14/10/2024

KUKËS, NJË KAFE ME SHKRIMTARIN PETRIT PALUSHI

0

– Bisedë për Eposin e Lumës dhe Drinin –

NGA NDUE DEDAJ

Petrit Palushi është njëri ndër romancierët më të njohur bashkëkohorë të vendit. Jeton në Kukës dhe kësisoj ai është mikpritësi i shkrimtarëve në këtë qytet prej tridhjetë vitesh. Ka pritur Ismail Kadarenë, Ali Podrimjen, Rexhep Ferrin, Vath Koreshin, Frederik Rreshpjen, Ramadan Musliun etj. Nga këto kontakte deri tani ai ka botuar një libër, që është intervista e fundit e Frederik Rreshpjes gjatë një nate qëndrimi në Kukës me Petritin, por që në të ardhmen mund të jetë një libër i tërë, me kujtime për të gjithë ata që trokitën tek ai, dhe për faktin se kurrë nuk u largua nga qyteti i tij. Petriti ka drejtuar klubin letrar “Anton Pashku”, disa kohë ka qenë dhe drejtor i Bibliotekës së Kukësit, ka bërë botime letrare dhe monografike, ka organizuar promovime dhe takime letrare, si vite më parë një veprimtari përkujtimore kushtuar poetit të njohur Agim Spahiu, ku kemi marrë pjesë dhe ne. Ai evokon me shkrime e kujtime herë pas here poetin e ndjerë Myftar Gjana, apo letraren e re Sabajeta Peposhi që nuk rron më. Letërsia “kukësiane” është e larmishme, nga Namik Dokle, Bajazit Cahani te Shqiponja Axhami. Libri i fundit i Petritit është “Eposi i Bjeshkëve të Lumës”, që na e dhuroi me dedikim. Në parathënien e tij ai shkruan se përmes këtij libri përcillet një tubë legjendash për Lumën, të cilat janë rrëfye (ritregue) tue u ruejtë e paprekshme palca e origjinalit. Ato lidhën më së shumti me Mallin e Gjalliçes, Drinin e Bardhë e të Zi etj.

Petriti është miku ynë dhe vemi shpesh tek ai me miqtë e përbashkët krijues, Zef Zefi, Salvador Gjeçi, Bardhok Pulaj, Hekuran Koka etj. dhe kësaj here me Alfred Dukën. Ka kaluar një sëmundje jo të lehtë dhe dje, në lulishten e bar – kafesë “Kinemaja”, qendruam rreth tri orë duke folur për letërsinë, më së shumti për Kadarenë dhe për Drinin. Por dhe për Havzi Nelën. Ishin aty dhe djemtë e tij, Milosao dhe Maliani, që e shoqërojnë gjatë gjithë kohës sa Petriti ta marrë plotësisht veten.

Petriti më të vërtetë është shkrimtar, por ai është njëherësh dhe një punëtor i zellshëm i gjuhës, veçmas i të folmes së Lumës. Na thotë se në vjeshtë do të botojë një fjalor të Drinit, me 700 fjalë të urta dhe njësi frazeologjike të mbledhura prej tij kohë pas kohe. Njëra nga këto njësi është mallkimi “Të pafsha mes dy Drinave”, domethënë si mos më keq. Po ashtu krejt befasuese na u duk shprehja tjetër, “Drini shëndosh!”, kur nuk ka mbetur askush tjetër për t’u ngushëlluar pas ndonjë tragjedie të rëndë familjare.

Urat janë gjithmonë një grishje për udhëtarin e sidomos turistët. Përshkojmë në këmbë urën e re të çeliktë të Kukësit, që po i jepet dora e fundit. Ajo është 320 metra i gjatë, pa asnjë këmbë në mes, e gjitha e varur. Ura ka harkun më të lartë në Evropë, 67 metra lartësi, po kjo nuk do të thotë se është ura më e madhe në Evropë. Ura notoi mbi liqen me “hapin e breshkës” në muajin prill 2024 për të hipur mbi dy këmbët e bëra gati. Është vepra më e madhe e këtij lloji në Shqipëri. Kur kundon atë në sfondin gri të Gjallicës, nuk ka se si të mos të të shkojë mendja te urat e vjetra të Drinit. Izet Duraku i kthehet herë pas here kujtesës së Kukësit të Vjetër me fotografi e shkrime, sidomos Urës së Vezirit, që ngrihej pak kilometra poshtë vendit ku bashkoheshin Drini i Bardhë e Drini i Zi, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit 18 nga Karamahmut Pasha, i cili ndërtoi edhe Urën e Ndërmjetme dhe Urën e Kullës së Lumës, të cilat dijetari francez Amie Boué i quan si urat më të bukura në Perandorinë Osmane. Ura e Vezirit u hodh në erë nga ushtria serbe në vitin 1915 dhe rrënojat e saj janë nën ujrat e liqenit të hidrocentralit të Fierzës.

Luma është shpaluar shkencërisht në veprën e vëllimshme të studiuesit të mirënjohur Shefqet Hoxha, me kanunin, etnografinë, besimet, historinë, traditat, monumentet, reliktet të ndryshme të saj etj. Fatri Bajraktari, mësues i edukimit fizik, pasardhës i shtëpisë së Bajraktarit në Bicaj ka sjellë për të na treguar një flamur të vjetër të krahinës së Lumës. Mendohet se është të paktën dyqindvjeçar, por ai kërkon t’i bëjë analizat shkencore për të përcaktuar saktë vjetërsinë. Krahas shqiponjës flamuri është i “stolisur” dhe me disa “pëllëmbë gjaku” në të, që dëshmon qendresën e përgjakshme për liri e pavarësi të Lumës kundër pushtuesve. Shumë vite më parë ka ardhë për ta parë Robert Elsie dhe e ka vlerësue. Fatriu tregon se ruan dhe një pasaportë të vitit 1924 të një familjari të tij të vjetër, ku te zëri profesioni, shkruhet: “bajraktar”…

Sa herë vijmë në Kukës, Petrit Palushi do të gjendet patjetër aty, në “oborrin” e institucioneve kulturore të qytetit, si Radio, Pallati i Kulturës, Ish – Kinemaja etj. Na kujtohen plot miq tanët që kanë punuar për vite e vite në këtë Radio duke iu dhënë zë këtyre trevave: Lumës, Hasit, Prizrenit, Gjakovës, Dibrës, Pukës etj., si Zana Spahiu, Mëhill Tanushi, Izet Duraku, Nermin Spahiu, Sulejman Dida, Rexhep Shahu, Besim Cengu etj. E papërsëritshme mbetet për valët e Radio – Kukësit Lufta e Kosovës, që i ktheu gazetarët e saj në reporterë lufte, si dhe ata të mediave të tjera të këtij qarku verilindor, ndër të cilët, krahas gazetarit veteran Zylfi Tola, Bashkim Shalës etj., kujtoj me dhimbje shokun tim të studimeve universitare, gazetarin e ATSH-së Riza Hoxha, njëherësh oponionist në gazetën “Sot”, ndarë nga jeta para pak vitesh.

Në Kukës, një kafe me Petrit Palushin është shumë më tepër se kaq…

NDUE DEDAJ

Kukës, më 4 korrik 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok