27/04/2024

LIRIA NË GJYQ

0

Nga Mihal Gjergji

Liria shqiptare përherë ka qënë e kryqëzuar, e sot më shumë se kurrë. Tashmë ndodhet nën akuzë. Të akuzuar janë viktimat e genocidit serb, e spastrimit etnik, të pafajshmit dhe të pambrojturit. Luftëtarët e lirisë janë vendosur përballë togave të zeza, gjyqtarë dhe prokurorë me shtetësi të ndryshme dhe pa identitete të qarta kombëtare. Po kush i akuzon shqiptarët? Vetë kosovarët kanë ligjëruar krijimin e një gjykate në Hagë. Mesa duket, s’e duan dhe s’e besojnë njëri-tjetrin, prandaj kanë pranuar kryepleq evropianë. Të vetët s’u pëlqejnë. Dhe ja ku ndodhen. Ata që e filluan luftën mbrojtëse me Adem Jasharin dhe e përfunduan me gjeneralin e Natos Wesley Clark, i akuzojnë për krijimin e një ndërmarrje kriminale të përbashkët. Kjo na bën të besojmë, se gjykata në fjalë, ka dashur të imitojë atë të Nurenbergut, por me një ndryshim thelbësor: xhelatët do jenë të lirë dhe të pushtetshëm, ndërsa viktimat e tyre do lidhen me zinxhirë dhe do trajtohen me përdhunë. Pra, më shumë se gjykim ligjor, ky është dukshëm një gjykim kishtar. Edhe veladonët e zinj janë njëlloj me të priftërinjve. Evropa e krishterë, e lodhur dhe e plakur nga luftrat, mesa duket, e ka të vështirë ta ndryshojë mendësinë e saj ndaj shqiptarëve. Kësisoj, na cilësojnë si zezakët e bardhë të kontinentit. Edhe Xhorxh Uashingtoni, themeluesi i Amerikës kishte shumë zezakë në pronat e tij, por i trajtonte mirë dhe shumicës së tyre u dha lirinë. Krishti i tha gruas që dihej se e kishte shkelur kurorën, që mëkati i saj ishte shlyer, jo pse ajo për këtë tashmë ishte penduar, por sepse dashuria e saj kish qënë shumë e bukur dhe e fuqishme. Po shqiptarëve, kush t’ua bekojë dashurinë që kanë për trojet e tyre? A thua të jetë ky një mallkim i dheut të mbrujtur me gjak dhe eshtra, apo i Zotit të cilin e përndoqëm dhe e qëlluam me plumba? Po Shqipëria nuk zhbëhet, as sot as kurrë. Keni dëgjuar për litarin e lidhur “KOM”, për të cilin Aleksandri i Madh u tha luftëtarëve të tij: – ajo kokë që nuk zgjidhet, pritet! Fan Noli, shqipëruesi i pakrahasueshëm i shekullit në të cilin jetoi, na mëson se këto fjalë u thanë në gjuhën shqipe. Ja pra, edhe KOMBI, duhet të ketë të njëjtën rrënjë fjale. Materia e kombit përbëhet nga geni njerëzor, d.m.th nga gjaku dhe rraca. As njërën as tjetrën s’kanë mundur të na i shuajnë, dhe s’do munden, asnjëherë. Shqiptarët vlerësohen si mercenarë. E vërteta është se, nevoja ekonomike i ka shtyrë të luftojnë nën flamujt e disa perandorive, dhe kanë shkëlqyer, po kjo s’është tregues për identifikimin e një rrace të tërë. Shqiptarët shkojnë në frontin e luftës me një barrë fisnikërie mbi vete, ndërsa në fronin e pushtetit tjetrësohen dhe bëhen sojsëzë, por jo vetëm ata. Atdhetaria është vlerë, ndërsa pushteti është interes. Arbërinë e përfaqësoi denjësisht Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, jo Hamzai. Pavarësinë e shtetit shqiptar e ligjëroi Ismail Qemali, jo Esat Pasha. Ky i fundit nderohet nga serbët, atje ku prehen eshtrat e tij mes ushtarëve të Kralit, jo nga bashkëkombasit e tij. Tradhëtarët i gjykon historia më shumë sesa ligji. Të shiturit tanë të viteve që po jetojmë, s’mund të kenë tjetër fat krahasuar me gjakprishurit e tjerë. Ata shërbejnë përherë si pjesë këmbimi e ingranazheve shtetërore. Vallë, kush e tund çekiçin e drejtësisë në Gjykatën Kosovare të Hagës? Të humbasësh rrugën e arsyes, do të thotë të verbohesh. Çdo krim është vulgar dhe çdo vulgaritet është krim. Tragjedia që ndjek pas heronjtë e lirisë, buron nga fakti që ata e vënë në jetë idealin e tyre në mënyrë të prerë. -Nuk jam as katolik, as mysliman, unë jam shqiptar. Këto ishin fjalët e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit. I tremb fjala shqiptar, prandaj e kanë mënjanuar simbolin e kombit tonë në hyrje të kësaj gjykate. Të pasurit dhe të varfërit janë vëllezër, por i pari quhet Kain. Shqiptarët s’kanë mundur ta ndërtojnë Evropën brenda trojeve të tyre, sepse i kanë ndarë e përcarë. Ua grabitën tokat dhe detin, ua tjetërsuan historinë. Nuk di, cili është qëndrimi i vërtetë politik, i atyre që pushkatuan Themistokli Gërmenjin në Selanik, që krijuan Republikën e Korcës dhe paskëtaj deshën t’ia dorëzonin fqinjit jugor, pikërisht ata që mbushën ishujt e Guajanës dhe Kajenës me luftëtarë shqiptarë të pafajshëm dhe i trajtonin si skllevër. Atje dha shpirt edhe Qamil Panariti i dënuar me 20 vjetë burgim për armëmbajtje. Ata s’kishin emra, vetëm një numur identifikimi. Donin t’ua fshinin kujtesën. U desh ndërhyrja energjike e Mitat Frashërit, jo vetëm njëherë, që shumica e të mbeturve gjallë të riatdhesoheshin. Zbritën në portin e Durrësit, ranë përmbys dhe me lot’ në sy puthën tokën e tyre. Prandaj nuk vdes shqiptari, dhe Shqipëria nuk zhbëhet. Dashuria jonë është më e fuqishme se çdo urrejtje evropiane.

Tiranë, Nëntor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok