02/12/2024

MIQËSIA ME SHBA-të FILLOI NË PRILL 1990 NË UASHINGTON

0
Ibrahim-Rugpva

Nga Jusuf Buxhovi

“Sot u bënë 33 vite nga dita kur u lidhën nyjet e dy skajeve të litarit që lidhi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Më 29 gusht 1990, senatori amerikan Robert Joseph Dole erdhi ta vizitonte Kosovën, duke u takuar me një grup të gjerë përfaqësuesish politikë, aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.”

Kështu thotë kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti, me rastin e kësaj vizite, duke ia dhënë asaj verdiktin e një ngjarjeje historike.

Në të vërtetë, vizita e senatorit amerikan Robert Dol në Kosovë paraqet një ngjarje të rëndësisme, që ka ndikuar me të madhe proceset e mëtejshme të angazhimit të SHBA-ve në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të Kosovës në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë deri te ndërhyrja ushtarke e NATO-s në mars-qershor 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Por, fiksimi te kjo datë dhe te kjo vizitë, anashkalon zhvillimet tjera që i kanë paraprirë asaj, ndër të cilat gjithësesi si “nyje” paraqitet vizita e përfaqësuesve të partive politike dhe të intelektualëve shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera të Jugosllavisë, nga katër prilli deri më 22 prill të vitit 1990 në Uashington dhe Nju Jork, kur  në Këshillin e Senatit Amerikan për të drejtat e Njeriut  u dhanë dëshmi nga dr Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së, Rexhep Qosja – intelektual i pavarur si dhe Luljeta Pula- Beqiri. Gjatë asaj kohe përfaqësuesit shqiptarë u pritën nga Robert Doli si dhe në Stejt Departament.

Me këtë rast, duhet të theksohet fakti, se Robert Dol, pati një takim   joformal me dr. Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së njëherësh kryesues i delegacionit të përfaqësuesve të Kosovës  si dhe akademikun serb (autorit të memorandumit të fundit të Akademisë së Shkencave Serbe) Dobrica Qosiqin. Senatori Dol  kërkoi nga Qosiqi dhe Rugova qëndrime të prera si do të sillen në rrethanat e reja të pluralizmit politik ndaj  krizës së Jugosllavisë në shpërthim dhe me raportet gjeostrategjike në rrethanat e procesit të rënies së bipolariteti blokist pas rënies së Murit të Berlinit. Natyrisht se dr Rugova paraqiti qëndrimin e tij se shqiptarët kërkojnë liri, demokraci dhe barazi kushtetuese (subjekt i barabatë i   fedratës  apo konfederatës së ardhshme jugosllave), me çka do të mbështeten te Perëndimi dhe SHBA-të në veçanti. Ndërsa, Dobrica Qosiq, përkundrazi shfaqi qëndrimin se Serbia do të përkrah pluralizmin politik, por assesi nuk do të pranojë një konstalacion kur nga koalicione të ndryshme (përmendi LDK-në si partinë më të madhe në vend), qeveria mund të formohet nga jo serbët. Mbas kësaj, Robert Dol i tha Qosiqit  se me logjikën që pluralizmi të kthehet në diktat serb, nuk do të ketë Jugosllavi. Ndërsa Rugovës, të cilin e quajti  përfasqësues legjitim të shqiptarëve të Jugosllavisë, i tha se me një qëndrim të tillë fitonin mbështetjen e SHBA-ve, që  do t’i keni pranë.

Pra, nga pikëpamja historike, kjo është edhe nisma e asaj që merret “nyje” e angazhimit të SHBA-ve me Kosovën dhe çështjen e saj, që si parakusht kishte një subjekt legjitim – LDK-në, me partitë e vogla përreth, dhe një autoritet që mbështetej mbi vullnetin e popullit – dr. Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së e nga 1992 President i parë i Kosovës. Kjo do të dëshmohet edhe me vizitën e parë të Tom Lentoshit bashkë me DioGuardin në Kosovë në maj të atij viti, kur në Selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u prit nga dr. Rugova si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, këshillit të të drejtave njerëzove, e ku bënte pjesë edhe Adem Demaçi, me ç’rast Lentosh deklaroi se sjell qëndrimin amerikan për përkrahjen e kursit për liri, demokraci dhe barazi pasi që shqiptarët me LDK – në dhe spektrin tjetër politik, kanë plotësuar kushtin esencial formal.

Vizita e Robert Dolit e 29 gushtit, e nisur në Beogad dhe e përfunduar në Prishtinë, gjithësesi se ishte në vazhdë të këtij qëndrimi, ku u konfirmua ajo që e tha Tom Lentosh në selinë e LDK-së më 27 maj 1990.

Me këtë rast, duhet thënë se roli i Ligës shqiptaro-amerikane në krye me DioGuardin ishte tejet i madh, madje historik. Po ashtu, duhet theksuar se interesimi dhe angazhimi i SHBA-ve për Kosovën, nuk ishte jashtë rrethanave (themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor 1989) dhe rolit të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, i cili ishte partner i këtij zhvillimi gjatë gjithë kohës, si kryetar i LDK-së dhe si President i Kosovës ngas zgjedhja në prill të vitit 1992 dhe në vitet në viji. Andaj, miqësia dhe angazhimi me SHBA-të nuk mund të shihet jashtë faktorit Ligë Qytetare-Amerikane me në krye JoeDioguardin e as pa rolin e  Lidhjes Demokratike të Kosovës si bartëse e lëvizjes kombëtare dhe të dr Ibrahim Rugovës si lider historik i Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok