14/12/2024

“MIKU I MIRË NË DITË TË VËSHTIRË”

0
Viron-Kona-Miku

Kur lutesh, lutu me duart në parmendë,

atëherë lutja do të bekojë mundin tënd!

Thënie suedeze

“Enciklopedi” e marrëdhënieve, Suedi, Dardani, Shqipëri

Autor Viron Kona

Nga Kadri Tarelli

Po shfletoj librin më të fundit “Miku i mirë në ditë të vështirë”, të shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Viron Kona, i cili që në fjalët e para shprehet: “Sa herë dëgjoj të flitet për Suedinë dhe njerëzit e saj të urtë, të mençur e punëtorë, ndjej të më vërshojë brenda vetes nderim dhe mirënjohje e thellë…….!

Titulli i librit, besoj i huazuar nga mençuria e popullit tonë, që të shtyn të mendosh se autori Viron Kona ka diçka për të thënë, lidhur me traditën e ngulitur në shekuj. Aq e vërtetë është kjo, sa miqësia nuk mbetet vetëm te marrëdhëniet mes njerëzve, por shtrihet edhe mes vendeve dhe popujve, siç është rasti i Suedisë me Dardaninë dhe Shqipërinë. Shfletoni librin dhe do të bindni…!

Zanafilla nis me disa veprimtari të përbashkëta mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me shoqatën atdhetare të shkrimtarëve edhe artistëve shqiptar, “Papa Klementi XI. Albani. Suedi”. Veprimtari që bashkoi dy festa në një ditë: “500 vjet mbretëri e Suedisë, 15 vjet pavarësi e Kosovës”, organizuar më 17 shkurt 2023, në Angelholm, Suedi, ku mes titullarëve përkatës, z. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe z. Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës “Papa Klementi XI. Albani. Suedi”, ndodhej i pranishëm edhe shkrimtari ynë Z. Viron Kona, autori i këtij libri voluminoz, që unë e pagëzoj me titullin: “Një Enciklopedi e marrëdhënieve, Suedi, Dardani, Shqipëri”. Është përmbajtja e dokumentuar dhe mjaft e ngarkuar me ngjarje dhe të vërteta historike, sa shkencore dhe jetësore, që më shtyn ta quaj kështu. Besoj se kam të drejtë, kur kam lëçitur të shtatë pjesët, me shumë nën-ndarje në vetvete:

  1. – “Akademi shkencore. 500 vjet Mbretëri e Suedisë. 15 vjet pavarësi e Kosovës”. 2. – “Helsingborg-2023. 3. – “Dikur luftime të përgjakshme, sot paqe hyjnore”. 4. – “Larg dhe afër”. 5. “Lundi, “Roma” e nordikëve”. 6. – “Ambasadorët tanë”. 7. “Njerëz të jashtëzakonshëm, vepra të jashtëzakonshme”.

Si miq të hershëm e njoh prej kohësh gati të gjithë krijimtarinë e autorit Kona, mbi 57 libra të botuar ndër vite, vetëm për Suedinë ka shkruar 10 libra. Më vjen keq që nuk i ka publikuar në fund, në një faqe të librit, siç po bëhet zakonisht nga shumë autorë. Ndaj gjykoj se ka vend të vlerësoj një shprehje të tij, kur thotë: “Të kesh miq, duhet të jesh vetë mik”. E admiroj që ka aq shumë miq, jo vetëm në Tiranë apo në mbarë trevat shqiptare, por edhe në botë.

Pa modesti, sepse “Modestinë”, me bollëk u a lë vlonjatëve,  ku mes tyre është edhe Vironi, mund të shprehem se për shumicën e librave kam bërë shkrime vlerësimi, si për tematikën e larmishme, ashtu edhe për formën dhe forcën e mendimit, ku një peshë të veçantë ka bukuria e fjalës, të cilën autori e gjen dhe e gdhend atë, për ta vendosur bukur në kështjellën e letrave, në faqe të librit.

Që në faqe të parë, lexuesi ndesh këtë kumt madhështie:  “500 vjet mbretëri e Suedisë, 15 vjet pavarësi e Kosovës”, që unë e shkruaj pak më ndryshe: “15 vjet mëvetësi e Dardanisë”. Nuk do shumë mund që të kuptohet e gjithë përmbajtja, megjithëse, për të qenë i saktë me veten, më duhet të shtoj, se autori, si edhe në libra të tjerë, del nga “shinat”, por jo nga vetvetja, pasi në libër ngërthehen natyrshëm: Suedia, Danimarka, Dardania por më së shumti edhe Shqipëria. Ka aq shumë të dhëna historike-gjeografike, letrare, arkeologjike, etnografike, detare, zyrtare, shkencore, sportive, skulpturore, bimore, pyjore, etj, etj, sa mund të quhet pa frikë një Enciklopedi, e ndërthurur letrarisht bukur.

Unë jo, por edhe lexuesi nuk duhet të çuditet, nga këto dy-tri fjalë të autorit, thënë dikur në një bisedë mes miqsh: “Më mjaftojnë tri dit vizitë në një vend dhe unë ju sjell një libër”. Aq e vërtetë është kjo sa vërtetohet fare lehtë: Shkoi në Budapest dhe bëri libër, shkoi në Turqi po ashtu, shkoi në Greqi e njëjta histori, ka shkuar disa herë në Suedi dhe pas çdo rruge, tashmë janë bërë 10 libra, siç është dhe ky i fundit i rëndë në  pamje, më i rëndë në kumtin që përcjell.

Unë nuk habitem, ndërkohë lexuesit i kujtoj se në të gjithë librat të kësaj natyre, autori nuk lë rast pa bërë ndërhyrje, më mirë shkon fjala ndërthurje, duke vënë përballë përvojën pozitive të botës, nga e cila duhet të mësojmë, me gjendjen dhe veprimet tona, shumë herë të mbrapshta, të hidhura, shkatërruese, aq sa ta ndjejmë veten të turpëruar.

Ndiqni me kujdes leximin dhe do të ndeshni me “fanatizmin” e Suedisë dhe suedezëve, për mbrojtjen e ndërtimeve të vjetra, arkeologjisë, natyrës, pyjeve, parqeve, ujërave, lumenjve, deteve, shpendëve, botës shtazore, etj. Aq sa ka nxjerrë ligje ndëshkuese shumë të rrepta. Vironi thotë diku në libër: – “Provo të presësh një degë peme në oborrin tënd dhe e di se ç’të pret”.  Ndërsa te ne……. Ah te ne! Dëmtimet janë të shumta e kudo, madje në mes të ditës, shpesh të bëra nga institucionet shtetërore, përfshi edhe individë të ngulfatur nga babëzia më shumë se sa nga paditunia (do të thoshte Fishta ynë i madh). Ç’vlerë ka përsëritja e shembujve, kur ashtu si autori, edhe ne jemi dëshmitarë të kohës.

Nuk e shoh të udhës, të hyj në hollësi të librit dhe përmbajtjes, pasi i takon lexuesit të këndojë e shijojë njohuritë e reja të tretura në bukurinë e artit të fjalës. Gjykoj kështu, pasi mendimi im nuk i shton vlera librit, veçse sjell në vëmendje  disa gjëra përgjithësuese që e bëjnë autorin të shikohet drejt në sy, njëkohësisht për t’i dhënë lexuesit më të veçantën, më të dukshme, në mes të atij pështjellimi letrar dhe njëherazi historik, pse jo edhe si paradhomë e kohës që vjen me nxitim.

Libri “Miku i mirë në ditë të vështirë” është vepër historike. Kam përshtypjen e një monografie shkencore ku ngërthehet e shkuara me të sotmen, ngjarje të jetuara, por edhe të shkruara, të Suedisë, Dardanisë e Shqipërisë, ku lëvizin e bashkëbisedojnë heronj të hershëm me ata të ditëve të sotme. Në këto kushte, mund të dalloj Suedezët dhe mërgimtarët shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Suedi, të cilët janë bërë pjesë e shëndetshme e strukturave shoqërore, ekonomike, politike, letrare-artistike të atij vendi mikpritës verior.

Në libër janë shumë, ndaj po ndalem në pak emra:

Së pari, në Suedi:

. Johann Erich Tunmann (1746-1778). Shkencëtar dhe studiues suedez, i cili studioi lashtësinë dhe historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve. Ai mbështeti fort origjinën ilire të shqiptarëve, duke u vlerësuar si i pari autoritet në përpjekjet serioze për shpjegim shkencor të historisë.

. Wllmar Qvick, ”Miku i i madh i shqiptarëve”. Bashkëkohanik i yni. Njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, i cili ka shkruar veprën historike, “Më shumë heroizma sesa grurë”. Më pëlqejnë fjalët e tij lapidar: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

. Anders Wessman. Kryetar i shoqatës së miqësisë “Kosovë – Suedi”. I cili në ngjarjet e ngarkuara të luftës çlirimtare në Dardani, 25 vjet më parë, hyri në grevë urie pra ambasadës serbe në Stokholm, duke protestuar kundër genocidit serb ndaj popullsisë dardane.

. Në mes këtyre figurave madhore, po vendos edhe Anna Lindh, Ministre e Jashtme e Suedisë, e cila u vra nga një ekstremist serb, sepse mbështeti  luftën për liri dhe  mëvetësi të Dardanisë. Unë e quaj Heroinë dhe Dëshmore e truallit Arbëror të Dardanisë, pavarësisht se i përkiste kombit suedez. Ajo meriton nderime pa kufi, duke u vendosur në “Librin e artë”, përkrah luftëtarëve dardanas që ranë për liri. Më vjen keq që, ende shtetarët në Dardani e Shqipëri nuk janë kujtuar, që t’i ngrihet bust apo përmendore në qendër të Prishtinës dhe Tiranës, si shenjë nderimi dhe përjetësimi të emrit dhe veprës së saj. Nuk dua të mendoj se jam i pari që po e them. Gjaku i saj vlen po aq sa gjaku i heronjve dhe dëshmorëve tanë, mbase edhe më shumë!

Së dyti, po përmend shqiptarët: Ata janë personalitete të shquara të racës shqiptare, të hershëm apo të rinj, të cilët në një farë mënyre janë lidhur e kanë  bashkëvepruar me kohën, dukë lënë gjurmë në historinë e Suedisë dhe marrëdhënieve të ndërsjellta mes dy popujve.

. Papa Gjon (Giovanni) Francesko XI. Albani, i mbiquajtur, “Papa Klementi. XI. Albani”, (1649-1721), i cili njihet historikisht si një “Papë i madh”, me origjinë nga trualli shqiptar. Familja “Albani” e ka origjinën nga familje fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Ishte Papa Klementi i XI. Albani, që i ngriti Mbretëreshës Suedeze Kristina, një monument në Vatikan. Rast i rrallë, por ja që ka ndodhur dhe autor është një shqiptar me rrënjë Arbërie.

. Aleksandër Moisiu, artisti me famë botërore, me teatrin Vjenez, si i pari shqiptar që shkel dy herë në Suedi, 1911 dhe 1932.

. Më tej, shtoj në kohë: Faik Konica, Ahmet Zogu, Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spase, Musine Kokalari, Besnik Sykja, (shkencëtar), Prof. Murat Gecaj, Nuri Dragoj, Zyhdi Dervishi, Skënder Gjinushi, Viron Kona, që është bëri si i shtëpisë, etj.

. Hysen Ibrahimi, politolog, publicist, Kryetar i shoqatës atdhetare ““Papa Klementi. XI. Albani. Suedi”, njëkohësisht nënkryetar i “Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë për mërgatën, autor i shumë librave, duke veçuar drejtimin, organizimin dhe botimin e veprës madhore “Thesari Kombëtar”, me 13 volume, të përuruar në Tiranë, Durrës, Bajram Curri (Tropojë), Lezhë, Kurbin, Mitrovicë. Jam i përkëdhelur nga fati, sepse kam marrë pjesë me fjalën time në përurimet e librave, madje kam bërë edhe shkrime vlerësimi. Besoj më lejohet të them, se në përurimin e “Thesarit Kombëtar”, në qytetin e Lezhës, përsërita fjalën time të thënë në TV. Mitrovia: “Për nga botimet dhe veprimtaritë, nuk ka të dytë në mërgatën shqiptare nëpër botë, si Shoqata atdhetare e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani. Suedi”. Dikush më kundërshtoi, duke thënë se ka edhe të tjera me po kaq vlera. Koha, me “Akademinë” e mbajtur në qytetin Angelholm, vërtetoi se paskam pasur të drejtë.

Në vazhdim, më duhet të shtoj se janë shumë personalitete të tjerë që mbajtën ligjërata në festë e madhe: “500-vjet Mbretëri e Suedisë, 15-vjet Pavarësi e Kosovës”. Secili, autoritet më vete si profesionist, por të gjithë edhe si pjesëtarë të rëndësishëm në mërgatë, që i shtojnë vlera racës sonë shqiptare. Këtë e them me mburrje, kur shqiptarët gjetën shtrat dhe kushte lirie si në Suedi, shpërthyen.

Po përmend vetëm pak emra, që i kam njohur personalisht në takimet e shumta këtu në Tiranë, Durrës, Tropojë, Lezhë, Prishtinë e Mitrovicë: – Saranda Iseni, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetgjekaj, Xhavit Çitaku, Rrahman Rrahmani, Idrz Gashi, Emine Hoti, e pagëzuar nga Viron Kona, në librin, “Marigoja shqiptare në  Norvegji”, stiliste dhe poete nga Drenica, e kudogjendur nëpër veprimtari letrare, artistike në mërgatën shqiptare në Norvegji dhe Suedi. Pa harruar Dardaninë e saj, madje edhe në Durrës, me kostumet kombëtare si dhuratë për fëmijët dhe të rriturit. Ajo i shtoi bukuri festës, sepse hapi ekspozitë me veshjeve kombëtare të Dardanisë.

Kërkoj ndjesë, sepse nuk mund t’i përmend të gjithë, por nuk mund të le në harresë disa figura që meritojnë vëmendje: si Sadulla Zendeli, (Daja), nga Gostivari i Maqedonisë, autor i pesë fjalorëve madhorë, “Shqip-Suedisht” dhe “Suedisht- shqip”, Sokol Demaku kryetar i shoqatës atdhetare-letrare “Migjeni”, mësues, shkrimtar e poet, përkthyes, publicist, botues i revistës “Dituria”, sot revista “Migjeni”, mes tyre shkrimtari i mirënjohur Hamit Gurguri, si një nga pesë anëtarët e “Lidhjes Mbretërore të shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë”.

Ky shkrim do të ishte i cunguar, nëse nuk do të përfshija në jetën politike të atij vendi, njëkohësisht edhe pjesëmarrjen në të, të përfaqësuesve të mërgatës  shqiptare që jeton e punon në Suedi. Vironi nuk kursehet t’i përmendë me emër, dy të rinjtë shqiptarë, si deputetë në parlamentin Suedez, Adnan Dibrani dhe Aida Birinxhiku, madje edhe Arba Kokalari deputete në Parlamentin Europian. Besoj nuk janë pak.

Nuk do të isha i qetë, po të mos shkruaja pak për jetën sportive, ku dallohen edhe talentet shqiptare, ku përmendet si e veçantë, futbollistja e quajtura Kosovare Asllani, të cilës në shenjë nderimi i kanë ngritur statujë në shesh të qytetit.

          Në këtë udhë të shkrimit, Vironi rrëfen edhe për “kalorësin” Lutfi Kolgjini, i pasionuar pas garave me kuaj. Familja e tij është me origjinë nga Lushnja, por shpërngulur në Dardani, në vitin 1948. Lutfiju tashmë mërgimtar nw Suedi. Ai ushtrohet në sportin e hipizmit, dhe është i njohur jo vetëm në Suedi, por edhe në shumë vende të Europës, duke u vlerësuar me çmime nderi.

Në fund do ta quaja veten fajtor nëse nuk do të vlerësoja një legjenda që lidhet me mbretin suedez. Legjendë e veshur me art, në rrëfimin, “Në vend të mbylljes”, ku mjeshtërisht, në pak faqe libri flitet për një drekë mbretërore. Kumti i saj flet shumë. O zot sa ngjashmëri ka legjenda e Suedisë me gjendjen e vendit tonë…! Mendoj, si më i pakti mundim, duhet lexuar. Më tej duhet shtrirë si mësim për shtetarët e kurdokohshëm dhe kudondodhur. Besoj se nuk e teproj të them, që mjafton vetëm kjo legjendë të shtypej në mijëra kopje, një pjesë e tyre të ishte në çdo tavolinë pune të nëpunësve apo zyrtarëve tanë. E vlen, të mbahet edhe në xhep të xhaketës, si mësim dhe veprim në përditësi…!

Përshëndetje i nderuar Viron Kona! E mbajte fjalën, shkove në Suedi dhe na solle një enciklopedi, ku buron edhe buzëqesh miqësia, bujaria dhe fisnikëria.

Besoj je i vetmi shkrimtar shqiptar, që banon dhe krijon këtu në Tiranë, që ke shkruar kaq shumë për Suedinë dhe njerëzit e saj të ditur e të ndritur.

Urime! Jetë dhe shëndet të mirë, për libra të tjerë me po kaq vlerë!

Kadri Tarelli

Mes qershori, 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok