Konfrontimi ushtarak i Perëndimit me Rusinë, me rastin e agresionit rus në Ukrainë

Nga Skender Jashari

Në qarqet politike e sidomos në opinionin publik perëndimor, nuk mendohej që Perëndimi sërish do konfrontohej me Rusinë, edhe pas rënijes së Bashkimit Sovjetik. Mirëpo kjo ishte e sigurtë për ushtarakët, që jo shumë larg do të ndodhte, duke e pa sidomos përpjekjen e Rusisë për t’u ringritur sa më shpejtë që të ishte e mundur, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Me rënijen e Blloqeve, gjegjësisht rënijen e Bashkimit Sovjetik që shënonte përfundimin e Luftës së Ftohtë, kishte shpresë që bota do të krijonte kushte më të favorshme për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në kontinentin Europian dhe të thellonte reduktimin e armëve bërthamore.

Më 1 dhjetor 1991, Ukraina ishte vendi i dytë pas Rusisë, për nga fuqia ushtarake nga ish Bashkimi Sovjetik, duke trashëgu edhe 1/3 e arsenalit bërthamor, e që vlerësohej si vendi i tretë në botë me më shumë armë bërthamore në atë kohë. Kishte 130 raketa balistike interkontinentale UR-100N, secila me nga 6 kokë bërthamore, kishte 46 raketa balistike interkontinentale RT-23 Molodets, pastaj 33 avion bombardues të rëndë, me gjithsej në total prej 1.700 kokave bërthamore në tërë territorin ukrainas. Por më 1994, Ukraina u pajtu që të shkatërronte armët e tilla dhe t’i bashkohej Traktatit për mos-përhapjen e armëve bërthamore.

Edhe në këtë kohë, kishte profesor amerikan, që theksonin që Ukraina duhej të mbante armë bërthamore që ta ndalonte agresionin rus.

Mirëpo denuklearizimi i Ukrainës, u kompensu me ndihmë financiare dhe poashtu me garanca për siguri në Memorandumin e Budapestit. Ky memorandum u nënshkru më 5 dhjetor 1994, nga liderët e Ukrainës, Rusisë, Britanisë dhe SHBA-së, derisa Franca dhe Kina, kanë dhënë garanci për siguri të Ukrainës në dokumente të ndara, e që i garantonin pavarësinë dhe sovranitetin në kufijtë ekzistues të Ukrainës, e që këto shtete palë zotoheshin që do përmbaheshin  nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Ukrainës dhe që asnjë armë e tyre nuk do përdorej kundër Ukrainës, poashtu edhe nga detyrimi ekonomik me qëllim të nënshtrimit të Ukrainës ndaj interesave të tyre, pastaj që palët do detyrohen që të kërkojnë menjëherë nga Këshilli i Sigurimit që të veproj për ta ndihmu Ukrainën nëse ajo do bëhet viktimë e një agresioni ose objekt kërcënimi për agresion ku armët nukleare do përdoren.

Në Ukrainë, më 21 nëntor 2013, në sheshin Euromaidan, në Kiev, shpërthyen demonstrate dhe pakënaqësi civile, pasiqë qeveria e saj kishte refuzu befasisht nënshkrimin e Marrëveshjes për asocim të Ukrainës me BE-në, duke zgjedhur lidhje më të ngushta me  Rusinë dhe Unionin ekonomik Euroazisë, e që Parlamenti ukrainas e mbivotoi të parën, kurse Rusia shtoi presionin që Ukraina të rikthehet kah ajo. Kështu vazhdoi eskalimi i situatës, populli Ukrainas ishte ndarë afërsisht në gjysma, e që kryesisht pjesa lindore e Ukrainës, ishin më prorus për dallim nga pjesa perëndimore, e kështu ndodhi edhe agresioni rus në Krime dhe pjesën lindore të Ukrainës më 2014, i cili ishte mirëpritur në pjesët lindore të Ukrainës). Derisa kundërpërgjegja e palëve garantuese perëndimore: SHBA-së, Britanisë, Francës por edhe e Kinës, ishte plotësisht e joproporcionale gjë që nuk ndaloi Rusinë, madje mbi bazën e kësaj duket që u nxit edhe për më shumë me rastin e agresionit të ri më 24 shkurt 2022.

Me rastin e parapërgatitjeve luftarake dhe ushtarake të Rusisë për agresion kundër Ukrainës më 2022, parashikimet e planeve të Rusisë ishin:

⦁        Opsioni më disfatist ishte që Rusia për disa ditë mund të mposhtëte dhe të kontrollonte tërë Ukrainën. Ky opsion ishte më rusofil e disa herë edhe dukej që mbështetej dhe nxitej nga propaganda e Rusisë, jo vetëm me qëllim të minimit të moralit të luftës kundër agresionit rus. Përqëndrimi kryesor i sulmit rus, deri në fillim të prillit 2022, ishte Kievi, me qëllim të rrëzimit të qeverisë dhe vendosjes së një qeverie promoskovite.

⦁        Ndarja e Ukrainës përgjatë rrjedhës së Dnjeprit dhe ndarja e Ukrainës duke krijuar korridorin jugor tokësor mes Donbasit dhe Krimesë dhe

⦁        Pushtimi i bregdetit ukrainas, për të kalu për në Transnjistri. Ky opsion duket më shumë si opsion real, nëse Rusia do kishte sukses në Ukrainë, por se gjasat nuk janë aq shpresëdhënëse në realitet. Natyrisht, konfliktet kanë aftësi shumë të madhe që të shpërndahen shumë më lehtë, sesa që të shuhen  a izohen.

Kundërpërgjegjet e Perëndimit, të bashkërenduara sidomos me Ukrainën kundër agresionit rus ishin:

⦁        “Lufta”  perëndimore kundër Rusisë.

SHBA, NATO, Britania kanë deklaruar hapur që nuk do dërgojnë trupa ushtarake për të luftuar në Ukrainë, kundër agresionit rus, apo edhe për të mbyllur hapësirën ajrore të Ukrainës. Mirëpo NATO ka paralajmëruar, që nëse përdoren armët e shkatërrimit të masë atëherë do ndërhyjnë.

Edhe përkundër kësaj, gradualisht shihet që shtetet anëtare të NATO-s dhe Perëndimi, janë duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në konflitin në Ukrainë, kundër agresionit rus. Perëndimi jo vetëm përmes NATO-s, por edhe përmes mekanizmave të tjerë, kanë ndërmarr veprime konkrete:

⦁        Sanksione ndaj Rusisë, ndaj zyrtarëve rus dhe oligarkëve, por edhe përjashtimi dhe izolimi ndërkombëtar i Rusisë

Sanksione të njëpasnjëshme, nga: OKB-ja, BE-ja, Vendet e G7-ës, SHBA, Britania, Franca, Gjermania etj, kanë qenë dërmuese dhe në vazhdimësi vazhdojnë të shtohet numri i sanksioneve të reja. Sanksionet ekonomike kundër Rusisë, sanksione të plota bllokuese ndaj bankave të caktuara ruse, ndalimin e investimeve perëndimore në Rusi, heqjen e Rusisë si “komb i favorizuar për tregëti me SHBA-në”, rritja e tarifave të importeve të Rusisë për në SHBA etj.  Pastaj dëbimi i diplomatëve rus, mbyllja e hapësirave ajrore, konfiskimi i pasurive të zyrtarëve rus, largimin e Rusisë nga sistemi ndërkombtar i pagesave SWIFT, bllokimin e gazësjellësit Rrjedha Veriore 2, përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut etj.

⦁        Mbështetje logjistike ushtarake për Ukrainën.

NATO, shtetet anëtare të NATO-s, filluan me trajnime të forcave ukrainase për luftë guerile dhe të kombinuar, për të vazhdu pastaj me mbështetje logjistike kryesisht me armatime,  pastaj mbështetje në luftën informative( kryesisht me zbulim), luftën kibernetike, mbështetjen për mbrojtje nga armët kimike dhe biologjike. Për të vazhduar më pas edhe me mbështetje logjistike edhe me armatime të rënda, si tanke, sisteme raketore të mbrojtjes antiajrore, helikopter, dronë, dronë kamikaze, blinda të tjera, artileri etj, jo vetëm të prodhimeve ish-sovjetike, por edhe perëndimore. Derisa Rusia në vazhdimësi kërcënon që do i sulmoj edhe konvojet që transportojnë armët e tilla për në Ukrainë.

⦁        Lufta guerile e kombinuar e forcave Ukrainase kundër agresionit rus.

Niveli i gatishmërisë ushtarake, profesionalizmit të tyre por edhe i paisjes me armatime, në krahasim me vitin 2014, në rastin e agresionit rus, ishte shumë më e keqe. Pas këtij agresioni, NATO dhe shtete anëtare të caktuara sidomos SHBA, Britania etj, dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në trajnimin për t’i bë ballë agresionit rus, gjegjësisht trajnimin për luftë guerile dhe luftë guerile të kombinuar, por edhe në armatosjen kryesisht me armët më efikase si: FGM-148 Javelin, NLAW dhe FIM-92 Stinger. Por pa lënë anash edhe dronët TB-2 Bajraktar, si dhe armët tjera të cilat i posedonin edhe më parë forcat e armatosura ukrainase.

⦁        Nxitja e revoltave brenda Rusisë dhe në shtetet mbështetëse të Rusisë.

Efektet e luftës ekonomike perëndimore( sanksioneve), kundër Rusisë, domosdoshmërisht do ndikohet në stabilitetin e brendshëm politik, të sigurisë, ekonomik dhe në shoqërinë ruse në tërësi. Tashmë janë distancuar disa nga ish-gjeneralët, pastaj disa nga biznesmenët e Rusisë, por edhe janë shprehur edhe pakënaqësi deri dezertime dhe revoltime edhe të njësive a ushtarëve të Rusisë. Nga ana tjetër edhe BE, do marr në shqyrtim dhënijen e azil politik të gjithë dezertorëve rus, derisa edhe qeveria Ukrainase i ka premtu poashtu pagesa të majme dezertorëve rus.

Derisa në Kazakistan, më janar 2022, shpërthyen revoltat, ku mbetën të vrarë 227 njerëz dhe mbi 9.900 të arrestuar, e që CSTO, dërgoi forca ushtarake për ta rivendos rendin dhe qetësinë, derisa për këto trazira akuzohej Perëndimi, me pretendimin që ta largonin Kazakistanin nga influenca ruse.

Efektet e luftës ekonomike do shkaktojnë rritjen edhe të pakënaqësive në popullatën ruse, e cilia nga qeveria e Putinit, është mbajtur nën kontroll sidomos përmes kontrollit ekonomik, e që dihet siç kishte deklaruar edhe vetë Putini, që në Rusi janë deri 2.000 vatra konflikti potencial etnik.  Spontanisht priten të shpërthejnë konfliktet dhe pakënaqësitë në Rusi, kjo është më së e sigurtë.

Më:30.04.2022

Skender Jashari  i burgosur politik nga  EULEX, për   rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë  së Serbisë në  Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është  pjesë e  marrur nga  punimi i bërë  gjatë  qëndrimit në  burgimin politik!

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
error: Content is protected !!