21/04/2024

LIDHJA E LEZHËS E VITIT 1444

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Kuvendi i Lezhës apo Lidhja Shqiptare e vitit 1444 nënkupton bashkimin e parë politiko-ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë. U krijua me vendimin e Kuvendit që u mbajt në qytetin e Lezhës më 2 mars 1444. Kuvendi u thirr me nismën e Gjergj Kastriot (14051468). Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë princa të shquar shqiptarë. Midis tyre ishin Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani si dhe përfaqësues të malësive shqiptare. Në Kuvend mori pjesë edhe sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviqi.

Kuvendi i Lezhës njihet në histori edhe si Besëlidhja e Lezhës.

Lidhja e Lezhës u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit.

Për këtë qëllim, Lidhja e Lezhës mori masa për krijimin e një ushtrie të përbashkët dhe të një arke lufte, si organe të veta.

Lidhja e Lezhës e shpalli Gjergj Kastriotin kryetar të saj, me titullin “kapedan i përgjithshëm” dhe komandant epror të ushtrisë.

Ushtria do të përbëhej prej reparteve të rekrutuara në zotërimet e çdo anëtari të Lidhjes së Lezhës, të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe do të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë.

Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve e jepte kontributin më të madh. Në Lidhje e Lezhës, secili prej pjesëmarrësve e ruante autonominë politike të vet.

Gjergj Kastrioti si kryetar i Lidhjes, nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithëkëtë, caktimi i një udhëheqësi politik dhe ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte për kapërcimin e përçarjeve feudale.

Mjetet e bashkuara të Lidhjes së Lezhës si dhe komanda unike krijuan kushte më të mira për organizimin e mbrojtjes së vendit. Konsolidimi i Lidhjes së Lezhës, falë edhe mbështetjes së fuqishme të popullit, i dha Gjergj Kastriotit, si udhëheqës i saj, mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë, e cila, nganjëherë u zhvillua në dy fronte, kundër osmanëve dhe kundër Venedikut, si dhe në kushtet e shkëputjes së disa anëtarëve prej Lidhjes së Lezhës.

*   *   *

Pjesëmarrësit e Kuvendit të Lezhës

Andrea Topia është nga Topiajt, një prej familjeve më të fuqishme feudale shqiptare në mesjetë. Në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XV krijuan në Shqipërinë e mesme principatë të pavarur.

Gjergj Arianiti (? – rreth viti 1463) është një nga figurat historike kryesore të shekullit XV, pjesëmarrës dhe udhëheqës në luftën kundër pushtimit osman. Fushë e veprimtarive luftarake ishin zotërimet e tij në viste malore të Shqipërisë qendrore dhe juglindore dhe zonat gjatë luginës së Shkumbinit. Prej viti 1444 u lidh me luftën e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe në të gjitha betejat e para kundër osmanëve. deri në vitin 1450. Ndonëse aleat i Gjergj Kastriotit dhe u bë vjehërr i tij, Gjergj Arianiti e konsideronte veten si zot të pavarur. Pasardhësit e tij ikën në mërgim ku vijuan të luajnë një rol politik në oborret perëndimore.

Gjergj Stres Balsha vjen nga familja e Balshajve. Është një feudale e Shqipërisë së veriut. Në vitet 1360-1421 kjo familje sundoi në principatën e Shkodrës. Pinjollët e fundit të Balshajve në mesin e shekullit XV njihen si zotërues feudalë në Shqipërinë e mesme bregdetare dhe si bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit.

Lekë Dushmani ishte pinjoll i familjes feudale të Dushmanëve. Zotërimet e kësaj familjeje shtriheshin në Pultin e Vogël të krahinës së Shllakut. Mori pjesë në Kuvendin e Lezhës (1444) dhe qëndroi për një kohë të caktuar si anëtar i Lidhjes Shqiptare që u themelua atje. U largua prej saj kur Lidhja, në vitet 1447-1448, hyri në luftë kundër Venedikut.

Lekë Zaharia (? – 1445) ishte bashkëluftëtar i Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës dhe anëtar i Lidhjes shqiptare që doli nga ky Kuvend. U vra në vitin 1445 nga rivali i tij Nikollë Dukagjini. Duke qenë se nuk kishte trashëgimtarë, pas vrasjes së tij u shtrua çështja e trashëgimisë së zotërimeve të tij dhe të qytetit të Dejës, që ishte një qendër doganore e rëndësishme. Venediku, duke bërë për vete nënën e të vrarit, u përgatit për ta vënë në dorë qytetin. Gjergj Kastrioti dërgoi pranë saj bashkëpunëtorin e vet të ngushtë dhe besnik, njërin nga komandantët më të shquar të ushtrisë së tij, Vrana Kontin (1389-1458) për ta bindur që ta vinte qytetin në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Pushtimi i qytetit nga Venediku dhe lajmet diskredituese që kishin përhapur ata se gjoja Gjergj Kastrioti kishte gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë, u bënë shkak për shpërthimin e luftës që ndërmori Lidhja e Lezhës kundër sundimit të Venedikut mbi qytetet shqiptare.

Nikollë Pal Dukagjini vjen nga familja sunduese feudale e shekujve XIV-XV. Zotërimet e saj shtriheshin në Shqipërinë e veriut. Përfaqësues kryesorë të Dukagjinëve në shekullin XV ishin vëllezërit Nikollë dhe Pal Dukagjini dhe i biri i Palit – Lekë Dukagjini. Të dy vëllezërit morën pjesë në Kuvendin e Lezhës (1444). Në vitet 1447-1448, si anëtarë të Lidhjes së Lezhës, morën pjesë në luftën kundër Venedikut, të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti. Përforcimi i pushtetit qendror të Gjergj Kastriotit i largoi Dukagjinët prej tij dhe i afroi at herë me Venedikun, më 1456 dhe herë me osmanët, më 1457. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Lekë Dukagjini u bë një prej figurave udhëheqëse të luftës kundëosmane. Me rënien e kështjellave të fundit në vitet 1478-1479, Nikollë dhe lekë Dukagjini mërguan në Itali. Në vitin 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II (1430-1481) u kthyen në Shqipëri për të vazhduar luftën, ndonëse pa rezultat. Me emrin e Lekës lidhet Kanuni i Lekë Dukagjinit i cili i përmbledh normat juridike që i rregullonin marrëdhëniet në shoqërinë malësore.

Pjetër Spani – është pinjoll i familjes feudale të Spanëve. Jetoi në shekullin XV. Ishte zotërues i Pultit në Shqipërinë e veriut. Bashkëkohës i Gjergj Kastriotit. Në fillim të shekullit XV pinjollë të kësaj familjeje ishin pronarë të mëdhenj në rrethin e Shkodrës në shërbim të Venedikut. Pjetër Spani me katër bijtë e tij mori pjesë në Kuvendin dhe Lidhjen Shqiptare të Lezhës (1444).

Teodor Muzaka i Riu vjen nga familja e Muzakëve. Është një familje feudale e Shqipërisë së Jugut, e shekujve XIII-XV. Duhet thënë se në vitin 1389 Teodori II Muzaka, me ushtrinë e vet mori pjesë, përkrah koalicionit të sundimtarëve shqiptarë dhe ballkanas, në Betejën e Kosovës (1389) dhe mbeti i vrarë atje. Gjin Muzaka mori pjesë në Lidhjen e Lezhës dhe qe një prej bashkëluftëtarëve të afërt të Gjergj Kastriotit. I biri i tij, Gjon Muzaka e vazhdoi luftën kundërosmane edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Pas rënies së kështjellave të fundit të Shqipërisë, Gjon Muzaka mërgoi në Napoli, ku në vitin 1510 shkroi përkujtesën “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, që paraqet burim të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë.

Stefan Cernojeviqi vjen nga familja feudale e Cernojeviqëve. Është familje me prejardhje shqiptare, më pas e sllavizuar. Zotërimet e saj shtriheshin në Zetë, në fillim midis Budvës dhe Tivarit për t’u zgjeruar drejt lindjes. Në fillim të viteve ’40 të shekullit XV, në krye të Cernojeviqëve në Zetë u përforcua pushteti i Stefan Cernojeviqit, i cili ishte i martuar me të motrën e Skënderbeut, Marën. Duke u ndodhur para sulmeve osmane, ai u lidh me luftëne sundimtarëve shqiptarë me Gjergj Kastriotin në krye dhe mori pjesë së Kuvendin e Lezhës më 1444. Këto lidhje vazhduan edhe në kohën e pasardhësit të tij Ivan Cernojeviqit (1465-1490) që ishte martuar me njërën nga bijat e Gjergj Arianitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok