07/05/2024

ARBËRESHËT, PËR SKËNDERBEUN NË LEZHË…

0

Vijnë përherë për Heroin Kombëtar, pa protokoll…

NGA NDUE DEDAJ

Ishin dhe këtë 2 Mars në Lezhë, jo një e dy, e as katra – pesë, si ndonjë delegacion, por masivisht, sa nuk i nxë avioni, anija, autobusi. Kur ka ditë të shënuara të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut këndej Adriatikut, ata dyndën “shtëpi për shtëpi”, më 17 janar, më 2 mars, më 6 maj, jo vetëm në datat biografike të tij, por dhe ato që lidhën me betejat më të njohura në histori etj. Venë në Lezhë, në Krujë, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, në Prizren dhe kudo tjetër ku ka shenja të Heroit, siç është Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, ku kanë vënë dhe një gur përkujtimor me mbishkrim.

Ka gjashtëqind vjet që Arbëreshët e Italisë vijnë te shtëpia e vjetër, votra e pashuar, gjeneratë pas gjenerate.

Mund të mungojmë ne, por nuk mundojnë asnjëherë ata. Nuk duan vend në podium, nuk mbajnë fjalime, thjeshtë shpalosin ngjyrat e gjalla të kostumeve arbëreshe, të pabjerra, ashtu si fjalët plaka të shqipes së pandërruar, ku shkuan me muaj e vite për ta studiuar të folmen arbëreshe Martin Camaj, Jup Kastrati, Gjovalin Shkurtaj etj. Nuk ka asgjë patetike në fjalët e tyre, ka vetëm mall dhe dëlirësi të origjinës në këngët e vallet.

Nuk kemi pasur ndonjë “ambasador” tek Arbëreshët, por është gjithsesi njeri, botuesi i mirënjohur Fatmir Toçi, që ka mbi 15 vjet që shkon e vjen në Kalabri si në shtëpinë e tij, sa nuk ka komunë, por as fshat që nuk e ka shkelur, përshkruar e fotografuar. Ai ka botuar dy libra të vëllimshëm, më shumë se një mijë faqe, duke i nxjerrë arbëreshët nga miti, siç u prinë për atje dhe kolonive të piktorëve, që i organizon vetë. Shoqëron po ashtu grupe arbëreshë për binjakëzime me bashki shqiptare etj. Dhe nuk ndihet për atë që bën me dhe për Arbëreshët, veti kjo e njerëzve të shquar, që nuk bëjnë asgjë për t’u duartrokitur në publik, por sillen si në një mision.

Lezha e kremtoi me plot dinjitet 580 – vjetorin e Kuvendit të Besëlidhjes, nën kujdesin e Bashkisë, si dhe të institucioneve të tjera shtetërore e shoqërore, që kur i harmonizojnë punët – dhe e bëjnë gjithnjë në ngjarjet kulturore – ngjajnë si një orkestër e mirë.

Thamë se Arbëreshët nuk presin ftesë, pasi për ta ftesë është vetë kujtesa e madhërishme e Skanderbegut – ajo është kthyer në një institucion për ta, ku jo rastësisht ka buste të tij në çdo vend ku ata rrojnë. E megjithatë i ka ftuar presidenti e Republikës, kryeministri në samitin e diapsorës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, pa bërë fjalë për Lezhën, që e bën këtë gjë rregullisht prej të paktën 7 vitesh.

Historiani Paulin Zefi, njëri nga organizatorët, na thotë se në prillin e vitit 2017, qendruan për tre ditë në Lezhë arbëreshët, të ftuar nga Bashkia. “Asokohe kemi sjellë kontingjentin e parë: 4 kryetarë komunash dhe 50 arbëreshë. Më pas, kemi vijuar traditën çdo vit. Ndërsa duke nisur nga viti 2022 arbëreshët kanë filluar t’i ftojnë edhe Presidenca dhe Bashkia Tiranë. Më 23 prill do t’i kemi prapë këtu në Lezhë, ndërsa më 7 shtator jemi ftuar ne të shkojmë atje…”

E pyesim Paulinin për takimin e përvitshëm të prillit dhe ai na përgjigjet: “Për arsye se më 23 prill është Dita e Shën Gjergjit, mjëherësh çlirimi i Krujës nga Rrethimi i Dytë, më 23 prill 1467 dhe vrasja e Ballaban Pashës”.

Kjo është një qasje e shkurtër e këtij 2 marsi në Lezhë, me fokus arbëreshët. Arbëreshët tashmë janë kthyer…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok