19/04/2024

MAJOR AHMET LEPENICA NË MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS

0

Kush e mbrojti me armë Kongresin e Lushnjës më 1920?

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Nga Enver MEMISHAJ

Në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar të Kongresit të Lushnjës, vizitori do të përballet me fotografinë  madhështore të major Ahmet Lepenicës që mbrojti me armë atë kongres.

Po cili ishte major Ahmet Lelenica, dekoruar NDER I KOMBIT SHQIPTAR ?

Major Ahmet Lepenica lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1872. Në ushtrinë turke, u dallua si ushtarak i lindur dhe u dërgua  në një kurs dy vjeçar ushtarak që e kreu me rezultate të shkëlqyera. Nga ushtar për vleftë trimërie arriti gradën kapiten, po për vleftë trimërie kundër rebelëve të Haxhi Qamilit, më 1914,  u gradua  major nga qeveria shqiptare e Turhan Pashë Përmetit, ku ministër i brendshëm ishte patrioti Aqif Pashë Elbasani.

Më 1912, u arratis prej trupave turke, për t`i shërbyer shtetit të ri shqiptar. Më 1913,u emrua Komandant i Xhandarmërisë së Lushnjes. Më 1914 në krye të forcave shqiptare dhe kosovare çliroi krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek. Në vitin 1920, ishte mbrojtës me armë i Kongresit të Lushnjës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” , që po përgatiste Luftën e Vlorës, më 4 qershor 1920, në mal të Beunit, mbi fshatin Vajzë të Vlorës e emroi “Komandant të Përgjithshëm të  Trupave Kombëtare, mbështetur në burrërin dhe atdhetarinë e tij”

Në vitin 1921 Shqipëria ishte ndarë në katër zona. Më 12 shkurt 1921 u emrua komandant i zonës, Krahut të Vjosës, pra Lepenica shfaqet si një nga katër ushtarakët e shquar të Shqipërisë.

Më 1 qershor  1921, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, bashkon me armë me trungun e shtetit shqiptar krahinën e Himarës.

Në tetor të vitit 1921, në krye të një batalioni vlonjatësh lufton në veri kundër sërbëve, nën komandën e komandantit të operacionit kolonel Ahmet Zogut i cili shkruan se major Lepenica ka treguar një trimëri të tërbuar.

Më 17 janar 1922 emrohet Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Në prill 1924 vihet në krye të Lëvizjes së Qershorit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit qëndroi i arratisur dhe në mars 1925 emigroi jashte shtetit.

Në fund të vitit 1926, u fal dhe u kthye  në  vëndlindje në Lepenicë, ku jetoi deri sa vdiq në janar 1941, pa lënë pas as fëmijë as pasuri, por vetëm emrin e mirë të një atdhetari të pa njollë dhe të paharruar.

Eshte vlerësuar nga të gjith presidentët e Shqipërisë dhe së fundi NDER I KOMBIT SHQIPTAR.

***

Me interesimin e major Kasëm Qafëzezit, major Ismail Haki Tatzatit dhe të disa atdhetarëve të tjerë, major Ahmet Lepenica filloi punën si komandant  xhandarmërie, në Lushnjë, ku kishte shërbyer në të njëjtën detyrë edhe në vitin 1913, kur prefekt ishte patrioti shquar Qazim Kokoshi.

Nga një telegram i datës 1 gusht 1919, marrim vesh se major Ahmet Lepenica ushtron detyrën Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Po nga ky telegram kuptojmë edhe punën shumë të vështirë që kryente xhandarmëria duke kaluar muaj të tërë pa u paguar.89)

Më 31 dhjetor 1919, në Lushnjë ka qënë kryetar bashkie Besim Nuri, nënprefekt Veli Vasiari dhe komandant xhandarmërie Meleq Frashëri, të tre janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së Kongresit, haptazi në kundështim me urdhërat e qeverisë së Durrësit. Major Ahmet Lepenica është transferuar në këtë kohë komandant i xhandarmërisë së Lushnjës, me qëllim që të mbronte Kongresin. Këtë fakt e pohon edhe Bardhosh Gaçe: “Në ditët e para të janarit disa herë u dërgua nga nënprefekti i Lushnjës për të biseduar me nënkomitetin e Vlorës, ushtaraku Ahmet Lepenica, i cili këmbëngulte në përfaqësimin e Vlorës në Kongres… Vlonjatët u bashkuan me përfaqësuesit e tjerë në Lushnjë”. 90)

Kundër Kongresit të Lushnjës bëri sa kishte mundësi edhe Qeveria e Durrësit duke kordinuar veprimet e sajë me pushtuesin italian. 91)

Në prag të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, më 10 janar 1920, u vra në Shkodër atdhetari Sali Nivica (1891-1920), kryeredaktor i gazetës atdhetare “Populli” që dilte në Shkodër. Më 27 janar 1920, u vra me atentat në Durrës atdhetari tjetër Abdyl bej Ypi (1878-1920), pasi qe shkarkuar më parë nga detyra e prefektit të Durrësit “ i cili, me qëllim që të mos rrezikohet mbledhja kombiare

e Lushnjës, u ba theror, dëshmor i Shqipnisë, tue u ba kafshatë e nji pushke mizore që asht zbrazë nga nji dorë tradhëtare”, i shkruan familjes, kryetari i Mbledhjes së Lushnjës Aqif Pashë Elbasani.

Po në janar Myfit bej Libohova kurdisi plane e realizoi vrasjen e përhapësit të gjuhës shqipe, mësuesit, e patriotit zemërzjarr Shuko Dalipi (1876-1920), kushëri i Sali Nivicës.92)

Myfit bej Libohova, ministër i kabinetit të qeverisë së Durrësit, ka treguar veprimtarinë e tij antikombëtare kundër Kongresit: “Si ministër i brëndshëm, {i qeverisë së Durrësit } lipsej të ndaloja Kongresin e Lushnjës, me fuqinë e xhandarmërisë, po oficerët e këtij trupi ishin bashkuar me të mbledhurit dhe qeveria kishte mbetur pa fuqi… Atëhere pas akordit që kishim me italianët i kërkova gjeneral Piaçentinit të vinte nën komandën time dy kompani të milicisë shqiptare, të cilat Piaçentini m`i dha dhe u nisa për në Fier me automobil… Aqif Pasha … i kishte shkruar … Gjeneral Piaçentinit një letër me të cilën thoshte të mos ta njohë Qeverinë e Durrësit…

Nisa ushtrinë për në Kolonjë të Myzeqesë dhe andej për në Lushnjë. Plani ishte të rrethoja këtë qytet dhe të përndaja mbledhjen tuke proklamuar në tërë Shqipërinë zgjedhje të përgjithshme për një Asamble Kushtetuese. Kolonelin e Italisë që gjëndej në Lushnjë e trembën duke e bërë të besojë se rreth e qark Lushnjes qenë mbledhur 3 a 4000 shpirt dhe do derdhej gjak i tepërt, po unë kishja

lajme të sakta prej Lushnjës edhe dinja se veç 150 dyfeqe që kish Shehu i Karbunarës dhe nja 100 dyfeqe që kishin prurë bejlerët e Gegërisë, tjetër fuqi kundështare nuk kish … Prisnja të më harrinin me të çpejtë edhe 200 milicë nga Gjirokastra, dhe po nisesha vetë për në Manastir të Adrenicës, ku gjeneral Piaçentini, pa lajmëruar I dha ushtrisë që gjendej në Kolonjë urdhër të mos niset për në Lushnjë por të presi urdhërin e dytë të Komandës. Kësisoj më iku nga duart edhe fuqia e milicisë.

E pashë që u munda dhe u nisa atë çast per në Vlorë. Tre, katër ditë dhash e mora ta bind Piaçentinin të më jepte 700 milicë ndën urdhër. Me këtë fuqi doja të mbaja Durrësin dhe  jirokastrën dhe të bëja një mbledhje më të madhe dhe më të rregullt nga të Lushnjës, duke vendosur zgjedhjet e përgjithëshme . Piaçentini nuk donte të trubullohej Shqipëria”. 93)

“Në ditët e para të janarit 1920, në Vlorë u shfaq Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Durrësit, Myfit bej Libohova, i cili mobolizoi mjaft milicë kundër Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Ahmet Lepenica, me anën e një letre e vinte në dijeni Ibrahim Abdullahun dhe “Komitetin e Vlorës”, se vizita e Myfit bej Libohovës në Vlorë, bëhej me qëllim për të penguar organizimin e “Mbledhjes në Lushnjë”. Ibrahim Abdullahu kujton: “Më 12–13 janar 1920, në Vlorë sosi ministri i brëndshëm Myfit bej Libohova, për të mbledhur milicë. Ahmet Lepenica, nga Lushnja më dërgonte një letër, ku midis të tjerash më thoshte të lajmëronim popullin në qytet, se milicët që po mbledh Myfit beu i do si forca kundër Lushnjës.” 94)

“Si ndërlidhës ndërmjet Komisionit të Vlorës dhe atdhetarëve të tjerë në qytetin e Lushnjës, Kavajës dhe Elbasanit ishte Ahmet Lepenica, një ushtarak i zoti e mik i Osmën Haxhiut dhe Hamza Isait”.95)

Thirrje për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës përfaqësuesve vlonjatë, u bëri edhe Syrja bej Vlora, ai thirri në bashkëbisedim Aristidh Rucin, Ymer Radhimën, e Tod Filipin, të cilët “i këshilloi” se Vlora, nën qeverinë e Durrësit“ do të kishte mjaft përfitime ekonomike prej Italisë…”. 96)

Ideali i përbashkët atdhetar, dhe miqësia që kishin që nga koha që shërbenin në Turqi, i bashkoi edhe kësaj radhe majorët Ahmet Lepenica, Ismail Haki Tatzatin, Kasem Qafzezin, Ismail Haki Kuçin dhe kapiten Meleq Frashërin në një detyrë tjetër të shenjtë, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. 97)

Komandant i Xhandarmërisë së Qarkut të Beratit, Ismail Haki Tatzati dha një ndihmë të çmuar për furnizimin e kryengritësve  vlonjatë, me armë, municione dhe ushqime, por pati një fund tragjik: Fan Noli kur erdhi në fuqi e harroi, ndërsa komunistët e “shpërblyen” duke i dhënë një plumb kokës në vitin 1945! Detyra e mbrojtjes së Kongresit ishte e vështirë. Në radhë të parë duhej të garantohej rendi dhe qetësia në qytet, pasi delegatët dhe ata që i shoqëronin ishin shumë dhe ishin strehuar në banesat e qytetarëve. Në këtë detyrë kanë vepruar edhe shumë patriotë, qytetarë lushnjarë si Rasim Hoxha, Besim Nuri, Llazi Bozo, Emin Vokopola, Qemal Mullai, veçojmë Sheh Karbunarën, e shumë të tjerë, si Iliaz Vrioni në Berat, etj. Me kongresistët u bashkuan edhe disa oficerë shqiptarë të milicisë si Kasëm Radovicka etj.

Përballë qëndrimit armiqësor të qeverisë së Durrësit dhe pushtuesit italian, u përgatitën edhe forcat në mbrojtje të Kongresit. Brënda në qytet ishin më se 150 xhandarë të armatosur nën komandën e major Ahmet Lepenicës. Krahas xhandarëve, patriotët kishin grumbulluar edhe 350 vullnetarë nga rrethi i Lushnjes dhe i Dumresë nën komandën e Meleq Frashërit, që treguan vetmohim në mbrojtjen e Kongresit. Përveç këtyre forcave në periferi ishte në gatshmëri populli i Lushnjës, si dhe skuadra patriotësh me armë në dorë.

Ishte kohë e trubullt ku çdo gjë vendosej me grykën e pushkësPa këtë mbrojtje Kongresi nuk do të ishte mbajtur dhe fati Shqipërisë nuk dihej si do të shkonte. Ndofta Shqipëria do të humbiste përgjithmonë, prandaj atdhetarëve si Ahmet Lepenica, Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Tatzati, Riza Cerova, Meleq Frashëri, Kasem Qafzezi etj që organizuan dhe komanduan forcat e armatosura për mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, duhet të vlerësohen, lartësohen e të zenë vendin e tyre në histori. 98)

Duke parë dështimin e qeverisë së Durrësit, për të ndalur mbajtjen e Kongresit, komandanti i përgjithshëm italian, gjenerali Setimio Piaçentini dërgoi një ultimatum më datën 31 janar 1920, por atdhetarët shqiptarë nuk e përfillën dhe vazhduan rregullisht punimet.

Ish sekretar i Kongresit të Lushnjës Ferit Vokopola, na ka lënë këtë dëshmi: “Ushtria italiane deshi të ndërhynte me armë për të ndalue Kongresin, por priste të arrinte ma parë milicia shqiptare

nga Gjirokastra e Vlora, por kjo e udhëhequr prej oficerëve patriotë  nuk guxoi të luftojë me çetat nacionaliste që kishin pre udhën në lumin Osum dhe menjeherë aderoi me kongresistat…Vlora shpëtoi me kryengritjen e famëshme që ashtë e pjellma e këtij Kongresi” 99)

Bardhosh Gaçe thotë se, në takimin e Sulejman Delvinës, me parinë e Vlorës në Lepenicë, Ahmeti kishte marrë me vete edhe 14 ushtarakë të tjerë, që kishin shërbyer në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës, gjë që do të thotë se Ahmeti gjithë fuqinë e xhandarmarisë që komandante në Lushnjë e kishte vënë në mbrojtje të Kongresit. Stilian Adhami përmënd kapiten Meleq Frashërin në xhandarmarinë e Lushnjës, i cili ishte vënë në mbrojtje të Kongresit duke kthyer prapa 500 forca të Myfit Libohovës dhe Sami Vrionit, që kishin mbërritur në Fier për të ndaluar mbajtjen e Kongresit të Lushnjës.  100)

Murat Tërbaçi, anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” që drejtoi Luftën e Vlorës më 1920, në kujtimet e tij shkruan: “Në Kongresin e Lushnjës, pas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe

shpirti organizator i Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullahun, Dhimitër Qypin, Spiro J. Kolekën e Osmën Haxhiun, që morën

pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandate delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë…”  101)

Hamza Isai, përfaqësues i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me botën e jashtëme, me qëndër në Korfuz, konfirmon veprimtarinë atdhetare të Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës: “Kongresi i Lushnjës hasi në kundështimin e komandës italiane në Vlorë… Më 13 janar u shpall se mbledhja e Lushnjës ishte e ndaluar.Me inisiativën e Ymer Radhimës, Halim Xhelos, Myqerem Hamzarajt dhe Osmën efendiut u bë një takim tjetër i fshehtë ku qeshë edhe unë…Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Ahmet Lepenica, që ishte dërguar këtu nga nënprefekti I Lushnjës, që kërkonte përfaqësimin eVlorës në Lushnjë. Më pas Ahmeti më kërkoi një deklaratë që ja dhashë me fjalët: “Zotëri e  Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të çmuet në organizim të  gjindarmërisë për mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut.” Deklarata është lëshuar më 29 tetor 1924.102)

Antoneta Radhima, një autore tjetër që ka shkruar për atë kohë thotë se: “Mbledhja tjetër u bë në shtëpinë e Ymer Radhimës, takimi ishte tepër i fshehtë. Ky takim ishte bërë me iniciativë të Ymer Radhimës. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Ahmet Lepenica, i cili , si ushtarak i asaj kohe, ka dhënë një ndihmë të çmuar për përgatitjen dhe mbrojtjen e Kuvëndit të Lushnjës”. 103)

Aktivitetin e shquar të major Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës e pohon indirekt, përpara parlamentit shqiptar më datën 9 tetor 1922 edhe Myfit bej Libohova, duke folur për atentatin që ju bë atij, më 29 gusht 1922, akuzon pa prova, për këtë atentat major Ahmet Lepenicën, duke thënë se:

“Vrasësin e kujtoj prej anës së atyne që kanë ba Kongresin e Lushnjës, se gjoja unë shkova kundër tyre me u vra me ta, e se gjoja gjeneral Piaçentini më ndaloi. Se komandanti i gjindarmërisë së Gjirokastrës {major Ahmet Lepenica} u kishte mbushë mëndjen se z. Myfit Libohova u paska shit Vlorën italianëve e se edhe më përpara kishte vu pritë. Kur u bë atentati, Gjindarmëria e vendit qe e shpërndame andej këtej…” 104)

Nga sa paraqitëm, del e qartë se Ahmeti është shquar në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, në këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sa që e gjejmë në disa gazeta, si pjesmarrës në këtë Kongres. 105)

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Marrë nga: Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, Tiranë 2012, f. 75 – 80

Libri vlerësuar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. dr. Uran Asllani, promovuar nga Akademia e Shkencave

Burimet arkivore:

89) AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f.3 Telegram. Fort i ngutshëm, nr. 3996 datë 1. 8. 1919. Komandës Përgjithshme Gjindarmërisë Tiranë “Për bajram nëpunësit po marrin rrogën e gjindarmërisë. S`paguhen se s`ka patur kredi. Të holla s`ka për ta. Gjindarmëria mbetet edhe me përshtypje të ligë kur shohin se nëpunësit me rroga të nalta dhe policia nuk paguhet. Rrethkomanda e Përmetit s`është paguar as për qershorin stop. Lutem merrni masat. Komandanti i Qarkut, major Ahmet Lepenica”

Në një telegram tjetër Ahmet Lepenica njofton komandën eprore: “Krye 24 orëve qetësi stop”

AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f. 1

90) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 91

91) Fane Veizi “Kongresi i Lushnjes”, Tiranë 1959, f. 30-33

92) AQSH F. 152, V. 1920, D. 1, f. 2

“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920” (Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 56; Prof. dr. Nasip Meçaj “Tepelena”, Toena, Tiranë 2007. f. 255

  1. Myfid Libohova “Politika ime ndë Shqipëri 1916-1920”, Gjirokastër 1921, f.18-19

94) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Tiranë 2009, f. 293

95) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, 2001. f. 77

96) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Toena, Tiranë 2009, f. 159

97) Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt.15.2.1922; Hasan Luçi “Ismail Haki Kuçi”, Mokra, Tiranë 1999

98) Shih: Fane Veizi “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë 1959

99) Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Nr.17, Tiranë, dt. 21.1.1944

100) Shih: Stilian Adhami “Përmeti dhe përmetarët “, Tiranë 2001, f.43

101) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai … “ Tiranë 2000, f. 293

102) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai, një jetë në shërbim të kombit”, Tiranë 2000, f. 70, 151, Hamza Isai “Kujtime”, Vlorë 1937.

103) Antoneta Radhima “Ymer Radhima, vullkan i pashterur”, “Maluka”, Tiranë 2004, f. 58

104) “Fletore Zyrtare”, nr. 44, dt. 30. 8. 1923, nr. 45, dt. 2. 9. 1923

105) Gazeta “Tomorri”, Tiranë, dt. 22. 2. 1941

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok