13/12/2024

MBJELLJA E PYJEVE, RIKTHIM NË IDENTITET…

0
Ndue-Dedaj

2024 – viti shqiptar i Pyjeve

NGA NDUE DEDAJ

Ta themi që në fillim, është një ide e vetë specialistëve të pyjeve, atyre që iu dhemb më shumë për këtë pasuri kolosale të vendit, pavarësisht shkatërrimit që i bëri qeverisja e papërgjegjshme e tranzicionit e të djathtëve dhe e të majtëve. Mirënjohje për punën e tyre ndër dekada, për më tepër që regjimi i kaluar gjeti armiq dhe në maje të malit në radhët e inxhinierëve të pyjeve, si disidenti Nikollë Skana, me një proces të bujshëm politik në fillim të viteve ’80 në Mirditë. Po ashtu, kujtojmë me ndertim inxhinierin krutan Hysen Kuqi, që pati rënë në krye të detyrës pesëdhjetë e ca vite më parë në Qafë – Shtamë, ku sot gjendet një memorial i stilizuar në formën e një peme pyjore. Me siguri diku në pyjet e Matit duhet të jetë dhe një tjetër memorial, ai kushtuar Isuf Plloçit, që ra në përpjekje për të shuar zjarrin e rënë në pyll.

Teksa udhëtonim para do kohësh, nëpër pyjet e Pukës, me Tonin Alinë, specialist i hershëm pyjesh dhe biznesmen i njohur i artit të moblimit shqiptar, ai ceku rimbjelljen e pyjeve. A është e mundur? e pyeta. Plotësisht, tha ai, veçse do të kërkohej bashkëpunim i gjithanshëm, ku të përfshihej dhe pushteti vendor dhe komuniteti, përmes projektesh serioze. Dhe ti nuk ke se si të mos kujtohesh për aksionin kombëtar të mbjelljes së pishave në të gjithë territorin e vendit, në vitet ’60 – ’80, nga Mali i Robit në bregdet deri te kurora pyjore e qytetit të Pukës etj. Një nga punët e çmuara të asaj kohe të shqiptarëve, krahas bonifikimit, elektrifikimit, industrisë minerare etj. Një gjë që është bërë mirë para gjysmë shekulli, pse të mos bëhet mirë e më mirë sot. Ing. Gjon Fierza, thotë: “Për sipërfaqet e djegura shumë vite më parë, që nuk ka drurë farorë, është e mundshme të fillojnë mbjelljet me farë ahu, pishe, bredhi, kurse në terrene më poshtë bjeshkëve mund të mbillen dushqe dhe gështenjë në grupe duke zgjedhur vende të përshtatshme. Nga shtete europiane, si Gjermania dhe Austria, mund të sigurohen dhe mjete me anën e të cilave kryehen këto mbjellje. Për ripërtëritjen në pyje kemi propozuar projekte konkrete, por që nuk kanë gjetur mbështetje”. Inxhinieri i pyjeve Preng Nikolli, Bashkia Mirditë, thotë se mbjellja e drurëve pyjorë është e mundshme dhe ka rezultat, por duhen kryer shërbime kulturale për 2 – 3 vjet, ku kujdes të veçantë kërkon ruajtja e fidaneve nga demtimi etj.

Specialistët janë plot ide, por sa dëgjohen nga qeveria? Ajo i ka në dorë fondet për investime në pyje, ku nuk të zë syri më fidanishte, le pastaj punime pyjore. Edhe sikur gjatë gjithë muajit të pyjeve, dhjetorit, të mbilleshin fidanë pyjorë për 31 ditë pa ndërprerje, prapë do të ishte pak. I vetmi “vizitor” i pyllit është zjarri, ndonëse i paftuar. Ne mund të flasim sa sipërfaqe pyjore kemi humbur, por jo dhe sa kemi fituar!? Kush e di, ta thotë, që njerëzit të informohen. Ka tridhjetë vjet që hapën rrugë të reja, por asnjëherë nuk mbillen sipërfaqet e shpyllëzuara gjatë hapjes së tyre, skarpatat, as më bar e as me drurë. Kemi po ashtu lumenj të zhveshur, që nuk ofrojnë kurrëfarë bukurie dhe ekologjie, që kur i fotografojmë përpiqemi të mos kapim pjesët e thara apo të ndotura. Këtë fat ka dhe Vjosa, lumi i ashtuquajtur i egër, që kanë marrë vendimin ta shpëtojnë të huajtë më shumë se ne, ekspertët ndërkombëtarë që gjendën atje për të përcaktuar masat mbrojtëse dhe rekreative. Specialistja e mjedisit Besjana Guri ngre problemin e ripyllëzimit të Vjosës, me drurë si rrapi, plepi, shelgu, apo shkurre të përshtatshme, në funksion të parkut kombëtar. Dëmtimi i pyjeve nuk ka ardhur vetëm nga sëpata e zjarret, por dhe nga insektet e rrerzikshme si proçesionarja, që i ka mbuluar me topa “bore” vrastare kurorat e pishave. Janë dëmtuar nga insektet apo zjarret dhe masivet e gështenjave gjithandej, në Reç, Dukagjin, Tropojë, Mirditë etj. Banorët përpiqen të sensibilizojnë që të mbrohen drurët pyjorë, qofshin fruturë ose jo. Shenjë e këtij kujdesi dhe e një traditë të lashtë është dhe festa e gështenjës që u zhvillua këtë vit në Shllak etj.

Po çfarë ndodh me problematikat pyjore? A ka një “zot” që i del përzot pyllit? Ndërkohë që këndej Morinit bëhet më së shumti propagandë për pyjet e ndara në disa “duar” dhe specialistët e pyjeve nuk kanë pushtet as sa tekniku i pyjeve njëherë e një kohë, në Kosovë në tetor u ngrit një kamp pyjor pesëditor, të cilin e përshkruan doktori i pyjeve, Ing. Abdulla Diku: Është hera e parë që në rajonin tonë mbahet një kamp kushtuar vetëm pyjeve, me 350 pjesëmarrës. Kosova i ka pyjet dy herë më të mira se në Shqipëri (ka 50 përqind të sipërfaqes që ne kemi, por më shumë volum të biomasës pyjore). Dy ishin tematikat e trajnimit: planifikimi dhe përdorimi shumë-qëllimor në pyje, që lidhet në radhë të parë me menaxhimin me efikasitet të tyre, përmirësimi e zinxhirit të vlerave në pylltari, fuqizimin dhe mbështetjen e komuniteteve rurale etj., si dhe shëndeti në pyje, i fokusuar kryesisht në luftimin e kancerit të gështenjës dhe grerëzës aziatike të saj, ku folën ekspertë ndër më të mirët në botë rreth trajtimet silvikulturor në pyjet e gështenjës etj. Në Kosovë për pyjet ka një vëmendje të dukshme dhe përgjegjësi nga strukturat qeverisëse, por edhe nga pushteti vendor, çka duhet të jetë edhe në Shqipëri, për të bashkuar sërish komunitetet me natyrën, të ndarë tashmë, me apo pa dashje prej politikave të gabuara të zbatuara në vite.

Ky është zëri i një profesori të pylltarisë, që nuk ka lënë një pëllëmbë të kësaj toke pa e shkelur, fotografur e përshkruar. Por ai është vetëm njëri nga dhjetëra e qindra specialistë të devotshëm që ka vendi. Ne kemi plot të njohur ndër ta, me të cilët këshillohemi sa herë shkruajmë për pyjet, mjedisin dhe ekologjinë. Por ka gjasë që ata i kanë “tepruar” qeverisë dhe bashkive të vendit. Janë dashur njëqind vjet që të krijohet trupa e specialistëve pyjore, nga rojtarët e pyjeve me uniformë tek profesorët e teknikumit të pyjeve dhe universitetit. Teknikët e parë të pyjeve janë pëgatitur në Itali që në vitet ’20- ’30 të shekullit të kaluar. Fill mbas Luftës së Dytë pyjet i ka drejtuar një shkrimtar i humorit, Miço Kallamata, po që nuk bëri “shaka” me to. Duhen njohur, shënuar e vlerësuar arritjet e çdo kohe. Inxhinierët e parë të pyjeve u diplomuan në universitetet e vendeve të Lindjes, si Vito Koçi, që shërbeu disa vite në Fushë-Arrës, nga mori dhe motivet e tregimeve dhe novelave të tij. Rol të dorës së parë ka luajtur shkolla e mesme Pyjore e Shkodrës dhe Fakulteti i Pyjeve në Tiranë. Prishja e ndërmarrjeve pyjore ka qenë rrënimi i trashëgimisë që kishim në administrimin e pyjeve. Pas kësaj janë “administruar” letrat pyjore, por jo pyjet në terren. Ne kishim fabrika letre, pse kishim pyje! Kishim kombinate drurit, që plotësonin nevojat e ekonomisë për lëndë të përpunuar. Po sot a mund të mendohet ndonjë e tillë? Fabrikat e mobilerisë e marrin lëndën drusore në Mal të Zi, Bosnje, Kroaci etj. Pra, ngado që ta marrësh, mbjellja e pyjeve është donosdoshmëri. Le të vlejë për brezat e ardhshëm, që ata të mos e gjejnë shkret pyllin.

Por a do të ketë zgjim në pyjet tona? Kemi Ditën Ndërkombëtare të Maleve më 11 dhjetor, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, njëzet vite më parë. Po ashtu që nga viti 1970 kemi Ditën e Tokës më 22 prill. Mbase ka dhe ditë të tjera të shënuara si këto, të ekologjisë, klimës, ajrit, shëndetit të planetit, e megjithatë toka shqiptare nuk ka ngjarje në male, pos përgjumjes së tyre pas prerjes dhe grabitjes masive të pyjeve. Të shpresojmë se diçka do të ndryshojë për mirë. AKP, në bashkëpunim me “CNVP Foundation”, e ka shpallur vitin 2024 si “Viti Shqiptar i Pyjeve”. Për t’iu prirë punëve në këtë drejtim, kohët e fundit në qytetin “Bajram Curri” është organizuar seminari me temë “Forcimi i kapaciteteve menaxhuese të pyjeve dhe kullotave në bashki”, me pjesëmarrjen e strukturave përgjegjëse për pyjet në qarkun e Kukësit. Janë një varg problematikash ku institucinet pyjore janë fokusuar, si aftësimi i personelit pyjor, mirëmenaxhimni i zonave të mbrojtura, vjelja e bimëve mjekësore aromatike në natyrë, marrja e masave mbojtëse ndaj zjarreve në pyje, nxitja e të rinjve drejt arsimimit pyjor etj. Agjensia bën me dije gjithashtu se në kuadër të këtij viti të shënuar për pyjet, ndër shoqatat e para që po bën punë konkrete në terren është ajo mjedisore “Çajupi, që ka nisur mbjelljen e drurëve pyjorë, duke ndërgjegjësuar dhe edukuar brezin e ri me dashurinë për pyjet.

Do të dëshironim fort që mbjellja e pyjeve të ishte ndër përparësitë e institucioneve pyjore dhe mbështetësve të tyre europianë, që në këtë mënyrë viti 2024 të kthehej në një “kantier” punimesh pyjore, duke ripërtërirë dhe një traditë të vyer. Gjestet simbolike të mbjelljes së pemëve dekorative nga shoqatat, bankat apo ambasadat e huaja janë të mirëpritura, si mbjellja së fundi në Farkë e 100 pemëve nga ambasada e Azerbajxhanit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, por fjala është për t’i tejkaluar kodrat e kryeqytetit dhe shifra të tilla të papërfillshme, ani se dhe një pemë e mbjellë ka vlerën e saj. T’ia japim pyllit filizërinë që ia mohuam, kur premë barbarisht pyjet. Shterpësia e pyllit sot është për fajin tonë. Nëse moratorimi i qeverisë për pyjet e ka dhënë një rezultat, mbjellja e pyjeve me farë apo me fidane do të krijojë një tjetër fytyrë të pyjeve në Shqipëri. Kështu do të shtyheshin përpara dhe nismat për krijimin e pyllit orbital të Tiranës e gjithkund përreth qyteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok