13/12/2024

LUFTA E MBETJEVE DHE TURIZMI

0
Ndue-Dedaj

Lufta e epokës sonë nuk është më ajo “e yjeve”, por e mbetjeve

NGA NDUE DEDAJ

Europa ka kohë që përballet me luftën kundër ndotjes mjedisore, mbetjeve plastike dhe riciklimit të tyre etj. Industrializimi i gjithanshëm i shekullit XX e në vijim, krahas progresit teknologjik e ekonomik, krijoi dhe një mjedis të ndotur rëndshëm, që do të prekte gjer ajrin e ujin, që për njeriun janë të shenjta dhe jetike. Po aq kritike u bë situata planetare dhe nga mbetjet e konsumit të tepërt të ushqimeve, shpërdorimi i tyre, thënë ndryshe konsumizmi. U pa se nuk mjaftonin vetëm gropat e mbuluara me dhé për ta shpëtuar njerëzimin nga rreziku i mbetjeve shtëpiake, industriale, agro – ushqimore, spitalore dhe radiokative. Bashkimi Europian, SHBA etj. filluan të flasin, propozojnë, ndërmarrin nisma, planifikojnë buxhete, si e si të mos na “mbulojnë” plehrat, ndotja dhe helmet. Një fermer e pastron stallën e lopëve, pasi plehun organik e hedh në arë, kurse një qytet nuk e ka aspak të lehtë, jo vetëm për volumin e mbetjeve, por dhe për “ngurtësinë” e tyre teknologjike, çka do të thotë se ato nuk shpërbëhen për vite e vite.

Deri më sot jemi të humbur në këtë luftë, pasi veçsa kemi pastruar kazanët e plehrave në qytete me makinat e bëra pis të bashkisë, por jo mbetjet në kuptimin e plotë të fjalës. Edhe kur nisëm të përfshiheshim në modernizimin e këtij procesi, njëzet vite e këndej, nuk i bëmë si duhet të ashtuquajturit landfille në disa qytete, që ishin “gropat” e para septike të buxhetit të shtetit, për të humbur vitet e fundit në mënyrë drastike në betejën e inceneratorëve, që në vend që ta kryenin me përgjegjshmëri institucionale bashkitë dhe ministritë, po e “përfundon” SPAK-u. Ne nuk e kemi kulturën e rajtjes dhe administrimit të mjedisit, nga i madhi tek i vogli. Plehra gjithkund, “në ara, fabrika, kantiere”, rrugë, pyje, lumenj, kudo ku shkel këmba e njeriut. Mjafton të shihni serviset e ndryshme, janë më keq nga ana e estetike se kovaçanet e dikurshme. Edhe pse asnjë predhë nuk ka rënë që nga lufta e Dytë Botërore, dhe mos rëntë asnjëherë, peizazhi shqiptar është aq i dërrmuar. Duam të gjejmë të bukurën, estetikën, normalen, por jo. Një katrahurë urbane e rurale gjithandej. Por kësaj here nuk e kemi fjalën për ato ngrehinat qytetëse që të zënë frymën ngjitur ballkoni me ballkon, por për bërllokun, lyzhdrën, mbetjet, plehrat, ferrat, ujërat e zeza në sipërfaqe etj.

Mirëmbajtja e mjedisit duket një gjë e huaj, diçka që nuk na përket neve, por të tjerëve, si me thënë, komunales, ndërmarrjeve të pastrim – gjelbërimit, a thua se ato do të krijojnë ndërgjegjen që na mungon si komunitet. Sipas psikologjisë tonë janë vetëm disa që duhet të mbajnë në duar fshesat dhe karrocat, kurse ne të tjerët mund të bëjmë sehir, nga maja e thanës. Nuk bëhet pastrimi vetëm me aksion, duke nxjerrë punonjësit e bashkisë në plazhe me thasë në duar dhe nxënësit e shkollave nëpër rrugë, pa dashur ta nënvleftësojmë as këtë formë pune. Çfarë mund të thuash kur e kanë mbuluar ferrat, kallamishtet dhe kanalin e supërstradës Tiranë-Durrës, në zemër të zonës industriale të kryeqytetit, që përshkohet dhe nga Lana e ndotur. Nuk është e njëjta pastërti si në qendër si në periferi, ku kjo e fundit është përherë e njerkës dhe banorët lusin Zotin që diçka të ndryshojë me fushatat elektorale, si një pjesë e Astirit, sot për sot gjysmë e urbanizuar. Pa bërë fjalë për pluhurin mbytës, a thua se ajo stuhia “afrikane” është nderë mbi Tiranë për të mos u larguar kurrë. Më kot lodhën sinoptikanët të na thonë se nesër do të jetë mot i kthjelltë, pastërtia e ajrit të kryeqytetit duket se ka humbur njëherë e përgjithmonë.

Kaosi urban i shkaktuar nga ndërtimet

Kaosi urban është shkaktuar më së shumti nga ndërtimet, sipërmarrësit që nuk i heqin inertet dhe nuk e sistemojnë vendin pasi kanë ndërtuar objektet, nuk e kthejnë në normalitet peizazhin e dëmtuar nga kantierët e punimeve, nuk mbjellin pemë apo bar, sidomos në skarpatat e rrugëve, pasi shteti nuk është kërkues në këtë pikë. Pa bërë fjalë për hedhjen e mbeturinave nga xhami e makinës drejt e në rrugë, apo nga kati i gjashtë i pallatit në lulishte! Siç nuk u afrohesh dot oborreve të shkollave në pushimin e gjatë, pasi lodrojnë gjithandej letrat me të cilat ishin mbështjellur petullat dhe byrekët. Askush nuk u kërkon bizneseve buzë rrugëve që të mirëmbajnë mjedisin rretheqark tyre, le pastaj ngrehinat e shëmtuara të pafundme të kapitalizmit, servise, tregtore, punishte etj. Zonat e ashtuquajtura industriale janë një xhungël e vërtetë hekurishtesh, hedhurinash, papastërtish. Deri aty sa ende sheh ndërtesa të suvatuara vetëm në anën nga rruga, për sytë e të tjerëve (!?) dhe jo dhe nga mbrapa. Apo, rikonstruktohet një qytet i tërë, bëhet dritë si i thonë fjalës, por ujërat e zeza të tij vazhdojnë si para pesëdhjetë vitesh të derdhën në natyrë, diku poshtë varrezave. E keqja ndonjëhërë ka arritur deri aty sa janë përzier ujërat e bardha me ato të zeza. Shihni ndërkohë pazaret publike, gjithë “kasolle” mesjetare. Të vjen ndot të hysh në disa nga tregjet ambulante të qyteteve, ku tregtarët shesin gjithçfarë mallrash, mes baltës, pluhurit, bërllokut, mbeturinave, mizave që “këndellen” ushqimet tona, derisa i fusim nëpër plastmase. Shumë prej tyre ta hapura, si djathi, gjiza, ullinjtë etj. Ku ta gjesh Pazarin e Milotit që ngrifet e shkrifet çdo javë. Na rrofshin kullat deri në qiell e ushqimet i kemi përtokë! Kjo është një kontradiktë që kapërcen çdo kufi. Shembulli se si duhet të jetë është mbase Pazari i Roskovecit…

Edhe në zonën rurale e njëjta pamje e rëndë, pyje të prera masivisht, përrenj malorë ku bashkë me troftat cikaloshe “notojnë” dhe ndotjet plastike, hedhur nga kalimtarët me mendjelehtësi, një dukuri alla shqiptarçe. Kaq do të ishte “lule” krahasuar me ndotjet teknologjike nga industria minerare etj., ku dëmtohet jo vetëm ekologjia e mjedisi, por në radhë të parë shëndeti i njerëzve në përmsa dramatike, lëngjet minerale që na vijnë në gotë dhe në pjatë, me ujin që pimë dhe ushqimin që hamë, pastaj kërkojmë të gjejmë shkaqet pse po na shtohen fëmijët që lindin me anomali të natyrave të ndryshme. Edhe në kohën e kaluar është folur për shirat acidë që binin mbi qytete industriale. Disa zona janë mjaft të rrezikuara, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe pse vëmendja e mediave ka qenë e shtuar ndaj tyre, si minierat e Kukësit, Mirditës e Shkodrës, apo kimiku i Laçit, metalurgjiku i Elbasanit, azotiku i Fierit, soda kaustike e Vlorës etj. Toka shqiptare më shumë se me bimë është e “mbjellur” me pesticide, e kontaminuar nga kimikatet, ushqimet e prishura, gjer mbetjet readioaktive. Gërdeci, që prodhoi tragjedinë njerëzore të marsit 2008, ishte sa një “fabrikë” e krimit shtetëror, aq dhe një tokë e kontaminuar. Nga e gjitha kjo nuk kemi besim te uji i çezmave, ujësjellësit, tubacionet, prandaj rrasim bidonat në makinë dhe mbushim ujë në krojet buzë rrugëve, sa herë na krijohet mundësia. Nuk kanë qenë të rastit epidemitë në të kaluarën, por nga ndotja masive dhe niveli i ulët i higjienës. Edhe sot në kohën moderne njerëzimi nuk ka shpëtuar prej tyre, pavarësisht nga natyra e pasojave, siç ishte dhe pandemia e coranavirusit. Edhe në këtë kontekst, pa dashur të shprehemi me fjalë të mëdha, lufta ndaj mbetjeve urbane, mjedisore është shndërruar në një luftë ekzistenciale për njeriun e sotëm.

Nuk mjafton vetëm heqja e “varrezave të makinave”

Na duhet në radhë të parë një debat i gjërë publik për rrezikun dhe mbrojtjen nga mbetjet, si dhe një aksion i përgjithshëm për ta pastruar jo me fshesë, por me strategji mjedisin. Por mbase turizmi do të na ndihmojë dhe në ndërgjegjësimin kundër ndotjeve. Ministri i Brendshëm Balla ka urdhëruar kohët e fundit që të hiqen të gjitha “varrezat e makinave”, të pastrohen mbetjet, pasi kanë shëmtuar natyrën, mjedisin etj. Një nismë me vend, ndonëse në formën e aksionit, që turistët të mos na e gjejnë “oborrin” pa pastruar! Të ishte për banorët, zor se do të ishte dhënë një urdhër i tillë, pasi ka tridhjetë vjet që na kanë mbytur plehrat e s’është dëgjuar ndokush nga qeveria të thotë një fjalë, le tastaj të merret ndonjë masë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka nisma të veçanta për t’u lavdëruar, duke nisur nga përiferia e Shkodrës e Lezhës gjer në Vlorë e Elbasan, ku në këtë të fundit, njerëzit që kujdesën për monumentet e kulturës, siç pamë nga ekrani i një televizioni, kishin organizuar punën për pastrimin e ferrave dhe hapjen e shtigjeve për në kalanë e Mengelit, vetëm 4 kilometra larg qytetit, që turistët të mund ta vizitojnë dhe këtë objekt. Një pastrim të tillë rretheqark siteve arkeologjike të njohura, por dhe disa objekteve të “fshehura” në male, larg rrugës së makinës, mund ta bëjë çdo njësi vendore, pasi nuk kushton kushedi.

Lufta kundër mbetjeve nis nga njeriu i thjeshtë tek shteti. Ti ke në dorë të mos e hedhësh në rrugë qesen e plastmasit, tjetri ka në dorë të mos e prodhojë plastikën dhe një i tretë ta përpunojë e riciklojë atë. Se njëra anë është grumbullimi, tjetra është përpunimi. Doemos që nuk ka asgjë sot që nuk dihet se si duhet bërë, specialistët, organizmat e specializura, shoqatat e ndryshme e kanë thënë fjalën e tyre në tribuna, media, protesta, duke sensibilizuar, rekomanduar e propozuar zgjidhje. Por fuqia e katedrave universitare dhe shoqërisë civile kaq është. Dihet që vendimet i merr politika dhe deri aty është vështirë të “ngjisësh”, edhe pse politikanët, ministrat, deputetët, kryebashkiakët thithin të njëjtin ajër me pluhur si ne të tjerët. Një ministër vuri dorë mbi varrezat e makinave, por kjo nuk mjafton. Puna është që dhe sy të tjerë shtetarësh të shohin të tjera “varreza” mjedisore që e kanë helmuar vendin. Ka ligje për mbrojtjen mjedisore, mirëpo kultura e ligjit është po aq e munguar sa ajo e mjedisit.

Ringjallja e natyrës, “armik” i ndotjeve

Duhet parë si fatkeqësi kombëtare, që toka jonë sot gjelbëron nga ferrat më shumë sesa nga bimët dhe pemët. Është koha e mbjelljeve të pranverës e fushat në masën më të madhe janë djerr. Traktorët janë të vetmet mjete që nuk shihen më në rrugë dhe në fusha, pasi Shqipëria tashmë është vendi i makinave luksoze për “salltanet”, më pak i autobusëve dhe aspak i trenave. Çudia është se dhe disa punë të mira, si mbjellja e pemëve frutore apo pyjore, nuk kanë vëmendjen e mediave, vetëm nëse aty gjendet kryebashkiaku i Tiranës për të thënë dy fjalë para mikrofonit me lopatë në dorë. Gjatë muajt mars, siç bën me dije Angjesia Kombëtare e Pyjeve, u mbollën pisha, akacie etj. në Divjakë, Fier, Gramsh, Voskopojë, Delvinë Mirditë, Dibër, Dajt etj., në njëzet bashki, por kjo si duket nuk përbën lajm për mediat. Mund të mos ishte vërtet lajm në kushtet e normalitetit, po kur pas një bjerrje të kësaj tradite të vyer, ndodh një rikthim në kodra e male i punëtorëve të ndërmarrjeve të gjelbërimit, nxënësve dhe studentëve etj. për të mbjellë fidane, kjo meriton të thuhet publikisht, pasi njerëzit shohin se qenkan ca institucione shtetërore, organizata mjedisore, të mbrojtjes së faunës, donatorë të huaj etj. që thonë me punë se Shqipëria bëhet, çka njëherësh do të vlente dhe si kritikë për bashkitë ku nuk është bërë asgjë për pyllzimet e reja, që të përfshihen dhe ato në të ardhmen.

Ringjallja e natyrës së shkatërruar nga prerjet e paligjshme dhe zjarret e verës në pyje, ullishta, vreshta, gërryerja e lumenjve për marrjen e inerteve etj. pos të tjerash është dhe një “armik” i ndotjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok