04/10/2024

MESHTAR NGA DARDANIA NË SHBA…

0

– Kronikë e 7 takimeve me Don Ndue Gjergjin –

Nga Visar Zhiti

FYTYRA E VENDLINDJES

Më parë se ta njihja Don Ndue Gjergjin, i njoha vendlindjen në Kosovën tonë, tej në Stubllën e Epërme të Vitisë, një vend i blertë, me kisha dhe peizazhe plot diell, vërtet si të krishterta, kështu m’u duk, një qetësi peshpëritëse…

Vendlindja na jep kujtesën, por dhe karakterin, madje dhe fytyrën…

Ç’kujtohet nga Stublla? Ajo përmendet 100 vjet para botimit të Mesharit të Gjon Buzukut në Defterin osmano-turk të vitit 1455. Tregohet se atje ka qenë hapur një shkollë e lartë teologjike, një kolegj, pikërisht te “Ara e Kishës” sot, te lëndina në anë të varrezave të bardha me kryqe.

Këtu, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u hap dhe shkolla e parë shqipe e gjithë Kosovës, e lejuar, se të fshehta, ku mësohej gjuha amë kullave tona e tempujve, ka patur herët e më herët, është dhe muzeu në Kishën e Shën Gjergjit, ku mbahen takimet kulturore e letrare të Don Mikelet, aq të bukura, që fillojnë me një meshë të shenjtë.

Në kujtesën kolektive nuk harrohet masakra e viteve 1846 – 1948, që u ushtrua aty dhe në vendbanimet përreth për të hequr dorë nga besimi i krishterë. Pas qendresës heroike, 177 vendas i internuan në Anadoll. Një pjesë vdiqën rrugës nga mundimi, moçalishteve nga acari dhe torturat dhe tani nderohen si “Martirët e Karadakut”. Vetëm 76 veta mundën të kthehen gjallë në vendlindje dhe prej tyre u krijuan famullitë në Stubëll, në Binçë dhe në Kabash…

Stublla sot ngjan me një qytet të vogël, me rrugë e park e fushë tenisi, e qendër rinore, me libra e takime, por dhe e heshtur, se vërtet mërgojnë shumë nëpër botë.

Quhet e Epërme, se Stublla e tillë është në virtyte, fisnike në bujarinë e saj, sofër në Dardani, ku bëhet kryq…

*   *   *

Don Ndue Gjergji u lind në Stubullën e Epërme dhe aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ndjeu thirrjen… afër është dhe Kisha kroate e Letnicës, ku vinte Nënë Tereza, kur ishte vogëlushe dhe aty mori vendimin, që të bëhej motër misionare…

Dom Ndou shkoi në Romë të diplomohej për Teologji dhe atë vit që mbaroi, në 1973, shugurohet meshtar në Komunën e Binçës, gjysmë shekulli më parë, nga ipeshkëv Imzot Nikë Prela.

Me sa dashuri e përkushtim shërbeu në famullinë e Binçës që nga viti 1975 deri në 1993. Ndërkaq brenda vetes ndjente se vendlindja i kishte dhënë durimin dhe qendresën, karakterin e saj “të blertë” dhe fytyra e mirë dukej si një copëz pllaje e saj.

Dom Ndou ia lë drejtimin e famullisë vëllait më të vogël, Don Lushit, shkrimtarit, që do të ndiqte nga pas Nënë Terezën kudo, edhe në Indi apo kur do të merrte çmimin Nobel për Paqe në Norvegji, në vizitat në Kosovë, etj, etj, duke u bërë biografi shqiptar më i mirë i Saj…

Në 1997 Don Ndue Gjergji kalon oqeanin dhe vjen në SHBA, meshtar në Miçigan, pikërisht në Kishën “Our Lady of Albanians”, e Zojës së Këshillit të Mirë, “Pajtores së Shqiptarëve”, Mbrojtëses së Nënë Terezës, siç na e dëshmon vetë. Kishën këtu kishte 20 vjet që e udhëhiqte famullitari i përndershëm, Ndrekë Ndrevashaj, tashmë i ndjerë.

Me ardhjen e Dom Ndue Gjergjit shqiptarët panë fytyrën e dhembshur të dheut amë.

Ndërkaq Kisha vazhdoi lulëzimin e saj, jo vetëm fetarisht, nga ana shpirtërore në predikimin shqip dhe anglisht të Fjalës së Zotit, por dhe nga ana atdhetare dhe me krijimin e Qendrës Kulturore për të gjithë, me emrin e shenjtes tonë “Nënë Tereza”, u rrit edhe më kulturalisht dhe artistikisht.

Dhe kështu u krijuan traditat e kremtimit të festave kombëtare shqiptare e amerikane, e festivaleve të përvitshme, konferencave, ekspozitave, përurimeve të letërsisë dhe ftesa shkrimtarëve, deri dhe të gëzimeve familjare, fejesa e dasma, etj, etj, e veprimtari me fëmijët, pra me të ardhmen. Së pari dhkolla e tyre edhe në gjuhën amë…

Dhe ai që printe ishte Don Ndue Gjergji, i përunjur dhe i kudogjendur, fjalëpak, por gjithë urtësi, “i paqtë dhe qëndrestar i së drejtës dhe të vërtetës njerezore” – do të shkruanin për të. Duke dalë tej mureve të kishës dhe si “njeri publik” Don Ndou u bë “strateg i paqes”, siç e cilëson një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, Valentin Lumaj. Don Ndou është përbashkues mes gjithë shqiptarëve të të gjithë besimeve, në shoqata dhe parti, duke e tejkaluar atë që thoshte Konica qortueshëm se shqiptarët vetëm në valle bashkohen më shumë.

Dhe vinin nga kudo këtu, në këtë tempull, nga gjithë Amerika dhe Europa, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne), nga Mali i Zi, etj, përpara u del shtatorja në bronz e shenjtes tonë Nënë Tereza e portat ua hap më pas Don Ndue Gjergji.

Fytyra e vendlindjes. Këtu “është një Shqipëri e vogël” – do të thoshte Zef Pergega.

Kisha është dekoruar dhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidentë të Shqipërisë, që dhe kanë ardhur këtej…

KRONIKË TAKIMEVE TË MIA

1.

Që të takohesha me Don Ndue Gjergjin, shkak u bë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, mbrojtësi i Europës, i qytetërimit Perëndimor  dhe i Krishtërimit, – fjalë të tilla u thanë në simpoziumin shkencor që ishte organizuar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij në Detroit, shteti i Miçiganit, në janar të vitit 2018, nga dy kishat katolike shqiptare, “Zoja Pajtore” dhe e “Shën Palit”.

Pashë se aty ishte dhe një statujë e madhe e Skënderbeut, lart mbi kalë, duket se vazhdon udhëtimin e tij shekullor, të bronztë në histori dhe në kujtesën e njerëzimit.

Një kongresmen amerikan kishte thënë se pa Skënderbeun ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.

Simpoziumi që mblodhi studiues dhe historianë nga SHBA, Shqipëria e Kosova e Maqedonia e arbëreshë të Italisë, kishte për kryeorganizator Don Ndue Gjergjin, Një Kuvend i tillë kaq i gjerë nuk po bëhej dot as në Tiranë me akademi e institute historie, institucione e qeveri, edhe pse ishte shpallur Viti i Skënderbeut.

U takova me Don Ndue Gjergji, më dha dorën përzemërsisht. Ishte me kostumin e zi dhe me koletën e bardhë të priftit në gushë, flokët e bardha, fytyrë të butë, me rrudha të mira si hullitë e tokës se vendlindjes, truppakët si vëlla i Nënë Terezës, mikpritës, i qetë… Përshëndeti simpoziumin, zëngrohtë, me fjalë të zgjedhura, duke ua lënë radhën shkencëtarëve, referimeve të tyre. E shikoje kudo, i kujdesshëm me të gjithë, që gjithçka të shkonte sa më mbarë. Po kështu dhe prifti tjetër i kishës tjetër, Don Fred Kalaj, më i ri, me mustaqe të bardha, që punonte po aq, duke ruajtur dhe nderimin për Dom Ndoun.

Foli dhe Inxhinier Mërgim Korça, e njihnim që në Lushnjë im atë dhe unë, kishim miqësi dhe nderim për kulturën e tij. Babai i tij, minister dikur, vdiq në burgun e Burrelit me grevë urie, me të parën grevë urie kundër diktaturës, akt madhor, moral, i skajshëm. Folën në simpozium dhe historiani Pëllumb Xhufi, deputeti Romeo Gurakuqi, studiuesi Eduart Grishaj, arbëreshi Italo Sarro, Frashër Demaj nga Kosova, Njazi Muhameti nga Tetova, Konsulli i Nderit Ekrem Bardha, etj.

Për gazetën “Dielli” ishte gazetari Dalip Greca, kurse për “Zërin e Amerikës” me mikrofon në dorë ishte Ilir Ikonomi, historian  dhe autor librash me vlerë.

Don Ndue Gjergji, që i ftoi, i përzgjodhi të gjithë këta? Dhe sa i tërhequr që rri vetë, dëgjon dhe thotë se do t’i botojmë të gjitha referatet në një libër të veçantë.

Sa mbresëlënës! I thjeshtë siç do të ishte dhe në një Kishë në Kosovë, në vendlindje, madje nuk bënte që të dukej si zot shtëpie, por njëri nga të gjithë aty, teksa duhej të kujdesej për të gjithë. Përunjësisht…

2.

Përsëri erdha nga Uashingtoni, nga Ambasada e Shqipërisë, ku punoja, por këtë radhë bashkë me time shoqe, Edën, për dy veprimtari: të ndiqnim një koncert, Dita e Shqipërisë në Detroit, në një amfiteatër të madh, të hapur, ku te shkalla e parë ishim ne dhe në mes kishim Don Ndue Gjergjin, po ajo pamje gjithë mirësi e tij dhe po ajo veshje, kryqi i argjendë në gjoks, i përzemert, ndejti ca dhe u ngrit, iku, kishte disa detyra të tjera për të kryer, na tha dhe të nesërmen, veprimtaria e dytë: meshën në kishën e tij, u shfaq në altar ashtu i bardhë, si i dalë nga retë dhe do të ftonte Edën… besimtarëve te shumtë do t’u thoshte me zë të lartë, kumbues e të ngrohtë, gjithë familjaritet, se ajo, Eda, është autorja e një libri, të botuar në Vatikan, të shkruar italisht, që i kushtohet Nënë Terezës në ditën e shenjtërimit, ku Eda me bashkëshortin ishin aty, dëshmitarë të kësaj ngjarje të madhe, të përbotëshme dhe ia la fjalën asaj, të tregonte për atë ditë përjetësie dhe emocionet, që kishte derdhur në libër.

Dëgjonte bukur. Me kryet pak mënjanë. Të bardhë si bora në Kosovë.

Fole më mirë se ç’e prisja, shkëlqyer! – i tha Edës buzagas, kur mbaruam, duke e falenderuar me shpirt.

3.

Përsëri në kishën “Zoja Pajtore” në Detroit, me Don Ndue Gjergjin përsëri dhe 800 të ftuar në përurimin e Qendrës së re kulturore “Nënë Tereza” aty pranë me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, në 107 vjetorin e saj. Tani vinim nga Çikago, ku kishim vendosur të jetonim, pasi i mbaruam të gjitha punët dhe detyrat në atdhe.

Pritja e Don Ndout dhe e bashkëpunëtorëve të tij, organizatorëve të festës ishte perfekte, kështu po thoshim…

Don Ndou na vuri te “të ftuarit e nderit”. Fjala e tij si përherë e shkurtër, e qartë, e përzemert, frymëzuese. Fytyra e tij – gjithmonë si vendlindja, kaq- shumë-mirë-pritëse. Me një qetësi të shenjtë.

Në skenë do të ngjitej Eda.

– Kam sjellë këtë dhuratë, – tha ajo, – me zërin ku përziehej dhimbja dhe gëzimi, – këtë portret të shenjtes tonë Nënë Tereza. Është vepër e piktorit Maks Velo, personalitet i kulturës shqiptare, ka qenë në burg politik bashkë me tim shoq, Visarin, por tani janë të njohur për veprat e tyre, Maksi ka hapur shumë ekspozita nëpër botë, edhe në SHBA, po edhe poezitë e Visarit janë përkthyer në gjuhë të tjera, edhe në anglisht. Këtë portret të Nënë Terezës, që e dua shumë, ai ma dhuroi mua dhe unë, me pëlqimin e tij po ia dhuroj Qendrës së re Kulturore “Nënë Tereza”… Dhurata duhet të të dhimbet, na mëson Nëna Tereza, – e përfundoi fjalën e saj gjithë emocion Eda.

Don Ndou e çmështolli me ngadalë pakon, nxori portretin e vënë në një kornizë, ua tregoi të gjithëve në sallën që po duartrokiste. Nuk ishte i madh, por rrezëllinte shenjtërisht. Pastaj përqafoi Edën…

4.

Miqësia me Don Ndue Gjergjin po bëhej më e bukur dhe e thellë, flisnim dhe në telefon. Më pyeste se ç’po shkruaja dhe shtonte se i lexonte me shumë qejf ato që botoja…

Ndërkaq në botë pllakosi pandemia e Covid-12, u ndalën shumë punëra e u pezulluan shumë veprimtari, fluturimet e avionëve u shtynë për një kohë të pacaktuar, Spitalet u mbushën plot dhe njerëzit u mbyllën nëpër shtëpira, edhe për në funerale nuk lejoheshin të dilnin… etj, etj.

Dom Ndou interesohej për ne, ishim të rinj si banorë të Çikagos, ç’nevoja kishim e si mund të na ndihmonte?

Ndërkaq ai erdhi të celebrojë disa mesha në Çikago, në rrethina, kishë katolike shqiptare s’ka ende këtej, por miku ynë i përbashkët, Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, e ftonte në Kishën, ku shërbente vetë dhe kujtoj, besimtarët ishin të gjithë me maska.

Na mrekullonte ardhja e Don Ndout, fjala e tij e qetë, qetësia e tij që fliste, sytë e vegjël që i ndrisnin, vullneti dhe forca, jepnin siguri e shpresë. Teksa tundëte incensierën në lter, djajtë trëmbeshin të padukshëm.

Don Ndou vinte me makinë nga Miçigani e me të mbaruar meshën, nisej për t’u kthyer nëpër natë dhe dimër. I luteshim të rrinte. Por e prisnin punë të tjera. Dhe ishte më buzagaz se herët e tjera. Bënte humor, na përqafonte dhe ikte… Duke na lënë të mbushur me meshë shqip. Dhe do të vinte prapë…

5.

Me Leka Briskun, që ngiste makinën, dhe të shoqen e tij, Blandinën, shkuam në Detroit me rastin e 50 vjetorit të themelimit të famullisë “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, ishte organizuar sërish një simpozium shkencor për historikun e kësaj kishe, e kaluara dhe e ardhmja.

Në ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj si dhe kreu i Françeskanëve të Shqipërisë, P. Pashku Gojcaj, njëherësh dhe botues i revistës “Zani i Shna Ndout” në Tuz. Nga Uashingtoni kishte ardhur dhe mikja jonë Merita Bajraktari.

Do të takoheshim sërish me atë që na prisnin aq mirë përherë, bashkëpunëtorë të Don Ndout, anëtarë të Këshillit të Kishës…

Pikë kulmore në simpozium do të ishte dhe fjala e mikut tonë, Dr. Lisandri Kola, lektor i letërsisë shqipe në Universitetin Ann Arbor. Kur ai do t’më ftonte mua pas një viti për të mbajtur një fjalë para studentëve të tij për “Letërsinë e dënuar shqipe”, do të vinin në auditor dhe Don Ndou dhe Don Fredi.

Ja, Don Ndou, shfaqej gjithë mirësi, me thjeshtësinë adhuruese, aq sa më dukej sikur flatrat i kishte lënë në dhomën e tij. Në famullinë e tij ai ishte zot shtëpie, por me kanun shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut…

Sa shumë miq që mblodhën! Ja, Don Xhovani Kokona… Po Inxhinier Mërgim Korça është?… takuam Huanën me Lekën…. atje tej vatranët…

6.

Përsëri të ftuar, tani në përurimin e një vepre të re për Nënë Terezën të vëllait të Don Ndout, Don Lush Gjergjit, vinte nga Prishtina, nga Katedralja “Nënë Tereza”.

Shkuam me Dhimo Janon, ai drejtonte makinën, ndoqëm meshën si fillim, dy vëllezërit në altar, zërat si lahutat në Kosovë… u kthyem brenda ditës. Kujtuam fjalët që kishte thënë Don Ndou për të vëllanë: Është më i vogël se unë, por ka të mira më shumë, ai shkruan.

Ai shkruan… lavdi shkrimit!

7.

Dhe po në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Detroit do të përurohej dhe romani im më i fundit “Këpuca e aktorit”, metaforë e ecjes së Shqipërisë, do të thuhej në diskutim.

Përsëri erdhëm me Dhimon e me Taip Beshirin, që u përkujdes të kishm dhe librat me vete. Udhëtuam një fundjavë maji, të këtij viti, ishim bashkë me zonjat tona. Do të na prisnin te pragu si përherë Vali, motër Vitorja…

Takimin do ta drejtonin z. Gjek me bashkëshorten Rita, dhe do ta çelte Don Ndou. Folën dhe znj. Merushe, edhe Eda ime…

Sa bukur, dy vajza të vogla na dhuruan lule. Po ato lule janë vetë, thashë.

Me motër Vitoren vizituam klasat, ku fëmijët mësonin shqipen, por dhe të kurseve të valleve, të teatrit, të punëdoreve, etj… Ndala në krye të klasës te dërrasa e zezë… si këmisha e Don Ndues, si netët tona plot ëndrra… më pëshpëriti Eda.

Ja, dhe Biblioteka me emrin “Don Ndue Gjergji”… Librat po më dukeshin sikur ishin duart e tij të shumta. Sa më shumë duar për punët dhe meshat… për të përqafuar aq shumë njerëz…

“Ndërkaq në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…”. Kështu shkruhet në Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te Zanafilla. “Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë… u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar…”  Shtatë ditë u deshën që të krijohej bota dhe jeta. Shtata – numër i shenjtë…  Dhe kronika ime me Don Ndue Gjergjin kishte këto shtatë takime, më kryesoret. Që të krijohej një miqësi e sinqertë dhe nderimi im ndaj tij me përulësi.

*   *   *

Dom Ndou nga Kosova në Miçigan… 7 takimet e mia me Dom Ndoun, mbresa, që sikur përforconin brenda meje një dëshmi, një vepër…

Kishim shkuar përsëri në Kishën e tij “Pajtorja e Shqiptarëve”, nëpër dimër ta takonim pas lëngatës, që sapo kaloi. Deshi Zoti, është shumë më mirë tani, i rrethuar me miq, – na thoshin, kur pyesnim.

Ja, hapi derën dhe na u afrua sikur sapo kishte dalë nga fletët e Biblës. Dukej i përvuajtur, por buzëqeshja ishte po ajo, copëz drite. U fut dhe prifti i ri, Don Dino, që iu lut Dom Ndout të shkonte në krye të tryezës, por ai s’deshi… je ti tani… Më bëri përshtypje respekti dhe dashuria, por dhe marrëdhënia.

Dhe thashë me vete: meshtar nga Dardania e lashtë në Amerikën moderne… SHBA – aleati jetik i Kombit Shqiptar, që me NATO-n çliroi Kosovën… që le të bëhet sërish Dardani… Dardania Sacra …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok