si njëri nga  pjesëtarët e shquar  të  reakcionit fashist shqiptar i cili bashk me  Aqif Blutën dhe Ahmet Dacin, këta armiq të njohur të popullit dhe kriminel lufte të cilë janë pushkatuar  si kriminel, ka  djegur fshatra të serbëve ka ndërsyer  arnautë kundër serbëve … sepse gruan e ka patur gjermane”.

  1. Shaban Mustafa:

Së fundmi, anëtarët e trupit gjykues  të Gjykatës Ushtarake në shkallë të parë bijnë në ujdi  që i akuzuari Shaban Mustafa të “Lirohet nga akuza sepse, gjatë gjykimit nuk janë provuar veprimet “inkriminuese”: që si kryetar i Komitetit shqiptar, të ashtuquajtur Lidhja e II e Prizrenit, ka vepruar në Kosovë e Metohi  për t’u mbetur nën okupimin fashist”.  Poashtu, “ka ndihmuar  luftën  kundër Lëvizjes NÇ e si anëtar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës ka grumbulluar ushtarë për luftë  kundër LNÇ në Prepolc dhe Shalë”.

Kësisoj, del se në rrugën e  vështirë të kërkimit të së vërtetës nga të akuzuarit, trupi gjykues pa asnjë hamendësim juridik po mbështeste në plotëni dëshmitë e gënjeshtërta, rrëfimet banale, makinacionet e dëshmitarëve të fabrikuar e puthadorë që kishin shkapuritë tregimet e trilluara për të gjithë të akuzuarit, hiq vetëm të akuzuarin e fundit, Shaban Mustafa. Përndryshe, Tafil Morina në monografinë “Mustafë Venhari …, (fq. 16)” , duke transmetuar prononcimin e Ramadan Rexhës, shkruan: “Shaban Mustafa u lirua, meqë për te – disa tregtarë serbë nga Mitrovica (Voja dhe Llazar Jevtiqi), dëshmuan që ai në atë kohë, i ka mbrojtur ata dhe të tjerët nga persekutimet e pushtetit të atëhershëm”.

Hiq rastin e Shaban Mustafës që sapo u përmend, ky trup  apo thënë ndryshe ky turp gjykues, pa ekuivoke po i besonte lehtësisht pothuajse të gjithë dëshmitarëve. Ngjashëm po i besonte edhe dokumenteve formale të servuara nga akuzuesi ushtarak. Me të gjitha këto “prova” (personale e materiale ) kinse “hedhej dritë” mbi “krimet” e kryera nga të akuzuarit dhe krijohej mirazhi i fajësisë së tyre. Kësisoj ishin “shpalosur dhe ndriçuar” specifikisht “bëmat  kriminale”. Për pasojë, në qarqe të ndryshme, të dënuarëve të këtillë u atribuuoheshin togjalëshat terminologjik të tipit: “armik i popullit”, “kriminel lufte”, “bashkëpunëtorë nazifashistë” e të ngjashëm.

Me këtë butafori mashtruese dhe mori “provash” përqohej porosia në opinion se hipotezat dhe tezat e stivuara prokuroriale të dala gjatë hetimit, pastaj nga “aktakuza” e projektuar si dhe nga pretenca e prokurorit  ushtarak – gjoja paskan “vërtetuar” kryerjen e “krimeve” të natyrës politike.

Rrjedhimthi, qenka “provuar” përgjegjësia penale e të pandehurëve si “autorë” krimesh.

Marrë shkas të gjitha këto djallëzira,  trupi gjykues  çmontoi pretendimet e të pandehurëve. Stisi edhe shpifje vetëm e vetëm për të justifikuar bindjen e vet me të cilën përmbyste totalisht realitetin objektiv. Këtej, me ambicje të shfrenuara – në njerën anë dhe me thellësinë e ndërgjegjës së errët të anëtarëve të trupit gjykues – në tjetrën anë, u reflektua sertë gjyqi përmes të zezës mbi të bardhën.  Ç’është e vërteta, sipas përmbajtjes së verdiktit  penal të Gjykatës ushtarake të shkallës së parë, pjesëtarët e grupit “kriminel” me veprimtarinë e tyre “inkriminuese” paskan rënë “ndesh” me norma penale pozitive. Andaj, pothuajse të gjithë të pandehurit së koti i kishin vënë në sprovë mbrojtjet e tyre, ndonëse pa mbrojtës profesional (avokatë), përveç njerit  (Todor Cvetkoviq)  që mbrohej nga Gojko Cvetkoviq, sikundër del nga përmbajtja e aktgjykimit në fjalë.

Procesi kriminal në Beograd vulosi epiloun kriminal

Të pandehurit ankues, sfiduan  Gjykatën ushtarake të shkallës së parë përkitazi me akgjykimin e shpallur. Këtu, nuk ka si të mos vihet në spikamë e dhëna se në arealin shqiptar shumë zor pritej që ankesat e depozituara do të shenojnë ndonjë sukses eventual. Përkundrazi. Duke iu atribuuar fotokopjes së dokumentit nr.  971/45, datë 12 qershor 1945 besnik me origjinalin, mësojmë se Gjykata e Lartë e Armatës Jugosllave – Kolegji pranë Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, si shkallë e dytë kishte vënë drejtësinë finale  ashtu që: disa dënime të shqiptuara nga Gjykata Ushtarake e shkallës së parë i kishte vërtetuar, sikundër edhe lirimin nga akuza, rrjedhimisht mos-humbjen e të drejtave morale e politike dhe moskonfiskimin e pasurisë për të akuzuarin Shaban Mustafa, ndërkohë që dënimet tjera i kishte ndryshuar në kuptim të ashpërsimit të tyre.

Me të përfunduar procedura e ankimimit  në Gjykatën e shkallës së dytë dhe kthimin e dosjes penale mbrapsht,  kryegjykatësi i trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake  të shkallës së parë, Mirko Peroviq, në pasditën e 22 qershori 1945 ngutej të prononcohej. Lexoi  pjesët kruciale të “aktgjykimit” dizajnuar nga Gjykata e Lartë e Armatës Jugosllave adresuar vetëm atij – jo edhe pjesëtarëve të grupit. Kësisoj, ua transmetoi të dënuarëve epilogun e ankimimit shpërfaqur përmes aktgjykimit, përkatësisht, vendimit mbi dënimet, një vëndim tronditës përfundimtar dizajnuar nga gjykata instanciale.  E këtë akt nuk e bëri në “gjykatore”, ku  ishte mbajtur séanca penale. Parapëlqeu ta bëj në korridorin e podrumit të hotelit “Jadran” Burgut  (!?),  ku ndodheshin dhomat e errëta e të ftohta (lexo: qelitë) e të paraburgosurëve, përkatësisht të akuzuarëve. Ndërkohë që, qëndronte përball të akuzuarëve, përkatësisht të paraburgosurëve të cilët me gjakftohtësi shembullore vëmendshëm përcillnin leximin e verdiktit përfundimtar gjyqësor që kishte epilog tronditës. E pas kësaj pritshmërie, ua kumtoi se:

  • për katër të pandehur: Et’hem Ferati, Osman Ibrahimi, Tefik Bekteshi dhe dr. Todor Cvetkoviq konfirmoi vendimin e dënimit të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë – dënim me vdekje – pushkatim dhe humbjen e të drejtave morale e politike dhe konfiskimin e pasurisë
  • për tre të pandehur ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë në kuptim të dënimit dhe i dënon me vdekje – pushkatim dhe me humbjen e përhershme të të drejtave morale  e politike dhe të konfiskimit të pasurisë sepse ka cilësuar rënduese një vistër rrethanash të cilat ka “dështuar” së vlerësuari Gjykata Ushtarake e shkallës së parë dhe ate se:
  • Hamdi Gashi: “si nënprefekt i qarkut ishte njeri ndër ndihëmsit  në edukimin e Komitetit të qarkut të Kosovës, se  këtij Komiteti çdokund  i ka ofruar  çdo lloj ndihmë dhe ka ndihmuar punën e tij”. Pastaj, “se në qarkun e tij janë vrarë  numër i madh serbësh që gjithsesi është rezultat i ndihmës së tij dhe  të tjerëve  që kanë qenë  në shërbim të fashizmit e që kanë shkuar  në shfarosjen  e banorëve serb”. Tutje, rrethana rënduese ka cilësuar edhe këto: se “ka ndihmuar  formimin e regjimentit të Kosovës që ka kryer shumë krime në regjionin e Drenicës”; se “ka marrë pjesë  në udhëheqjen e akcioneve rreth organizimit e zbatimit  të të gjitha masave që  fashistët e atij regjioni kanë kryer” dhe se “ka bërë shumë krime duke i likuiduar dhe detyruar popullatën serbe që të shpërngulen nga Kosova”;
  • Xhevdet Bajrami: se: “si personalitet i besuar i okupatorit ka ardhë nga Tirana si ekspert special për organizimin e xhandermerisë sipas direktivave të okupatorit; se “ka ushtruar shumë dhunë  ndaj banorëve të asaj ane”; se “ka organizuar bisedime si ndërmjetësues të grupeve okupatore-tradhtare me qëllim të  akcioneve të përbashkëta kundër LNÇ; se “ka zhvilluar bisedime para grupeve tradhëtare të Ibraim Luftiut dhe Ali Dragës me udhëheqësit e organizatave tradhëtare dhe ate Zhika Markoviq dhe major Cvetiq.”
  • Musa Qollaku: se “ishte në shërbim të policisë informative gjermane”; “ka zbuluar idhtarët e LNÇ prej të cilëve disa janë burgosur, internuar  dhe pushkatuar”; se “ka qenë  personaliteti më me ndikim pas Xhafer Devës, Ibrahim Lutfiut dhe Ethem Feratit në territorin e Kosovës dhe Metohisë” dhe se “ka qenë anëtar i Gestapos dhe organizator i Shërbimit të spiunimit në Mitrovicë”.

Ndryshe, dënimet e shqiptuara nga Gjykata Ushtarake e shkallës së pare i vërtetoi ndaj të pandehurëve:

  • Abdyl Zhubi, i dënuar me burgim prej 20 vitesh, me humbjen e përhershme të të drejtave morale e politike dhe konfiskimin e pasurisë prej 70 %;
  • Ramadan Rexha, i dënuar me burgim prej 15 vitesh, me humbjen e të drejtave morale e politike për 10 vjet dhe konfiskimin e pasurisë  60 %;

Pastaj, për dy të pandehurit:

  • Bahri Abdurrahmani dhe Nebih Hoda

konfirmoi dënimet e Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë  nga 10 vjet burgim, humbjen e të drejtave morale e politike  gjatë 5 viteve dhe konfiskimin e pasurisë prej 60 % të secilit veç e veç;

Çuditërisht, Gjykata e Lartë të Armatës Jugosllave në dokumentin II nr. 971/45, datë 12 qershor nuk bën fjalë fare për të pandehurin e liruar nga akuza Shaban Mustafa listuar nën nr. 12 të aktgjykimit të ankimuar të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë, datë 18 majit 1945 nr. 323 …/45.

Ekzekutimi i dënimit me vdekje – pushkatim

Për aktgjykimin e trishtë të formës së prerë të shkallës së dytë i cili tani më quhej i ekzekutueshëm, shtatë të dënuarit me vdekje – pushkatim, siç u tha, ishin vënë në dijeni një ditë më heret (22 qershor 1945) se të nesërmen do realizohet kjo sekuencë makabëre e privimit të dhunshëm nga jeta. Mirëpo, autoritetet kompetente juridike nuk i kishin vënë në dijeni të dënuarit edhe për mundësinë eventuale të ushtrimit të ndonjë mjeti të jashtëzakonshëm juridik nga ana e të dënuarëve !

Kështu që, në mëngjesin 23 qershori 1945, shtatë të dënuarit me dënim kapital – pushkatim, të prangosur në duar dy nga dy, u mbërthyen barbarisht jashtë hapësirave të bodrumit të hotelit “Jadran” në Mitrovicë, ku i nënshtroheshin torturave dhe regjimit mizor.

Tani, le ta sjellim në vëmendje faktin se kur shtatë të dënuarit me vdekje u ekspozuan publikisht, masa e qytetarëve të frustruar përballë godinës së hotelit sakaq filloi të shpërfaq revoltin agresiv me vërshëllima e britma kushtrues, me ovacione e zëra ekzaltues. Me sjellje të përçmuara transparente një numër i madhë “serbësh, romësh, turqish e tek-tuk edhe ndonjë shqiptar”, sipas prof. dr. Sabile Keqmezi-Basha, kësisoj po solidarizohej me vendimet kriminale për pushkatim që ishte sanksioni më i rëndë penal. Veç kësaj, represioni i imponuar nga gjykatat ushtarake të sistemit  komunist po shoqëroheshin edhe me fyerje e ofendime nga ushtarët e Njësitit partizan nga Rahoveci.

Sipas shkruesit të monografisë “Kujtimet …” Ramadan Rexha, Rasim Qerkezi – eksponent i regjimit gjakatar ia kishte hjek plisin nga koka të dënuarit Osman  Ibrahimit,  e kishte shtrydh e pështy duke i thënë: “Ju jeni kriminel,  …tradhëtar, … gjyqi komunist është gjyq i popullit”. Kur tentoi t’ia rrëmbej plisin nga koka edhe të dënuarit Tefik Bekteshit, ky i fundit e kishte pështy fytyrës dhe goditur shqelm në vend të ndjeshëm.  Arrogancë dhe urrejtje deri në palc spikaste oficeri rahovecas Vahid Ramadani kur pas shpine ua hiqte me brutalitet plisat prej koke të dënuarëve të prangosur.

Zyrtarëve të këtillë të papërmbajtur, shqipfolës e hundëpërpjetë të ngrehinës komuniste sllave të cilët po ngjallnin potencialisht sentimente armiqësore – as që po ua vriste ndërgjegjën shëmtia e veprimeve botërisht të shpërfaqura, degradimi moral e njerëzor tok me servilizmin e arrirë deri në poshtrim. Pikërisht kësisoj, këta kishin humbur fare kredibilitetin kombëtar që ishte imazh i një të vërtete të idhët.

Sipas memorjes kolektive, inskenimi i “proceseve gjyqësore” ishte ndër misionet më pikante me të cilat regjimi komunist diktatorial i kohës shprehte fenomenin e likuidimit fizik të njerëzve që ishin pre e përndjekjeve të këtij regjimi famëkeq. Kësisoj duhet kuptuar e kujtuar edhe kjo epizod e gjyq kriminal.

Duke realizuar agjendën tronditëse të kauzës kriminale, shtatë të gjykuarit që i priste vdekja,  të veshur me kostume të reja  dhe plisa  të sjellur nergut për këtë rast nga  Arif  Prekazi, babai i të dënuarit Et’hem  Ferati-Prekazi dhe i vendosën nxitimthi në kamionin e zbuluar.  Ndërkaq,  artikullshkruesi  Fazli Hajrizi në shkrimin  e sipërpërmendur “Homazh për …” (fq.173),  bën përshkrimin e një situate të rrallë: “E ëma e Todor Cvetkoviqit iu afrua të birit të vet për t’u përshëndetur  dhe për ta kryquar. Mjeku e përqafoi t’ëmën, mirëpo nuk e lejoi t’i bëj kurrfarë ritesh fetare, duke i thënë se unë  do të veproj vetëm ashtu si më udhëzon Ethem Ferati”.”  Tani, transporti i kontigjentit me të dënuar politik përcillej me gumëzhinën e motocikletave drejtuar prej policëve e ushtarakëve dhe me britmat e qytetarëve që mezi prisnin pushkatimin. E, duke qëndruar të pamposhtur dhe të rrëmbyer nga ndjesia e idealeve të larta, shpërthyen edhe brohoritjet e forta artikuluar nga të viktimizuarit. Kështu, i dënuari Et’hem Ferati iu drejtohet me fjalët: “Ne nuk jemi fajtorë, aq më pak tradhëtarë. As kriminel nuk jemi … kemi derdhur gjak për t’i mbrojtur këto troje … nesër do të kuptoni të vërtetën … Rroftë Kosova ! Rroftë Shqipëria ! Ndërkohë, kolona mori drejtimin prej hotelit “Jadran” kah ura e Sitnicës për te vendi i destinacionit. Me të arrirë te kodrina përball varrezave serbe në Mitrovicë, aty pranë skenës trishtuese të përgatitur ditë më parë për ekzekutim zbresin nga makina shtatë fatkeqët e prangosur që të finalizohet agjenda kriminale komuniste. Pastaj, sakaq i lidhin një nga një në shtatë shtylla të ngulitura para gropës së hapur. Shënjestruan nga tytat e armëve të zjarrit prej efektiveve  të armatosur të togut pushkatues. Sipas agjendës së gjyqësorit ushtarako-komunist, eventi tragjik kulmoi në vendvarrim në ora 10,00: nishanxhijntë  e armëve të gjata rreshtuar përball shtatë të dënuarëve shkrepën pamëshirshëm rrëbesh predhash mizore në trupat e tyre.  Madje,  në këto caste, Ramadan Rexha në veprën “Kujtimet …” (fq. 199),  shpalos një gjest çmendurie, një shfryrje dufi  mbi baza politike por edhe etnike, do thoshim,  kur thekson : “Njera prej ekzekutoreve të togës, partizanja Dara Neradoviq, e cila pasi ua shkrepi edhe nga një plumb secilit, thirri: ”Hajt, tashti folni edhe një herë për Kosovën !”. Jehona e dhembshme e batareve të pushkëve që u zbrazën u përhap n’ato kodra që dominojnë relievin kodrinor të fshatit Shupkovc të komunës së Mitrovicës. Në mbarim të aktit të ekzekutimit realizuar nga thellësia e entuziazmit të krisur të ekzekutorëve, kufomat i hodhën në gropën e përbashkët. I mbuluan sakaq me dhe. Më pas, togu u kthye mbrapsht.

Në materialin që kemi shfrytëzuar përkitazi me këtë proces gjyqësor, nuk kemi arritur të vërtetojmë nëse është përpiluar ndonjë dokument formal rreth aktit të ekzekutimit me të dhëna relevante p.sh. koha, vendi, identiteti, i të ekzekutuarëve politikë, identiteti dhe funksionet e zyrtarëve të pranishëm, nr. dhe data e aktgjykimit t të formës së prerë, përkatësisht të ekzekutueshëm, etj.

“Pas disa ditësh plaku Vesel Maloku kishte kaluar pranë vendit ku ishte bërë krimi  dhe ku ishin varrosur “kriminelët”. Kishte parë  gropën e përgjakur e të mbuluar shkel e shko, ku diku dilte një këmbë e diku një dorë … I kishte  mbuluar me dhe dhe sipër vendit kishte vënë disa ferrra që të mos i shqyenin qentë …” citohet  të ketë thënë autori Rexha në përshkrimin rrënqethës në  librin e vet “Kujtimet …” (fq. 199).

Pas këtij misioni heroik vazhdojnë të prehen në qetësi  qe 79 vjet gjashtë martirët shqiptarë: Osman  Ibrahimi (38 vjeçar);  Et’hem Ferati (32 vjeçar);  Tefik Bekteshi  (31 vjeçar); Hamdi Gashi (63 vjeçar); Xhevdet Bajrami (38 vjeçar); Musa Qollaku (24 vjeçar). Vendndodhja e varreve  të këtyre viktimave të komunizmit nuk u zbulua kurrë ! Me këtë akt makabër dhe revansh komunist – se po gjykohen bashkëpunëtorët e regjimit, regjimi shtypës i kohës ia doli mbanë eliminimit të intelektualëve  nacionalistë shqiptarë me orientim properëndimorë. Kësisoj, ky regjim sllavokomunist realizoi edhe një skenar të përgjakshëm të projektit kriminal në vazhdën e skenarëve tjerë, projektuar e sponzoruar nga ai vet.  Vetëkuptohet se, me realizimin e këtij eventi  të rëndë, regjimi mëtoi se shkundi nga kurrizi edhe një grup kundërshtarësh politik shqiptar në zingjirin e gjatë të aksioneve ekstremisht të egra.

Ekzekutimi i dënimeve me  burgime periodike

Pas pushkatimit të shtatë të pandehurëve më 23 qershor 1945, sakaq u dërguan nëpër burgje serbe ku prapa grilave do dergjen dhe vuajnë ndër vite katër të dënuarit: Abdyl Zhubi (i dënuar 20 vjet burg), Ramadan Rexha (i dënuar 15 vjet burg), Bahri Abdurrahmani (i dënuar 10 vjet burg) dhe Nebih Hoda (i dënuar 10 vjet burg). E historiku i vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore nga dora e hekurt diktatoriale për këta të katërt, vetëkuptohet se do vijojë paskrupull.

Kështu, pas qëndrimit në burgun e improvizuar në hotelin “Jadran” në Mitrovicë, katër të dënuarit me burgim do i dërgojnë në Burgun e Prishtinës. Pas një nate, do i çojnë në Burgun e Kurshumlisë, ku poashtu do kalojnë një natë. Më pas, do i dërgojnë në Burgun e Prokuples ku do qëndrojnë disa javë. Prej këtu do dërgohen në Burgun e Pozharevcit. Ky rravgim i mundimshëm nga njëri në tjetrin burg do mbaroi më 18 shtator 1945 me transferimin e fundit të patriotëve shqiptarë (dhe një serbi) në Burgun famëkeq në Mitrovicë të Sremit. Në ambientet e këtij institucioni famëkeq penitenciar ndodheshin në vuajtjen e dënimeve edhe një numër jo i vogël i bashkëkombasëve të këtyre katër atdhetarëve. Po aty, më pas transferoheshin sukcesivisht edhe të burgosur të tjerë shqiptarë prej burgjeve jugosllave.

Nga mbajtja e mëtejme e dënimit  me burgim në Mitrovicën e Sremit do lirohen: Abdyl Zhubi, pas gati 9 vitesh, pikërisht më 29 nëntor 1953 duke u amnistuar nga Qeveria jugosllave.  I njejti, pas nëntë vitesh tjera në liri do ndërroi jetë nga sëmundja e zemrës në moshën 46 vjeçare dhe ate pikërisht më 28 shkurt 1962. Ramadan Rexha pas gati 15 vitesh, më 30 nëntor 1958 përmes amnistisë. E quajmë të domosdoshme që këtu të shtojmë edhe diçka: dy vite e gjysmë pasi u lirua nga ky burg, i njejti,  do arrestohet sërish, më 22 maj 1961. Gjykata e Qarkut në Prishtinë do e dënoi për vepër penale politike me një vit burgim duke u liruar nga paraburgimi pas një muaji në pritje të aktgjykimit të formës së prerë. Më vonë fillon mbajtjen e dënimit. Lirohet nga Burgu i Nishit, më 18 shtator 1961. Vdes në moshën 91 vjeçare, më 4 prill 2012. Bahri Abdurrahmani – sapo ishte liruar nga mbajtja e dënimit me burgim lëshoi vendin. Vdiç në moshë 60 vjeçare, më 19 korrik 1972 në Stamboll. Për të dënuarin nebih Hoda, s’kemi arritur të sigurojmë asnjë të dhënë rreth lirimit nga burgu dhe jetës në liri.

Do përfundoj këtë copë shkrimi me një citat nga vepra “Kujtimet …”  (fq. 57) të Ramadan Rexhës ku  përshkruan fundit misterioz të dy nacionalistëve shqiptarë Bedri Gjinajt dhe Idriz Rexhës:

“Sipas asaj që është thënë më lart, del se në paraburgim së bashku me këta që janë dënuar, ishte edhe Idriz Rexha por atë nuk e sjellin para trupit gjykues. Megjithatë, sipas Ramadan Rexhës ai ishte dënuar me vdekje sipas një procedure të shkurtër dhe është ekzekutuar pak kohë para këtyre. Para trupit gjykues nuk u nxor as Bedri Gjinaj. Edhe ai kishte qëndruar një kohë në burg me ta. Një ditë ishte sëmurë shumë. Mjeku Cvetkoviq kishte alarmuar rojën se i burgosuri është i sëmur nga tifoja dhe se ka rrezik që të infektohen të gjithë. E nxorën dhe e dërguan në spitalin e Mitrovicës. Atje e helmuan. Kurrë nuk u dit për eshtrat e këtyre dy martirëve, Iidriz Rexhës dhe Bedri Gjinajt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok