08/11/2024

Krenar dhe të turpëruar nga manifestime të tilla si ai i Dortmundit?!

0

Nga Enver Bytyçi

Ishte madhështor, emocionues dhe një përjetim i jashtëzakonshëm ajo që ndodhi më 14 qershor ditën e ndeshjes Itali-Shqipëri për kampionatin europian në Dortmund të Gjermanisë. Gjithkush nga ne ka përjetuar çaste të mrekullueshme, madje shumica prej nesh jemi përlotur nga ai manifestim i paparë i 50 mijë shqiptarëve në rrugët dhe në stadiumin olimpik të Dortmundit.

Një mrekulli që vetëm shqiptarët dinë ta bëjnë. Madje me zemër, me ndjenjë, me dashurinë e madhe jo vetëm për kombëtaren, por edhe për vendin, për kombin, për atdheun. Secili në mënyrën e vet shfaqi atë ndjenjë të ndrydhur në shpirtin e tij për më shumë se një shekull e ndoshta dy. Të ndrydhur nga sunduesit e nga pushtuesit, nga dhunuesit e egër vendas e të huaj! Liria që ne shqiptarët e fituam jo pa sakrifica në vitin 1991-1992 dhe më 1999-ën,  na ka dhënë këtë mundësi për të dëshmuar se jemi komb me identitet, integritet dhe autoritet të padiskutueshëm.

Edhe nëse humbja do të komentohet si e tillë, pra si humbje, manifestimi i shqiptarëve në Dortmund të shtunën nuk do të harrohet. Ashtu si goli në sekondën e ’23-të i Bajramit kundër Italisë. Nuk do të harrohet as devijimi i Hysajt për të mos prekur topin se mos shkonte në rrjetën e kundërshtarit! Me këto pamje e manifestime kënaquni, emocionohuni, po të doni derdhni edhe lot, por mos u mburrni, mos thoni “jemi krenarë se jemi shqiptarë”, se nuk jemi shqiptarë të mirë. Jemi fasada e së mirës dhe thelbi i të keqes! Jemi mbuloja e pisllëkut, por jo pastërtia që ngjall respekt! Mbështillemi me flamuj kuq e zi, por ama qeveritarët dhe deputetët shqiptarë në shumicë përdorën paratë tona për ta veshur atë flamur. Të tjerë oligarkë e mafiozë pranë qeverisë përdorën makina të blindume për të udhëtuar drejt flamujve të gjakosur me krime droge!

Natyrshëm jemi krenar me flamurin, por a jemi krenar për ata që jemi, për atë që bëjmë, për ata që zgjedhim të na drejtojmë?! Noizzi thërriste nga stadiumi “Jam krenar se jam shqiptar”! Dhe mirë bën. Por luksi nuk e lejon të shohë se kokën na e ulin miqtë e tij në krye të shtetit! A mund të jemi krenar me atë që cakton lojtarët në kombëtare që t’i përdorur për interesat e tij politike?! A mund të jemi krenarë që një njeri na dikton gjithçka e na kontrollon për gjithçka, edhe për rezultatin e ndeshjes në Dortmund?! A mund të mburremi se Noizzi e miqtë e kryeministrit kanë vila, restorante e makina luksoze, ndërsa 30 përqind e popullsisë u largua nga Shqipëria për shkak të varfërisë dhe padrejtësisë?!

Mos u mburrni, sepse mburrja na bën të harrojmë disa gjëra elementare dhe esenciale. Ne bashkohemi në stadiume, por nuk bashkojmë dot dy qeveritë e dy shteteve tona. Nuk i detyrojmë dot dy kryeministrat e dy shteteve tona të flasin bashkë. Njëri flet me armikun më të egër të shqiptarëve, Serbinë. Tjetri përpiqet të riparojë çfarë prish bashkepunëtori i Vuçiq! Ne bashkohemi në stadiume të Europës, por nuk bashkohemi në stadiumin e Tiranës. Ne bëhemi bashkë kudo nëpër botë, por zihemi dhe i nxjerrim sytë njëri-tjetrit në oborrin e shtëpisë tonë. Ne jemi gati të hedhim vallen dorë për dorë me çdo shqiptar edhe të panjohur, por politikanët tanë “i kanë vënë pushkën njëri-tjetrit”!

Ne mblidhemi e manifestojmë me një performancë të shkëlqyer spontanisht në Europë, SHBA e gjetkë, gjithnjë kur luhet futboll. Por nuk e luajmë prapanicën për vëllain tonë gjatë samiteve rajonale e ndërkombëtare. Bëjmë kapedanin përballë vëllait, të vogël quajni po të doni! Por i japim territore në përdorim të huajve për të garantuar pushtetin! Ne nuk jemi ata të Dortmundit! Ne jemi faqja e zezë mbi këtë tokë. Ne në Shqipëri kemi instaluar mafien në pushtet. Dhe mafia e përdor Dortmundin e çdo mundësi tjetër ku valviten flamuj shqiptarë, për të fshehur veptimtarinë e vet kriminale të shtetit mafioz. Ne i bashkojmë flamujt në Europë, i puthim dhe i mbështjellim fort, por nuk i bashkojmë në veriun e Kosovës. Për këtë pjesë të shtetit të Kosovës themi se “është tokë e askujt”!

Para se të vrapojmë me flamuj e të skuqim me ta stadiumet dhe rrugët e Europës ne duhet të kapim për veshi ata politikanë që punojnë për Serbinë e na mashtrojnë ne me ngjyra kuq e zi! Para se të vishemi me flamujt kombëtarë, shqiptari ka nevojë të vishet me dije dhe kulturë e të mos e durojë tiraninë e mafies në pushtet dhe të pushtetit—mafie! Para se të këndojmë për Adem Jasharin në kor duhej të nxirreshin jashtë stadiumi e jashtë qytetit të Dortmundit ata që dhunojnë çdo ditë gjakun e shenjtë të Adem Jasharit dhe familjes së tij!

Ne duhet të mburremi! Por nëse na rriten të ardhurat! Nëse rriten pagat e pensionet! Nëse na ndërtohen rrugë! Nëse nuk na ngrihen çmimet! Nëse heqim nga çatitë depozitat e turpit të ujit! Nëse punohet e gjykohet me drejtësi! Nëse ndjehemi të lirë në vendin tonë! Nëse zgjedhim udhëheqësit që duam! Nëse arsimohemi me cilësi! Nëse shërbehemi si europian në spitale! Pra, nëse e rrisim mirëqenien dhe popullsinë në vendin tonë! Ata që na pakësuan me një milion banorë në një dekadë, shkojnë në Dortmund me paratë tona e më pas na hiqen patriotë me flamur! Ndërsa turma kuq e zi i bën të besojnë se janë baballarët t kombit! Ky është turp, nuk është krenari!

Për këto e shumë arsye tjera, emocionet dhe kënaqësia e manifestimeve të tilla si ai i së shtunës në Dortmund mbesin si kategori psiqike e çastit, e momentit! Sapo të mendosh se çfarë ndodh në realitetin shqiptar, gjithçka kthehet përmbys! Një zymti e paparë në histori! Një ndjenjë turpi dhe jo krenarie! Dhe këtë na e shkakton vetëm një faktor, ai, ata që janë në krye të shteti-mafie!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok