20/06/2025

“Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshme

0
Albert-Vataj

Përgatitit: Albert Vataj

Në mënyrë të thellë, tronditëse dhe thellësisht personale, Oriana Fallaci shpreh në këtë pasazh të jashtëzakonshëm marrëdhënien ontologjike mes nënës dhe fëmijës, një lidhje që shkon përtej ndjenjës, kohës dhe madje edhe jetës, një zë që dëgjohet si një jehonë që zbret nga galaksia dhe derdhet brenda nesh duke mbushur çdo qelizë të qëndis sonë.

Vdekja e nënës, thotë një ndër gratë ikonike të gazetarisë italiane dhe botërore, nuk është një humbje si të tjerat, përveç se… ajo është një paralajmërim i heshtur i fundit tonë të ditëpasditshëm. Duke qëndruar zgjuar pranë nënës në çastet e fundit, ajo e përshkruan atë bashkëbisedim të fundit si një rrëfim i shenjtë, ku jeta flet me fjalë shpirti në formën më të zhveshur dhe të ndjerë, si falënderim, si përshëndetje, si përpjekje për të shtyrë të pamundurën, për të hedhur tej në skaje caqet e asaj që ne i japim dhimbjes. Kjo pjesë nga “The Meaning of Life” është një meditim i thellë mbi kuptimin e jetës përmes ndarjes me atë që na ka dhënë jetë.

“Vdekja e nënës sate nuk është e krahasueshme me vdekjen e njeriut që ke dashur, ajo është parathënie e vdekjes sate. Sepse është vdekja e krijesës që të ka konceptuar, të ka mbajtur në bark, të ka falur jetën. Dhe mishi yt është mishi i saj, gjaku yt është gjaku i saj, trupi yt është një vazhdim i trupit të saj. Në momentin kur ajo vdes, një pjesë e jotja, ose vetë parimi i qenies sate, vdes fizikisht; as kordoni i kërthizës nuk është prerë ndonjëherë për të të ndarë prej saj. Për të shtyrë atë vdekje që ishte një parathënie e vdekjes sime, unë qëndrova zgjuar. Për të më mbajtur zgjuar, e mbaja atë zgjuar dhe flisja, flisja. I thashë asaj atë që nuk ia kisha thënë kurrë dhe nuk do t’ia thoja askujt tjetër: plagët e mia, pendesat, dyshimet — një barrë e çmuar, sidoqoftë, sepse ishte vetë jeta. I thashë se, përtej atyre plagëve dhe pendesave dhe dyshimeve, unë e doja shumë jetën. Isha kaq e lumtur që kisha lindur, dhe e falënderova atë në gjunjë për faktin që më kishte sjellë në jetë.”

Në këtë tekst të Oriana Fallacit, vdekja merr përmasat e një akti të shenjtë, por edhe të frikshëm, sepse ajo nuk na e merr thjesht nënën, ajo na e shkul vetveten tonë çdo ditë e nga një copëz qysh prej asaj dite. Dhe jeta, në këtë rrëfim të thellë, zbulohet si një mirënjohje ndaj dhimbjes, ndaj lindjes dhe ndaj vetë dashurisë së pavdekshme që quhet nënë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok