23/04/2024

KOMPLEKSITETET TEK HERONJTË DHE TRADHËTARËT

0

Pjesa I

Nga Fahri Dahri

Këto ditë ka një revansh se kush e kush t’i mbrojë si heronj dhe kush e kush t’i demaskojë tradhëtarë. Këto të kundërta janë normale dhe të gjendura pa vështirësi gjatë historisë njerëzore. Dhe kështu do të ndodhë, sepse janë të pashqitura dy të vërteta të paevitueshme:

a)- Koha dhe,

b)- Përkatësia ndaj interesave individuale apo grupimit”.

Në këtë artikull gjithçka do shtjellohet  vetëm i mbështetur tek përvoja, do largohemi nga teoritë e ndryshme, si ato politike, partiake dhe sociale. Ato,  tek shumica e popullit janë bërë të neveritshme, veprimet e mbrapshta të politikës na kanë krijuar një ndjenjë pështirosjeje, përbuzjeje të thellë.

Do ti referohemi ngjarjeve aktuale të kohës, realiteteve të cilat politika i ka nxjerrë nga binarët (shinat).Treni është zhulatur në kënetën e mashtrimeve, gënjeshtrave, shpifjeve të anëtarëve “byroistë” të mbi 250 vagonave që kanë vithisur lokomotivën e jetës!.

Deri këtu gjithkush është i informuar, e njeh mirë realitetin; por është mësuar, edukuar që të ecë në jetë duke forcuar durimin, rritur vigjilencën, kujdesin për t’iu shmangur katastrofave vetiake dhe më tej.

Shkrimi do përqëndrohet tek disa individë, që me qendrimet e tyre, kanë krijuar kompleksitete. Ndaj veprimeve të tyre, disa prej nesh shikojnë vetëm anët e mira, heroizmat; ndërsa disa vazhdojnë dhe mbeten “skllavë” të anëve të këqia, tradhëtitë.

Nuk është për tu habitur, as çoroditur nëse tek i njëjti individ shikojmë si  heroin dhe tradhëtarin, sepse këto sjellje nuk janë të izoluara. Të tilla figura gjenden në çdo popull, në çdo vend dhe kohë.

Figura të tilla gjinden jo pak edhe tek personalitetet tona. Sot po flitet shumë për mitroviciotin Xhaferr Deva.

Do përqëndrohem në dy shembuj të përafërt, që trazojnë mendjet dhe qendrimet e mbarëshqiptarëve brenda 100 viteve të fundit. Veprimtaritë e tyre kanë shumë domethënie, por trajtimin  do e kufizojmë tek qendrimet që duhen mbajtur në sjelljet e tyre ndaj atdheut dhe mbarë shoqërisë shqiptare.

—————-

Një ves “tërbimi” i katër dekadave të shekullit XX-të, krijoi luftë klasash, ndarje, denigrime, poshtrime brenda shoqërisë dhe familjeve (të moshuarit mos i harrojnë; të rinjtë t’i njohin për t’i luftuar). Sot, për fatin tonë, vazhdohet me ato qendrime, i shohim ngjarjet me dylbitë e asaj periudhe, gje që dikton:  Edukim të pandërprerë, gjithëpërfshirës për të siguruar shplarjen e trurit nga helmet e gjarpërinjëve rrethues.

Brenda nesh, duam nuk duam, është ulur këmbëkryq “helmi”, i trashëguar, i kultivuar nën kujdesin qëllimkeq nga tre perandori dhe rregjimi komunist. Urrejtjen, egoizmin, ndalimin e shkrimit të gjuhës, mos shkollimin, varfërinë. Këto elementë socialë negativë kanë çoroditur mendjet dhe ndjenjat e kombit tonë, radhazi për dymijë vjet.

Pa paragjykuar askënd, por veset, helmet që nuk lejojnë të shkëputemi nga e djeshmja, e shkuara, nuk duhet të na mbajnë të skllavëruar. Të shkulim “kancerin” nga mendja, të largohemi nga deklarimet e ndarjes së shoqërisë në disa të deklasuar, të tjerët  fismë, të nderuar. Ka ardhur koha që shumë epitete negative të trashëguara nga intervenimet e huaja:

bizantine, otomane dhe komuniste, t’i lipsim, ti hedhim mbas krahëve. Boll më me epitete negative për njëri-tjetrit:  “Ti je komunist, je ballist, zogist, apo legalist, konservator, ti je enverist, kulak, familje e deklasuar,  shtoni dhe -ti-të e këtyre 30 viteve”.

Socialist, demokrat, socialdemokrat, republikan, konservator etj. Nuk është fjala për ti shmangur këto të fundit, sepse jetojmë në epokën e shoqërisë së pluralizmit politik, por këto përkatësi politike ti trajtojmë, ashtu si duhet, politikisht dhe jo siç na i kërkojnë dhe kultivojnë “byroistët” partiakë, epitete armiqësore, gjithë urrejtje. Qendrime të neveritshme, pa asnjë yndyrë, të pa pranueshme. Këto keqinterpretime, thjeshtë kanë hyrë në shoqërinë tonë për ti shërbyer vetëm “byroistëve”  partiakë. Konkluzion i nxjerrë nga praktika në veprim për 30 vjet.

Nëse këtë konkluzion, dikush e trajton ndryshe, atëhere shtrohet pyetja: “Dakort. Nga të mëshuarit e epiteteve negative si më sipër, ç’farë është  përfituar nga shqiptarët?. Praktika tregon se në shoqërinë tonë kanë rrënjësuar ndarjet, zëmërimet, mërzitjet, urrejtjet, sharjet, shpifjet. Pra aspak të mira. Përkundrazi, fusha veprimi të lira për të mbajtur gjallë helmatisjen ndër nesh. Tridhjet vjet kanë kaluar që rregjimet diktatoriale u shëmbën, nuk ka justifikim që ne, me njeri-tjetrin të ruajmë peshat negative të para nëntëdhjetës. Ata, para nesh, bënë si bënë e jetuan jetën e tyre, ashtu gjysma-gjysma, ca komunistë, ca ballisto-zogistë. Para 1944-trës

shqiptarët nuk e njihnin, fjala vjen, fjalën “kulak”, ajo na u shfaq për të luftuar fshatarët e pasur! Më pas, ne të asaj kohe e kuptuam se fjala kulak do përkthehej në fjalën shqipe “grusht”. Pra, pse ata ishin të pasur, duhej të perballeshin me grushtin, rrahjen, burgosjen, sekuestrimin pasuror dhe moralisht të deklasuar. Sot na duhet ti dimë ato qeverisje, por jo ti përdorim.

Ne dhe brezat duhet të bëjmë çmos që së pari secili të kuptojmë vetveten, më pas ta kontrollojmë dhe arrijmë në vetveprime pozitive.

Jam i bindur se një kthesë e tillë në qendrimet disa shekullore ndaj veseve,  viruse të kultivuara e të importuara nga pushtuesit, do na çlirojnë ndërgjegjen, zemrën dhe shpirtin. Arritjet e këtyre çlirimeve, do të unifikojnë ndjenjat e dhimshurisë, respektit, do sigurohet zhvillim drejt afrimit, drejt takimit, drejt bashkimit të elementeve përbërëse, të gjërave të ndryshme; divergjencat do sheshohen. Duhet të sigurojmë sa më shpejt konvergjencën.

Shoqërisë tonë i nevojiten institucione edukimi serioze dhe profesionale, me fillesë urgjente në kopshtet, në gjithë nivelet arsimore. Në tërësi rol të rëndësishëm kanë kalemxhinjtë, intervistuesit, folësit e mediave, prezantuesit; sociologët, psikologët. Pozicionet publike të tyre kërkojnë të jenë sa më pak në role teoricienësh dhe sa më shumë afër jetës praktike.  Të gjitha institucioneve kultutore, koha u kërkon reformim rrënjësor, me taban nga praktika popullore; tepër kujdes në përshtatjet teorike.

Vijon

Fahri Dahri. 16/02/2022.-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok