N Ë M A
Nga Hamza Halabaku
Nuk më kujtohet as data e as cila ditë e javës ishte, një vere të pas luftës së fundit në Kosovë, kur zdirgjesha nga semaforët kryesorë të Prishtinë, në drejtim të qendrës së qytetit, rrugës kryesore që e ndan Fakultetin Filozofik të Universitetit „Hasan Prishtina“ dhe Katedralen „Nëna Tereze“. Isha nisur për në shesh që të takohesha me një mikun tim. Aty para Fakultetit Filozofik, posht, skaj rrugës kryesore, atëhere nuk kishte parkingje nëntoksore, gati për çdo ditë rrinte ulur një i moshuar që para vete kishte një tavolinë që mund ta merrje nën sjetull e ta lëvizje nga do që dëshiron. Ishte një tevolinë lëvizëse, si thuhet, e mbi të, i moshuari kishe vendosur ca gjëra të imta për t’i shitur. Pasi e përshëndeta me një mirësjellje timen të zakonshme, e pyeta si i shkonte shitja e gjërave që i kishte vendosur mbi tavolinën e tij lëvizëse. Në anën e tij të djathtë e kishte edhe një peshore…
-Ja, kështu sa me u bë “idare”, – më tha i moshuari! E kuptova shumë mirë përgjigjen e tij.
– Dalë këtu se e kam më lehtë ta përballoj skamjen time! Dikush blen ndonjë letër duhani, dikush ndonjë farë kungulli, e ka edhe të atillë që edhe e kontrollojnë peshen e tyre në këtë peshoren time të vockël, – të cilën përveç me fjalë ma tregoj edhe me dorën e tij të majtë.
Pas disa pyetjeve të mia, pa llidhje, e përgjigjeve të të moshuarit e kuptova se edhe ai ishte njëri nga hallegjinjtë e kryeqytetit të Republikës sonë.
– Po mirë, i thash, a bënë të ta bëjë edhe një pyetje ?
– Veç urdhëroni, – më tha i moshuarai, – po nuk e di a do të jeni i knaqur me përgjigjen!
Më trego, të lutem, pse neve nuk po na ecën puna mbarë. Gjithë ato viktima që na shkuan gjatë luftës së fundit, gjithë ato masakra ku nuk u kursyen as fëmijët më të vegjël, na dogjën e na dhunuan…
– I di të gjitha, – më tha i moshuari dhe sikur më lutej që të mos vazhdoja më.
– Kam qëndruar në mes të Prishtinës dhe kam dëgjuar e kam pa gjëra të tmrerrshme e trishtuese…
– E pse pra nuk po na ecën? – e pyeta për së dyti.
– Jemi të nemur! – tha i moshuari.
– Po kush na ka nëmur? – e pyeta me të shpejtë përsëri.
– Na ka nëmur, mbreti, na ka nëmur!
– Po pse të na zë nëma e mbretit. Ai erdhi në shtëpinë tonë, në tokën tonë, në vendin tonë. Edhe nëse na ka nëmur, nuk mund të na zënë nëmët e tija.
I urova një ditë të mbarë e të suksesshme dhe ika duke u menduar …
Shkoja rrugës drejt sheshit dhe mendoja, a mund të na zënë nëmët e sulltanëve, vezirve dhe të mbretëve të huaj, si më tha i moshuari. Nuk më mbushej mendja se nuk më mbushej, edhe pse më dukej i besueshëm pohimi se dikush na ka nëmur. Por, nuk e dija saktësisht se nga kush jemi të nëmur…
Sintagma jemi të nëmur duket se është shumë e vjetër dhe e përdorur bukur shpesh në kontekste të ndryshme, por më së shpeshti duke iu adresuar popullit tonë.
Pra kush na ka nëmeur?! Përgjigjja më e besueshme është se ne e kemi nëmur vetveten. A nuk është nëmë e mallkim ofshama e nënës së Rexhes, personazh te kënga ”Çou Rexho, çou, djalo”?! Kur e kam lexuar një shkrim për ngjarjen e Rexhës, më kanë vërshuar emocionet dhe e kam pyetur veten, si është e mundur të vritet një pjesëtar i familjes për motive kaq të ulta! Na ka nëmur edhe nëna e Hasan Prishtinës, që u vra në rruget e Selanikut në gusht të vitit 1933, ajo e Luigj Gurakuqit, nëna e Ramë Bllacës, ajo e Ahmet Shtimes, e Zefit të Vogël, ajo e kolonel Ahmet Krasniqit me akadami ushtarake, pinjoll i një familje patriotike. Na ka nëmur nëna e Enver Malokut, ajo e Xhemajl Mustafës, një intelektual i mirëfillt, autor i librit “Një lutje për Prishtinën”, që gjatë leximit të këtij libri jam emocionuar disa herë. Jam shumë i bindur se na ka nëmur nëna e Ismet Rracit, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, Smajl Hajdarajt, Ukë Bytuçit, Kolonel Tahir Zemajt, Ekrem Rexhes – komandant Drinit, e shumë nëna të tjera që edhe sot e kësaj dite nuk dihen dorasit e tyre! Na kanë nëmur nënat e bijëve dhe bijave më të mira të kombit tonë, hero e dëshmorë që derdhën gjakun për lirinë e vendit, jo vetëm tash pas luftës së fundit në Kosovë, po edhe shumë, shumë më herët.
