29/04/2026

Burrneshat, “Virgjëreshat e betuara” një rrëfim i shkurtër

0
Zholi-Jehona-Shqiptare8

Nga Albert Zholi

-Kam patur fatin që në vitin 2008 të intervistoj njërën prej tyre-

Atë ditë kisha marrë rrugën drejt një fshati të largët malor në verilindje. U nisa herët, me një ndjenjë kureshtjeje që më shtynte përpara. Një mik më kishte folur për të – një nga ato gra që jeta i kishte kthyer në legjendë të gjallë: një “virgjëreshë e betuar”. Rruga ishte e gjatë, e thyer, mes maleve që dukej sikur ruanin histori të pathëna. Kur mbërrita, ajo më priti pa shumë fjalë. Ishte veshur si burrat e malësisë: pantallona shajaku, bluzë e thjeshtë, trup i drejtë dhe një bastun i bukur në dorë. Në qëndrimin e saj kishte diçka të fortë, por edhe të heshtur. U ulëm përballë njëri-tjetrit. Nuk humba kohë.

-“Përse u bëre virgjëreshë e betuar?” – e pyeta.

Ajo ngriti sytë, sikur po kthente një kujtim të largët.

“Nuk kishim djalë në shtëpi,” tha qetë. “Ishim pesë vajza. Dikush duhej të mbante mbi supe emrin dhe përgjegjësinë e familjes. Iu luta babait. Ai pranoi… por më duhej të kaloja provën para këshillit, përpara pleqve të fisit, përpara dymbëdhjetë burrave që përfaqësonin rendin dhe ligjin moral të kohës”- E fitova besimin. Më pas shtoi, me një ton që nuk kërkonte as mëshirë e as lavdi: “E bëra betimin në moshën 21-vjeçare. Tani jam 67. Plot 46 vjet.” Fjalët e saj nuk ishin thjesht një shifër. Ishin një jetë e tërë. Në një shoqëri të ngurtë, ku rolet nuk lëviznin, kjo ishte rruga e vetme për të qenë e lirë dhe njëkohësisht e lidhur pas detyrimit. Ajo jetonte si burrë: me emër mashkullor, me të drejtë fjale në kuvend, me përgjegjësinë për të mbrojtur shtëpinë dhe për të marrë vendime. Në pamje të parë kishte fituar gjithçka që një gruaje i mohohej. Kurinë e duhanit e mbante në brez. Por koha kishte rrjedhur ndryshe për të. 46 vjet pa një jetë personale si grua. 46 vjet në një rol që nuk ishte zgjedhje e lirë në kuptimin e plotë të fjalës, por një marrëveshje me fatin dhe shoqërinë. 46 vjet sakrificë e heshtur. Ajo nuk u ankua. Nuk kishte pendesë në zërin e saj. Vetëm një qetësi e thellë, që të bënte të kuptoje se kishte bërë paqe me jetën e vet. Kur u ngrita për t’u larguar, ajo mbështeti bastunin dhe më hodhi një vështrim të gjatë, sikur donte të më thoshte më shumë sesa kishte thënë me fjalë. Malet përreth dukeshin edhe më të rëndë. Ika i mrekulluar.

*

“Virgjëresha e betuar”, nuk është thjesht një grua që ndryshon rolin e saj në shoqëri, por një qenie që sfidon kufijtë e gjinisë, duke u bërë urë mes fatit dhe zgjedhjes. Ajo nuk është thjesht një grua, por një betim i gjallë, një jetë e kthyer në sakrificë. Në sytë e saj lexohet një botë ku liria fitohet me mohimin e vetes. Dhe pikërisht aty nis rrëfimi i saj, mes dhimbjes, dinjitetit dhe fatit.

Burrnesha lind nga një betim. Një betim i rëndë, i pakthyeshëm, i bërë përpara pleqve të fisit, përpara dymbëdhjetë burrave që përfaqësonin rendin dhe ligjin moral të kohës. Ajo betohet për dëlirësi të përjetshme, për të hequr dorë nga jeta si grua, nga dashuria, nga mëmësia. Në këmbim, fiton një identitet të ri: atë të burrit.Sot, burrneshat janë gjithnjë e më të rralla. “Taboo e National Geographic” vlerësoi se ka më pak se 102 burrnesha në botë. Bota ka ndryshuar, rolet gjinore janë zbutur, dhe gratë nuk kanë më nevojë të mohojnë veten për të qenë të lira. Megjithatë, figura e burrneshës mbetet një dëshmi e fortë e një kohe kur nderi, zakoni dhe mbijetesa ishin më të forta se vetë individi. Ajo mbetet një simbol i dyfishtë: i forcës dhe i sakrificës, i lirisë dhe i mohimit. Një figurë që nuk mund të gjykohet lehtë, sepse brenda saj bashkëjetojnë dhimbja dhe dinjiteti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok